Dialektika e kosovarizmit
Xhemal AhmetiÇdo shtet e ka një identitet kombëtar. Shqiptarët i kanë dy shtete dhe ende nuk e dinë saktë se sa identitete i kanë. Do të thonë një, të tjerët dy, të tretët pesë e nuk mungojnë as ata që janë të bindur për asnjë. Historia e një debati që sillet në rreth
Bernë, shtator - Shumëkush mendon Shqipëria të sillet ndaj shqiptarëve jashtë saj, si Gjermania e Otto von Bismarckut ndaj austriakëve dhe zviceranëve. Nëpërmjet politikës së përkujdesjes vëllazërore ajo më shumë krijuaka përshtypjen e prindit të brengosur karshi djalit ende në pubertet, sesa që shpreh respektin e sinqertë ndaj pjesëve të barabarta të etnikumit plisbardhë. Lufta e kosovarëve për identitet origjinal, të vetin, paska filluar të marrë përmasat e një depresioni elitash, i cili po ua manifestuaka si obsesion për të dëshmuar atësinë, supremacinë historike e aktuale brenda fiseve, gjakut e gjuhës. Shqiptarët jashtë shteteve shqiptare kanë probleme tjera: ata të Maqedonisë qenkan tepër të zënë me përkryerjen e zanateve të tyre tradicionale të burekxhiut, bakllavaxhiut, faraxhiut. Ata të Preshevës as gjeografikisht nuk qenkan ende të sigurt se nga duhet tia mbajnë e të tjerët qëmoti kanë harruar se jerusalemët ose mekat e tyre janë Tirana dhe Prishtina.
I. Koncepti identitar tiranas
Shqipëria (kupto: mekanizmat relevante kulturore e politike) është më pak sensible rreth problemit të identitetit. Jo pse është e sigurte në supremacinë e saj historike e aktuale, por sepse formulimin e identitetit kombëtar të shtetit e sheh si proces të mbyllur. Nga ana tjetër shoqëria shqiptare më lehtë merr vesh për debatet që zhvillohen rreth prostitutave të Berluskonit (mediat e diçiturës dhe skandalit italik) se sa për atë se çdebatojnë intelektualët kosovarë. Ky injorim prodhon depresione. Zhgënjimi vërehet në reagimet e jo pak intelektualëve kosovarë.
Përndryshe koncepti i kombit në Shqipëri duket se ka krejtësisht tjetër konotacion. Numri i të lodhurve nga patriotizmi, kombi dhe shteti është më i madh se sa i atyre që nxehen sa herë që të ekzekutohet himni i flamurit. Shtoi kësaj edhe përvojën në totalitarizmin specifik pseudonacional të Enver Hoxhës dhe çështja bëhet fare e kuptueshme.
II. Tezat nga Prishtina
Në Kosovë situata është ndryshe. Kosova është shtet i ri. E pasi ende vlen formula: ska shtet pa identitet kombëtar (OKB) është krejt e natyrshme përpjekja e elitave kosovare që të djersiten për ta definuar një. Në këtë kontekst tashmë në opinion janë etabluar tri teza kryesore: 1. Disa nga intelektualet me turmë pas veti janë të mendimit se kosovarët nuk kanë nevojë për shpikje identitetesh sepse e kanë atë. Atë që ka Shqipëria. 2. Ca të tjerë pa turmë pas vetes thonë determinueshëm e sipërfaqësisht (më shumë si parullë) se kosovarët kanë identitet evropian dhe kosmopolitan. 3. Pjesa e tretë thotë se Kosova është epiqendra e qenies shqiptare (duke lënë anash humorin e atyre që thonë se Kosova është djepi i qytetërimit botëror) dhe nga ky kënd duhet definuar identitetin e kombit kosovar.
III. Përpjekje për një sintezë
HISTORIA. Nëse heqim anash iniciativat individuale dhe kryesisht joserioze të disa autorëve për të krijuar një lashtësi speciale brenda territoreve a provincave të caktuara, atëherë konfrontohemi me një interpretim unik rreth lashtësisë dhe mesjetës ilire-shqiptare. Më gjithë ato fërkimet lokaliste rreth Kuvendit të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare (1878 1881) edhe këtu ende nuk ka dalë ndonjë diferencë historiografikisht relative. Strukturat e çdo akti të rëndësishëm historik që kishin të bëjnë me ndërtimin e identitetit të ri kanë qenë gjithmonë rajonalisht e konfesionalisht të përziera e të prira nga qëllimi konkret për një identitet panshqiptar.
Konflikti i parë serioz historiografik shfaqet me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (1912). Edhe pse pazëshëm shumica e kosovarëve (jo vetëm historianët, ndoshta më së paku ata) me këtë datë asociojnë një akt të nguljes së thikës pas shpine nga ana e shqiptarëve të Shqipërisë së atëhershme që projeksionohet në këtë të sotmen. Dhe jo vetëm ata. As shqiptarët e viseve tjera duket se nuk e kujtojnë ndryshe këtë akt historik. Një segment i historisë shqiptare që kërkon trajtim objektiv.
Ndarja historiko-politike megjithatë do të ndodhë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Kosova nis jetën nën kontrollin e një gjendjeje të jashtëzakonshme ushtarake dhe policore jugosllave, ku nuk do të mungonin as batalionet e proletarëve nga mëmëdheu i tyre. Në Shqipëri Enver Hoxha dhe Partia e tij shumë si shpejtë futën masat në kontrollin total. Nuk shkon gjatë edhe Kosova gjunjëzohet dhe (me përjashtime rezistencë - më evidente se çdo kund tjetër) i hyn mundit të integrimit brenda sistemit jugosllav.
POLITIKA. Për dallim nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët gjendeshin nën terrorin e një diktatori dhe sistemi që vriste çdo ide që në shpalljen e saj në formë të ëndrrës dhe ishin të detyruar dhunshëm në një vita contemplativa ad absurdum, kosovarët, menjëherë sa morën këmbët (intelektualisht) do ta nisin luftën e tyre për identitet herë duke (keq)përdorur lëvizjet sociale globale (1968) e herë duke u bërë qëllimisht pjesë e lëvizjeve reformiste brenda bllokut komunist (1981) me qëllim të përmirësimit të statusit të tyre. Në këtë kontekst kosovari mblodhi një përvojë dhe vetëdije krejtësisht ndryshe politike e sociale nga ai i Shqipërisë. Zëri i kosovarit shkaktonte diçka, zëri i shqiptarit nga qelia e Burrelit nuk shponte muret. Për ato dyzet e katër vjet u krijuan dy sisteme të ndryshme të sjelljes sociale, politike dhe kulturore. Ibrahim Rugova, ende pa u zgjidhur çështja e Kosovës, u bë nismëtari ndoshta nga analiza e tij mbi dallimet e krijuara filloi me qëndisjen e një identiteti të ri historik (Dardania) për të shpallur më vonë edhe atë të riun aktual.
Proces që u finalizua dhe me njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Politika kosovare pa ndonjë zhurmë të madhe pranoi sugjerimet dhe propozimet e ndërkombëtarëve as skishte se si të bëjë ndryshe për një identitet të ri shtetëror, me një komb bartës ndryshe nga ai i Tiranës.
KULTURA. Në vitet e para pas LDB-së shkalla e analfabetizmit në Kosovë ishte shumë më dramatike se në Shqipëri. Mësues dhe profesorë nga Shqipëria përlanë qytetet dhe katundet kosovare duke dhënë një kontribut historik për arsimimin e kosovarëve. Sapo u bënë shkollat e para intelektualë nga gjithandej (viset e tjera shqiptare në Jugosllavi) do të zgjedhin Prishtinën si qendër të tyre. Kontributi i të jashtmëve në ngritjen e alfabetizimit dhe institucioneve të para kulturore në Kosovë është enorm. Aspekt historik që po ashtu ka nevojë për një trajtim objektiv shkencor.
Diktatura në Tiranë e vdiste çdo shkrimtar, ideator dhe intelektual që hapte dritaren për të marrë frymë jashtë burgut ideologjik. Këtë ajo do ta bëj deri në rënien e saj definitive. Kështu veproi edhe Jugosllavia e tretë në ditët e para të jetës së saj. Veçanërisht kur tendenca të tilla shfaqeshin nga radhët e popujve që nuk i takonin taborit sllav të projektuar nga Tito dhe Dimitrovi. Falë elitave të atëhershme intelektuale sidomos në Zagreb, Lubjanë e pjesërisht edhe në Beograd, në Jugosllavinë pasmoskovite nisi reforma liberale në kulturë. Nga Zagrebi dhe Beogradi përkundër prioritetit që mbanin ato të spektrit të majtë - vinin vepra të përkthyera që më parë ishin të ekskomunikuara si reaksionare. Disa nga intelektualët shqiptarë të Prishtinës, veçanërisht shkrimtarët, përdorën këtë rrymë liberalizimi për tiu shpëtuar direktivave moskovite mbi artin dhe letërsinë dhe sollën në gjuhën shqipe frymën pasmoderne. Kjo rrymë letrarësh edhe pse minore do të bëj që brenda letërsisë shqiptare mos të lulëzojë vetëm socrealizmi. Nëpërmjet mundësisë së pluralizmit letërsia shqipe do të kap valën e temave universale që zhvilloheshin në Evropën e asaj kohe. Kjo frymë do të zgjasë deri në fillim të viteve të 80-ta, deri atëherë kur rikthehet tema kyçe e ekzistencës kosovare; ajo e mbijetimit kolektiv si etni brenda Jugosllavisë.
Shqipëria vazhdonte të burgoste çdo kënd që ëndërronte ndryshe.
Si në politikë ashtu edhe në kulturë shihet se ekzistojnë dy rrugë me destinacione të ndryshme nëpër të cilat ecën Tirana dhe Prishtina.
GJUHA është problemi më i vogël kur kemi të bëjmë me gjetjen e elementeve të përbashkëta identitare ndërmjet kosovarëve dhe shqiptarëve jashtë saj. Dita-ditës shtohet numri i intelektualëve në Prishtinë dhe Tiranë që thonë se duhet hequr konditat gjuhësore të vëna në epokën enveriste. Kondita që diskriminojnë njërin nga dialektet. Çka qëndron. Në terren dhe praktikë mirëpo edhe ithtarëve më të rreptë të këtij ndryshimi u lotojnë sytë nga përdhunimi i trurit kur detyrohen të lexojnë veprat e shkruara në dialektin që preferojnë. Nuk janë mësuar, sepse qe pesë dekada janë formuar gjenerata (së paku ata që kanë vizituar shkollat me seriozitet) me të ashtuquajturën gjuhë standarde.
Përkundër fryrjes mediale që i bëhet kësaj çështjeje, gjuha po duket se bën një jetë krejt normale dhe të krahasueshme me kulturat e tjera që shoqërohen me kontroversa identike. Edhe pse në hapësirën gjermanofone mendohet të ketë një gjuhë standarde (Hochdeutsch) ajo në praktikë kultivohet në tri variante të ndryshme (në shkrim dhe në të folur). Austriakët dhe zviceranët nuk e shkruajnë dhe flasin të njëjtën gjuhë standarde si gjermanët dhe anasjelltas. Të njëjtin zhvillim e kemi te Frankofonët dhe anglezët dhe shumicën e të tjerëve. Interesant në këtë drejtim është fakti se këto zhvillime nuk janë konstruktuar me kongrese, përkundrazi kongreset janë detyruar ti institucionalizojnë ato.
Të njëjtin zhvillim e kemi edhe tek shqiptarët. Gjuha standarde e Prishtinës nuk është e njëjtë me atë të Tiranës, të Strugës apo Tetovës. Dallimi karshi kulturave tjera, të cilat institucionalizojnë dallimet, është se shqiptarët nuk regjistrojnë e hulumtojnë gjendjen e tyre gjuhësore, por e politizojnë atë duke u përpjekur tia japin asaj direktiva artificiale se kah të ecë. Nëse kosovarët apo shqiptarët duan patjetër që nëpërmjet një kongresi ta rikonfigurojnë gjuhën e tyre, mund ta bënin këtë në çdo kohë, mirëpo gjithmonë duke pasur parasysh defektin e demokracisë, pra tiraninë e shumicës dhe instalimin praktik që do të kërkonte edhe ca dekada për ta institucionalizuar.
V. Konkluzione ose kosovarizmi
Nisur nga kjo gjendje faktike shihet se nuk kemi nevojë të jemi edhe gjithaq të mprehtë për të kuptuar se kemi të bëjmë me dy identitete të ndryshme kolektivash. Të bën kjo që të vajtosh apo është shkak për festë? Irelevante. Me rëndësi është që të shohim se cila tezë, nga ato që shpaluam më lartë qëndron dhe se cili është në të vërtet identiteti kosovar sot.
Teza e parë se shqiptarët e kanë një identitet kombëtar të njëjte me atë të Shqipërisë nuk qëndron. Ndërkohë dallimet në mentalitet, kulturë, sjellje sociale janë më të mëdha se sa ngjashmëritë.
Teza e tretë që thotë se Kosova është epiqendra e ruajtjes së identitetit kombëtar është pjesërisht e drejtë, kur kihet parasysh këmbëngulja dhe rezistenca e kosovarëve dekadave të fundit. Tendenca e saj mirëpo për supremaci është arrogante. Sidomos karakteri i saj ekskluzionist brenda shqiptarëve (duke mohuar kontributin historik edhe të shqiptarëve jokosovarë në këtë histori) e bën atë joserioze.
Ndër më të spikaturat del teza e tretë. Ajo e identitetit kozmpolitan evropian të kosovarëve. Nuk e analizojmë dot këtë tezë tejet interesante pa bastisur kapitalin tonë të dijes për të parë se çka është identiteti evropian dhe çka kozmopolitizmi? Tia fillojmë me kozmopolitizmin: Cinikët dhe stoikët me kozmopolitizëm nënkuptonin krijimin e një shoqërie botërore (e gjithë bota në një sistem) ku gjithë njerëzit do të ishin të vëllazëruar dhe të barabartë. I inspiruar nga kjo ide Gotthold Ephraim Lessing do ta shkruaj traktatin e njohur Edukimi i racës njerëzorë, në të cilin hedh parimet qendrore të filozofisë së tolerancës si garant të paqes shoqërore. Po të njëjtën ide Immanuel Kant do ta riformulojë në esenë e tij të njohur Për paqe të përjetshme, ku formulon imperativin e tij kategorik si bazë të Republikës së hapur.
Më 24. Gusht 1944 amerikani Gary Davis (My Country is the World -1960) dorëzoi publikisht në Paris shtetësinë amerikane dhe shpalli veten Qytetarin numër një të botës. Këtu e ka zanafillën lëvizja botërore citizen of the world, së cilës iu bashkëngjiten edhe shumë intelektualë të kohës si; Albert Einstein, André Gide, Albert Camus, Jean-Paul Sartre, André Breton, Abbé Pierre e të tjerë. Lëvizja me zanafillë që nga lashtësia konsideron gjithë botën si një atdhe.
Identiteti evropian. Kush e ka lexuar dokumentin bazë mbi identitetin evropian, të aprovuar në Kopenhagë (Bulletin der Europäischen Gemeinschaften, 12. 1973, Nr. 12, Fq. 131-134) e di që BE zyrtare me identitet nënkupton qëndrimin bashkë dhe funksional të kombeve anëtarë të organizatës dhe asgjë më shumë (Paragrafi I). E këtu ska çkërkon kozmopolitizmi. Pra kozmopolitizmi nuk shkon bashkë me identitetin politik evropian siç konceptohet dhe perceptohet sot. Në një studim që mori dhénë dhe u përkthye gjithandej (A kanë nevojë evropianët për një identitet - aspekte kulturore dhe politike, Luzern 2012) 11 shkencëtare evropian që njihen si ekspertë të identitetit evropian bien në ujdi se kriteret e vetme dhe kryesore që përbëjnë identitetin evropian (anëtareve) janë: demokracia, integrimi ekonomik, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut.
Të kthehemi në odat tona: Të quash Kosovën kozmopolite është një ëndërr dhe dëshirë fisnike, mirëpo në realitet e dimë se është edhe më kot se gjithë tezat tjera.
Çfarë identiteti kanë kosovarët?
Asnjërin prej atyre që na e sugjerojnë tezat lartë. Masa, kosovari i rëndomtë gjendet në konfuzion, ashtu siç gjendet tiranasi, tetovari, tërnovcaliu ose ulqinaku. Ndoshta që të gjithë presin nga qeveritë dhe partitë e tyre që ato më në fund arrijnë të emancipohen me ato kriteret evropiane (që nuk kanë të bëjnë fare me identitetin kulturor e tradicional të shqiptarëve si etni e shoqëri) të demokracisë, ligjësisë, mirëqenies sociale e pastaj ti konsultojnë fiset se çtë votojnë në referendumin e gjuhës, sistemit politik, federatave, konfederatave, flamurit, stemave, identitetit e probleme tjera të shumta që kanë.
Për të skicuar vërtet në mënyrë deskriptive (jo normative) se cili mund të ishte identiteti kosovar aktual, duhet më shumë mund të se sa vetëm ca citate dhe parulla publicistike.








Iliri08.09.2012/15:11
Me pelqen fort kjo artikull. Dhe krejt me vend jan kto teza. Por si the ti, neper krejt vendat te botes ka dialekte. Ne nuk duhet ta kqyrem dialektin ton qe e flasem ne shtepi, por duhet me kqyr dialektet ekzistuese. Dmth dialekti toske dhe gege. Ne e dime se shumica e shqiptarve e flasem dialektin gege ashtu edhe kosovaret, keshtu qe une personalisht jam per dialektin gege si gjuhe standarde. Dhe as nuk dua fare me u pershtat toskve qe e permbajne veten 20 apo 30 perqind prej krejt shqiptare qe ekzistojne ne bote. Ne artikullin tend e ke harru i permend edhe pak dialektet e Arvaniteve dhe te Arbereshve, edhe pse nuk isht tema. At here u zbulu dhe u vendos qe nje "gjuhe standarde", edhe pse gati askush prej shqiptarve nuk e flet ket gjuhe dhe eshte shume me i komplikum se sa gegerishtja. Ajo per mua nuk eshte normal. Dhe shkaku asaj une e vezhdoj dhe ja dho femive te mi ket dialekt, normalisht jo 100 perqind, por me gramatiken gege.