ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Kronika e një rrahjeje të shëmtuar dhe e një proteste të dështuar

Publikuar: 28.10.2012 - 16:21

Protesta e së hënës së shkuar përshkallëzoi në një diçka tejet të shëmtuar dhe në një diçka që kishim shpresuar se nuk do të na përsëritej më. Pamjet sesi policët e pajisur me helmeta, mburoja fytyre, jelekë antiplumb, gaz-maska, dorëza, spreja me biber, revole, pendrekë, çizme...etj., etj,... i rrihnin pamëshirshëm protestuesit, nuk dallojnë nga ato që na e kujtojnë okupacionin

Herën e fundit që kisha hëngër “suzavc” për mëngjes para së hënës së shkuar, kishte qenë në kohën e luftës. Atëherë ishin policët serbë që me pendrekë e me gaz lotsjellës shpërndanin shqiptarët që protestonin kundër masakrave që po ndodhnin në Drenicë. Përderisa tymi i para katërmbëdhjetë vjetësh nuk kishte si të më befasonte, ky i fillimit të javës kësaj radhe më la gojëhapur – posaçërisht ngase nuk e kisha idenë se çfarë po ndodhte, derisa nuk i dëgjova ca të rinj duke brohoritur “Vetëvendosje”, “Vetëvendosje”.



E kuptova se kjo ishte një protestë, supozova se kishte të bënte me takimin Thaçi-Daçiq, por derisa nuk pashë se si dukej rruga, nuk e pata gjithaq të qartë kontekstin që po zhvillohej para zyrave të gazetës sonë. Gjatë ditës, gazetarët më informuan sesi “Vetëvendosja” qysh në fundjavë kishte vendosur të dilte në protestë të hënën, pa e paralajmëruar fare, me pretekstin se kështu nuk do t’i jepte hapësirë policisë që të intervenonte.

E gjithë protesta përshkallëzoi në një diçka tejet të shëmtuar dhe në një diçka që kishim shpresuar se nuk do të na përsëritej më. Pamjet sesi policët e pajisur me helmeta, mburoja fytyre, jelekë antiplumb, gaz-maska, dorëza, spreja me biber, revole, pendrekë, çizme...etj., etj,... i rrihnin pamëshirshëm protestuesit, ishin ndër më tronditëset që kam parë në sa vjetët e shkuar. Kjo ishte edhe më zi se protesta e 10 shkurtit të vitit 2007 në kuptimin e rrahësve: kësaj radhe ishin policët shqiptarë ata që po i rrihnin protestuesit. Për më tepër, e krijova bindjen se niveli i të “qepuarit pa dhimtë” kishte qenë shumë më i theksuar sesa ai i janarit të sivjetmë në Merdar – me atë që mizoria policore atëherë kishte qenë përdorimi i topit të ujit, kur temperatura e ajrit kishte qenë minus dhjetë a pesëmbëdhjetë.

Rrahjet qenë brutale dhe ministri i Brendshëm e edhe zyrtarët e Policisë mund të arsyetohen sa të duan dhe të vazhdojnë të thonë se dhuna e policisë ka qenë “proporcionale” dhe “në kufijtë e së lejuarës”, e nuk do të mund t’i bindin as shikuesit televizivë e as ne që padashur u bëmë dëshmitarë okularë të shfryrjes së një mllefi të pakontrolluar ndaj protestuesve. Kështu, nga deklaratat e klishetizuara të policisë del se proporcionaliteti përcaktohet në bazë të “pacientëve” që i “përpunon” policia, kurse “kufijtë e së lejuarës” mund të lëvizin sikurse lëviz shkopi te gara e kërcimit me purtekë.



Kështu rrodhi



Nga ajo që mund të mblidhej prej xhirimeve dhe vrojtimit të drejtpërdrejtë të asaj që kishte ndodhur ishte se aktivistët e VV-së ishin nisur drejt ndërtesave të institucioneve për t’ua pamundësuar hyrjen kryeministrit dhe kabinetit qeveritar – në shenjë proteste për shkak të vazhdimit të bisedimeve me Serbinë pa asnjë kusht të vetëm dhe në kundërshtim të njërës rezolutë të miratuar nga Kuvendi para nja gjashtë muajsh, ku bisedimet eventuale duhej të kufizoheshin me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sipas policisë, njësitë e saj speciale “kishin dalë që t’i mbronin institucionet nga sulmi i dhunshëm i VV-së”, aktivistët e së cilës, gjithashtu dhunshëm, ishin përpjekur të hynin në oborrin e Qeverisë. Sado që kjo u demantua nga VV-ja, dëshmitarët okularë megjithatë konfirmuan se përpjekje nga aktivistët për të kapërcyer gardhe kishte pasur dhe se ato përpjekje kishin hasur në reagimin e menjëhershëm të policisë. Dhe këtu nisi e tëra. Protestuesit i kishin qerasur këta me ca domate dhe i kishin spërkatur me ngjyrë. Madje, madje, ua kishin dhuruar edhe ca gurë. Në momentin kur domatet u shpeshtuan, policia speciale intervenoi me sprej biberi dhe me tashmë famëkeqin gaz lotsjellës.

Kështu, aktivistët e panë veten të “barrikaduar” në lartësi të kompanisë së sigurimeve “Illyria” – me një kordon prej nja 30-40 specialësh në rreshtin e parë dhe po aq në rreshtin e dytë, të vendosur nja shtatë-tetë metra më larg. Kushdo nga kalimtarët e rastit mund të kalonte, por jo edhe aktivistët pranë dhe prapa Albin Kurtit – ata po mbaheshin nën shënjestrën e policëve dhe nën vëzhgimin e kamerave në duart e policeve, që kishin për detyrë t’ua regjistronin fytyrat e atyre “nga ana tjetër”. Meqë asnjëra palë nuk lëvizte, përderisa liderët e VV-së u drejtoheshin policëve, duke u thënë se bënin keq që u shërbenin Qeverisë në vend se t’i shërbenin popullit, dikur dikujt iu kujtua se më mirë do të ishte po qe se protestuesit do të uleshin. Dhe kështu ndodhi – ata u ulën dhe mbetën aty të ngujuar më shumë se tri orë.

Ashtu, të bllokuar në mes të rrugës, kërkonin që policia t’ua mundësonte kalimin e lirë nëpër shesh. Policia speciale s’lëvizi vendit, derisa nuk erdhi urdhri të largohej, e që njësitet të zëvendësoheshin me policët e rëndomtë. Këta të fundit, krahasuar me specialët, dukeshin si rojtarët e ndërrimit të natës të ndonjë ferme pulash. Të inkurajuar nga ndërrimi i dukjes së kërcënimit blu, protestuesit u çuan në këmbë dhe morën turr në drejtim të veriut (ashtu i bie, nëse nisesh prej “KOHA Ditores” deri te Teatri). Por në lartësi të shtatores së Nënës Tereze, dolën specialët përpara sërish, dhe kësaj radhe fare pa asnjë kontroll, kanë rrahur sa kanë mundur... dhe kë kanë mundur.

Aq të “mërdhezur” ishin, saqë protestuesit u përndoqën deri te Katedralja, që është goxha një copë e madhe territori, për të thënë se “po e ruanin integritetin e institucioneve”. Kështu përfundoi, me rrugën kryesore të bërë helaq nga bërlloku, ngjyra, domatet e besa edhe nga gjaku dhe me “sheshin” që më parë i ngjasonte parkingut të emergjencës sesa qendrës së panaireve dhe të koncerteve të zhurmshme.



“Vetëvendosje”



Thirrja klandestine për të mbajtur protestë publike kundër një takimi klandestin (për të mos e quajtur jopublik), të mbajtur në Bruksel, duket të ketë qenë gabim taktik i “Vetëvendosjes”. Kjo, pos nëse qëllimi kryesor i saj ka qenë dëshmimi se Policia e Kosovës është polici në shërbim të regjimit, duke u shndërruar me vetëdije në viktimat e dhunës së policisë. Po qe se ky ka qenë qëllimi, atëherë ai është arritur plotësisht. U dëshmua edhe një gjë – se në raport me VV-në, kjo polici nuk ka mëshirë. Në fakt, të bën të mendosh se e ka detyrë speciale të merret me ta dhe të mos i lërë të marrin frymë normalisht, ngase ata paraqesin rrezikun e vetëm për këtë Qeveri, për shkak të diskursit politik dhe për shkak të kapacitetit për të grumbulluar protestues, sikurse kishin bërë në janar. Mbase edhe kjo do të mund të shpjegonte arsyen se përse numri i protestuesve ishte aq simbolik.

Por, sinqerisht, unë nuk besoj se ky do të ketë qenë qëllimi – sepse nuk kishte kaluar as një javë që tashmë kishim qenë dëshmitarë të sjelljes së paligjshme policore kundër deputetëve të VV-së, që pos shtyrjeve të asaj dite, tashmë kishin hëngër dajak edhe më herët nëpër protesta të tjera. Po e lë mundësinë e hapur që ta kem gabim.

Nëse qëllimi ka qenë vërtet bllokimi fizik i institucioneve – atëherë numri kaq i vogël i protestuesve shënon debakël të VV-së. Ai gjithashtu dëshmon se në VV janë infiltruar “shikovitët” apo edhe dikush tjetër nga inteligjenca në të cilën thirrej ministri Rexhepi, e që është i afërt me pushtetin, për shkak se informata kishte rrjedhur. Nëse qëllimi ka qenë që bllokimi të bëhet pa mjete dhune, që mund të përfshijnë edhe gurët, e nëse marrëveshja brenda në VV ka qenë mos me bartë gurë në protestë, dikush megjithatë ua “prishi tripin”. Sepse gurët i regjistruan edhe kamerat televizive. E ai “dikushi” ka mundur lehtë të ishte ndokush që nuk ka të bëjë me VV-në -- si për shembull policët në tesha civile që ishin ulur në rend së bashku me protestuesit, e të cilët madje kalimtarët e rastit kanë mundur t’i identifikojnë. Dhe ajo që duket se i ka munguar VV-së kësaj radhe, ishin pikërisht xhirimet autentike nga vendi i ngjarjes: ato të cilat do të kishin mundur t’ia sqaronin VV-së se kush me të vërtetë iu bashkua protestës së thirrur me aq shumë fshehtësi.

Përshtypja që mbetet pas protestës është se VV-ja, pos që ka hëngër shumë dajak, ka pësuar një fiasko, duke mos qenë në gjendje t’i mbledhë më shumë se 200-300 veta për të protestuar. Ka dështuar, ngase ka nisur një protestë së cilës nuk i dihej caku dhe ka dëshmuar edhe njëherë, që sa herë të bëjë thirrje për protestë “gjithëpopullore” ajo do t’i dështojë. Kjo për shkak se vetë aktivistët e VV-së kanë tendencë që t’i shndërrojnë ato në evenimente partiake, duke brohoritur slogane politike që e përfaqësojnë programin e tyre politik dhe ideologjik. E dështimin ia vërtetoi të nesërmen protesta, ku nuk pati intervenim policie, por pati fjalime që nuk kishte kush t’i dëgjonte.

Por sido që të jetë, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se VV-ja nuk e ka të drejtën të protestojë edhe jashtë Parlamentit, siç sugjerojnë përfaqësuesit e PDK-së dhe të AAK-së, Kuçi dhe Gjini. Në shumë shtete në botë opozita del në rrugë për të protestuar kundër Qeverisë, sepse rruga u jep hapësirë njerëzve të shprehin mendimin shumë më shumë sesa procedura e ngurtë e Kuvendit. Natyrisht, për të pasur më shumë efekt, protesta do të duhej të kishte një synim të qartë që përçon porosi të qartë.



Policia dhe Qeveria



Policia mori përkrahjen absolute të ministrit të Brendshëm dhe të kryeministrit për brutalitetin e së hënës. Për më tepër, kryeministri iu qas fjalorit patetik për t’iu referuar bluve: “...Policia e Kosovës, djemtë dhe vajzat më të mira të këtij vendi, vëllezërit dhe motrat tona po bënin detyrën e tyre. Ata i obligon ligji që të ruajnë integritetin dhe dinjitetin e institucioneve të Kosovës”. Mos vet për Kosovën nëse prej 1,7 milionë banorëve të regjistrimit të dështuar, mund t’i veçojë vetëm 8 mijë vajza e djem si më të mirët që i ka... haj medet për ne, nëse përfaqësuesit e atyre që e vjedhin vetveten brenda institucionit shtetëror që supozohet duhet të jetë më i sigurti në shtet, janë personat më të mirë që i ka ky shtet... vaj halli nëse këta që rrahin brutalisht janë më të mirët – paramendoni si do të jenë më të këqijtë, pra...

Kërcënimin publik që e bëri Rexhepi në Kuvend javën e shkuar – kur kishte thënë se policia është dashur të ishte më rigoroze në raport me deputetët e VV-së, e realizoi këtë herë. Mund të mos ketë qenë urdhërdhënësi operativ i aksionit të së hënës, por me shumë mburrje u krekos në “Rubikon”, duke e arsyetuar përdorimin e skajshëm të dhunës kundër demonstruesve si nevojë për ta mbrojtur ligjin dhe duke e përsëritur për të satën here, se askush nuk është mbi ligjin. E nëse vërtet e beson këtë, atëherë do të duhej të dinte se as ai vetë nuk është mbi ligjin dhe se intervenimin që e ka bërë kundër deputetëve para dhjetë ditësh, mund të paraqesë madje edhe vepër penale që dikush do të duhej hetuar sipas detyrës zyrtare.

Në gjithë këtë hallakamë, dëshpëruese ishte heshtja e partive të tjera parlamentare dhe jashtëparlamentare: askush nuk u çua ta dënojë dhunën. Thuajse është krejtësisht normale që dajakun ta hajë VV-ja, sepse mendon dhe sillet ndryshe, thuajse ruajtja e integritetit të njerëzve nuk është punë që i intereson asnjë partie politike. Më dëshpërues ishte cirkusi i Forumit Rinor të LDK-së me ata katër a pesë pëllumba që me siguri iu kthyen në shtëpi pëllumbaxhinjve që do t’ua kenë huazuar për ta bërë një xhiro me ta... vërtet zor ta kuptosh qëllimin, pos të heqjes së vëmendjes ndaj çështjes kryesore që zhvillohet në prapavijë: bisedimeve me Beogradin.

Përderisa policia del dhe i rreh protestuesit, duke na ngopur material për ta kritikuar për veprime çnjerëzore, shefat e policisë mblidhen nëpër kabinete dhe marrin instruksione se si duhet biseduar me Beogradin. Derisa ka të tillë që besojnë se janë duke e ngritur debatin për një çështje parimore, udhëheqësit qeveritarë presin prapa perdeve që t’u vijnë Ashton dhe Clinton për t’ua treguar se si duhet të përfundojnë bisedimet me Beogradin dhe si do të duhej përshtatur platformën e bisedimeve këtij përfundimi, të cilin e ka sajuar dikush i huaj... e që njëkohësisht t’i tregojnë popullit se derisa të mos arrihet ky qëllim, brutaliteti i asaj dite do të vazhdojë të jetë mjet legjitim i luftimit të mendimit më ndryshe.



flaka@koha.net

Komente (5)

Linda20.11.2012/12:19

Pershendetje Flaka, ne pergjithsi me pelqejn shume tekstet qe ju i shkruani dhe mundohem qe t'iu kushtoje kohe dhe ti lexoje, mirepo sa i perket artkullit me larte pjesa ceket se protestat e VV po marrin kahje politike nuk pajtohem, pasi qe une shume shpesh e ceki edhe te njerzit e aferm te mi "pavarsisht se a e jepni voten tek VV apo jo, mundohuni permes protestave te saj ti shprehni paknaqesite e juaja ndaj qeverise aktuale" pasi qe e vetmja eshte VV e cila ju mundeson nje gje te tille.

kameri29.10.2012/14:22

Bravo Zonja Surroi, Respekt!!!

shevernazi28.10.2012/21:38

Po kta qeveritart e ton pasi qe vet jan kryekeput fallsifikata, kta duhen me e emitue edhe serbijen bile, me na e rikujtue neve ate. Seee mall e kishim pas neve serbijen, veq le te dalin kta e le te defilojn neper qytet sikurse shkije.

M.sh.i d.!28.10.2012/20:13

Sdi... ju tana Analizat e njejta!
Analize e ngjarjeve pa alternativ! Demostrata e deshtuar?!!
Une kisha pas me thenPopull i deshtuar, Analist te deshtuar, Intelektual te deshtuar, mjek e profesor te deshtuar, arsim e shendetesi te deshtuara, shkurt shtet e shoqeri te deshtuar.
Ne, ne medizine kur bejm ndonje egzaminim gjithomne duke menduar per konsekuenzen e cila do te ishte si rrjedha normale e egzaminimit!
Ketu quhet Kryeministri hajn,jo legjitim, i korruptua, e i shantazhuar,njeri qe se perfaqeson interesen e kosoves,,e analisti, politikani,mesuesi pijn qaj e kaffe..
Protestoj 200 veta e Analisti thotProtesta e deshtuar!
Pu ju te nderuar qfar beni qe ta ndryshoni situaten ne terren,,qfar beni qe ta nderroni pushtetin e qelbur.....Analize??!!! Ju duhet te luani rolin e vetedijesimit te popullsise,te perkraheni VV e cila nuk eshte pa mekate ,,po nje mos e harroni se
Edhe Dele me qen, te ngjiten therrat!
Shpresoj se e lexoni komentin tim!!!

studenti studenti28.10.2012/19:21

Pajtohem me kete artikull, perveq ne rastin kur e quani protest me pas pjesmarres.Kjo nuk ishte protest po nje aksion simbolik vetem i disa aktivistave te VV.Un jam aktivist i VV dhe nuk e kam ditur per kete aksion, dmth jan ftuar veq nje numer i caktuar i aktivistave.Dhe mendoj qe dhuna qe ka ndodh nuk ka qen provokim asesi i VV perderisa nuk ka nderhy policia ne menyr te dhunshme.

1000  Karaktere
Prishtinė 21°CI kthjellėt
Tiranė 21°CI kthjellėt
Shkup 18°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°C
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme