ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Normalizimi, pa njohje, skenari më i rrezikshëm për Kosovën

Publikuar: 10.08.2012 - 20:41

Nëse Prishtina pranon “normalizim të marrëdhënieve” me Serbinë, por pa u njohur shtetësia, atëherë kjo mund të nënkuptojë hyrje në një status quo të re, por tash në konstelacionin më të dëmshëm ndonjëherë. Kjo pasi që për botën, Kosova dhe problemi i saj me Serbinë do të harrohet duke u trajtuar si një çështje e zgjidhur, kurse realisht do të mbetet në një situatë të pacaktuar pezullimi, me skenarë të rrezikshëm përpara, pa përjashtuar edhe konfliktin

NJË KOHË u kërkua statusi i Republikës, më pas i pavarësisë, pastaj i bashkimit me Shqipërinë, ose i trojeve etnike shqiptare. Ky i fundit ndodhi madje edhe në momentin më kulmor të lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për fitimin e të drejtave të tyre, në betimin e atyre që shkuan të vdesin për liri, betimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky momentum paraqet edhe kulmin. Nga këtu fillon reduktimi i kërkesës.

Kur lufta merr fund, betimi i ushtarit harrohet dhe ideali kthehet në kërkesë për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë dhe të gjitha të tjerave që ndodhën në mezokohë, tash jemi pranë një reduktimi tjetër. Por kësaj radhe mund të jetë më i rrezikshmi.

Tash Kosova ndodhet në prag të dialogut të ri politik me Serbinë, me synim arritjen e një “suksesi”: normalizimin e marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit, pa nevojën që ky i fundit ta njohë pavarësinë!

E nga kush e shpallëm ne pavarësinë? Paskëshim mundur atëherë vetëm që të normalizojmë marrëdhëniet, pasi që me këtë nocion mund të nënkuptohet bash çdo gjë, varësisht nga interpretimi i çastit të lojtarëve në skenë!



EDHE NJË HERË Kosova, pra, ndodhet përballë një kapitulli të ri me Serbinë. Mirëpo, mjerisht edhe kësaj radhe, si dhe në dialogun e fundit teknik-(politik) pa një platformë dhe pa një ide se ku do të arrihet. Dhe, siç po shihet këto ditë, po arrihet në atë që përsëritej nga ish-presidenti Tadiq, në rihapjen e bisedimeve politike me Prishtinën.

Tash indikacionet janë se dyshja Ashton-Clinton duan që deri në fund të vitit t’i vënë Prishtinën dhe Beogradin, në një mënyrë ose në një tjetër, para një akti të kryer, kur do të përmbyllnin kapitullin e ngatërresave historike me një marrëveshje/traktat normalizimi marrëdhëniesh.

Në dukje të parë, kjo tingëllon bukur, pasi që normalizimi nënkupton sigurinë dhe paqen. Mirëpo, pikërisht këtu fshihet problemi. Çka do të thotë një normalizim marrëdhëniesh me Serbinë?

A mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë në qoftë se ajo nuk e pranon pavarësinë e Kosovës?

Kjo më tepër ngjan në një improvizim të keq dhe grimosje e problemit të pazgjidhshëm, por që mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme në një të ardhme jo të largët.

Në qoftë se shtetet më demokratike të botës, të cilat edhe e kanë sponsoruar dhe mbështetur pavarësinë e Kosovës nga Serbia, tash ia lejojmë së njëjtës Serbi mundësinë e “jetës normale politike”, por duke mos e njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë kjo pavarësi merr edhe formën e një procesi riverzibil.

Kur përmendet rasti i dy Gjermanive, harrohet se aty është ndarë i njëjti popull, se ndarja ka pasur një kohëzgjatje të caktuar dhe se epilogu i saj ka pasur si rezultat - ribashkimin.

Të njëjtën gjë e pret edhe Beogradi. Çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën shtet, Beogradi e sheh si provizore, të kalueshme, të paqëndrueshme, diçka që në momentin kur nomenklatura gjeopolitike të jetë me pozitive për ta, të ndodhë edhe kthimi i Kosovës në Serbi.

Ata do të jenë të gatshëm që të pranojnë çdo të ashtuquajtur “normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, me kusht që të mos detyrohen ta njohin pavarësinë. Pasi që në këtë mënyrë, edhe në formë juridike, Serbia mban gjallë betejën për rikthimin e Kosovës.

Serbia vazhdon ta mbajë Kosovën si pjesë të territorit të saj të përfshirë në Kushtetutë dhe s’ka dhënë sinjale se kjo do të ndryshojë. Edhe konkluzionet e deritashme të arritura gjatë procesit dialogues të udhëhequr nga Robert “z. Kravata” Cooper ka arritur t’i mbajë në vijë të Rezolutës 1244, të cilën e sheh si status quo.

Çka përfiton atëherë Kosova me normalizimin e marrëdhënieve? Rreziku është vetëm degradimi dhe situata prapakthehu ndaj të arriturave të deritashme në procesin e rrumbullakimit të shtetësisë.



TA ZËMË SE me sukses në fund të këtij viti Ashton dhe Clinton do të kurorëzojnë karrierat e tyre politike me një marrëveshje për stabilizim të Ballkanit në formën e një pajtimi ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë. Ky mund të quhet sukses nga të gjithë. Kosova dhe Serbia mund të njohin subjektivitetin e njëra-tjetrës – sigurisht me disa modifikime në Pakon e Ahtisaarit kryesisht për veriun – dhe do të pajtohen që të mos e pranojnë pavarësinë sovrane reciproke.

Pra, Kosova në Kushtetutën e saj do të vazhdojë të jetë shtet sovran dhe i pavarur, kurse në Kushtetutën e Serbisë do të qëndrojë si pjesë e saj.

Mirëpo, në një situatë të këtillë çështja e Kosovës rrezikon të vihet në një sirtar të problemeve të zgjidhura me të cilat më nuk ka nevojë të merret askush.

Në këtë mënyrë, Kosova vetëm sa mund të lëvizë drejt margjinalizimit dhe izolimit të mëtutjeshëm të saj.

Nuk mund të ketë përparime në procesin e aderimit në BE, në NATO e në OKB, pasi që në to mund të aderojnë vetëm shtetet. “Normalizimi” i marrëdhënieve me Serbinë do të mund të shihet nga shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, si një pranim nga vetë ana e Kosovës të çështjes së pavarësisë si diçka të përkohshme, kështu që nuk do të nxitojnë të marrin vendime për njohje, ose për përkrahje të proceseve “të mëvetësishme” integruese. Ato shtete, që edhe deri tash kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës, përfshirë edhe 5-shen e BE-së, do të mund të ofrojnë gjithashtu “normalizim të marrëdhënieve” pa pasur nevojën e njohjes së sovranitetit, në formën e njohjes së pasaportave.

Kjo përfundimisht do të rendisë Kosovën në rangun e kuazishteteve, ose shteteve të pakryera, pasi që do të heqë dorë edhe vetë që të kërkojë njohjen e pavarësisë shtetit nga i cili kanë shpallur pavarësimin.

Kështu, Kosova me dorën e vet mund të firmosë status quon e re për vete, por tash në konstelacionin më të dëmshëm ndonjëherë. Kjo pasi që për botën, Kosova dhe problemi i saj me Serbinë do të harrohet duke u trajtuar si një çështje e zgjidhur, kurse realisht do të mbetet në një situatë të pacaktuar pezullimi, me skenarë të rrezikshëm përpara, pa përjashtuar edhe konfliktin.

Dhe gjithçka që është arritur deri më tash mund të kthehet në pikën zero.

A është analizuar mirë kjo ide?!



adriatik@kohavision.net 

Komente (10)

Mehmet28.10.2012/08:26

Kjo eshte shum e sakte qe se kuptojne politikanet tane

Profi.Prishtinë28.10.2012/06:53

Mendoj se populli shqiptar duhet ta dij se serbia gjithmon ka qen aleate e Europes dhe Rusisë.S'ka dilema se edhe ky moment paraqet një taktik diplomatike qe Kosoven ta vej ne heshtjegjumë shekullor, duke e pritur momentin me të tshëm për akcion.Pa pranim të pavarësisë dialogu është lojë më fëmij djepi.

elvani27.10.2012/22:48

pso mor vlla po lodhum kaq shum me kto komete e thash ethem ko akuzon njeri tjetrin kur mi e dim qe neve na pren teshat tjeter kush e otu qitash na vin nga brukseli e nathojn ndash veshni ndash jav lshojm shkit e ju lan per 24 or

Alban11.08.2012/14:40

Sen nuk paska thane!

Nexhmedini11.08.2012/11:34

Normalizohen marredhenjet pa njohjen e Kosoves nga ana e Serbise si parapergaditje te nje vllazerimbashkimi me Serbine,i modelit te ish Jugosllavise edhe per pasedhjetevite traktat i Qeverise Thaqi dhe i asaj te Dcicit pas kesaj periudhe parashifen evolucione tjera me Serbine ashtu sikur pas vdekjes se Titos.

rrahimi kosova11.08.2012/11:32

shkrimi yt eshte per shume lavdat bravo Z ADRIATIK vetem z.kuqi e thaqi me ide udbashe mendojn shume ndryshe,sa perket qeshtjes se kosoves bile as qe duhet me hi ne bisedime me serbin ne kete koh pa e njhur kosoven gjdo biset me serbin deri tash ka shku ne dom te kosoves.

kameri11.08.2012/11:31

Respekt Zotni Kelmendi!Kesaj i thojne, Shkoje malli e shkoi ftyra!!!

PRISHTINASI11.08.2012/11:17

ADRIATIKA PO NA MUNGOJN MYSAFRT E TU NE PROGRAMET E KTV NISJA SA MASHPEJT TE LUTEM KLM JU PERSHENDES.

F Hamburg11.08.2012/08:41

per ata qe kan sy e vesh ky shkrim esht shum me vend.

arti11.08.2012/01:40

Nje analize shume e sakte.

1000  Karaktere
Prishtinė 24°CI kthjellėt
Tiranė 24°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 29°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell