Arbëri

Rregullore për Mbrojtje nga Diskriminimi në Qeveri dhe në Komuna

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e rregullt, të 140-të me radhë, në të cilën ka miratuar rregullore, udhëzime dhe vendime nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Është aprovuar Rregullorja për Mekanizmat Institucionalë për Mbrojtje nga Diskriminimi në Qeveri dhe në Komuna, që ka për qëllim përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të njësive apo zyrtarëve përkatës për mbrojtje nga diskriminimi në ministri dhe komuna, si dhe mënyrën e koordinimit, raportimit dhe bashkëpunimit të tyre me mekanizmat tjerë institucional për mbrojtje nga diskriminimi.

Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, e miratuar në këtë mbledhje, përcakton organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore planifikohet për funksionimin e qëndrueshëm të Fondit për Sigurime Shëndetësore, përfshirë administrimin e personelit, trajnimin dhe zhvillimin e stafit dhe vetë Fondit. Ky organizim do të mundësoj grumbullim në mënyrë efektive të të gjitha mjeteve financiare për shërbime të kontraktuara nga institucionet shëndetësore, si dhe zbaton pagesën ofruese të shërbimeve shëndetësore sipas obligimeve kontraktuale të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në emër të dy Bashkëshortëve.

Sipas këtij propozimi, neni 9 i Udhëzimit Administrativ bazik, paragarafi 1, togfjalëshi: “Ky udhëzim administrativ zbatohet për periudhën një (1) vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi”, zëvendësohet me togfjalëshin “Ky udhëzim administrativ zbatohet për përudhën dy (2) vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi”. Objektivat e këtij propozimi qëndrojnë në sigurinë ligjore dhe garantimin e të drejtës së dy bashkëshortëve, për të administruar me pronën, sigurinë që pas regjistrimit prona të jetë objekt qarkullimi dhe pjesë e ekonomisë së tregut, garanci bankare etj, fuqizimi ekonomik i gruas në Kosovë, ngritja e numrit të pronave të regjistruara, avancimi i mëtejmë i drejtësisë gjinore sipas standardeve ndërkombëtare, inkurajimi i komunave që pas hyrjes në fuqi, të kenë tatimpagues të garantuar dhe të regjistruar si të tillë.

Kabineti qeveritar ka marrë vendim për emërimin e Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe vendimin për emërimin e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Qeveria ka miratuar në këtë mbledhje edhe Programin për Komunitete, që ka për qëllim përcaktimin e kritereve dhe procedurave për ndarjen e subvencioneve apo transfereve nga buxheti i ndarë për Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, me qëllim të mbështetjes dhe promovimit të të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhje, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Punësimit.

Është aprovuar Koncept Dokumenti për Administrimin e Mbeturinave nga Industria e Nxjerrjes së Mineraleve, si nevojë e përmbushjes së detyrimeve të dala nga MSA-ja, lidhur me direktivat e Bashkimit Evropian, dhe përmirësimin e legjislacionit kombëtar mjedisor, e paraparë me Strategjinë Legjislative për vitin 2016-2017.

Qeveria e Kosovës miratoi Koncept-dokumentin për Rregullimin e Fushës së Produkteve Biocide, përmes të cilit do të rregullohet vendosja në treg si dhe përdorimi i produkteve biocide në tërë territorin e vendit.

Pikë tjetër që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI “Progres”, Prizren të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e “Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Vllashnje”, Komuna Prizren.

U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preket nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Han i Elezit, Sektori C3.

Kabineti qeveritar aprovoi kërkesën për dhënien e autorizimit Ministres së Integrimit Evropian nga Presidenti i Republikës së Kosovës për lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit të IPA 2016 i cili përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin evropian.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe kërkesën për dhënien e autorizimit Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me organizatën “SPARK” të Holandës për mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit “IBCM” në Mitrovicë.

Kryeministri Mustafa, tha se në të gjitha fazat kur është vendosur lidhur me këtë është kërkuar që çështjet ligjore t’i sqaroj Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe mbi këtë bazë edhe sot do të vendoset që përgjegjësia e sqarimit të çështjeve ligjore të mbetet mbi këtë Ministri.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe kërkesa për dhënien e autorizimit Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me Agjencinë Austriake për Zhvillim -ADA për financimin dhe drejtimin e zbatimit të projektit “HERAS”-Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat Aplikative-Kosovë”. Projekti ka për qëllim të kontribuoi në funksionimin sa më të mirë të arsimit të lartë dhe shkencës në Kosovë në përputhje me parimet e fushës evropiane të arsimit të lartë si dhe në përputhje me fushën evropiane të kërkimit me qëllim afatgjatë në përkrahjen e zhvillimit socio- ekonomik të vendit. Projekti do të implementohet në një periudhë trevjeçare 2017-2019 dhe do të financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim –ADA 90 për qind dhe i bashkë financuar nga MASHT me 10 për qind.

Edhe vendimi për ri alokimin e mjeteve në Buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në përputhje me tri marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale, mori miratimin e kabinetit qeveritar. Këto projekte rrjedhin nga fondet e ndara për ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për bashkëfinancim me IPA për zhvillim rajonal dhe granti stimulues i bashkëfinancimit me kuvendet komunale.

Kabineti ka miratuar edhe vendimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Programet e BE-së: Erasmus +, COSME, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Kreative. Në nëntorin e vitit të kaluar është nënshkruar Marrëveshja kornizë për qasjen e Kosovës në programet e BE-së. Qëllimi i këtyre programeve është promovimi i bashkëpunimit të vendeve dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor me ata të Bashkimit Evropian, në fushat e interesit të veçantë. Nga 17 programe që ka Bashkimi Evropian, Kosova pas një studimi dhe analize se nga cilat nga këto programe mund të përfitoj më shumë, dhe ka përzgjedhur këto 4 programe si më të përshtatshmet. Pas miratimit të sotëm, institucionet përgjegjëse do të fillojnë procedurat e nevojshme për anëtarësimet e lartcekura.

Edhe vendimi për autorizimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vendosjen e nivelit të përdorimit të platformës elektronike nga ana e autoriteteve kontraktuese, për vitin 2017, u aprovua në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Platforma e prokurimit elektronik përfshin përveç e-tenderimit, edhe një numër të konsiderueshëm të modeleve të tjera siç janë e-ankesa, e-menaxhimi i kontratës, e-pagesat, ankandet dhe ankandet kthyese.