Arbëri

Edhe Vetëvendosja pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se përkrah idenë e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, të cilën e ka dhënë kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në një intervistë për kp ka thënë se secilën iniciativë kundër kësaj Qeverie do ta përkrahin, e edhe mocionin e mosbesimit.

“Askush nuk do të duhej të priste nga Vetëvendosje diçka ndryshe përveç një pozicionimi kundër kësaj Qeverie, qoftë edhe me mocion. Prandaj është e kuptueshme dhe i pritshëm qëndrimi i Lëvizjes, se do ta mundësojmë cilëndo shanse që të jepet për ta çuar vendin në zgjedhje si zgjidhje të problemeve. Legjitimiteti i kësaj Qeverie ka munguar qysh në fillim, por kjo qeveri përveç se jo legjitime është edhe jo legale, sidomos prej vendimit të Kushtetueses kur këtë qeveri e nxjerr shkelëse të kushtetutës me rastin e ‘Zajednicës’”, tha Selimi.

Këtë ide gjithashtu e ka përkrahur edhe AAK-ja.

Sipas tij, edhe pse pushteti ka mbi dy të tretat e deputetëve, po shihet se tashmë kanë ndryshuar raportet brenda vet koalicionit që tregon se duhen zgjedhje të parakohshme. Madje, Selimi thotë se po të varej nga opozita, kjo Qeveri moti do të shkonte në shtëpi.

Mustafa i kundërpërgjigjet iniciativës së Nismës për mocionin

Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, nuk po brengoset për këtë nismë, duke thënë se opozita s’ka me çfarë të merret pos të kërkojë zgjedhje.