Demokracia në lulëzim e grave në Korenë Jugore
Yuriko KoikeArtikujt tjerė
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
- Vizioni dhe fantazia
- Rruga e Arbrit duhet të përfundohet
- Jeta kundrejt përfitimeve
- Drejtësia si themel i pasurisë së shtetit shqiptar
- Siria nuk është kos
Triumfi i një presidenteje në Korenë Jugore do të ishte fitore e rëndësishme simbolike dhe praktike për të gjithë ata që kanë synuar krijimin e një ambienti politik të favorshëm për gratë. Dhe, kjo do të ishte një shembull i fuqishëm për shtetet e tjera aziatike përfshirë timin në të cilat gratë kanë pasur telashe që të sigurojnë suksese në zgjedhje
Tokio, 31 korrik Është ky një vit i zgjedhjeve presidenciale në mbarë botën dhe të fundit që do të mbahen më 19 dhjetor do të jenë në Korenë Jugore. Ato zgjedhje megjithatë tashmë janë duke pasur ndikim nëpër botë, pjesërisht për shkak se dështimi i Koresë Jugore për ratifikimin e një traktati të ri të rëndësishëm të inteligjencës me Japoninë është duke u parë si rezultat i politikës së fushatave. Por, zgjedhjet mund të kenë një ndikim më pozitiv mbi rajonin në tërësi.
Më 10 korrik, favoritja Park Geun-hye nga Partia pushtetare Saenuri (Kufiri i ri) ishte e para që e shpalli kandidaturën. Krahas kandidatëve të tjerë të opozitës, vëmendje e madhe është përqendruar tek Ahn Cheol-soo, dekan i Shkollës për Shkencën dhe Teknologjinë në Universitetin Kombëtar të Seulit, që është ndërmarrës i suksesshëm dhe figurë karizmatike për votuesit e rinj dhe të pavarur të Koresë Jugore.
Por, Park është ajo që ka nxitur deri më tani më së shumti interes. Ekziston një pritje e madhe tek votuesit konservativë në veçanti, rreth politikës së saj kundruall Koresë Veriore, shtetit që vazhdon të jetë më i paparashikueshëm se kurrë. (Ta kemi këtu parasysh shkarkimin e papritur nga Kim Jongu të oficerit të lartë ushtarak, Ri Yong-jo, emërimin e vetvetes si mareshal dhe zbulimin se ai ishte i martuar me gruan, e cila ra në sy gjatë kohës sa e shoqëronte në koncertin ku paraqitje patën edhe Mickey e Minney Mouse të Disneyt). Deri më tani, Park, duke e ndier se elektorati po u beson instinkteve të saj në politikën e jashtme, nuk e ka shpalosur edhe aq shumë politikën e saj karshi Koresë Veriore.
Për shumë jugkoreanë, Park është një heroinë tragjike. Si nëna, ashtu edhe babai i saj, presidenti Park Chung-hee, ishin vrarë më 1974, respektivisht më 1979. Në të vërtetë, babai i saj u vra nga shefi i vet i inteligjencës, drejtori i KCIA-s, Kim Jaegyu.
Park iu shmang politikës aktive për shumë vjet pas vdekjes së prindërve, por më vonë fitoi një ulëse në parlament. Ajo ka qenë edhe lidere e Partisë Saenuri (e njohur më parë si Partia e Madhe Kombëtare). Më 2006, një sulmues e preu në fytyrë, derisa ajo po bënte fushatë në emër të kandidatit të GNP-së në zgjedhjet për prefekt të Seulit.
Por tani fillon beteja e vërtetë. Po qe se zgjidhet, Park do të bëhet presidentja e parë grua e Koresë Jugore. Ashtu si Japonia dhe shtetet e tjera të Azisë, shoqëria koreane, ku mbretëron mendimi konfuçian, nuk është vend ku shihet përfaqësim i madh politik i grave, ndonëse një gjë e tillë duket se po ndërron me hapa të shpejtë. Më 2000, vetëm 5.9 për qind të 299 anëtarëve të Asamblesë Nacionale ishin gra. Megjithatë, më 2004, gratë më se dyfishuan pjesëmarrjen e tyre, në 13 për qind, kur 39 u zgjodhën në mënyrë direkte dhe përmes përfaqësimit proporcional me lista partiake.
Sipas Unionit Ndërparlamentar (IPU), ato zgjedhje e ngritën Korenë Jugore nga vendi i 101-të në të 62-tin, sa i përket pjesëmarrjes së grave në parlament, krahasuar me Japoninë e ranguar në vendin e 121-të. Rritja e numrit të deputeteve rezultoi jo vetëm me rritjen e përfaqësimit të grave në kabinet, por edhe me një numër të përmirësimeve politike dhe institucionale, që kishin në epiqendër pikërisht gratë.
Dhe, ndonëse Koreja Jugore ka rrëshqitur në vendin e 80-të në listën më të re të IPU-së, rënia pasqyron në të vërtetë rritjen e pjesëmarrjes së ligjvënëseve në shtetet e tjera.
Arsyeja kryesore për rritjen e grave deputete ishte hyrja në fuqi e sistemit të kuotës, sipas të cilit partitë politike të Koresë Jugore do të siguroheshin se 30 për qind e kandidatëve të tyre janë gra. Ligji për financimin e fushatave u modifikua, për të siguruar financim shtesë nga qeveria për partitë që respektojnë kuotën.
Si rezultat i kësaj, më shumë se gjysma e 56 anëtarëve të zgjedhur përmes përfaqësimit proporcional më 2004 ishin gra. Për më tepër, 10 për qind e financimit qeveritar për partitë politike tani përdoret për avancimin e grave në politik, derisa secila parti ka krijuar institucione për trajnimin e deputeteve dhe kandidateve.
Ndonëse sistemi i kuotës është ende çështje e debatit kushtetues në Korenë Jugore, përpjekjet shumëvjeçare të grupeve për mbrojtjen e të drejtave të grave kanë dhënë kontribut të madh në rritjen e rolit të grave në politikëbërje. Triumfi i një presidenteje do të ishte fitore e rëndësishme simbolike dhe praktike për të gjithë ata që kanë synuar krijimin e një ambienti politik të favorshëm për gratë. Dhe, kjo do të ishte një shembull i fuqishëm për shtetet e tjera aziatike përfshirë timin në të cilat gratë kanë pasur telashe që të sigurojnë suksese në zgjedhje.
(Autorja, ish-ministre japoneze e Mbrojtjes dhe këshilltare për Siguri Nacionale, ka qenë kryetare e Partisë Liberaldemokrate të Japonisë, derisa aktualisht është lidere e opozitës në Diet. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, Project Sindycate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore)







