Krejt për interes
Flaka SurroiInteres kombëtar do të duhej të kishte qenë përcjellja e dinjitetshme e Arbën Xhaferit, ashtu siç do të duhej të ishte edhe nevoja për të jetuar një jetë të dinjitetshme
Së bashku me javën shkoi edhe Arbën Xhaferi, njëra nga mendjet më të ndritura intelektuale e politike shqiptare të kohës moderne. Nuk i përballoi sëmundjes, e cila ani që ia kishte ngadalësuar motorikën, nuk ia kishte dalë tia fshinte mendjen brilante dhe fjalorin e pasur me të cilin zbërthente idenë e ndërtuar në meditim.
Njeriu, i cili simbolizoi përparimin që e synonte për trevën ku ishte lindur dhe rritur, meritoi që të përcillej me homazhe më të larta shtetërore; me shprehjen e dashurisë dhe respektit të popullit që para dy ditësh nuk e fshehte dhembjen për humbjen e madhe dhe mbi të gjitha, me një varrim dinjitoz që do ta respektonte deri në pikën e fundit kredon e tij e që nuk kishte të bënte fare me fenë dhe mënyrën sesi ajo interpretohet tani.
Arbni, i cili ishte tërhequr nga udhëheqja partiake për të mbetur përherë në politikë duke ndërtuar platforma veprimi të subjektit politik të cilin e kishte forcuar aq sa për ta sjellë në pushtet në të 90-at e hershme të shekullit të shkuar, ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet e shkuara. Si një njeri që paraqiste më shumë sesa një deputet të rëndomtë, e kishte merituar që ti mbahej një seancë e jashtëzakonshme përkujtimore në Kuvend, institucionin që e përfaqëson vullnetin e popullit. E kishte merituar që arkivoli ti ekspozohej në hollin e Kuvendit e që kjo ndërtesë të hapej për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që do të donin të shprehnin nderimin për të. Posaçërisht shqiptarët nga të gjitha trevat, që me prezencën e tyre në ndërtesën e Parlamentit të Maqedonisë do të fuqizonin edhe më peshën që ka faktori shqiptar në rajon edhe atëherë kur në vete e mban dhembjen për një vdekje të hershme.
Arbni e ka merituar që kortezhi ti nisej prej Kuvendit për në Tetovë me eskortë zyrtare, në përcjellje të përfaqësuesve institucionalë dhe me protokoll shtetëror. E ka merituar që ceremonia e përcjelljes së tij të ishte e organizuar mirë dhe rrjedhshëm ashtu që do të dihej qartë se kush çfarë detyre do të kishte dhe cilët mysafirë do ta nderonin të gjithë kombin me prezencën tyre në ceremoninë mortore. E ka merituar që fjalime ti mbajnë edhe përfaqësuesit politikë maqedonas e edhe oponentët e tij politikë ndër shqiptarë, të cilët tash e fajësojnë partinë e Arbnit për mospjesëmarrje në varrim. E ka merituar të varroset një burrështetas, jo me qëllimin që varri dikur ti shndërrohej në tempull adhurimi, por në monument që përjetë do ta kujtojë një njeri që i futi shumë në borxh të gjithë shqiptarët, posaçërisht ata që jetojnë në Maqedoni.
Në vend të kësaj, iu organizua një akademi përkujtimore, në një sallë që nuk i zuri të gjithë ata që do të donin ta nderonin; arkivoli iu ekspozua në selinë e partisë së tij në Tetovë, të ngushtë për ti pranuar të gjithë ata që qëndronin jashtë në rrugë; u bart me një veturë ngjyrë të gjelbër (lehtë e identifikueshme si ngjyrë islami), përcjellë nga mijëra njerëz në këmbë deri te varrezat e qytetit karakterizuar me shpërndarje kaotike gurrëvarresh, për të arritur aty ku kishte lënë amanet të varrosej -- te prindërit e tij, e ku u zhvillua një ceremoni gjysmëfetare, për ta quajtur disi. Pa paragjykuar se kush kishte vendosur, se a do të duhej pasur hoxhallarë e shehlerë të angazhuar aktivisht derisa i jepej lamtumira e fundit, megjithatë nuk kam se si ta shmang atë që e kishte thënë në librin e tij e për të, kur ishte pyetur nëse besonte në Zot: Kjo varet nga mënyra se si perceptohet Zoti. Unë nuk besoj në atë Zot, i cili përkufizohet me veti të një njeriu, të një udhëheqësi autoritar, qoftë ai emir, mbret apo perandor, Zotit që ka veti narcisoide, që ka nevojë të papërmbajtur për të qenë vazhdimisht i adhuruar. Vetitë antropomorfe të Zotit, krijuesit të gjithçkasë, më duken më shumë naive sesa absurde. Këto perceptime në fakt janë blasfemike, ngaqë Zoti paraqitet me veti njerëzore, si një udhëheqës që është i rreptë, autoritar, që vëzhgon çdo veprim të njeriut dhe paralajmëron dënime. Një përkufizim i këtillë i Tij e rrënon, mes tjerash, edhe etikën. Pra, njerëzit bëhen të moralshëm nga frika dhe jo nga qenia e tyre morale ose nga aftësia e lindur e tyre për ta dalluar të mirën nga e keqja.
Mungesa e shefit të partisë tjetër të rëndësishme politike ndër shqiptarët e Maqedonisë edhe në komemoracion e edhe në varrim për mua ishte skandaloze. Arsyetimi i tij i djeshëm, se nuk e kishin lënë zyrtarët e PDSH-së të merrte pjesë në varrim, për mua është gati i pabesueshëm, sepse po refuzoj të besoj se dikush do të mund të ishte aq i ligë ndër shqiptarë që ta kërcënonte me vrasje apo me ndonjë skandal në një tubim të këtillë. Posaçërisht duke marrë parasysh prezencën aq të theksuar të personaliteteve publike nga Kosova dhe Shqipëria. Por, duke supozuar se kjo do të jetë kështu, atëherë kush e ndali z. Ahmeti që të aranzhonte nderimin institucional për Arbnin? Po a nuk është z. Ahmeti pjesë jo pak e rëndësishme e mu këtyre institucioneve, që në formë aq flagrante e injoruan personalitetin e Arbën Xhaferit në ditën kur po varrosej? Përderisa nuk çuditem edhe pse fort më shkaktoi hidhërim që pardje nuk kishte asnjë zyrtar institucional të kombit që në shekullin 21 e shkruan historinë e vet duke i huazuar figurat historike të të tjerëve, çuditem pa masë me shpirtngushtësinë shqiptare në rastin kur nuk ka më kthim prapa sepse vdekja e Arbrit, për fat të keq, nuk mund të zhbëhet.
Është dëshpëruese të kuptosh se si shqiptarët dinë të bëhen bashkë, të dëshmojnë solidaritet të paparë e madje edhe përgjegjshmëri sa herë që flitet për mbrojtjen e interesit kombëtar e që ndër shqiptarë zakonisht përkufizohet si ndonjë gjendje represioni a gjendje lufte. Kështu ka qenë para 11 vjetësh në Maqedoni të gjithë u bënë bashkë për ta ndalur luftën dhe për të parandaluar vrasjet e shkatërrimin. Për ta mbërritur Marrëveshjen e Ohrit. Por, duket se porsa luftëtarët ua zënë vendin pacifistëve nëpër kolltukët ministrorë e parlamentarë, i harruan ata e edhe mirësjelljen elementare.
Është dëshpëruese se si politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë se interes kombëtar është të jetohet një jetë e dinjitetshme dhe të kihet zhvillim e perspektivë ekonomike. Është dëshpëruese që nuk e kuptojnë se nuk duhet kërkuar unifikim të faktorit shqiptar e përgjegjësi politike vetëm atëherë kur duhet bërë negociata me dikë për një status të veçantë a ndonjë copë të madhe territori që duan të ta çnukin... për shkak se përgjegjësi politike dhe unifikim kundër të keqes duhet pasur gjithnjë për të parandaluar rrëzimin tonë përfundimtar në humnerë.
Kështu tema e përgjegjësisë politike për interesin kombëtar u aktivizua sërish në dy javët e fundit, me insistim të veçantë nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Grabovci, dhe, çuditërisht, nënkryetarit të parë të AAK-së, Shala, ndaj të cilit tashmë publikisht shpreh divergjenca nënkryetari tjetër Isufi.
Pavarësisht sa shpesh i mohoi kryeministri opsionet e përmendura për formimin e koalicioneve të reja politike (tashmë edhe ashtu askush nuk po i beson, ngase i ka hëngër aq shpesh fjalët e veta, sa edhe ky do të mund të ishte një blof për të fituar kohë negocimi në nivel lokal), megjithatë është shefi i grupit të tij parlamentar, i cili haptazi shprehu një mundësi të tillë nga fillimi i javës, në një prononcim për KTV-në: Për këto bisedime normalisht se nuk mund të përfaqësohet vetëm një subjekt politik i vetëm, por duhet të jemi... të kemi përfaqësim sa më të gjerë të mundshëm. (...) Është e domosdoshme që kjo çështje të debatohet në Parlament dhe që parlamenti të merr vendim (...) dhe në parlament janë pozita dhe opozita dhe vetvetiu prapë po them, është e vetëkuptueshme që kemi obligim që të gjithë të marrim përgjegjësi që na takojnë për ti mbrojtur interesat e qytetarëve të vendit.
Pra, për tia rifreskuar një cazë kujtesën z. Grabovci e edhe vetes, bisedat teknike të zëvendëskryeministres Tahiri me Stefanoviqin (të cilat Evropa nëpërmjet zëdhënëses së vet i demaskoi duke i quajtur me emrin e tyre të vërtetë, politike) kishin nisur më 8 mars 2011 po në ditën kur Kuvendi i Kosovës po e vazhdonte debatin e nisur një ditë më herët në lidhje me bisedimet teknike. Atëbotë u miratua një rezolutë me datën 10 mars 2011, pra në ditën e tretë të negociatave natyrisht me rezervat e opozitës. Shikuar nga këndvështrimi i Grabovcit, ato biseda nuk paskan pasur lidhje me interesat e qytetarëve të vendit, ngase vendimin e mori vetë kryeministri pa e pyetur ndokënd, dhe atëbotë nuk kishte pasur nevojë që të ndahej përgjegjësia. Ose, meqë kanë qenë interes kombëtar, e vendimi nuk u konsultua me askënd, pse tash kërkohet që përgjegjësia të ndahet?
E tash, nuk kanë qenë të pakët ata që thoshin se negociatat mund të prisnin një copë kohë për shkak se shqiptarët nuk ishin gati për to, gjë e cila edhe u dëshmua në fund posaçërisht me debaklin e quajtur fusnotë*. Sërish, nuk janë të pakët ata që thonë se negociatat politike, me të cilat po na kushtëzohet integrimi evropian (kështu bile po thotë kryeministri, nuk po di a me i besu), nuk do të duhej të zhvilloheshin fare për shkak se kjo qeveri është plotësisht e paaftë për një gjë të tillë. Gjë të cilën duket se është duke e dëshmuar, ngase nuk do të nisej në kërkim të partnerëve me të cilët do që ta ndajë përgjegjësinë në negociatat që janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e gafave të veta politike. Mbase do të duhej rikujtuar se përgjegjësi politike është edhe me dhënë dorëheqje kur të shkretosh totalisht e kjo Qeveri ka shkretuar pa asnjë dilemë, ndaç në aspektin politik, ndaç në atë ekonomik.
Në këto kushte e kam shumë vështirë ta kuptoj qasjen e nënkryetarit të parë të AAK-së që pothuajse ofrohet që të pozicionohet si koordinatori i ardhshëm i një grupi të mundshëm uniteti, të kompozuar nga krahu i luftës dhe minoritetet (?!), që do të ecë përpara në negociatat me Serbinë, ngase tashmë e ka bërë të ditur strategjinë që do ta zbatonte në këtë proces. E psenë e kësaj nuk mund ta kuptoj si përmbushje të detyrimit ndaj interesit kombëtar, për shkak se këtu më shumë jam duke parë interes personal, dhe jo vetëm tijin, për tu bërë pjesë e pushtetit. Në një shtet që nuk është në gjendje ti respektojë as vendimet e trupit të vet më të lartë- Kuvendit, në raport me Kushtetutën, zgjedhjet dhe madje çfarëdo qoftë tjetër, ngase, qëndrimi oportunist që nuk ka asnjë lidhje me interesin kombëtar, mbërrin madje në pikën ku Kuvendi ia anulon vetes rezolutat obliguese me rezoluta të tjera obliguese...
Do të isha më se e lumtur po qe se para fundit të verës Kuvendi ta miratonte ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve publikë, pa kufizimet që ia ka caktuar kasta, e cila ka interes që të mos hallakatet prejardhja e pasurisë së fituar para miratimit të këtij ligji. Do të isha edhe më e lumtur po qe se ndonjëherë në jetë do ta përjetoja përmbushjen e interesit kombëtar në formën e konfiskimit të pasurisë, ashtu siç ndodhi para ca ditësh në Itali. Lexoni sa lezet: Italia ka njoftuar se ka konfiskuar pronë në vlerë prej katër miliardë eurosh nga klanet e dyshuara mafioze dhe ka arrestuar më shumë sesa 2 mijë të dyshuar. Legjislacioni që mundëson konfiskimin e ndërtesave, hoteleve dhe bizneseve tjera si dhe të makinave luksoze e jahteve konsiderohet të ketë qenë një mjet efektiv në luftën kundër krimit të organizuar në Itali.
Unë nuk kam dyshim se ky është interesi vital kombëtar i shqiptarëve kudo sepse njerëzit me duar të ndyra do të zëvendësoheshin nga ata që, pos që kanë mend, nuk kanë as çkaje e as kujt ti frikësohen. Po ju?
flaka@koha.net


ala20.08.2012/20:59
pergezime per pjesen e pare te artikullit mni Arben Xhaferin...e pjesa e dyte nuk pati shume lidhje me te paren...me gjithe respektin shume te madh.

KreshaBXL20.08.2012/14:50
Nese nuk e ka besue Zotin e gjithemeshirshem atehere nuk eshte dashur hiq me ja fale xhenazen me ritet e fese sone sepse eshte krejtesisht e pakuptimt,vetem ne qofte se eshte penduar ne qastet e fundit te jetes se tij, dasht Zoti qe te ket qene keshtu.

Fita20.08.2012/10:47
Per ta kuptuar filozofin politike dhe ate fetare te Arben Xhaferit mendoj se duhet kaluar se paku edhe 20 apo 30 vite.Ky ka qene nje Filozof dhe nje Politikan i thjeshte, i pa kopjuar dhe i sinqert ne mendime.Kurse e verteta e tije ka qene se qdo gje eshte e mundur kur vepron dhe mendon per ate qe eshte e sinqerte dhe e vertete.Pra edhe pse shum here verteta eshte me e hidhur se pelimi,megjithate te sheron,kurse shpifja eshte shum vezulluese ne fillim ,por ajo me von te Verbon, thuhet ne nje proverb popullor, e per te cilin Arben Xhaferi identifikoi veten.

arben20.08.2012/03:54
Kur e degjova se Ali Ahmetit nuk iu lejua pjesemarrja ne varrim nga prej PDSHse m'u duk e pabesueme. Qysh munden me shfrytezue nje varrim per hakmarrje politike. Ata qe vendosin ish dasht me kon familja Xhaferi. Sidokoft dicka i mungon dikujt e ajo eshte arsyeja kur ti merr nji vendim

Ylli19.08.2012/23:42
@laburatori
Kurre nuk ta fal qe ma prishe kenaqesine e leximit te ketij shkrimi.

nora gashi19.08.2012/23:36
Vetem ti Flaka me nje diapozone te gjere intelektual mundesh me trajtu nje teme te tille, qe nga fillimi deri ne fund e pasqyrone injoracen e cila po reflekton ne cdo hap , e paimagjinushme eshte mu be nje organizim lamtumires i nje njeriut siq ishte Arben Xhaferi , nje njeri qe tere jeten e japi duke punuar per nje shoqeri te perparuar, e mu be nje varrim me aq padinitete eshte e dhimbshme. e ti laburator ne jemi shoqeri laike dhe nuk ka shamija neper shkollat tona , jasht askush nuk ja ndalone, mos be komente te tilla .

laburatori19.08.2012/20:36
Menyra e casjes ne kete teme po me duket e pa kuptimte, flisni fillimishte per te ndjerin Arben Xhaferi e me pas vazhdoni te flisni aq shume per politiken , nese keni vendosur te shkruani per Arben XHAFERIN nuk ka nevoje elaborimi i temave qe nuk kane te bejne me vdekjen e tij . Gjithashtu me duhet te them se keni shenja Islamofobie edhe Ju e nderuara Surroi , perkunder faktit qe Arben Xhaferi vertet ishte afetar kushtimisht.Ne shkrimet e Juaja te meparshme diku keni pas cekur ''vendimi per mos lejimin e bartjes se shamise ne shkolla ishte vendimi me i mire i vitit nga Kuvendi i Kosoves '' ndoshta e formulova gabimisht por ky ka qene kuptimi . Nese vertete ndiheni si njeri i fjales dhe pasqyrues te se vertetes, duhet te them se komunitetit musliman ne Kosove shpesh here ju shkilen te drejtat qofte per punesim qofte per shkollim ,pres nga Ju qe nje dite te shkruani edhe per keto problematika . Ju lutem redaktesia mos e censuroni kete koment








nje tjeter arben 20.08.2012/22:03
Flaka, ngushellime ty dhe Kohes per vdekjen e Arben Xhaferit.vetem ju e keni kuptuar Arbnin dhe me duket se vetem ai ju ka kuptuar. jo vetem librin e tij qe e keni botuar vjet eshte deshmi per kete.
fundja, arbni vetem kompanine Koha e ka pas strehe intelektuale e politike. i ke dale hakut. natyrisht edhe me kete shkrime qe e pska "shkri" si thuhet "gazetarorçe".
te uroj jete te gjate, kurajo civile, patriotike dhe intelekltuale ashtu sikur deri me tani.
maqedonia nuk e ka dashur arbnin per shakqe qe kuptohen.pranda nuk e ka kujtuar. per kete shkak nuk duhet ta harrojme ne. ashtu si nuk e harron ti dhe kompania jote. aferim.