Arbëri

Sa është numri i të sëmurëve në burgun e Dubravës

Së paku dhjetë raste të të burgosurve vetëm në Qendrën Korrektuese në Dubravë vuajnë nga sëmundje të rënda shëndetësore, të cilat kërkojnë intervenim të shpejtë, raporton KTV.

Nga mosofrimi i duhur i trajtimit shëndetësor, në mungesë të stafit mjekësor dhe mjeteve adekuate në këtë qendër dhe qendra të tjera korrektuese, këto raste mund të përfundojnë me fatalitet.

Këto shqetësime i ka ngritur Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, të cilët gjatë intervistave me të burgosurit, kanë deklaruar se vuajnë nga sëmundje të rënda.

Shqetësim tjetër i madh i këtij këshilli mbetet edhe fakti që pasi të burgosurit diagnostikohen me këto sëmundje, ata nuk ndalen për trajtim në QKUK.

Për ngritjen e shërbimeve shëndetësore në burgje, Ministria e Drejtësisë thotë se është duke punuar vazhdimisht, pasi që sipas saj, është e drejtë e çdo të burgosuri të trajtohet njësoj. Sipas statistikave të këtij departamenti, vetëm në vitin 2016, katër persona kanë vdekur në burgje, ndërsa 11 të tjerë kanë tentuar të vetëvriten.