ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Asgjë për Mitrovicën

Publikuar: 14.04.2012 - 20:09

Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vetë nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje

Nuk arrij ende të kapërdij gjithë atë neglizhencë, komfort e mosreagueshmëri të treguar nga institucionet tona pas aktit të fundit terrorist në Mitrovicë dhe për më tepër pas spastrimit etnik të shqiptarëve për në jug. Nuk mbaj mend të ketë pasur një paralizë totale të vendit ani pse aktet provokuese, kriminale e terroriste vinin njëri pas tjetrit sa për të rënduar dhe më shumë dëshpërimin e mllefin e kosovarëve. Një pasqyrë si kjo tregon më së miri se sa pak brengosen “të mëdhenjtë tanë” për “të vegjlit e vet”, sigurinë e tyre dhe perspektivën e çerek territorit të vet. Jam i bindur se po të bëhej fjalë për ndonjë tender pak milionësh secili prej tyre, i madh e i vogël, do të renditeshin për të copëtuar një pjesë ashti nga talli i mishit të korruptuar.

Nuk arrij ende të kuptoj se sa patetikë e të gërditshëm u bëmë nga injoranca e treguar pas vrasjes së një shqiptari në gjumë nga kriminelë, terroristë e vandalë serbë; banditë të ndyrë që sillen e pështillen si në bahçe të babës. Mund t’i parafytyroj vrasësit teksa ngrenë dolli rakie për ‘burrërinë” e treguar ndaj fëmijëve e të pambrojtur; qyqarë të mjerë. Edhe më pak arrij të kuptoj reagimin tonë ndaj tyre, tolerancën, durimin e pritjen e dhënë; më mirë të mos reagonin fare. Në ditën e parë të vrasjes së Selverit u bëmë thirrje terroristëve për qetësi, në ditën e dytë varrosëm burrin në hije të plotë, në ditën e tretë heshtëm, e në të katërtën dërguam dy policë e një kioskë; çfarë tmerri e dëshpërimi.

Tmerr e dëshpërim, meqë gjuha jonë hipertoleruese po u jep zemër dhe më shumë qyqarëve terroristë. Sot terrorizmi serbë merr fuqi, sepse gjuha jonë politike promovon dorëzimin në vend të mbrojtjes. Kur ata vendosën barrikada ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata vranë forcat e rendit ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata dogjën kufijtë ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata kidnapuan policët kufitarë ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata ekzekutuan një familjar ne bëmë thirrje për qetësi. Sa herë që ne bëjmë thirrje për qetësi e jo thirrje për mbrojtje, terroristët do të marrin zemër më shumë, vrasin e djegin më shumë. Nuk ka vend në botë që ka zhbërë terrorizmin me thirrje për qetësi, por me forcë të rendit dhe forcë të shtetit. Këtë forcë ne nuk po e tregojmë e as që e kem ndërmend ta tregojmë.

Tmerr e dëshpërim, meqë trajtuam Selverin e vdekur më zi se kur ishte i gjallë. Paramendoni se atij i kishim ndalur kohë më parë asistencën sociale, duke e lënë atë dhe familjen e tij në mëshirë të të pamëshirshmëve. Qeveria jonë mund të thirret si patriotike kur shpenzon 1 miliard euro në autostradën për Shqipëri, por shumë më patriotike mund të thirrej sikur gjithë ato para t’i jepte vetëm për veri. Nuk ka akt e gjest më patriotik se zotërimi i veriut; nuk do të ketë asnjëherë për Kosovën. E trajtuam Selverin edhe më zi në vdekje, meqë varrimi i tij u bë në heshtjen më të madhe të mundshme, pa ceremoni zyrtare, pa prezencë të përfaqësuesve politikë, e pa reagime që do të bënin nam. Në vend se kryeministri i vendit të ndërpriste shëtitjen e tij turistike në universitetet amerikane, t’i thoshte botës se ka terroristë në vendin e tij dhe se po kthehej për t’u dhënë gjuhën e forcës banditëve qyqarë që vënë bomba në shtretërit e fëmijëve, ai zgjodhi heshtjen; as edhe një fjalë. E kur një tjegull e çatisë së një manastiri serb bie rastësisht nga një erë, Serbia dërgon letra e telegrame gjer në OKB.

Tmerr e dëshpërim, meqë për t’i dhënë zgjidhje dhunës e terrorizmit në veri ne dërguam, paramendoni ose jo, dy policë në një kioskë. Nuk arrij të kuptoj logjikën e sensin e dikujt prapa një ideje të tillë, nuk arrij të kuptoj se a e bënë se aq dinë apo se nuk duan. Nëse dinë aq, mjerë për ne; do të duhet të paditurit t’i bindim se nuk dinë e më pas t’i bëjmë që të bëjnë. Nëse nuk duan më shumë, turp për ta e marre për ne në kë jemi mbështetur. Sa për të legjitimuar paaftësinë totale tonën, kryetari i Mitrovicës një ditë pas vrasjes u bënte thirrje qytetarëve “të mbrojnë pragun vetë”. Një thirrje kaq joinstitucionale nga një njeri institucional tregon se në çfarë gjendjeje të gjorë Kosova është sot. Po ne taksa e tatime nuk paguajmë që të vetëmbrohemi, shtet nuk shpallëm që të vetëmbrohemi, institucione nuk zgjodhëm që të vetëmbrohemi, por që me punën tonë, paratë e shtetit e institucionet e zgjedhura të krijojmë forcë që i del zot vendit, qytetarëve të sotëm e fëmijëve së nesërmes. Edhe më e rëndë e shumë më provokuese dukej vizita e radikalit serb Nikoliq, i cili mu para hundëve tona, një ditë pas vrasjes, mbante miting partiak. Po të kishim një gram dinjitet ata do ta arrestonim për hyrje ilegale në Kosovë dhe për nxitje të dhunës e mbështetje të terrorizmit. E nëse nuk kemi kapacitete të arrestojmë le të shpjegojë dikush gjithë këtë marifet shtetndërtues.

Tmerr e dëshpërim edhe për reagimin ndërkombëtar. Shumica heshtën, e ata që folën shkretuan. Bënë thirrje që ngjarja të mos politizohet, se Selveri kishte vdekur si njëri i zakonshëm dhe zgjidhja duhet të ishte e zakonshme. Zotërinjtë diplomatë, në vend se të kërkonin nga shtetet e tyre nota proteste për terrorizmin serb, në vend se të reagonin njëjtë siç reagojnë kur terrorizmi prek bashkëqytetarët e tyre, e trajtojnë vendosjen e një bombe tek një familje si diçka të zakonshme. Ata nuk dinë apo nuk duan të dinë se Selveri nuk vdiq si një njeri i zakonshëm, por vdiq pse ishte shqiptar; vdiq pse vrasësit e tij ishin po të njëjtit që i dhanë Evropës gjenocidin e fundit trembëdhjetë vjet më parë, e sot po të kishin pak forcë do të ribënin të njëjtin gjë. Madje, janë po të njëjtit njerëz që këtë javë detyruan shqiptarët që më në fund të largohen nga shtëpitë e tyre; pastrim modern etnik ky. Jo se pritet ndryshe nga diplomatë që objektiv[ kanë një karrierë të qetë në një vend me plot mundësi për karrierë. Sikur ata të insistonin në forcat e tyre paqeruajtëse për zgjidhje njëjtë sikur insistojnë në korridoret e  Parlamentit, Mitrovica do të harrohej kaherë. Pavarësisht kësaj,  gjuha e toleranca ndërkombëtare duhet t’u shërbejë Kosovës e institucioneve tona si kambanë zgjimi se zgjidhja e veriut nuk do vijë asnjëherë nga të huajt, ashtu siç na ishte premtuar e thënë vit pas viti që nga 99-ta. Zgjidhja do të vijë vetëm nga ne. Në fund të fundit, po nuk arritëm të mbrojmë Selverin, ne mund t’i mbrojmë të tjerët në Mitrovicë.

Kosova sot duhet të bëjë zgjedhje mes mbrojtjes dhe dorëzimit. Paaftësia jonë për të reaguar si shtet, mungesa e vullnetit për të treguar dhëmbë, gjuha e butë dhe zmbrapsja pas çdo kërcënimi serb kam përshtypjen se deri më tani kanë sjellë hiç më shumë se një dorëzim dhe pranim të humbjes. Të dhënë pas pasurimeve individuale nga pushteti, të uritur nga potencialet e plaçkitjes së gjithçkaje publike, politika kosovare nuk ka gjetur asnjëherë rrugën e drejtë shtetndërtuese. E sa herë është vënë në situata sfiduese për veriun, e njëjta ka zgjedhur rrugën më të lehtë: thirrjen për qetësi, komfortin dhe harresën. Kur Tadiqat e Daçiqat u flasin njerëzve të tyre mbi kthimin e Serbisë në Kosovë, e bëjnë këtë ngaqë nga ne dëgjojnë zëra që duan paqe me çdo kusht, duan dialog e negociata para mbrojtjes, duan rahati para mundit; apo si një komentues i kafehaneve të Qeverisë e kishte thënë “mos pritni nga ne të dërgojmë policinë atje”. E kur Qeveria jonë pranon mungesën e mjeteve për të vënë rend ajo pranon rritjen e guximit të terroristëve, ajo i inkurajon ata për të bërë më shumë. Kur ne pranuam barrikadat pardje, djegien dje, vrasjen sot, ne pranojmë humbjen e veriut nesër. Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vetë nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje. Alexander Hamilton ka thënë: “Një komb që pëlqen turpin ndaj rrezikut është i gatuar për padron, dhe e meriton një”. Selveri mund të jetë vetëm një njeri i lënë në harresë, por veriu i Kosovës është me plot të tillë. Heronj modern të harruar nga gëlltitësit e mëditjeve, vozitësit e xhipave, e sheikët e politikës kosovare, presin sot e nesër mbrojtjen e shtetit të tyre; jo thirrjen për qetësi, jo dy policë, jo një kioskë e jo solidaritet në fjalë, por mbrojtje. Është koha e fundit për vendosjen e shtetit në veri.

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

Komente (5)

bedriu15.04.2012/12:00

mos kane pas ndonjeher ndonji zgjidhje per veriun perveq se me fjal

agimi 15.04.2012/11:05

te gjith ju qe veq kritokoni e akuzoni njerz pa fakte jeni bashkpuntor te krizes ne veri ne krye me euleksin ne qi jetoim ne mitrovic e dim se me kan ata bashpunoin edhe nga jan ata shiptar e pa besushme po e verrtet disa sulme qe kan ndodh atje kan qen shiptar te tjera qyteteve qe bajn biznes me ta sepse ata kan qen dhe ja pro serb

Avdiu15.04.2012/07:09

Keta që sorollaten nëpër botë sikur të ishte Kosova njëqindmilionshe,që janë pasuruar me para të pista mito,korupcion trgëti të pa moralshme, uzurpim të pasurisë së shtetit e çka jonuk bëjnë shtet.Çdo kush mund të jetë patiot pëveç materialistit dhe ... rieristitkëta i kanë të dyja.Populli pranon të jetë kope andaj ska pse puet pse e çuan para thertores nga se thertorja është fati i kopesë.

fan .noli 14.04.2012/22:30

pajtohem.me ket mendim .bravo kjo eshtet e vertet duhet qe kombi te mbrohet nga terroristet apo nacijonalista e mafija kontrabanda serb, qe i hedh bomba dor ne mes te nates familje shqiptare aty duhet te mbrojn rrenjet e shtepis se aty ka qen gjyshi babgjysh dhe stergjyshi ilir ok duhet vet mbrojtje aty .mjaf.

kaqaniku14.04.2012/21:14

z,Lumir!
me heret e lexuam nje kolumne te z,Adriatikut..pak me ndryshe por ne thelb, po thuaj se e ngjajshme.
fakti qe thua bandite te ndyre qe sillen e pshtillen,si ne bahqe te babes,eshte nje peceptim i gabuar,me gjithe respektin, z,Lumir, ketu nuk behet fjale per bandita, ktu behet fjale per nje plan afaegjate te Serbies,plus kesaj,behet fjale per exploziv plastike, te nje lloji ushtarak.
a me te vertet beson qe disa rrugaqe ose bandite te ndyre mund te kryejne nje akt, te ketij lloji a !?
a nuk po te perngjan ne nje veprim te planifikuar dhe realizuar,ne menyre profesionale a! keto jane projekte afatgjate,qe serbia i ka avancu dhe shty perpara gjat 12 viteve,asgje nuk ka qene e rastit.
me te vertet ke besim aq te madh ne forcat e siguries se Kosoves a?
qka kemi ne,per me u perballe me nje sistem te organizuar dhe drejtuar nga Serbia,qe jane te armatosur deri ne dhembe,dhe me armatim modern dhe te sofistifikuar.
kurse ne anen tjeter e kemi nje lloje policie,speciale me armatim kinez..dhe me polic te pakualifikuar,e aq me pak te afte...
Ne shum shpejte po harrojna,se me kend kemi te bejme,po me duket se pas luftes ne Kosove,aq shum na e kan shperla trurin,keto pseudopatriota saqe me te vertet disa mendojne qe UQK e ka qliru Kosoven!
pas atyre banditave tendyre ne veri qendrojne qendrojne eprore gjenerale experte luftarake,krem de la krem..kurse ti mendon qe kjo qeveri i ka kapacitet per me kontrollu verun aa!! kjo qeveri din si me perfitu tendera si me shntazhu njerez apo parti,kurse ne interes te Popullit kurr punu nuk ka,as kjo e as ata qeverit e meparshme, ky eshte realiteti.
Bajram rexhepi kur shkoi ne vorrimin e policit te mjere qe ra heroikisht ne veri, tha para familjareve se ka informata se kush jan dore ... sesit,diqka qe u transmetua live, sot mas disa muajve,ku jane ... sesit? valle ne burg? jo jo ata shetiten te poshte perpjete..kurse deri tash kush dha doreheqje nga kabineti i kesaj qeverie te deshtuar..prit magar se del bare.. MADE IN KOSOVA

1000  Karaktere
Prishtinė 17°C
Tiranė 17°CI kthjellėt
Shkup 19°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell