Arbëri

KEDS-si do të përfitojë mbi 2 milionë euro nga parapagimi i qytetarëve për RTK-në

Afërsisht 2 milionë e gjysmë euro në vit do t’i përfitojë KEDS-i nga pagesa që do të bëjnë qytetarët për RTK-në.

Kështu të paktën pretendon Lëvizja Vetëvendosje, që është kundër që kjo kompani të mbledhë pagesën prej 2.5 euro për RTK-në, siç parashihet me projektligjin për RTK-në.

Kjo parti ka propozuar që mbledhjen e pagesës ta bëjë Posta e Kosovës, ndërsa edhe shumën prej 2.5 euro e konsiderojnë si tepër të lartë. Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media pritet që të mërkurën të mblidhet për të shqyrtuar projektligjin, që Vetëvendosje e konsideron të papranueshëm, ndërsa kanë kërkuar angazhimin e ekspertëve në grupin punues për hartimin e projektligjit.