Urgjentisht për një strategji të re kombëtare për energji
Nezir SinaniArtikujt tjerė
- Kosova shënon javën e tolerancës
- A jemi ne me ne?
- 23 qershori: Heroik apo erotik?
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
- Vizioni dhe fantazia
- Rruga e Arbrit duhet të përfundohet
Strategjia e re energjetike duhet të përmbajë: plane për zhvillim të burimeve të ripërtërishme të energjisë, të eliminojë faljen e burimeve aktuale gjeneruese të linjitit kompanive private, të eliminojë monopolizimin e tregut gjenerues dhe të furnizimit, planin për reduktimin e humbjeve teknike dhe komerciale në rrjetin e transmisionit dhe të shpërndarjes, planin për efiçencën e energjisë elektrike, si dhe planin për bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar
Kosova është vend i pasur me burime të shumta nëntokësore që tashmë edhe fëmijëve në djep u flitet për to. Një nga këto burime e kemi përdorur me bollëk në 40 vjetët e fundit për të prodhuar energjinë elektrike.
Në kohën kur është vendosur që ky burim të destinohej për këtë qëllim, Kosova ka qenë pjesë e një entiteti krahasimisht më të madh nga këndvështrimi i hapësirës që sot e përbën shtetin tonë. Rrjedhimisht, shfrytëzimi i linjitit për prodhim të energjisë elektrike në atë entitet ka pasur kuptimin e plotësimit të mozaikut të gjithëmbarshëm të sektorit energjetik. Në të njëjtën kohë, pjesët e tjera përbërëse të këtij entiteti kanë zhvilluar burime të tjera të natyrës për të prodhuar energjinë elektrike, në mënyrë që balanca në mes të shfrytëzimit të linjitit dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë të jetë e kompletuar.
Në 12 vjetët e fundit prej kur Kosova përfundimisht u nda nga pjesët e tjera të Jugosllavisë, u gjet në një situatë kur gati 100% e energjisë elektrike që prodhohej në vend bazohet në një burim të vetëm, linjitin. Një situatë e tillë sa e dëmshme për vendin nga këndvështrimi shëndetësor e mjedisor në fillim, po bëhet gjithnjë e më e pafavorshme edhe ekonomikisht.
Në mënyrë që vendi të nisë me diversifikimin e burimeve energjetike dhe për të ngritur vetëdijen publike e institucionale karshi kësaj gjendjeje të pafavorshme, një grup njerëzish nga spektri i shoqërisë civile, të cilit grup i takoj edhe unë, para një viti nisën një kërkesë në adresë të Bankës Botërore, si dhe institucioneve përgjegjëse vendore e ndërkombëtare për të ndryshuar qasjen e gjertanishme të fokusimit vetëm në linjit, si bazë e vetme në vend për prodhimin e energjisë elektrike.
Kjo kërkesë në fillim u përqesh dhe nuk u mor për bazë nga këto institucione, me gjithë faktin që të njëjtat për dhjetë vjet radhazi kishin dështuar të kishin para vetes një pasqyrë të plotë të asaj që burimet natyrore të Kosovës ofrojnë për të zhvilluar sektorin energjetik në vend. Pas disa muajsh punësh intensive, i njëjti grup i shoqërisë civile në po të njëjtat adresa dorëzoi studimet mbi opsionet energjetike të vendit (Studimi i Universitetit të Kalifornisë Berkeley) dhe analiza të thukëta ekonomike (Analiza e përbashkët e INDEP-it dhe Sierra Club) se çfarë duhet të bëjë Kosova që sektori energjetik në vend të jetë i qëndrueshëm nga aspekti social, ekonomik dhe mjedisor.
Studimet u pritën me kritika të shumta nga ata që tërë kohën punë të përhershme kishin lobimin që linjiti është baza më e mirë dhe e vetme në vend për prodhimin e energjisë elektrike. Por një gjë ndryshoi. Banka botërore që për 7 vjet nuk kishte analizuar asnjëherë në mënyrë gjithëpërfshirëse sektorin energjetik, vendosi të bënte një gjë të tillë. E rezultati, edhe pse larg të qenit real, u pajtua me konkluzionet e shoqërisë civile se Kosova ka burime të ripërtërishme që mund të përdoren për gjenerim të energjisë elektrike (vlerësimi i Bankës Botërore për opsionin më të lirë për furnizim me energji elektrike). Tashmë në planin e BB-së për zhvillimin e sektorit energjetik për Kosovën shohim një kontribut të energjisë hidrike, të erës dhe biomasës.
I njëjti raport konkludon që Kosova në fakt nuk ka nevojë fare për një termocentral të ri prej 600MW, sepse vetëm 300MW të tij do të jenë të përdorshëm bazuar në kërkesën që ka vendi sot deri në vitin 2025. Për më tepër, për herë të parë dhe duke u pajtuar me grupin e shoqërisë civile, raporti i njëjtë konkludon që energjia nga linjiti po shtrenjtohet shumë dhe me një ritëm shumë të shpejtë. Kjo rritje do të na shoqërojë çdo vit deri në vitin 2026 dhe ajo do të jetë hiç më pak se 4.5% në vit. E tërë kjo, edhe përkundër faktit që çmimi real i energjisë nga linjiti që e ka kalkuluar BB-ja nuk përfshin çmimin që njerëzit paguajnë për shëndetin e prekur nga linjiti dhe mjedisin e degraduar.
Duke marrë për bazë këto fakte, Kosova ka nevojë urgjente që të modifikojë Strategjinë e vet kombëtare të energjisë. Këtë duhet bërë në mënyrë që vendi të përfshijë në një strategji të re nevojën për diversifikimin e menjëhershëm të potencialit energjetik në vend, që përveç shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme në vend, duhet të fokusohet edhe në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e shkëmbimeve dhe lidhjen në rrjetin e gazit natyror. Kjo është edhe më urgjente kur dihet që proceset që po i zbaton sot ekzekutivi i vendit parashohin privatizime të egra të këtij sektori. Këto privatizime nuk duhet të lejohen që të ndodhin në këtë formë, meqenëse krijojnë monopol të rrezikshëm në sferën e gjenerimit të energjisë elektrike dhe atë të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve. Nëse kjo ndodh, atëherë çmimi që konsumatori do të paguajë do të jetë shumë më i lartë nga çmimi edhe ashtu i rritur që e parasheh Banka botërore.
Në pak pika, një Strategji e re energjetike duhet të përmbajë: plane për zhvillim të burimeve të ripërtërishme të energjisë, të eliminojë faljen e burimeve aktuale gjeneruese të linjitit një kompanie private me qëllim të subvencionimit të një centrali të ri (mbase të panevojshëm aktualisht) nga linjiti, të eliminohet monopolizimi i tregut gjenerues dhe të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, plane për reduktim të menjëhershëm të humbjeve teknike dhe komerciale në rrjetin e transmisionit dhe të shpërndarjes, një plan të detajizuar dhe mbështetur në fonde specifike për efiçencën e energjisë elektrike, si dhe një plan të thuktë për një bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar në fushën e shkëmbimeve energjetike.
Kjo strategji do ti mundësonte rangim vendit tonë në krah me vende që në mënyrë të mençur zhvillojnë sektorin energjetik, do ti ofronte vendit siguri të lartë energjetike dhe konsumatorit do ti ofronte qasje të lehtë në këtë burim të domosdoshëm jetësor, me çmime të arsyeshme dhe që mund të mbulohen nga ta. Nëse ndodh e kundërta, çfarë sot është duke ndodhur, Kosova do të vuajë pasojat socio-ekonomiko-mjedisore për 50 vjetët e ardhshëm për shkak të paaftësisë së ekzekutivit që të menaxhojë, për të mirën e qytetarëve të vet, me burimet e shumta natyrore që ka në dispozicion.
(Autori është hulumtues dhe analist në Institutin për politika zhvillimore dhe magjistër shkence në fushën e menaxhimit të shërbimeve)










SKENDER . OSDAUTAJ 10.03.2012/20:53
BRAVO PAJTOHEM BRAVO KOSOVA KA BURIME NATYROR TE PERDORIM SHKENCEN NE KET FUSH.NJE STRATEGJI E RE PER 50 VJETET E ARDHSHEM .