ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:20 Anima *** 18:00 Talk *** 18:35 Filma Vizatimor: “ Ariu i Vogël Çarli “ epis.16 dhe 17 *** 19:00 LAJMET E MBRËMJES *** 19:35 Sporti ne KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:05 Automan *** 21:30 Dokumentar: “At the Edge of Russia” *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Fizibiliteti për piramidën

Publikuar: 14.10.2012 - 22:31

Java e shkuar dëshmoi në formën më të prekshme të mundshme brishtësinë e institucioneve karshi interesave personale që e sundojnë Kosovën me fusnotë

Qirkuzi u mblodh të enjten për të bërë atë që di më së miri – të luajë hajgare me Kosovën dhe të tregojë se në këtë Kosovë, që ka më shumë ditë historike seç ka ditë kalendari, është interesi i ngushtë ai që sundon.

U humb një javë e tërë në përpjekje për ta kamufluar veprimin e turpshëm, por tash po del shumë mendjemprehtë, të deputetëve të pozitës dhe shefit të tyre. Tashmë të stërvitur për tërheqjet taktike, sikur në luftë, javën e shkuar dhe me pauzë të imponuar e ndërprenë votimin për mocionin që kishte ngre “Vetëvendosja” kur kishte kërkuar debatin për privatizimin. Dhe me këtë ndërprerje fituan aq kohë sa iu desh për ta bindur partnerin gati të sigurt të ardhshëm në qeverisje, se duhet përkrahur Qeverinë në allishverishet e veta – sepse ashtu do t’ia qesë më mirë. Hem do të shesin krejt çka na ka mbetur pa bazë ligjore, hem do të sigurohet jetëgjatësia e Qeverisë deri në fund të mandatit ligjor.

I turpshëm dhe absolutisht jologjik ishte arsyetimi i AAK-së në lidhje me ndryshimin radikal të qëndrimit e në fund edhe të votimit – “nuk e përkrahim asnjërin ekstrem, dhe duam zgjidhje të kompromisit”, në çështjen ku “Vetëvendosja” kërkonte pezullimin e përkohshëm të privatizimit, deri në plotësimin e kushteve ligjore për të, kurse Qeveria insistonte të shkohej përpara dhe që procesi i privatizimit të Telekomit të shkonte po aq turbullt sa shkoi Distribucioni, e sa e sa distribucione të tjera. Se cili ishte “midisi” e cili kompromisi nuk ditën të na tregonin, pos që të votonin “nuk jam as për ty e as për ty, por as kundër teje apo teje”.

AAK-ja doli në skenë, dhe me një aktrim shumë të dobët që vështirë mund ta “nxjerrë” edhe votimi “i pavarur” (u duk shumë i koordinuar për të qenë spontan) i Isufit, Haradinjat dhe Kadaj-Bujupit, me nëntë abstenime ia dha përkrahjen vendimtare Qeverisë që me i qepu Postës dhe që për kurrfarë parash, ta deshtetëzojnë të vetmen ndërmarrje publike që na sjell përfitim. Nuk e di se cili ka qenë çmimi që ua kanë ofruar për këtë mesele, e as nuk e di se kujt do t’i takojë hisja e shpërblimit për mënyrën si kanë votuar – por përfundimisht e kanë dëshmuar, po qe se dikush ka pasur ende ndonjë dyshim, se AAK-ja që nga fillimi i kësaj legjislature është sjellë me një oportunizëm neveritës dhe nuk e ka pasur as hijen e opozitës. Për më tepër, kanë dëshmuar se pos veçorisë rajonale, nuk dallojnë gati aspak nga PDK-ja.

Krejt çka kanë folur kundër PDK-së, e kinse edhe kanë vepruar, paska qenë formë dhe lojë për t’i arsyetuar disi qato mijëra eurot që i marrin nga buxheti i Kosovës përfshirë rrogat, udhëtimet, mëditjet, iPadat, drekat, darkat, veturat, etj., etj., -- dhe tash, pavarësisht të gjithave, nuk e fshehin ambicien për t’u bërë me pushtet ani se do t’u hyjnë negociatave për veriun dhe ani se e dinë se përfundimi i bisedimeve të këtilla do ta sjellë statusin special për serbët atje. Kjo për shkak se Evropa ka vendosur se duhet të negociohet për veriun madje edhe me përfshirjen e Serbisë (“roli i së cilës është kyç për veriun” thonë evropianët) – kurse as njerëzit në PDK e as në AAK nuk e kanë guximin për t’i thënë “jo” një pune të imponuar me zor, edhe pse ajo ka tjetër zgjidhje. Sepse kanë borxhe – e ato borxhe do të mbahen të heshtura përderisa do të jetë nevoja për ta.

Për më tepër, ata do të pranojnë madje t’i hyjnë edhe procesit të rishqyrtimit të Planit të Ahtisaarit, dhe nuk do të mërziten nëse minoritetet mund të mbërrijnë t’i kenë madje edhe 25 për qind të ulëseve në Kuvend, në vend të atyre 17 për qind që i kanë të garantuara që nga çlirimi – për shkak se do t’u konvenojë t’i kenë aty, që të mund t’i manipulojnë, ashtu siç bën PDK-ja. Shikojeni vetëm votimin e së enjtes e bindeni: nga 53 votat për, madje 20 janë të minoriteteve – pra përkrahje për të pasur numra edhe atëherë kur ngushtohet laku, siç i është ngushtuar tash PDK-së, e cila, megjithatë, ende nuk mund të llogarisë qind për qind në përkrahjen e mëtejme të AAK-së. Kjo për shkak se njësoj si ua “lëshoi mjekër” opozitarëve të tjerë, ashtu mund t’ia bëjë edhe PDK-së, posaçërisht nëse nuk përmbushet premtimi apo premtimet që i janë bërë para kësaj seance.

Rezultat i “kompromisit” të AAK-së do të jetë privatizimi i Telekomit për ndoshta më pak se 300 milionë, por pa vendim të duhur të Kuvendit. Çështja e privatizimit të Postës, si ndërmarrje publike, nuk e ka mbështetjen e Kuvendit, sepse kontrabandën që ia bëri Qeveria kur e futi “arkëtimin 300- milionësh nga shitja” në Ligjin për buxhetin të vitit 2011, nuk vlen më, ngase ai ligj është zëvendësuar me të riun, me ligjin e vitit 2012. Pra, mungon pëlqimi i Kuvendit. Kjo ishte e para. E dyta – askush nuk i dëgjon punëtorët e PTK-së, e për më tepër, askush nuk e dëgjon logjikën e shëndoshë që thotë: pse duhet të shitet pjesa më e madhe e aksioneve të Telekomit? Telefonia fikse ka kapacitet rrjeti për 450 mijë parapagues që do të paguanin, nëse nuk gabohem, nga 7 euro në muaj folën apo nuk folën. Kjo bën rreth 3 milionë euro në muaj. “Vala” i ka mbi 1 milion parapagues, që po qe se i shpenzojnë nga 1 euro në muaj, bëjnë 12 milionë në vit. Këtu nuk po i llogaris shfrytëzuesit e internetit, qofshin biznese apo individë. Pra, me këtë kapacitet dhe me arkëtimin minimal si të paraqitur më lart, del se PTK-ja mund t’i arkëtojë 48 milionë euro, apo rreth 20 për qind të shumës që e arkëton Administrata Tatimore e Kosovës nga tatimpaguesit e brendshëm, përjashtuar të hyrat nga dogana.

Kompania që shënon fitim afarist në lartësi prej mesatarisht 50 milionë eurosh në vit, nuk bën të shitet për 300 milionë – sepse “e nxjerr” veten për gjashtë vjet. Nëse bash duhet me e shitë Telekomin tash, atëherë fillimisht duhet vendosur që shumica e aksioneve të mbesin të duart e Kosovës – pra ta kemi më se gjysmën e aksioneve vendimmarrëse. E kur të kemi përcaktuar përpjesëtimin e aksioneve, atëherë e bëjmë një vlerësim normal, e jo çfarë e kanë bërë “ekspertët” e angazhuar nga Qeveria, për atë se sa në të vërtetë vlen ky aset. Dhe të mos më thonë zyrtarët se “ne e respektojmë ekonominë e tregut”, sepse ekonomia e tregut nuk të thotë se duhet patjetër ta shesësh asetin – nëse s’ke ofertë të mirë, nuk e shet, dhe e pret tjetrën, më të mirë. Aaaaa, nëse tashmë dikush e ka ndarë tallin dhe e ka llogaritur fitimin e vet nga kjo shitje, aty më nuk ka ekonomi tregu. Ka shfrytëzim pozite derisa të qëndrohet në pushtet.

Dhe ka arrogancë – sikur ajo që është e pashmangshme te kryeministri. Duke harruar premtimin se do të na çonte në Evropë pa viza për 15 muaj, të mërkurën na tregoi sesi ajo kishte qenë një ditë historike për Kosovën, ngase Studimi i fizibilitetit do të tregonte se Kosova me fusnotë, dhe vetëm me fusnotë, do të kishte mundësinë t’i niste negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit po qe se plotësoheshin katër kritere. E në lidhje me kriteret, kjo është çfarë tha ai: “Unë dua sot të bëj të qartë edhe një herë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që kriteret teknike të mbetura do të përmbushen në afatin rekord... mund t’ju them se disa prej këtyre janë përmbushur, dhe kemi vlerësimin e Studimit të fizibilitetit në veçanti sa i përket funksionimit demokratik të institucioneve dhe respektimit të rendit dhe ligjit që vlerësohet si një proces i konsoliduar në RKS, si dhe reformat politike...”

Katër kriteret teknike janë: sundimi i ligjit; administrata publike; mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia. Është fakt se disa nga kriteret kanë të bëjnë me miratimin e dokumenteve, ligjeve dhe akteve nënligjore, por disa nga formulimet në dokument janë kërkesa për të dëshmuar përkushtim dhe veprime konkrete për të arritur synime. Pos nëse ndodh një mrekulli, është shumë e paqartë se si do ta luftojë Qeveria korrupsionin, kur vetë është eksponenti më i theksuar i tij.

Për shembull, si do t’i përmbushin institucionet e Kosovës, “në afat rekord”, kërkesat sikur kjo: “Në një afat të shkurtër Kosova duhet të dëshmojë përkushtim të qartë për të dhënë rezultate në luftë kundër krimit të organizuar, përfshirë edhe duke nisur hetime së bashku me EULEX-in“. Rezultate konkrete kërkohen edhe në luftë kundër korrupsionit, dhe atë në mënyrë urgjente. Kërkohet që Kosova të miratojë edhe një strategji të re të luftës kundër korrupsionit. Si çështje prioritare kërkohen edhe dëshmi konkrete për rezultatet në luftën kundër korrupsionit që do të përfshinte edhe hetimet dhe ndjekjen e suksesshme të zyrtarëve të emëruar apo të zgjedhur që janë fajtorë për korrupsion. Kërkohet më shumë punë në depolitizimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor”...

Dokumenti po konstaton se Kosova ballafaqohet me probleme shumë, shumë serioze, që nuk mund të zgjidhen me deklarata mendjelehta. Dokumenti flet për mungesën e funksionimit të institucioneve ashtu siç është paraparë me akte juridike; konstaton një ndikim tepër të madh të ekzekutivit mbi legjislativin, që duhet të ndryshojë urgjentisht dhe që Kuvendi më në fund të mund ta kryejë detyrën e vet të mbikëqyrësit të punës së Qeverisë.

Dokumenti konstaton se duhet dënuar aktet e dhunës, të kërcënimit dhe të pengimit të kryerjes së detyrës ndaj gazetarëve. Dhe, në kohën kur publikohet ky raport, kryeministri as nuk lodhet të dërgojë përgjigje kurtuazie redaksive të gazetës “KOHA Ditore” dhe Kohavisionit, për ankesat e parashtruara në lidhje me kërcënimin me jetë që zyrtari i partisë së tij ia bën korrespondentit tonë në Skenderaj, e edhe me pengimin e ushtrimit të detyrës së gazetarëve, nga udhëheqës të një institucioni shtetëror dhe të një aktiviteti privat të financuar me para të shtetit, të menaxhuara nga ministritë e qeverisë së vet. Raporti del mu në kohën kur askush nga Qeveria e tij nuk shpreh madje as çudinë se si bëhet që rasti i padisë së një punëkryerësi kundër një gazete dhe gazetareje të procedohet në formë urgjente, përderisa gjykatat janë ngufatur me mijëra raste që rrinë të pazgjidhura me vite të tëra, apo se nuk gjendet asnjë zyrtar i vetëm që të reagojë kundër kërcënimit bërë gazetares sonë, e cila vazhdon ta kryejë punën e saj në terren, ani që në stad të avancuar të shtatzënësisë... e kjo ndodh për shkak se këtu, në këtë shtet, nuk ka sundim ligji, dhe se ky problem nuk mund të zgjidhet në afat rekord.

Për fat të keq nuk mund të zgjidhet në afat rekord as po qe se e gjithë garnitura politike do të binte nga pushteti dhe një pjesë e saj do të shkonte në burg. Nuk është e mundur që çfarëdo pastrimi të bëhet shpejt, ngase rrjeti i merimangës është shtrirë edhe aty ku nuk ia merr mendja kujt. Do të duhej shumë mund dhe vendosmëri që të shkëputen lidhjet e ndërtuara që nga paslufta nga njerëzit që treguan një afinitet të jashtëzakonshëm, për të mos thënë në talent të “mrekullueshëm” për të nxjerrë maksimumin nga sendet e pista; për të punuar për interesin e vet përderisa gjithnjë mbështeten në popullin; për të ta bërë secilën ditë të re më të rëndë për ta jetuar.

Studimi i fizibilitetit nuk është vlerësuar si provë e kaluar me sukses. Por, mbase në perspektivë do të hapë rrugë drejt një procesi që ndoshta, ndoshta dikur do të na shpjerë në situatën e Kroacisë – që për ta marrë statusin e shtetit kandidat është dashur ta kapë më të madhin peshk, të ulur në kolltukun e mbretit të gjithëpushtetshëm, dhe ta nisë shpartallimin e piramidës së krimit. Me dallimin e madh, megjithatë, se ne kemi faraonë e piramida shumë.

flaka@koha.net

Komente (2)

lingologu15.10.2012/14:04

filivizibiliteti. Po a edhe ti me ket far fizivilibiliteti aa, na keni lodh kah po shkoj filivilibiziteti, po kah na erdhi kjo fjal pa te cilen une se di qysh kina mujt me marr frym deritash.

syla pz15.10.2012/10:08

per votat e AAK esht kujdesur Elkosi .Ramiz kelmendi ,me aksionet i tij ne blerjen e ptk kjo esht e tera ,dmth paraja ne prapa vij edhe serbia a po ma mir me than braqakariq

1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 15°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė16°C
Tiranė18°CRrebesh shiu
Shkup23°CRrebesh shiu