Nikoliqi kundër arnautëve
Agron BajramiArtikujt tjerė
Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, do ti bënte shërbim shumë më të madh popullit serb po të kishte mbetur në Beograd, sesa që shkoi në Kumanovë për të festuar 100-vjetorin e betejës së një lufte, në të cilën ushtria serbe ka kryer të këqija të shumta kundër shqiptarëve
Shumica e njerëzve në Ballkan historinë e mësojnë nga librat kombëtare të historisë, në shkolla dhe jashtë tyre, të shkruar nga historianët shtetërorë, detyra e të cilëve është të përkrahin pushtetin në ndërtimin dhe ruajtjen e miteve, pa të cilat, sikur që është zakon të thuhet, mbreti do të kishte mbetur i zhveshur!
Kjo njohuri e arrirë në shkollë, natyrisht, plotësohet përmes fejtoneve po aq mitomanike dhe të pasakta nga shtypi i verdhë, rrëfimet e kafehaneve për heronjtë mitikë të luftërave të kaluara e të përgjakshme, dhe fjalimeve politike për betejat kundër të këqijve, të cilët më së shpeshti ishin popuj dhe vende fqinje, gra, pleq e fëmijë, djallëzia e të cilëve dëshmohej me atë se flisnin një gjuhë tjetër dhe i luteshin një Zoti tjetër.
Çfarë pasojash kanë mitet e tilla, kemi mundur të bindemi (edhe një herë) në mënyrën më të përgjakshme të mundur gjatë viteve 90-të, andaj është e panevojshme të flitet pse është e rëndësishme që historia tu lihet historianëve, ndërsa ata ti lihen vetvetes, që pa presion të studiojnë faktet dhe të mësojnë se si shkruhet objektivisht dhe profesioanlisht për të kaluarën e afërt dhe të largët. Derisa nuk e mësojnë se si bëhet kjo, më mirë e kemi që historitë tona kombëtare ti mësojmë nga historianët perëndimorë, të cilët shumë më mirë e bëjnë këtë punë, edhe pse nuk janë nga këto troje ose ndoshta pikërisht për shkak se nuk janë prej këtu.
* * *
Një këshillë të tillë - që historinë e Serbisë mos ta mësojë nga historianët serbë dikush është dashur tia japë në Beograd edhe kryetarit serb, Tomislav Nikoliqit, para se të merrte pjesë, javën e kaluar, në shënimin e 100-vjetorit të betejës së Kumanovës, ku ai foli për të drejtën në anën serbe dhe për Serbinë e cila nuk pranon asgjë më pak sesa që fitojnë të tjerët, dhe se para Serbisë janë beteja tjetërfare me peshë të rëndësishme historike.
Natyrisht, pothuaj të gjithë liderët ballkanikë vuajnë nga e njëjta sëmundje historike, kush më pak e kush më shumë, ndërsa rasti më i dhimbshëm është i një ish-lideri serb, i cili fundosjen e tërë ish-Jugosllavisë në gjakun dhe tmerret e luftës e nisi pikërisht me një fjalim për historinë, mitet dhe betejat që ende na presin.
Mund tia qëlloni, bëhet fjalë për Milosheviqin dhe fjalimin e tij tanimë shumë mirë të njohur në Gazimestan, afër Prishtinës, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës.
Por, ti kthehemi së sotmes; them se ka shumë liderë të tillë në Ballkan, por Nikoliqi më ra në sy, meqë ai rregullisht deklarohet në favor të miteve nacionale, qoftë fjala për ngjarjet që shqiptarëve u kanë shkaktuar dhimbje dhe mjerim të tmerrshëm para 100 vjetësh, qoftë për ata që kundër myslimanëve në Srebrenicë kryen krimin më të rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Sepse, ajo luftë ballkanike, të cilën Nikoliqi e feston si luftë për liri, në fakt ishte një luftë pushtuese që e udhëhiqte Serbia në mënyrë që të përvetësonte sa më shumë territor në kohën e rënies së Perandorisë Osmane. Kush nuk i beson një arnauti, lirisht le të vërtetojë gazetën serbe Politika të para 100 vjetësh (më 29 tetor 1912), ku gjerësisht është shkruar për lirimin e Shkupit serb, për daljen e ushtrisë serbe në detin serb, për Bosnjën serbe dhe gjithçka tjetër.
Nga gazeta Politika e kuptojmë mentalitetin e elitës politike e shoqërore serbe të asaj kohe, e cila, po të ishte pyetur, sot jo vetëm se nuk do të ekzistonte një Kosovë e pavarur, por nuk do të ekzistonte as Shqipëria si shtet, e as Mali i Zi, as Maqedonia, as Bosnja, e është e pasigurt se çka do të duhej të ndodhte sipas tyre me Kroacinë, Bullgarinë e madje edhe me Greqinë.
Dikush do të thotë, kjo nuk është histori, janë gazeta të thjeshta, që edhe sot shkruajnë gjithçka.
E vërtetë. Por gazetat, posaçërisht ato me mision që të përkrahin dhe shpallin mitin kombëtar të ndërtuar nga shteti dhe politikanët në pushtet, shumë mirë dhe qartë na e jep pasqyrën rreth asaj se në çka kanë besuar ata njerëz që i lexonin ato gazeta, në atë kohë.
E në atë Politikë të para 100 vjetëve e shoh një Serbi e cila arnautët i sheh si armiq historikë të cilëve duhet dhënë leksionin, sepse ose kishin qenë herë në anën e turqve e herë në atë të austriakëve, dhe se e gjithë ajo që tani, pas çlirimit të Kosovës dhe Serbisë së vjetër, u ndodh e kanë merituar.
Natyrisht, Politika nuk tregon se çka u ka ndodhur atyre shqiptarëve, por është shumë lehtë të mësohet edhe kjo nga arkivat e gazetave botërore, prej The New York Timesit, deri tek të përditshmet vjeneze, berlinase e londineze, madje edhe deri tek gazetat në Australi e Zelandë të Re.
Sërish, kush nuk i beson një arnauti, le ta lexojë për shembull artikullin Ushtria serbe lë pas vetes gjurmë të përgjakshme, të botuar në the New York Times më 31 dhjetor 1912.
Gjatë marshit nëpër Shqipëri deri tek deti, serbët jo vetëm se në tradhti i vranë e ekzekutuan shqiptarët e armatosur, por mizoria e tyre prej bishe nuk u ndal as para njerëzve të paarmatosur e të pambrojtur, burrave e grave të moshuara, fëmijëve dhe të porsalindurve në gji
Dhe ngjarjet si kjo në Politikë raportoheshin kështu:
Arnautët janë shtangur para guximit të ushtrisë sonë dhe fuqisë së armëve tona, posaçërisht artilerisë dhe mitralozave
- thuhet në artikullin Panik në mesin e arnautëve, të botuar në Politikë më 29 tetor 1912.
* * *
Nuk them se ka ardhur koha ti harrojmë historitë tona sepse, sado që ato të jenë kundërthënëse mes vete, skajshmërisht të pasakta, të ndërtuara mbi mitet dhe për nevoja politike të pushteteve të ndryshme, e në raste të shpeshta edhe nga liderë të çmendur, ato nuk mund të përmirësohen lehtë.
Nëpër kafehane do të vazhdojnë rrëfimet e pafundme për heronjtë tanë dhe gjakpirësisë së atyre tjerëve, ndërsa fejtonet e shtypit të verdhë nuk do të ndalen së ngrituri lart të miteve dhe insistimit për drejtësi të plotë të tanëve dhe kriminalizim të të tjerëve.
Por, ka ardhur koha që së paku liderët shtetërorë, intelektualët, institucionet dhe elitat e shteteve ballkanike, të ndryshojnë shikimin e vet nacional të historisë. Aq më tepër që përmes kësaj do të lirohen nga prangat e së kaluarës që nuk na lënë të ecim përpara.
Andaj, Nikoliqi do të kishte bërë më mirë që me Daçiqin në Beograd të kishte menduar seriozisht se si do tua shpallte serbëve që Serbia duhet ta pranojë Kosovën e pavarur, se sa që ka shkuar në Kumanovë që sërish të luftojë kundër arnautëve!
(Kjo kolumne e kryeredaktorit të Kohës Ditore është botuar në gazetën malaziase Vijesti)







