ec me kohën
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Grandi

Publikuar: 16.09.2012 - 17:53




Rrëfimi për hotelin që duhej pasqyruar bollëkun, prosperitetin dhe projeksionin e ardhmërisë socialiste açik krejt botës... e që u shndërrua në simbolin më të shëmtuar të lakmisë dhe të garës së krimit të organizuar, që mund të kushtojë edhe me jetë

Në kohën kur kishin vendosur ta ndërtonin, patën thënë se do të ishte hoteli më luksoz që  do të ketë parë ish-Jugosllavia ndonjëherë. Pos që do t’i kishte pesë yje, ideja ka qenë që ta kishte pishinën, “kugllanën” (atëherë shqiptarët nuk luanin bowling por “u kugllatshin”, pra për pasojë huazohej termi nga serbishtja), dyqanet luksoze dhe mbi të gjitha, do ta kishte një urë që do ta lidhte atë me “Boro e Ramizin”, i cili gjithashtu ishte në ndërtim e sipër.

Kam kujtimin shumë të turbullt në lidhje me nisjen e ndërtimit të tij... atë që mbaj mend është se me shkatërrimin e Çarshisë, dyqanet prej aty ishin zhvendosur në pjesë të ndryshme të qytetit, kush në objekte solide e kush në objekte montazhi. Njëri nga ta, e nëse kujtesa nuk më është ngatërruar, kishte qenë një dyqan montazhi nga llamarina që e ka pasur emrin “Uzor”, e që atëherë ishte pozicionuar aty ku sot është parkingu i hotelit. Për brezat e rinj që nuk e kanë idenë se çfarë peshe ka pasur ekzistenca e një dyqani të këtillë në atë vakt, duhet thënë se te “Uzori” blihej i ashtuquajturi parfum, që ka qenë i mrekullueshëm për t’i trembur mushkonjat e që njihej me emrin emblematik “Crna Mačka” (demek, macja e zezë)... E pra, “Uzori” u rrëzua, doli te ndërtesat e reja në rrugën “Ramiz Sadiku”, kurse në vend tijin nisi ndërtimi i “veprës arkitektonike që do ta simbolizonte të ardhmen”.

Kur përfundoi së ndërtuari, hoteli kishte zënë një hapësirë aq të gjerë sa nuk e kuptonim se përse na duhej gjithë ajo ndërtesë, me 200 dhoma fjetjeje dhe një suitë presidenciale që ishte përgatitur nergut për Shokun Tito, siç e quanin atëherë, dhomë e cila më pas do të shndërrohej në bazën e një krimineli famëkeq serb për një veprimtari “shumë fisnike e bujare” e quante atëbotë. Pra, hoteli e kishte një hapësirë shuuuumë të madhe në dispozicion – një kafiteri te tarraca ku, për të zënë vend e për t’u pozicionuar në fund të korzos (pra edhe me shikimin ekskluziv të simpative që kalonin andej pari) duhej shkuar diku para orës 19:00. E kishte edhe pjesën e prapme, te e cila dilej duke kaluar nëpër sallën që mund të shndërrohej në restorant, por që edhe kishte dyer të xhamit, antirefleks dhe me ngjyrë të mbyllur – të parat që ishin vendosur në ndonjë objekt, privat a publik, në Kosovë. E kishte një tarracë aq të madhe prapa, ajo që ishte planifikuar të shërbente si bazë e urës që do ta lidhte me anën tjetër të rrugës, që ua kishte sjellë një ide menaxherëve të hotelit: të organizonin muzikë live, ku këndonin yjet e njohur të estradës së atëhershme Gazmend Pallaska apo Vera Oruçaj,– sa për t’i përmendur disa që m’u kujtuan kështu kalimthi. Nuk po ju tregoj se çfarë zhurme e padurueshme shkaktonte jehona e mikrofonave të hotelit – more as 50 Cent nuk paraqiste ndonjë konkurrencë për ta.

Përfundi ishte paraparë një miniqendër tregtare, me më së paku një duzinë dyqanesh, prej të cilave më kujtohet një e rrjetit tregtar të “Rilindjes”, që shiste artizanate bakri nga Shqipëria, raritet marrë parasysh mbylljen hermetike të shtetit në fazën enveriste; një e këpucëve të “Komunës” së Prizrenit; një dyqan instrumentesh muzikore dhe një i pajisjeve elektrike dhe një ëmbëltore e madhe sa s’dihet, e që nuk më kujtohet emri... e di se me futjen e masave të dhunshme, dyqanet i përvetësuan serbët dhe ua ndërruan destinimet origjinale. Pas luftës, e këtë kam me t’n’ime, se ato i kanë përvetësuar “kumandantat” dhe se po marrin qira të majme prej tyre, pavarësisht procesit të privatizimit.

Me vite të tëra ka qenë i vetmi vend ku organizoheshin dasmat e mbrëmjet e gjysmëmaturës dhe të maturës... mos me thënë se mbrëmjet e Vitit të Ri aty ishin si me ta nxjerrë një sy, sa të shtrenjta që kanë qenë... por ama është kënduar dhe vallëzuar, e besa edhe është hëngër me bollëk... aaaa edhe muzikë live pa ndalë, por tashmë me kategorinë e rëndë të estradës së atëhershme. Lulëzimin e ka përjetuar në kohën kur nisi të shërbente “prafait”, apo të popullarizuarin “parfé” – ëmbëlsirën e ngrirë që i ngjante akullores e nuk ishte, e që i ngjante kajmakut e nuk ishte, e që i ngjante shijes së bajameve e nuk ishte. Aq e gatisnin mirë, saqë ishim të gatshëm të sakrifikonim madje edhe dy dalje në ditët që kishim leje për të dalë për thënien: “E kam një ide që quhet parfe” ...

Fazën më të zymtë para luftës në Kosovë e përjetoi me shembjen e autonomisë, nisjen e luftërave në Kroaci e Bosnje dhe me okupimin nga Arkani dhe gilipterat e tij. Nga hoteli u dëbuan të gjithë shqiptarët; dhomat u përdorën për turli aktiviteti të organizimit të krimit, flitej për prostitucion të organizuar dhe rekrutim vrasësish për luftërat serbe, kurse restorantet dhe sallat e tjera për ahengje nacionaliste. Një pjesë e objektit, ajo nga ana e djathtë nga hyrja kryesore, u shndërrua në furrë buke. Po, mirë e lexuat, furrë buke, ku buka u shitej e më vonë u ndahej falas serbëve, në kohën kur në Prishtinë mielli gjendej me gramë, apo nuk gjendej fare, ose kur për një “vekne” bukë duhej dalë të pritej rend që nga ora 3 e mëngjesit e deri në 6, kur mbërrinte kamioni nga Furra e Bukës së Fushë-Kosovës.

Gjatë luftës në Kosovë strehoi Sheshelin dhe simpatizantët e tij; shërbeu si “Media Centar” (qendra mediale) i policisë dhe i Qeverisë së Serbisë prej nga gënjehej se shqiptarët po vetëvriteshin dhe prej nga të gjithë ne akuzoheshim se ishim terroristë. Fundin e luftës e gjeti përplot me paramilitarë të gatshëm për të vrarë nga cilado dritare e dhomave tashmë të lara me gjak. U deshën shumë mund dhe shumë mace për ta pastruar fëlliqësinë e lënë pas dhe për ta aktivizuar sërish... por “Grandi” tashmë ishte shndërruar në një gjysmë-gërmadhe që kërkonte shumë investim për ta sjellë në vete. Po të kishte pasur pakëz pragmatizëm, objekti ka mundur të merrej nga UNMIK-u e të shndërrohej në objekt administrativ – tashmë Prishtina ishte përplot dhoma me qira në dispozicion, që ofronin edhe ashtu kushte më të mira sesa vetë hoteli... por jo, duket se planet e “zapimit” do të kenë qenë tjera. Më së pari u nis me zbrazjen dhe vjedhjen e të gjithë mallit që ka qenë nëpër dyqanet e okupuara nga serbët e më pas me marrjen edhe të lokaleve nën kontroll – pare e lehtë dhe “pa dhimtë” për atë që e ka kallashin më të shpejtë...

Kështu, hoteli, i cili pati një histori të veten dhe po të mund të fliste çfarë mos do të na tregonte për të gjithë ata që kishin kaluar nëpër të dhe të gjitha ato që kishin ndodhur aty brenda, doli në privatizim. Në një procedurë shumë të çuditshme të blerjes, të përcjellë me akuzime shpëlarje parash e me ngatërresa në lidhje me përqindjet pronësore – hoteli kaloi në duar të dikujt që tregoi të mos ketë asnjë grimë shije, kur vendosi t’i gjuante gjithë ato para në ndërrimin e fasadës me njëfarë materiali që po e ndërruaka ngjyrën, varësisht nga cili kënd e shikon dhe ta bëjë hotelin edhe më të shëmtuar seç ishte. Dhe jo vetëm kaq, por hotelit ia shtoi edhe një apo dy kate, që shkaktuan njëfarë rrëmuje për shkak se po bëheshin pa leje.

Sidoqoftë, në situatën kur krahu i majtë i hotelit u bë të dukej mosvet keq, me atë fasadë të larme, në skenë doli Agjencia Kosovare e Privatizimit duke vendosur që ta kthente në privatizim objektin, ngase nuk ishin përmbushur kushtet e spinoffit special për shumën dhe afatin e investimeve. Mirëpo, para se të merrej vendimi, ai që pretendonte të ishte pronari i vetëm i hotelit, disi doli për të pranuar se hoteli megjithatë paskësh më shumë se një pronar dhe e implikoi në gjithë këtë rrëfim zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi, i cili u kontestua, megjithatë, duket të ketë nxitur një vdekje, kurse vdekja nxiti ortekun e akuzave për reketim, përkatësisht zhvatje. Dhe mbase kjo punë nuk do të linte ndonjë përshtypje të madhe dhe do të përcillej nga publiku me një ncncncnc, tundje të kokës në shenjë mosbesimi dhe me komentet e natyrshme “këqyri hajnat”; “ishalla ia nxjerrin shpirtin njëri-tjetrit (edhe pse deri atëherë do të na a nxjerrin neve)”; “po ku i kishin ditë gjithë këto marifetllëqe?” ..., po të mos ishte se po flitet për persona publikë dhe kryesisht me poste politike.

Shikoni tash – për një hotel (hajde de, sa mund ta ketë vlerën reale objekti, me gjithë tokën, po qe se Komuna e ka bartur pronësinë e tokës?) përzihet lëmshi aq shumë, saqë në ngatërresë dhe akuza për kërkim parash për ruajtjen (jo)ligjore të pronësisë përzihen një zëvendëskryeministër që e mban peng koalicionin aktual me aktivitetet e tij prej njeriut që i solli njohjet e papranuara të Nigerisë dhe të Ugandës; dy biznesmenë; një ish-ministër dhe një deputet (këta dy të fundit, anëtarë të një subjekti politik, dy anëtarë të tjerë të udhëheqjes të së cilës janë në procedurë gjyqësore, duke qenë njëri nga ta madje edhe në paraburgim). Hiç biznesmenët për të cilët nuk dimë se çfarë orientimi politik kanë, në rastin e Pacollit, Haraqisë dhe të Rugovës bëhet fjalë për partnerët e koalicionit të kësaj Qeverie, njerëzit që kanë nënshkruar marrëveshje me kryeministrin aktual, i cili refuzon të prononcohet për rastin, i cili nuk mund të ketë epitet tjetër pos “skandal”.

Nuk e di nëse ka ndikuar gjë fakti se EULEX-it i është zgjatur mandati apo jo, por ajo që aktualisht po ndodh në Kosovë është sikur t’i shikosh simultanisht katër a pesë seriale të krimit dhe sundimit të ligjit, siç i quajnë amerikanët: Rasti Limaj është nisur rrugës për t’u shndërruar në telenovelë, së cilës i shtohet pjesa e dytë, me shtimin e fytyrave të reja negative (vëllezërit Limaj dhe shefi i kabinetit, Shala); që prej disa ditësh në paraburgim gjendet edhe kryesuesi i Asamblesë dhe ish-shefi i Qeverisë së Prishtinës, Hamiti, për zhvatje; ish-zëvendëskryeministri Bukoshi gjendet në procedurë gjyqësore për vërtetimin e aktakuzës, kurse ish-sekretari i tij i përhershëm, Tolaj, është në paraburgim tashmë ka disa muaj... e mbase edhe ndonjë rast tjetër për të cilin ende nuk kemi marrë vesh. Sido që të jetë, ai i cili megjithatë i la në hije të tjerët qe ky i “Grandit”, sepse duket se mund të jetë një që do të mund të zbulonte për një sërë allishverishesh të tjera që janë përfolur të kenë ndodhur qysh në kohën edhe të ish-zëvendësdrejtorit, e më pas ish-ministrit e tani ambasadorit në Japoni, Ahmet Shala, emri i të cilit gjithashtu po përmendet jo për të mirë në këtë rrëfim.

Paramendoni çka do të mund të ndodhte po qe se ky rast nis ta shprishë lëmshin e të dalin emra e fytyra që do të ishin të gatshme të tregonin se rasti i “Grandit” është vetëm një nga shumë rastet që kanë shpënë drejt krijimit të realitetit të hidhur që e jeton Kosova, duke iu falënderuar krimit të organizuar dhe ngathtësisë së organeve të ndjekjes. Paramendoni se sa do të spastrohej Kosova nga njerëz që nuk mërziten për asgjë tjetër pos për veten dhe xhepat e tyre, duke mos kuptuar se megjithatë ato nuk do të jenë në gjendje t’i marrin askund njëherë kur të shkojnë nga kjo jetë... ashtu siç nuk ka mundur ta bënte ai i cili sot akuzohet se ka dërguar njerëz për të mbledhur para në emër të “shërbimeve të mira” për ruajtjen e pronës.

“Grandi” kishte nisur me shumë pompozitet me idenë se duhej të simbolizonte bollëkun, prosperitetin dhe projeksionin e ardhmërisë socialiste açik krejt botës... kaloi nëpër luftëra të fëlliqura dhe u përdor e shpërdor nga shumë lloje njerëzish që ia donin të mirën vetëm vetes, për të ardhur në pikën kur u shndërrua në simbolin më të shëmtuar të lakmisë dhe të garës së krimit të organizuar, që mund të kushtojë edhe me jetë... me jetën e atyre që mendojnë se madje edhe “Grandi” është lojë të cilën vetëm ata që kanë shumë e nuk ngopen kurrë mund ta luajnë.

flaka@koha.net

Komente (12)

pejonja18.09.2012/12:53

Hallall per mundin qe ben per vetdijsim moj FLAK po te mundja do jau veja flaken ketyre kriminelve, qe i moren edhe shpresen per te jetuar keti populli qe luftoi me shekuj per liri

Tali17.09.2012/22:32

Ah moje Zonja Flak edhe sa flaka te tilla si Ju i nevojiten Kosoves.Te lumte
per gjithe kontributin e dhene deri me tani.

meti17.09.2012/21:53

Prej Beteri del Seferi, prej Seferit del Beteri, edhe ketu mjer baba kon e ka lan pas, he more Ukè qysh spo te vjen turp prej vorrit te babes se le te tjerat Turp Turp ska ma Turp.....

rexhepbruksel17.09.2012/11:56

èshtè koha e fundit qè qytetarèt ti shikojn edhe njèherè filmat e AL KAPONES,por kètu ka njè dallim atje shteti ndeshej ma AL KAPONEN gjersa kèty te ne èshtè e kundèrta!me siguri po mè kuptoni.

Cela17.09.2012/11:54

U shit Kosova per 5 pare. Mbetem argat ne shtepi tone me qira duke punu per te huajt. Turpi i turpit te turpit i qofte ketij populli qe sdel me kall kete privatizim prej Ase deri ne ZH.

rexhepbruksel17.09.2012/11:48

vèrtet thu ti se bèhet fjalè pèr njè porno film qè do tè thot se kush kujt tè mundet me ja ngul nè kètè hotel me pes yje bèrllogu.vetèm edhe roco sifredi po ju mungon si njè profesionist i kètyre lloj filmash ai do tè ju tregonte tè involvuarve se kush kujt do tè duhej me ja ngul edha ma shum nè mynyrè qè nka kjo histori tè dal turp sa mè i madh.

Jaki17.09.2012/11:27

kane thone ktyne here interesi ma i omel se pikmezikush e din qka eshte pikmezi. Hoteli Grand...interes i madh per politiken dhe profiteret e saj qe spo dijne te ngopen e frymen ua nxoft.

Qytetari kerkon hetime te drejta te pavarura dhe ata qe kane kryer vepra te marrin denimin e parapare me ligj se denimi i merituar eshte edhe mos votimi i ketyre politikaneve dhe i partive te tyre ne zgjedhje....po kend me votu se krejt hajna Nese nuk zgjohemi, edukohemi e te mesohemi te sillemi te pergjegjshem askush nuk do te na kete lakmi, perkundrazi do te mbetemi shembulli i keq i qeverisjes ..hajt spo flas se boll fola...ne kete shtet "demokratik" ku demokracia eshte Dy ujqer dhe nje qingj merren vesh se çfare do te hane per darke...mjer Kosova per bijtë e bijat e veta

Fatmiri17.09.2012/11:07

Grand Skandali ! Ne çdo projekt ku i ka fut hundet Pacolli, mbrenda apo jasht Kosoves, prokuroria mundet lirisht me hape hetime. Problemi i vetem eshte se Pacolli ose e ka prokurorin ne xhep pra e ka ble ose e ka sjelle ashtu punen qe prokurori vetem mundet me qenë si spektatorë.
Don Korleone do tia kishte lakmi Pacollit per mendjemprehtesin e tij!

violeta celina17.09.2012/10:33

Flaka bravo per guximin ,je e papare,knaqem kur i lexoj artikujt e tu

Drini17.09.2012/09:05

Grandi na ishte dikur...tani ai me nuk ekziston fatkeqsisht, eshte shendrruar ne simbol te krimit e tmerrit, me mire ta quajne Hotel DINO...cka duhet tjeter ende te ndodhe me teper qe ta kuptojme se per kete hotel kane "hy punet thelle"...dhe se pa nje taksirat te madh nuk do ti vjen fundi privatizimit te tij...

symeri17.09.2012/08:39

................shume studenteve ne ate kohe 93.... na kujtohet mire, ishim te detyruar barku don buke te blenim buke ne ate furre, edhe ate BUKE ME KRYQ ...ama buka ishte e mire..

sanagjilan16.09.2012/23:54

GRANDIprej felliqsirave e ne flliqesira.

1000  Karaktere
Prishtinë 11°CMe vranësira të pjesshme
Tiranë 11°CMe vranësira të pjesshme
Shkup 11°CMe vranësira të pjesshme
Prishtinë21°C
Tiranë22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell