ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

"Kosova A" mbetet një krokodil

Publikuar: 09.09.2012 - 19:18


Nëse kam rënë në lumë dhe më është sulur një krokodil, nuk do të jetë aspak e rëndësishme për mua se a është krokodili i madh apo i vogël, ai do të më hajë gjithsesi!

Ka kohë që nuk e kemi parë një ekip më të fortë në promovim publik, siç ishte ai i futjes në punë të një pjese të teknologjisë prodhuese (elektrofiltrave), të njërës pjese të TC “Kosova A” (faza e pestë vetëm), që e gjitha është vetëm një pjesë e vogël e TC-ve të KEK-ut. Kaq shumë ministra, ambasadorë dhe drejtorë nuk kishte  as kur e promovuam "asfaltin e madh"! 

Por ky gëzim i derdhur para TC “Kosova A” nuk u përcoll gjithkund. Jo se investimi i bërë në elektrofiltra nuk është i rëndësishëm, dhe se nuk është lëvizje e mirë  drejt një mjedisi të pastër, por te shumë institucione dhe qytetarë solli dilema se a ka vlerë që të futen 25 milionë euro në diçka që mund të punojë vetëm 4-5 vjet, sepse në vitin 2017 duhet mbyllur këto njësi; te të tjerët solli dyshime se kjo qeveri a mendon me të vërtetë ta mbyllë “Kosovën A” deri në vitin 2017, për t'i respektuar rregullat e përcaktuara nga BE-ja,  që vetë i ka pranuar dhe shumë herë zëshëm i ka thënë? Në gjashtë muajt e kaluar, të paktën, e kam dëgjuar shumë herë ministrin e Zhvillimit, drejtorin e KEK-ut dhe shumë zyrtarë të tjerë, duke thënë se Qeveria do ta respektojë obligimin për t'i mbyllur të gjitha njësitet prodhuese të “Kosova A”. A do ta bëjnë me të vërtet këtë punë? Duket se jo...!

Janë të paktën dy arsye që na bëjnë të dyshojmë në deklaratat e tyre: një, e drejtpërdrejtë, nga  ZRrE para disa ditësh "rrodhi " haptas përcaktimi i KEK-ut se TC  ”Kosova A” do të ndërpresë punën në 2020! Dhe një argument i tërthortë është se drejtori i KEK-ut, zoti Gjuka, siç përcjellin mediet, thotë se “Kosova A” do të mbyllet atëherë kur të futet në punë “Kosova e re”. Për këdo që di fare pak për këtë investim, e di fare mirë se “Kosova e re”, kështu siç është duke shkuar tash,  nuk mund të futet në punë para vitit 2020.

Zaten, më është dukur gjithmonë i dyshimtë orientimi i KEK-ut që të investojë tash miliona euro në njësitet që jemi duke i përgatitur t'i mbyllim shpejt. Informacionet që rrodhën nga fjalimet e atyre që shtypën butonin e startit të elektrofiltrave dje ishin spektakulare, të bukura për t’u dëgjuar, por të paktën ishin vetëm gjysmë të vërteta. Cila është e vërteta e këtij investimi që na e sollën si shpëtim ekologjik i vendit?

E para, kur thuhet se emisioni i pluhurit zvogëlohet 15 herë, nuk ke thënë gjë. Ti mund ta zvogëlosh emisionin 15 herë, dhe  ai të mbetet akoma mbi vlerat e lejuara me standarde të BE-së. Të shprehesh në përqindje, se 15 herë është 1500%, është shprehi e atyre që akoma fshehin  informacion. Më kujtohet se në kohën e Enver Hoxhës në Shqipëri rezultatet e fabrikave në fund të vitit shpreheshin vetëm me përqindje, krahasuar me periudhat e mëparshme, dhe gjithmonë prodhohej më mirë se vitin e kaluar, por kurrë nuk thuhej se si ishte ai prodhim në krahasim me kapacitetet e instaluara ose me prodhuesit e fortë jashtë vendit. Ajo që pritja të thuhej ishte se faza 5 e TC, tash e tutje do të emetojë x% më pak se standardi i lejuar evropian që është 50 mg në një metër kub normal të gazit. Matjet që ishin bërë më parë nga një instituti finlandez, treguan se TC “Kosova A” emeton deri në 40 herë më shumë se ky standard. Nëse thoni  tash se 15 herë e keni zvogëluar emisionin e pluhurit me këta elektrofiltra të rinj, a mos po ngelin akoma shumë herë të tjera që emetohen mbi këtë standard? Për ta hequr këtë dyshim, ju lutem përcilleni punën, dhe na thoni cili është saktësisht emisioni i pluhurit në ajër?

E dyta, po edhe nëse kjo fazë e ka sjellë emisionin e pluhurit nën standardin evropian, ne akoma jemi shumë larg për të thënë se problemi u zgjidh, siç thatë në promovim. Sepse qytetarët nuk marrin frymë në maje të oxhakut, për ta zgjedhur tash të gjithë ne këtë oxhak ku do të banojmë dhe marrim frymë në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë të thithim sasi enorme të pluhurit, që na vjen nga fazat e tjera të “Kosovës A” dhe “Kosovës B”, që pavarësisht reduktimit të bërë në fazën 5, është akoma shumëfish mbi normat e lejuara. E kam thënë disa herë më parë këtë metaforë: nëse kam rënë në lumë dhe më është sulur një krokodil, nuk do të jetë aspak e rëndësishme për mua se a është krokodili i madh apo i vogël, ai do të më hajë gjithsesi, siç do të vazhdojë të na i "hajë" mushkëritë pluhuri i dalë nga “Kosova A dhe B”, pavarësisht se tash kontributi i fazës 5 është më i vogël. Situata nuk do të ndryshojë dukshëm as pas vendosjes së elektrofiltrave në dy faza të tjera, pas një kohe.

E treta, duhet shpjeguar qytetarëve se pluhuri nuk është i vetmi ndotës i termocentraleve. Dhe se elektrofiltrat veprojnë vetëm mbi pluhur, dhe s'kanë fare efekt mbi dyoksidin e sulfurit, oksidet e azotit, monoksidin e karbonit dhe shumë ndotës të tjerë që janë edhe më të dëmshëm se pluhuri. Pra, me vendosjen e elektrofiltrave nuk mund të konstatojmë se i kemi zgjidhur problemet e ndotjes së atij njësiti, siç u tha shumë herë dhe me shumë pompë, në inaugurimin e para dy ditëve.

E katërta, të investosh miliona në një termocentral të stërvjetruar, dhe madje vetëm në një segment të punës së tij, atë të minimizimit të pluhurit të emetuar, e t'i lësh anash parametrat e tjerë katastrofalë që ky TC i ka, dhe jo vetëm ata ambientalë por edhe prodhues, është shkurtparëse, dhe jo për t’u promovuar me aq mburrje. Nuk do të hyj në detaje, por secili inxhinier e di se sa linjit shpenzon ky termocentral për të prodhuar një kilovat orë, dhe se shpenzimi i rritur i linjitit për njësi prodhuese të energjisë do të thotë se më shumë tokë kemi mihur, më shumë linjit kemi djegur, më shumë hi kemi prodhuar, dhe më shumë ndotës kemi emetuar. Dhe më shumë punë duhet bërë për ta prodhuar at 1 kilovat orë, shumë më shumë se ai 1 kilovat që e prodhojmë nga “Kosova B”, dhe akoma më shumë se ai që do ta prodhojmë në “Kosova e re”, nëse e bëjmë një ditë.

E pesta, është ndoshta më e rëndësishmja: u futëm në sherr me BE-në! Tashmë e kemi parë reagimin e tyre, i cili ishte shumë me vend! I përkthyer në një gjuhë paksa të ekzagjeruar, ata thonë: si t’ ju besojmë, dhe si t’ ju ndihmojmë rrjedhimisht, kur asnjëherë nuk e kemi të qartë se ato që i thoni edhe do t'i realizoni! Thonë po ashtu se Banka Botërore do ta tërheqë  garancinë e dhënë për ndërtimin e TC “Kosova e re”.

 Fjala e folur publikisht brenda një diskursi kosovar dhe i bërë kosovarçe fatkeqësisht, e ka një efekt tjetër te jokosovarët: ata fillimisht besojnë, pastaj zhgënjehen dhe përfundimisht çojnë duart nga përkrahja e tyre.  E ne jemi të njohur me "besën" tonë? Ta provojmë tash e tutje te vendimmarrësit. Le të mos na thonë për gjëra, por le të na e japin besën se, p.sh., do ta mbyllin TC “Kosova A” në vitin 2017! Nëse edhe besën e shkelin, atëherë ua shohim ADN-në dhe i kuptojmë të gjitha! 

Komente (1)

Seferi10.09.2012/08:06

Na lodhet edhe ju zotni Shllaku.
Ne e kuptojme qe duhet me fol se ndryshe nuk mund ti arsyetoni fondete emajme qe i merrrni nga Sorosi,por kuptoni realitetin.Ne kete krize a mendoni me te vertete qe dikush do te investonte 3400 milione euro ne nji periudhe 5 vjeçaresa parashihet te zgjase ndertimi i nji blloku.
Kosova A duhet te punoje derisa te ndertohet nji blloke qe do te zevendesoje Kosoven A,normal me parametrat dhe standartet e lejuara per emitimin e gazrave.

1000  Karaktere
Prishtinė 21°CI kthjellėt
Tiranė 21°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 25°CI kthjellėt
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°C