ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 19:55    Moti *** 20:00  Oxygen  *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Identiteti kulturor kosovar është evropian dhe kozmopolitan (3)

Publikuar: 23.08.2012 - 19:44

Shkëmbimet kulturore Kosovë - Shqipëri: Rishikimi i standardit të shqipes.

Në fushë të kulturës dhe të arteve duhet thënë, sado me dhembje, se Kosova, njerëzit e saj, duke qenë pengje të një historiografie ideologjikisht të interpretuar dhe të një miti kombëtarist unitar, e kanë të theksuar kompleksin e inferioritetit karshi shqiptarëve të “Shqipërisë  së  poshtme”, term i përdorur nga autori John Foster Fraser, në librin me të njëjtin titull, me udhëpërshkrime dhe fotografi.

Nëpër konferenca ka një prosternacion të habitshëm e ndonjëherë të neveritshëm. Kur një shqiptar puritan pyet shqiptarin e Kosovës se gjuhën e cilit fshat kosovar e flet, për të dëshmuar edhe pavetëdijshëm, superioritet dhe hegjemoni gjuhësore dhe mbi këtë bazë projektohet edhe ndarja e qytetarisë në rende shoqërore në komb, natyrisht duke e ruajtur rendin e parë qytetar në komb, për vete, kurse shqiptarët e tjerë varësisht se ku jetojnë, jashtë Shqipërisë, t'i rendisë në rendin e dytë e të tretë qytetar brenda kombit.

Pse gjithë ky inferioritet i kosovarëve ndaj Tiranës zyrtare dhe pse kjo hegjemoni kulturore (gjuhësore) e “Shqipërisë së poshtme”?

Elitat kulturore shqiptare mëtojnë që ta ruajnë ndikimin politik në Kosovë, (edhe pse shteti shqiptar në të gjitha etapat e zhvillimeve politike gjatë shekullit 20 nuk u dëshmua paternalist) dhe për ta shquar veten si 'piemont' i kombit.

Kurse elitat kulturore dhe politike kosovare për shkak pikërisht të "demonit" gjuhë, vetëmbyllen ose (vetë)dorëzohen para "hegjemonit gjuhësor".

Përderisa shkollat kosovare janë më organike, kanë qenë përditësuar me kohë e me vakt dhe nuk kishin pritë vitet e '90 me i futë Roalnd Barthes dhe Cvetan Todorovin në ligjërime. Shumë ekspertë, sado që duan t'i shmangen politikës, mallkohen pse e "sajojnë" si problem gjuhën shqipe të standardit '72.

Kosova kryesisht e flet keq dhe artificialisht standardin, kurse gjuha e shtypit është karikim i atij standardi, që Primo Shllaku e quan "gjuhë të fshatarëve të Dangllisë së Përmetit."

Shqiptarëve, atyre që e flasin dhe e shkruajnë shqipen u duhet një gjuhë e madhe, e cila nuk bën pa gegnishten, trajtat e saj gramatikore e leksikore, paskajoren etj.

Sa më shpejt që t'i kthehen gjuhës shqipe shtyllat e saj konstitutive, aq më mirë.

Shkenca e albanologjisë nuk ka më asnjë alibi, përveç zhvillimit të balancuar, simetrik e të ekuilibruar të gjuhës shqipe si pasuri e vetme që pati shestue qytetërimi ynë. Në këtë kontekst, Kosova duhet të insistojë në rishikimin e standardit dhe përshtatjen e shqipes atyre që e flasin gjerësisht, pra kosovarët nuk duan gjuhë të re, por rinegociim të së vetmes gjuhë shqipe, pra marrëveshje të re ndërmjet folësve të saj.

Pastaj Kosova duhet të zhvishet prej alegorisë, mistikës dhe rebusit letrar, kurse Tirana duhet të jetë tolerante dhe qytetarisht e edukuar (si shoqëri politike e jo si atdhe amë) dhe t'i heqë nga koka rendet e qytetarisë në komb, sepse nuk ka rend të parë e të dytë qytetarësh në një komb.

Ndonëse këto dy hapësira kulturore (të të njëjtit bazen kulturor) e kanë gjuhën e përbashkët, (sado që edhe rishikimi i standardit të shqipes edhe pse mori miratimin e ekspertëve të të dyja vendeve hasi në një bllokadë të pashpjegueshme) kjo do të duhej të ishte fondamenti, elementi primordial i bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë qershorit 2012 në Tiranë është mbajtur një takim i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës për drejtshkrimin e shqipes, mbledhja kishte si temë problemet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe konkretisht të zanores së patheksuar - ë, e cila u tha se mund të preket në tri raste. Gjuhëtari Kolec Topalli shpjegon se është menduar se zanorja -ë- mund të bjerë në fjalët e prejardhura që përmbajnë prapashtesën tar, si për shembull tek emri “gojëtar”.

Ka raste kur ajo duhet shtuar, sepse nuk ishte prirja vetëm për ta hequr; për shembull, emri hasm është parashikuar në drejtshkrim të shkruhet pa zanoren –ë, duhet shtuar kjo zanore e të shkruhet hasëm. Së treti, ka edhe raste të tjera ku zanorja -ë- as nuk bie, as nuk shtohet, por ndërron vendin e saj brenda fjalës. Kështu ndodh me mbiemrat me -të dhe me -ët. Duhet të shkruhet, nga njëra anë - i dushktë dhe, nga ana tjetër -i myshkët.

Topalli e përmend tek pas 40 vjetësh p.sh. emrin Evropë, që sipas drejtshkrimit duhet të shkruhet me -v-, por sot, sipas tij, ka ndryshuar diçka, sepse ka edhe euro e ne nuk mund t'i themi evro, ka Eurovizion, e ne nuk mund t'i themi Evrovizion, sepse tingëllon keq, krijon kakofoni. Atëherë përse emrin Evropë të mos e bëjmë Europë?

Gjë që shumë kosovarë që e shkruajnë shqipen që moti e kanë hequr v-në sllave, për emrin Europë!

Po ashtu tek pas 40 vjetësh u arrit marrëveshja që fjala “Zot” të shkruhet me germë të madhe e po ashtu edhe emrat e festave fetare për të cilat, në kohën kur u hartuan rregullat e drejtshkrimit, për shkak të politizimit të skajm, u vendos të shkruheshin me të vogël.

Mirëpo këto ndreqje janë tek fillimi.

Dhe ja ia nisi rinegociimi dhe nuk ra kiameti mbi token shqiptare!

Ndonse sfidat janë ende fort te panjoftuna, por gjithsesi mospërcaktimi i tyre do të jetë me dëm për të gjithë shqiptarët.

Britmat (narracionet e mëdha) për bashkim urgjent kombëtar pa pasur interkomunikim kulturor të dendur janë vetëm zëra në shkretëtirë.

Këmbim kulturor me dekrete nuk ka, sepse ai duhet të jetë një proces i brendshëm, i një njohjeje permanente dhe një pranimi të balancuar të vlerave.

Hartimi i politikave të përbashkëta dhe strategjive kulturore duhet bërë duke ndjekur pikërisht parimin e reciprocitetit dhe të balancimit të ndërsjellë.

Këtu hisja më e madhe u bie vetë njerëzve të kulturës, krijuesve, të cilët, po qe se mekanizmat shtetërorë nuk bëjnë politika stimuluese, duhet të gjejnë vetë shtigje të pranisë së ndërsjellë në dy hapësirat aktuale kulturore.

Me keqardhje duhet të thuhet se edhe shteti shqiptar 1 (1912) edhe shteti shqiptar 2 (1990) nuk kanë politika nacionale.

Nacionaliste, ndoshta po, por nacionale jo.

Këmbimet ndërmjet tyre janë ulët, shumë ulët.

Niveli asht spontaniteti.

Të hapësh një ekspozitë në Prishtinë dhe një në Tiranë nuk mjafton dhe nuk është shkëmbim i denjë madje edhe ato që hapen nuk janë të ndonjë niveli konkurrues me modelin e artit europian. E gjithë kjo situatë do të duhej të shërbente si levë për të nisë një debat më të gjerë për një strategji të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Pra konsumuesit e arteve dhe kulturës përgjithësisht në të dyja shoqëritë nuk kanë as informacion të bollshëm se çfarë po ndodh në këto fusha në të dyja anët. Informata për kulturën edhe në mediat elektronike e së voni edhe në shtyp po tkurren, po shtyhen ngafundi ose po përjashtohen fare si "trupatëhuaj" që s'kanë të bëjnë me konsumizmin, politikën dhe biznesin.

Ne jemi dy “tregje” të ndryshme ngase kemi konsumues me shije e preferenca të ndryshme.

Përtej këtij fakti, që është kufiri real mes nesh, në këtë këmbim kulturor, kalojnë vetëm veprat e spikatura që kanë arritur ta pushtojnë Vjenën, Beogradin, Romën e Berlinin.

Për to, kërkesa është e gjithhershme.

Shkurt, qytetarët e dy vendeve, zgjedhin vetë çfarë konsumojnë.

Kur ata duan diçka, mekanizmat e tregut të lirë, reagojnë shpejt dhe suksesshëm.

Por, parakushti i parë për shkëmbime, gjithsesi, është “prodhimtaria kulturore” dhe mosnënshtrimi i gjithçkaje tregut, p.sh. gjuha nuk është çështje e ekonomisë së tregut, e biznesit, por çështje e marrëveshjes mes folësve të saj!?

Çështja mund të shtrohet edhe krejt ndryshe: A kemi çfarë të këmbejmë në kulturë...?

A janë “krijimtaritë” e njërës apo tjetrës “shkollë kulturore”, të kërkuara fillimisht në vendin e ngjizjes, e pastaj, a janë të kërkuara, përtej këtyre kufijve?

Parakushti i dytë që t’ngjajnë këto këmbime, kur paragjykojmë se kemi çfarë të këmbejmë - është në vartësi të përgjigjes në pyetjes themeltare për një “ndërmarrje” të tillë. E pyetja është: A janë ndërtuar sa e si duhet kanalet e “Relacioneve me publikun” si dhe të prezantimit të “vlerave të supozuara” për këmbim, në të dyja anët e kufirit? Dhe rrjedhimisht, cila është kërkesa atje përtej, dhe këtej në Kosovë?

Këto kanale ende janë të dobëta, sikur që edhe kërkesa është e vogël! Dhe është e vogël, jo domosdoshmërisht për shkak të mungesës së presupozuar të “patriotizmit” tek konsumatorët apo tek vetë krijimet, ngase konsumimi i vlerave kulturore dhe kërkesa për to, s’varen nga idiotësi të tilla...

Se është kështu, flet fakti se në të dyja anët e kufirit, konsumohen me shumicë “vlera” kulturore globale, pra të botës përtej “nesh”!

Atëherë, të dyja vendet kanë këmbime kulturore për aq sa ekziston kërkesa.

Kërkesa, ndërkaq, sot është e vogël!

Një aspekt krejt tjetër i kësaj “çështjeje” është se sot, shkëmbimet kulturore Kosovë-Shqipëri, ashtu siç ngjan edhe në botën, ta zëmë gjermanofolëse (Gjermani-Zvicër-Austri) - janë gjithsesi individuale.

Ashtu siç janë edhe vetë krijimet e veprat kulturore - krijesa e sajesa t’artistit, e jo t’kooperativava e “Shpiave t’Kulturës”!

Përtej kufirit shqiptaro-kosovar, apo kosovaro-shqiptar, arrijnë kryesisht vepra artistësh (të të gjitha profileve e zhanreve) që kanë gjetur konsumatorë edhe përtej shteteve tona...

Dhe kështu iu afruam thelbit: pra, ne mund të këmbejmë, aq sa kemi "krijimtari" e cila bëhet sebep për të nxitur dhe rritur kërkesa nga konsumatorët. (Fund)

P.S.

Për opinionet e tyre shumë të çmueshme rreth vënies së një ure 'online' komunikimi kulturor mes dy shoqërive shqiptare, falënderoj nga zemra krijuesit shqiptarë Klara Buda, shkrimtare, Primo Shllaku, shkrimtar, si dhe ata kosovarë, Ramadan Musliu, shkrimtar e kritik letërsie, Jeton Neziraj, dramaturg, Bardhyl Metaj, publicist, Adil Olluri, kritik letrar, Alberta Troni, pianiste dhe Ismet Jonuzi, piktor.

Komente (2)

UNIK25.08.2012/02:14

O burr i dheut,e kemi nje gjuhe tash kush ka bo hegjemoni mbi kend nuk eshte me rendesi kush ka qene ma i zoti mos i shkoft i zi moti, e nuk kemi arsye me qele ksi tema, me rendesi eshte qe ajo gjuhe eshte shqipe, e tash a eshte burimore a kush flet ma paster a kush e ka imponu me shum ska rendesi. Ai qe nuk kupton kete gjuhe e nuk i pershtatet let shkon te Dacici i pagun profesor let e mson serbishten. Qekjo gjuhe na ka mbete unike e edhe kto doni me e hallakat a pak po ju doken krejt trojet e hallakata e gjithqka hallakam tash te gjuha koka mbet a, kuj i vjen vshtir me msu let i marrin balat e sojit te vet e let dalin ne mal let folin si te deshirojne.

atdheu24.08.2012/17:12

"Ndoshta është e pamundur që të veshi një identitet pa u bërë atë që unë pretendojë të jemë."

1000  Karaktere
Prishtinė 18°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 18°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu