Pakoja e zgjerimit të BE-së këtë vit pa hapa të mëdhenj
Augustin PalokajArtikujt tjerė
- Pamundësitë, kriter i zgjidhjeve në dialog
- BE-ja dhe rivaliteti serbo-kroat
- Papa Frana që do ta njohë Kosovën
- A na duhen çipa kundër korrupsionit dhe vjedhjes
- Për Kosovën nuk mjafton vetëm bashkëpunimi rajonal
- Turqia është e vetmja urë mes Lindjes dhe Perëndimit
- BE-ja vërtet nuk është fer ndaj kosovarëve rreth liberalizimit
- Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës
- Pse BE-ja inkuadron edhe Nikoliqin në dialog me Kosovën
- Hashim Thaçi zgjohet në krahun e djathtë!
BE-ja është duke u përballur me krizën e brendshme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë avancuar në zhvillimin e demokracisë dhe në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Të dyja palët e kanë kuptuar se pas hyrjes së Kroacisë në BE do të kalojnë shumë vjet derisa ndonjë vend tjetër i Ballkanit të mos jetë afër anëtarësimit. Në këto rrethana rekomandimi që me kushte të bëhet një gjysmëhap me Shqipërinë drejt statusit të kandidatit dhe me Kosovën për marrëveshjen eventuale SAA, janë maksimumi që mund të bëjë Komisioni Evropian
Të mërkurën na pret një ngjarje tashmë tradicionale në Bruksel, e cila po ashtu tradicionalisht do të ketë një jehonë të madhe në vendet e rajonit të Ballkanit. Fjala është për miratimin dhe bërjen publike të raporteve vjetore të progresit me të cilat vlerësohen të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.
Si zakonisht, edhe kësaj radhe do të ketë interpretime të ndryshme të asaj që do të thuhet apo që nuk do të thuhet në Bruksel. Politikanët në pushtet në njërën anë do të mundohen të relativizojnë kritikat dhe vlerësimet negative, të cilat jepen në raport për funksionimin e institucioneve të shteteve, mungesën e sundimit të ligjit dhe vërejtjet e tjera, ndërsa do të ekzagjerojnë porositë pozitive që do t'i përmendë në raport apo edhe në rekomandime Komisioni Evropian. Ata të opozitës do të munden, me të drejtë po ashtu, të shfrytëzojnë gjetjet e këtyre raporteve për të kritikuar pushtetin. Dhe, si gjithmonë, me gjuhën burokratike dhe diplomatike me të cilat komunikon, Komisioni Evropian do të japë qëllimisht hapësirë për interpretime të ndryshme.
Këtë vit për dy vende të rajonit priten raporte të veçanta që dallojnë nga raportet klasike të progresit. Janë dy vendet të cilat kanë dallimin më të madh në nivelet e arritura në rrugën drejt integrimeve në BE: Kroacia dhe Kosova. Për këto dy shtete Komisioni Evropian nuk do të nxjerrë raporte të progresit. Për Kroacinë nuk ka më nevojë për raporte të tilla pasi që ajo do të bëhet shtet anëtar më 1 korrik të vitit që vjen pas një periudhë 13- vjeçare të procesit. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport gjithëpërfshirës të monitorimit me të cilin do të konfirmojë se Kroacia vazhdon ti përmbushë të gjitha obligimet që i ka marrë gjatë procesit negociator dhe se është në rrugë të jetë tërësisht e gatshme për anëtarësim në BE, sipas planit më 1 korrik të vitit 2013. Për Kosovën, e cila në këtë moment ndodhet aty ku Kroacia ishte para 13 vjetësh, Komisioni Evropian do të nxjerrë një Studim të fizibilitetit me të cilin do të vlerësojë se në cilën masë Kosova është e gatshme të nisë negociatat për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi. Nëse komisioni vlerëson se Kosova është e gatshme dhe i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme, do të mund të rekomandonte nisjen e negociatave për marrëveshjen SAA mes BE-së dhe Kosovës. Kjo ka pak gjasa të ndodhë, sepse nga përmbajtja e Studimit do të shihet se Kosova ka shumë mangësi dhe se ende i duhet kohë për ti arritur kushtet, të cilat kërkohen qoftë edhe për të bërë këtë hap, të cilin shumica e vendeve të tjera të rajonit e kanë bërë para më shumë se 10 vjetësh. Por Komisioni pritet të dalë me një rekomandim të përzier për Kosovën, të bëjë një porosi pozitive, duke rekomanduar në parim, me kushte, nisjen e negociatave, por duke identifikuar disa prioritete (fjala prioritete përdoret tash në vend të fjalëve kushte ndërsa fjala sfida në vend të fjalës probleme) që Kosova duhet ti përmbushë para se të mund të merrte dritën jeshile për nisjen e negociatave. Dikush në Kosovë do të mundohet pa dyshim që një porosi të tillë, nëse konfirmohen pritjet dhe nuk ndodh ndonjë befasi në momentin e fundit, si pozitive e disa do të shkojnë aq larg sa ta quajnë ngjarje historike. Por ajo, sado e rëndësishme që do të jetë, nuk do të hapë asnjë derë në këtë moment. Pa marrë parasysh se si do ta formulojë Komisioni Evropian rekomandimin, është me rëndësi se si do ta lexojnë atë shtetet anëtare. E atyre në këtë moment nuk u shkon mendja që për Kosovën të marrin ndonjë vendim për nisjen e negociatave. Pra, për këtë vit nuk do të ketë kurrfarë vendimi të Këshillit të BE-së. Duhet përkujtuar se vendet anëtare të BE-së nuk kanë dhënë asnjë zotim për Kosovën kur Komisioni kishte njoftuar se do të bëjë një studim fizibiliteti për Kosovën. Me një formulim se Këshilli merr në dijeni qëllimin e Komisionit për të bërë studim fizibiliteti porse ai nuk paragjykon qëndrimet e vendeve anëtare e as rezultatin final vendet anëtare në fakt porositën se Komisioni mund të bëj çfarëdo studimi që të dojë , por kjo nuk do të thotë se shtetet anëtare në Këshill do të pajtohen me rekomandimet e Komisionit. Pra, për Kosovën ky do të jetë vetëm një hap i vogël në rrugën e gjatë dhe për shumë shkaqe me shumë të panjohura drejt integrimit në BE. Sa për krahasim, kur në muajin maj Komisioni miratoi Studimin e fizibilitetit për marrëveshjen SAA me Kroacinë, Këshilli e miratoi atë në qershor, në vjeshtë dolën udhëzimet për negociata, po në vjeshtë ato u nisën dhe për më pak se një vit edhe u përmbyllen negociatat me Kroacinë. Ndasitë mes vendeve të BE-së për statusin e Kosovës në njërën anë dhe dështimi i Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës, në anën tjetër, nuk japin shumë shpresë për ndonjë lajm të madh për Kosovën sa i përket nisjes në rrugën drejt BE-së.
Për të gjitha vendet e tjera të rajonit priten raporte klasike të progresit. Një lajm gjysmë i mirë pritet për Shqipërinë. Komisioni do të konfirmojë se Shqipëria ka bërë përparim domethënës në përmbushjen e kritereve të caktuara në mënyrë që Komisioni të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit. Do të përmend edhe faktin se në një masë është përmirësuar klima politike dhe është tejkaluar ngërçi politik që ka mundësuar miratimin e disa ligjeve në kuvend. Mbetet të shohim se si do ta formulojë edhe këtu Komisioni rekomandimin e vet të mërkurën. Por edhe këtu duhet pasur kujdes që rekomandimi i Komisionit të mos shihet si vendim, sepse nuk do të jetë i tillë. Vendimin për dhënien e statusit të kandidatit nuk e merr Komisioni Evropian, por shtetet anëtare. Ato për këtë do të diskutojnë në samitin e dhjetorit, por disa vendeve të BE-së nuk është duke u shkuar fare mendja që Shqipërisë ti jepet në këtë fazë statusi i kandidatit. Për këtë Shqipëria, edhe nëse merr një rekomandim pozitiv të Komisionit Evropian, do të duhej më në fund të dëshmohet se është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, të pakontestuara dhe të rregullta në pjesën e parë të vitit 2013. Shqipëria është i vetmi shtet i rajonit i cili ka aplikuar deri me tash për anëtarësim në BE dhe nuk ka marrë statusin e kandidatit. Por Shqipëria, krahas Kosovës, është i vetmi vend në Evropë, krahas Bjellorusisë së Lukashenkos, në të cilat zgjedhjet nuk arritën standardet e vendeve demokratike evropiane. Kjo e bën fenomenin e parregullsive në zgjedhje pothuajse sikur një sëmundje shqiptare. Prandaj Shqipëria po ashtu mund të jetë sadopak e lumtur me këtë raport progresi, por nuk ka vend për kurrfarë euforie.
Për Maqedoninë Komisioni Evropian për të katërtën herë me radhë do të konfirmojë se i përmbush të gjitha kriteret për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por asgjë nuk do të ndodhë, sepse në Këshill, ku Greqia ka të drejtë vetoje, vendimi nuk do të kalojë para se të zgjidhet problemi i emrit të këtij shteti. Për Serbinë, për shkak se nuk i ka përmbushur deri me tash marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën dhe nuk ka bërë përparim të dukshëm në përmirësimin e raporteve me Kosovën, nuk do të ketë asnjë hap tjetër. Fundi i fundit, Serbia këtë vit në pranverë mori statusin e kandidatit dhe kjo është maksimumi që ajo priste. Për Bosnjë- Hercegovinën edhe këtë vit do të thuhet se nuk i përmbush asnjë kriter për asgjë dhe ky shtet së paku mbetet me Marrëveshje Stabilizim-Asociimi nga e cila Kosova është ende larg. Mali i Zi është duke bërë përparim, sepse është i vetmi vend i rajonit i cili ka nisur negociatat e anëtarësimit dhe është duke i vazhduar ato.
BE-ja është duke u përballur me krizën e brendshme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë avancuar në zhvillimin e demokracisë dhe në zgjidhjen e problemeve të brendshme. Të dyja palët e kanë kuptuar se pas hyrjes së Kroacisë në BE do të kalojnë shumë vjet derisa ndonjë vend tjetër i Ballkanit të mos jetë afër anëtarësimit. Në këto rrethana rekomandimi që me kushte të bëhet një gjysmëhap me Shqipërinë drejt statusit të kandidatit dhe me Kosovën për marrëveshjen eventuale SAA, janë maksimumi që mund të bëjë Komisioni Evropian.
Kështu kemi ardhur në një fazë ku zgjerimi i BE-së do të vazhdojë, por jo me dinamikën e cila është menduar para dhjetë vjetësh. Kjo rrezikon të ngadalësojë procesin e reformave në rajon, sepse përparimi drejt integrimit në BE ka qenë shtytësi kryesor për reformat e shumë vendeve të rajonit e sidomos për luftë kundër korrupsionit.










Ilisku10.10.2012/00:16
"Rrugëtimi është caku" ...