Arbëri

Pse ministrat nëpër komisione po raportojnë me dyer të mbyllura

Raportimi i ministrave me dyer të mbyllura ka vazhduar në komisionin parlamentar për Stabilizim Asociim, raporton KTV.

Me gjithë kritikat e opozitës dhe gazetarëve, këtë mënyrë të raportimit e kanë bërë edhe katër ministra të qeverisë.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, Xhavit Haliti, arsyeja e mbylljes është mosdalja në publik e përplasjeve politike mes përfaqësuesve të subjekteve politike.

Por, ndaj mbylljes së këtij Komisioni, sërish ka reaguar deputetja e “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka kërkuar shpjegime nga Komisioni për Mandate dhe Imunitete.

Për dallim nga kryeministri Isa Mustafa, që ka kërkuar modifikim të kriterit të demarkacionit për liberalizim të vizave, ministrja e Integrimeve Evropiane nga radhët e PDK-së thotë se demarkacioni duhet të ratifikohet në Kuvend.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë në luftën kundër korrupsionit.

Më 3 prill, me dyer të mbyllura në këtë Komision, ka raportuar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.