ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Doktrina Obama në mandatin e parë

Publikuar: 10.08.2012 - 20:45


Efekti afatgjatë i Doktrinës Obama ende nuk mund të vlerësohet, por, derisa po afrohen zgjedhjet e nëntorit, Obama duket se ka epërsi mbi kundërshtarin e tij në politikën e jashtme. Obama nuk e ka ndryshuar historinë në mënyrë transformative, gjë të cilën e synonte në fushatën e katër viteve më parë, por zhvendosja e tij dhe mbështetja e një qasjeje pragmatike mund të jetë gjë e mirë, posaçërisht nëse votuesit vazhdojnë të kenë dyshime rreth ekonomisë

Aspen, 8 gusht – Sondazhet e opinionit publik në SHBA tregojnë për një garë të ngushtë presidenciale në nëntor. Derisa presidenti Barack Obama ndodhet në epërsi në raport me rivalin e tij republikan, Mitt Romney, në fushën e politikës së jashtme, rritja e ngadalshme ekonomike dhe papunësia e lartë – çështje këto që kanë shumë më rëndësi në zgjedhjet amerikane – shkojnë në dobi të Romneyt. Dhe, madje edhe në politikën e jashtme, kritikët e Obamas ankohen se ai kishte dështuar të zbatonte iniciativat transformative që i premtoi katër vjet më parë. A kanë ata të drejtë?

Obama mori pushtetin gjatë kohës kur si ekonomia amerikane, ashtu edhe ajo botërore ishin në valën e krizës më të madhe financiare që nga Depresioni i Madh. Në të vërtetë, disa prej këshilltarëve ekonomikë të Obamas e këshilluan atë se po qe se nuk ndërmerren ca hapa emergjentë për stimulimin e ekonomisë, atëherë ekzistonte mundësia e hyrjes në një depresion të shkallës së plotë.

Rrjedhimisht, ndonëse Obama po ashtu trashëgoi dy luftëra që po vazhdonin, kërcënime bërthamore nga Irani e Koreja Veriore, ashtu si edhe problemin e terrorizmit të “Al-Qaedas”, muajt e tij të parë në post iu përkushtuan adresimit të krizave ekonomike brenda dhe jashtë. Përpjekjet e tij nuk u finalizuan me sukses të plotë, por ai arriti ta frenojë më të keqen.

Retorika e Obamas gjatë fushatës së tij të vitit 2008 dhe muajt e parë të presidencës së tij ishin si inspiruese për nga stili, ashtu edhe transformative për nga objektivat. Gjatë vitit të parë në post ai mbajti fjalim në Pragë, në të cilin e shpalli qëllimin për një botë pa armë bërthamore; ai mbajti fjalim në Kajro, duke premtuar një qasje të re për botën myslimane dhe fitoi Çmimin Nobel të Paqes, me ç’rast premtoi “të ndryshojë historinë në drejtim të drejtësisë”.

Pjesërisht, kjo valë e fjalimeve të tij ishin taktike. Obama duhej ta përmbushte premtimin e tij për përcaktimin e një drejtimi të ri në politikën e jashtme, duke u marrë në të njëjtën kohë me çështje të shumta që ia kishte lënë George W. Bushi dhe të cilat do të mund të shkaktonin krizë për presidencën e tij. Sidoqoftë, ka arsye për të besuar se Obama ishte i paqartë rreth objektiveve të tij. Qëndrimi i tij për botën ishte formësuar nga fakti se ai një pjesë të rinisë së tij e kishte kaluar në Indonezi dhe kishte baba afrikan.

Sipas një libri të paradokohshëm të institutit “Brookings”, Obama kishte një “vizion aktivist të rolit të tij në histori”, duke synuar ta “rregullojë imazhin e Amerikës jashtë, posaçërisht në botën myslimane, t’i japë fund rolit të SHBA-së në dy luftëra; t’ia shtrijë dorën Iranit; të rifillojë raportet me Rusinë me qëllim të pastrimit të botës nga armët bërthamore; të promovojë bashkëpunim të konsiderueshëm me Kinën si në çështjet rajonale ashtu edhe ato globale dhe të bëjë paqe në Lindjen e Mesme”. Por, arritjet e tij në këto aspekte kanë qenë të përziera.



“Rrethanat dukshëm të vështira e kthyen nga një arkitekt të rendit të ri global në një lider të përqendruar më shumë në rregullimin e marrëdhënieve dhe reagimin ndaj krizave – kryesisht krizën ekonomike globale”, shkruan në vazhdim të raportit. Dhe, ndonëse ai eliminoi Osama Bin Ladenin dhe dobësoi “Al-Qaedan”, disa prej politikave antiterroriste ndikuan që përkrahja për të të bjerë në vendet si Lindja e Mesme dhe Pakistani.

Disa prej “gotave gjysmë të mbushura” ishin rezultat i rrethanave të vështira; disa ishin produkt i naivitetit të hershëm, si qasja fillestare karshi Izraelit, Kinës dhe Afganistanit. Por Obama shumë shpejt e mori veten nga gabimet, në një mënyrë praktike. Siç tha njëri prej përkrahësve të tij, ai është “idealist pragmatist”.

Në këtë aspekt, ndonëse Obama vazhdonte që me fjalë të mbështeste synimet e tij transformative, në lidhje me çështjet e shumta, si ndryshimet klimatike apo armët bërthamore, në praktikë pragmatizmi i tij i ngjasonte atij të liderëve si Dwight Eisenhower apo George H. W. Bush. Me gjithë papërvojën e tij relative në çështjet ndërkombëtare, Obama shfaqi një shkathtësi në reagimin ndaj përzierjes komplekse të sfidave në politikën e jashtme. Një gjë e tillë u dëshmua me emërimin e këshilltarëve me përvojë, menaxhimin e kujdesshëm të çështjeve dhe mbi të gjitha, inteligjencën kontekstuale.

Me këtë nuk dua të them se Obama nuk kishte efekte transformuese. Ai e ndryshoi kursin e një politike të jopopullarizuar në Irak dhe Afganistan; përkrahu taktika kundër kryengritjes të bazuara në përdorim më pak të kushtueshëm ushtarak dhe filloi ta zhvendosë fokusin strategjik amerikan drejt Azisë; rajonit me rritjen më të shpejtë ekonomike në botë.

Sa i përket Iranit, Obama pati telashe që të zbatonte sanksionet e miratuara nga OKB-ja, për ta shmangur një lufte të pamenduar mirë. Dhe, derisa revolucionet e “Pranverës arabe” ishin për të një befasi jo e mirëseardhur, pas ca hezitimesh ai vendosi që të qëndronte anash historisë.

Në një libër të ri, “Confront and Conceal”, David Sanger e përshkruan atë që e quan “Doktrinë e Obamas” (ndonëse e fajëson presidentin që atë nuk ua ka transmetuar të tjerëve në mënyrë më të qartë): një rol më i vogël ushtarak, i kombinuar me gatishmërinë për përdorimin e forcës atëherë kur interesat amerikane të sigurisë janë të përfshira drejtpërsëdrejti; formim i koalicioneve për t’u përballur me problemet globale që nuk kërcënojnë drejtpërsëdrejti sigurinë amerikane dhe “ribalancim nga ankthet e Lindjes së Mesme drejt kontinentit që premton më së shumti për të ardhmen – Azinë”.

Kontrasti midis vrasjes së Bin Ladenit dhe ndërhyrjes në Libi e ilustron Doktrinën Obama. Në rastin e parë, Obama menaxhoi personalisht përdorimin e forcës; që përfshinte operacion në territorin pakistanez. Në të dytin, ku interesat amerikane nuk ishin aq të qarta, ai priti derisa Liga Arabe dhe OKB-ja miratuan rezolutat për legjitimimin e fuqisë ushtarake e më pas ndau përgjegjësinë me aleatët e NATO-s.

Efekti afatgjatë i Doktrinës Obama ende nuk mund të vlerësohet, por, derisa po afrohen zgjedhjet e nëntorit, Obama duket se ka epërsi mbi kundërshtarin e tij në politikën e jashtme. Obama nuk e ka ndryshuar historinë në mënyrë transformative, gjë të cilën e synonte në fushatën e katër viteve më parë, por zhvendosja e tij dhe mbështetja e një qasjeje pragmatike mund të jetë gjë e mirë, posaçërisht nëse votuesit vazhdojnë të kenë dyshime rreth ekonomisë.



(Autori, ish-ndihmëssekretar i mbrojtjes dhe kryesues i Këshillit Nacional të Inteligjencës, është profesor në Universitetin e Harvardit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”) 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 8°CI kthjellėt
Tiranė 8°CI kthjellėt
Shkup 12°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell