Arbëri

Ambasadorët përsërisin se formimi i Ushtrisë duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese

Descriptive Text

Ambasadori amerikan Greg Delawie dhe ai francez Didier Chabert, kanë përsëritur qëndrimet e tyre se formimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet me ndryshme kushtetuese.

Në konferencën “FSK-ja dhe perspektivat e së ardhmes”, ambasadori amerikan ka thënë se shmangia e ndryshimeve kushtetuese është shkelje e planit strategjik për të cilin SHBA-ja mbetet e përkushtuar dhe ka kontribuar shumë për këtë.

“Shmangia nga rruga kushtetuese do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet mes Kosovës, NATO-s dhe aleatëve”, ka thënë Delawie.

Sipas tij, Kosovës tani i duhet një pushim nga agjenda legjislative për formimin e Ushtrisë dhe t’i jepet hapësirë dialogut me gjitha komunitetet për formimin e saj, transmeton Koha.net.

“Ne nuk besojmë që do të lejohet që dikush të përdorë veto, por duam ta mbështesim këtë dialog. Nuk po ju referohemi që të bisedoni me Beogradin sepse ju jeni shtet sovran dhe kjo çështje u takon juve. Ne po themi që të bisedoni me të gjithë aktorët”, ka thënë Delawie.

Ambasadori francez ka kërkuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që të ngadalësojë ritmin që Ushtria të formohet me ligj, por të tentohet përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Franca mbështet çdo fjalë që tha ambasadori amerikan. Ne e dimë se FSK-ja ka dy rrugë të formimit: Kushtetutën dhe ndryshimet me ligj. Më e mira do të ishte që transformimi të bëhet me ndryshime kushtetuese. Kjo është më e parapëlqyer për ne. Franca do që presidenti të ngadalësojë ritmin dhe të tentohet me kushtetutë”, ka thënë Chabert.