ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Sprovimi i Evropës nga kriza

Publikuar: 01.10.2012 - 20:05

Kjo krizë ofron një mundësi të paparë për Evropën. Ajo e ka definuar agjendën për vitet në vijim: unioni bankar, unioni fiskal dhe unioni politik. Ajo që mbetet e mangët është një strategji për rritjen ekonomike në shtetet në krizë; mirëpo, si pasojë e trazirave në rritje në Evropën Lindore, një strategji e tillë është e pashmangshme. Evropianët kanë arsye të jenë optimistë në rast se e pranojnë mundësinë që kriza e tyre e ka krijuar – dhe veprojnë me përkushtim dhe vendosmëri për ta kapur atë

Berlin – Rreth 2.500 vjet më parë, filozofi i lashtë grek, Heraclitus, konstatoi se lufta ishte babai i të gjitha gjërave. Duhej të kishte shtuar se kriza është nëna e tyre.

Fatkeqësisht, lufta ndërmjet fuqive botërore nuk është më një opsion realist, falë kërcënimit për shkatërrim të dyanshëm bërthamor. Mirëpo krizat më të mëdha ndërkombëtare, siç është kjo financiare nëpër glob, mbesin me ne – gjë kjo që jo domosdoshmërish është gjë krejtësisht e keqe.

Ashtu sikurse në luftë, krizat në mënyrë fondamentale e pengojnë status quo-në, gjë që do të thotë se e krijojnë një mundësi – pa fuqinë shkatërrimtare të luftës – për ndryshimin që në kohëra normale do të ishte vështirë i mundshëm. Për ta kapërcyer krizën duhet bërë gjëra që më herët ishin mezi të përfytyrueshme, e lëre më të realizueshme.

Kjo është ajo që ka ndodhur në Bashkimin Evropian gjatë tre vjetëve të fundit, për shkak se kriza globale financiare jo vetëm se i ka dridhur themelet e Evropës, por ka pasur edhe dimensione jetëkërcënuese.

Krahasuar me fillimin e vitit 2009, ne tani përballemi me një BE tejet të ndryshme – një BE që është ndarë ndërmjet një pararoje të shteteve anëtare që e formojnë eurozonën dhe një praparoje, të përbërë nga shtetet anëtare që mbesin jashtë saj. Shkaku i kësaj nuk është aq i keq, por ka për qëllim që të ushtrojë presion mbi krizën. Nëse euroja do të mbijetojë, shtetet e eurozonës duhet të veprojnë, derisa anëtaret e tjera të BE-së me nivele të ndryshme të përkushtimin në integrimin evropian mbesin në periferi.

Në të vërtetë, pothuajse të gjitha tabutë që kanë ekzistuar pas shpërthimit të krizës tani janë thyer. Shumica ishin vendosur me nxitjen gjermane, por tash janë hequr me mbështetjen aktive të Qeverisë gjermane.

Dhe lista mbresëlënëse e përbëhet nga: përgjegjësitë kombëtare për shpëtimin e bankave; paprekshmëria e rregullave të traktatit të BE-së për pakot shpëtimtare për qeveritë; mohimi i qeverisjes ekonomike evropiane; ndalesa për financime të drejtpërdrejta qeveritare nga Banka Qendrore Evropiane; refuzimi për të mbështetur detyrimin e dyanshëm për borxhin; dhe, së fundmi, transformimi i BQE-së nga një kopje e Bundesbankës së vjetër në një Bankë të Rezervave Federale Evropiane, bazuar në modelin anglo-sakson.

Ajo që mbetet është mohimi i eurobonove, por edhe kjo tabu në fund të fundit do të thyhet. Pyetja e vetme që tani shtrohet është nëse kjo tabu do të thyhet para apo pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm në Gjermani. Përgjigja varet nga kursi i ardhshëm i krizës.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, po e luan një rol të çuditshëm, ndonjëherë bizar, në këtë krizë. Asnjëherë që nga themelimi i Republikës Federale në vitin 1949 shteti nuk ka qenë kaq i fuqishëm. Është shndërruar në fuqinë prijëse të BE-së; por as nuk është i vullnetshëm e as në gjendje që ta prijë.

Pikërisht për këtë arsye, shumica e ndryshimeve në Evropë kanë ndodhur,  me gjithë kundërshtimin gjerman. Në fund, Qeveria gjermane u detyrua ta përdorë artin e kthesës politike, pasi si rezultat i të gjithave Gjermania, edhe pse e fuqishme ekonomikisht, është bërë gjithnjë e më e dobët institucionalisht – një dinamikë kjo e ilustruar nga ndikimi i saj i reduktuar në Këshillin Qeverisës të BQE-së.

Bundesbanka e vjetër është lënë të prehet në paqe më 6 shtator, kur BQE-ja adoptoi programin e vet të “transaksioneve të plota monetare” – blerjet e pakufishme të bonove të këqija të qeverive të shteteve anëtare të eurozonës – me gjithë kundërshtimet e një opozitari të vetëm: presidentit të Bundesbankës, Jens Weidmann. Dhe iniciuesi i gjithë kësaj pune nuk ishte presidenti i BQE-së, Mario Draghi; ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Bundesbanka nuk ka rënë viktimë e një konspiracioni të lig jugevropian; por e ka konsideruar veten si të parëndësishëm. Sikur ta merrte e vetme rrugën e saj, eurozona nuk do të kishte ekzistuar më. Vendosja e ideologjisë mbi pragmatizmin është një formulë për dështim në çdo krizë.

Aktualisht, eurozona është në prag të krijimit të një unioni bankar, gjë kjo që pason me krijimin edhe të një unioni fiskal. Mirëpo, edhe me vetëm një union bankar, presioni drejt unionit politik do të rritet.

Me 27 shtete anëtare (28 me afrimin e anëtarësimit të Kroacisë), ndryshimet e Traktatit të BE-së do të jenë të pamundura, jo vetëm për shkak se Britania e Madhe vazhdon t’i bëjë rezistencë integrimit të mëtutjeshëm evropian, por edhe për shkak se do të nevojitej mbajtja e referendumeve popullore në shumë shtete anëtare. Këto referendume do të shndërrohen në llogaridhënie të qeverive kombëtare për krizat e tyre politike, gjë kjo të cilën asnjë qeveri “me mendjen në kokë” nuk do ta dëshironte.

Kjo do të thotë se marrëveshjet ndërqeveritare do të jenë të nevojshme për kohët në vijim dhe se eurozona do të zhvillohet në drejtimin e një ndërqeveritarofederalizmi. Kjo gjë premton të jetë ngacmuese, pasi që do të ofrojë mundësi krejtësisht të papritura për integrim politik.

Në fund, ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, ia ka dalë, për shkak se eurozona sot udhëhiqet nga një de facto qeveri ekonomike që i ngërthen shefat e shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare (si dhe ministrat e tyre të financave). Federalistët evropianë duhet ta mirëpresin këtë, për shkak se sa më shumë që këta shefa shtetesh dhe qeverish i kthehen një qeverie të eurozonës si tërësi, aq më shpejt roli i tyre aktualisht i dyfishtë si ekzekutivë dhe legjislativë të BE-së do të vjetrohet.

Parlamenti Evropian nuk do të jetë në gjendje që të mbushë boshllëkun e krijuar, pasi që i mungon sovraniteti fiskal, i cili ende mbetet kompetencë e parlamenteve kombëtare dhe do të mbetet kështu pafundësisht. Vetëm parlamentet kombëtare mund ta mbushin boshllëkun dhe atyre u duhet një platformë e përbashkët përbrenda eurozonës – një lloj “Euro Ode Ekonomike” – nëpërmjet së cilës do të mund të kontrollojnë qeverisjen ekonomike evropiane.

Federalistët në Parlamentin Evropian dhe në Bruksel përgjithësisht nuk duhet të ndihen të kërcënuar. Përkundrazi, ata duhet ta pranojnë dhe shfrytëzojnë këtë mundësi unike. Deputetët e parlamenteve kombëtare dhe ata të Parlamentit Evropian duhet të takohen së shpejti dhe të qartësojnë marrëdhënien e tyre. Në aspektin afatmesëm, mund të lindë një Parlament Evropian me dy Dhoma.

Kjo krizë ofron një mundësi të paparë për Evropën. Ajo e ka definuar agjendën për vitet në vijim: unioni bankar, unioni fiskal dhe unioni politik. Ajo që mbetet e mangët është një strategji për rritjen ekonomike në shtetet në krizë; mirëpo, si pasojë e trazirave në rritje në Evropën Lindore, një strategji e tillë është e pashmangshme. Evropianët kanë arsye të jenë optimistë në rast se e pranojnë mundësinë që kriza e tyre e ka krijuar – dhe veprojnë me përkushtim dhe vendosmëri për ta kapur atë.



(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm gjerman dhe nënkancelar në vitet 1998-2005, një mandat ky i shënuar nga mbështetja e fortë e Gjermanisë për intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 dhe më pas, kundërshtimin e ashpër për luftën në Irak. Fischer i hyri politikës, pasi mori pjesë në protestat e viteve 60 dhe 70 dhe luajti një rol kyç në themelimin e Partisë së Gjelbër të Gjermanisë, të cilën edhe e udhëhoqi për pothuajse dy dekada. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C