Batakçinjtë
Flaka SurroiShpërfillja dhe papërgjegjësia e pushtetarëve nuk do të ishte e këtillë, po të mos ishte opozita gati inekzistente në Kosovë, të cilën e karakterizojnë mungesa e orientimit dhe oportunizmi politik
Badihava! Sa po them se këtë javë nuk do të merrem me këtë Qeveri, kot e kam, se nuk po mundem ti shmangem së komentuarit për të -- sepse nuk ka javë që mund ti shpëtojë asaj pa e bërë nervoz dikë... pak më shumë seç i nervozojnë rëndom.
Kësaj radhe mllefi shpërtheu te pensionistët teksa merrnin vesh se Qeveria kishte përgatitur pakon për rritjen e shpërblesave mujore, ku roli kryesor u rezervua për kryeministrin, për të cilin parashihet rritja e rrogës për madje 65% dhe barazimin e saj me rrogën e kryeparlamentarit. E pakoja e shpërblesave mujore mbështetet mbi koeficientin që ka një vlerë në euro, e që për njësi vlen 186 euro. Pra, koeficienti 1 do të jetë rroga më vogël në shërbimin publik por, edhe është më shumë se katërfishi i pensionit bazik të pleqërisë që e marrin kosovarët mbi moshën 65-vjeçare dhe më shumë se dyfishi i pensionit i atyre që kanë kontribuuar me punë së paku 15 vjet.
Paramendoni se sa shpërfillës janë këta qeveritarët tanë, kur në mes të krizës që e kaplon krejt kontinentin e besa edhe botën, këta sillen thuajse nuk e kemi asnjë problem të vetëm, pos rrogave të tyre. Po a nuk i bren ndërgjegjja aspak që sillen në formë kaq arrogante dhe neveritëse; që i harxhojnë paratë tona ashtu siç ua ka ënda për shëtitje e që për ato shëtitje të mos e japin asnjë raport të vetëm arsyetimi, përderisa i injorojnë pleqtë që kanë kontribuuar madje katërdhjetë vjet me punën e tyre. A nuk u vjen turp të sillen si rokfelera kur vetëm një shishe verë që e pinë nëpër restorantet e shtrenjta të Prishtinës, di të bëjë sa pensioni mujor i një pensionisti. Thuajse po jetojnë në flluskë, të izoluar nga të gjithë të tjerët... por po harrojnë se flluska di të shpërthejë, sepse trashet nga zullumi. Spo gjej epitet më të mirë për ta sesa batakçinj.
Mbase arsyet se pse veprojnë janë: e para, për ti dëshmuar vetes dhe të tjerëve se puna që ata e bëjnë, kështu keq si e bëjnë, është më e rëndësishmja në botë, prandaj edhe duhet të paguhet më së miri në strukturën e rrogave publike. E dyta, kjo u nevojitet për njëfarë lloj mbulese që të mund të kenë arsyetim dhe që të mund të marrin, formalisht, kredi bankare me vlera më të mëdha, për ti arsyetuar shtëpitë dhe pronat e vlefshme me të cilat janë bërë më herët, apo me të cilat vazhdojnë të bëhen.
Ishte edhe një tjetër përfaqësues i kësaj Qeverie që me çdo kusht përpiqej të bëhej qendra e lajmit, në një përpjekje jo fort të kamufluar për të arkëtuar pikë politike teksa menaxhonte rastin e poetit Ali Podrimja. Ministri i Jashtëm, nuk la komunikatë të MPJ-së pa e përmendur veten dhe gjithë atë që po bënte për, fillimisht gjetjen, e më pas edhe kthimin e trupit të pajetë të Podrimjes dhe nuk la televizion pa dhënë deklaratë në lidhje me këtë, kur parimisht këtë do të duhej të bënte ambasadori Kullashi, i cili megjithatë gjendej te vendi i ngjarjes. Kumtesa sikurse kjo: Me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministria e Jashtme, përmes Ambasadës së Kosovës në Paris, përveç angazhimit maksimal për gjetjen e poetit Podrimja, tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe ka aranzhuar plotësisht transportin e trupit të poetit Podrimja në atdhe, aspak nuk janë për tu lavdëruar.
Përse do të duhej ministri të merrte vendim për kthimin në atdhe, kur përkujdesja për shtetasit e Kosovës është ex-officio obligim i MPJ-së dhe i përfaqësive diplomatike se fundja për këtë ndajmë shumë para nga tatimet. Përderisa reagimi i MPJ-së dhe i Ambasadës në këtë rast ka qenë efikas dhe i efektshëm, megjithatë nuk është fare etike përpjekja e ministrit Hoxhaj që ta keqpërdorë figurën e poetit për të dëshmuar përkushtimin në punë. Mbrojtja e interesave të qytetarëve të Kosovës është detyrë e ministrit dhe e Ministrisë së Jashtme por nuk është se për çdo ditë shohim kumtesa të ngjashme për qytetarë të tjerë të panjohur për publikun. Ky veprim nuk ka kuptim, për shkak të mungesës së konsideratës dhe është shumë jokorrekt ndaj familjes dhe miqve që poetit Ali Podrimja i dhanë një lamtumirë plot dinjitet... pa e përzier politikën aty fare.
Është shefi i kësaj Qeverie, i cili përherë është lajm, për shkak se, ndër të tjera, pos që merr vendime krye ne vete, pos që imponon vullnetin e vet në të gjitha nivelet e pushtetit, përherë e më shumë përpiqet të tregojë se ka shumë sens për humor. Ani që është vetë ai që kryesisht qeshë me barsoletat e veta. Kësaj jave, na i tregoi dy: Nëse nuk kthehesh sërish (Dell), atëherë unë me gjitha fuqitë e mia kushtetuese do të mundohem të të emëroj Ambasador të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe Unë jam rrugës për në Bruksel, prandaj ishte një rrethanë lehtësuese teknike për mua personalisht (kur shpjegonte se përse është takuar me Ban Ki-moonin në ANP). Për rastin e parë nuk kam koment tjetër, pos që njerëzit në ahengun përcjellës të ambasadorit amerikan, edhe ashtu e kanë zakon të bëjnë shaka me popullin e Kosovës. Te e dyta, kjo shaka është pasojë e asaj të parës sepse kryeministri mund të bëjë shaka kur të dojë, për çfarë të dojë dhe ku të dojë ngase, sa herë e kemi thënë, kalon pa asnjë pasojë. Sikurse kaloi edhe kësaj radhe, kur u takua me njeriun që i injoroi institucionet dhe simbolet shtetërore dhe ia caktoi vetes agjendën e vizitës nëpër brendi të Kosovës ashtu siç deshi. Dhe çfarë ndodhi? Thaçi shkoi në Bruksel e prej aty në Londër, ku iu bashkua edhe kryetarja. Pra, asgjë që nuk ndodh zakonisht.
Dhe kot e kanë kur na thonë, se kjo është një vizitë e rëndësishme, për shkak se koreani është sekretari i parë i OKB-së që viziton Kosovën e pavarur. Kjo sdo të thotë gjë, sepse kjo nuk do të na sjellë statusin e anëtarit të OKB-së, ashtu siç nuk do të na e sjellin njohjen nga Serbia vizitat e zyrtarëve serbë që hyjnë e dalin nga Kosova sa herë po u teket qejfi. Kjo do të na sjellë presion edhe më të madh që gjashtëpikëshi i tij të vazhdojë të jetësohet tash në formatin e negociatave të reja për veriun. Po në të njëjtat negociata në të cilat insiston BE-ja... dhe të cilat negociata do të ndodhin që në çastin kur amerikanët ti këshillojnë qeveritarët tanë se negociatat duhet të zhvillohen edhe nëse këta tanët nuk kanë lidhje si do ti qasen kësaj pune. E pse do të duhej, kur edhe ashtu do tua sjellin dokumentin të gatshëm, e kjo Qeveri do ta nënshkruajë, sepse miqtë nuk na e donë të keqen. Edhe atëherë kur i japin përkrahje një Qeverie të këtillë...
Për ta vazhduar traditën, është edhe një ministri e cila kur zhvillon vizita nëpër regjion, shkon me delegacione që nikoqirët i quajnë kineze për shkak të numrit të pjesëmarrësve në të. Se a ka pasur nevojë që të udhëtonin nëntë veta nga Kosova për të mësuar për planifikimin hapësinor kroat për tri ditë; se a ka pasur nevojë që ti angazhonin tri vetura, do të mund të thuhej luksoze, për të qarkulluar andej-këndej, dhe nëse vërtet është dashur të vendoseshin që të gjithë në Sheraton do tjua lë juve të vendosni. Personalisht besoj se këto vizita janë kryesisht të kota, dhe se, pos shëtitjes, shërbejnë edhe për të mbledhur mëditje dhe për të shpenzuar para të reprezentacionit. Fundja, për këtë duket se ekziston kjo Qeveri për ti shpenzuar paratë e shtetit (për të mos thënë popullit, se edhe popullin e bënë paçavure) e për ti zemëruar, të themi në këtë rast, pensionistët e shkretë.
E ka edhe ministri që marrin vendime monopoliste. I mbajnë në fuqi disa javë, shkaktojnë hidhërim e piskamë që e tërheqin vëmendjen nga gjërat e tjera, shumë më të rëndësishme, dhe më në fund i shfuqizojnë vendimet e veta, duke thënë se u përmbush qëllimi për të cilin edhe ishte miratuar. Ka edhe ministra të tjerë që për detyrë e kanë të dalin çdo javë, apo çdo të dytën javë në Duhël, për të parë se si po ndërtohet autostrada. Gjithashtu e kanë për detyrë të deklarojnë sesi Bechtel&Enka po kryen një punë kolosale e të mrekullueshme, për të arsyetuar harxhimin e krejt buxhetit tonë të shkretë në ndërtimin e një rruge, kontratën e së cilës nuk e kemi parë ende, as pas dy vjetësh. E vakia është se nuk do ta shohim kurrë. Dhe jo vetëm për shkak se kjo Qeveri nuk do që ta bëjë publike, porse këtë nuk do që ta bëjë as edhe opozita e quajtur LDK. E cila përndryshe është shumë fajtore për të gjithë situatën e pakëndshme nëpër të cilën po kalojmë.
Sa për rifreskim kujtese do të kujtojmë se koalicionin qeverisës më 2010 e prishi Fatmir Sejdiu, duke e futur Kosovën në krizë zgjedhore, sepse nuk ia doli tia ruante vetes postin e kryetarit të Kosovës. Deri në atë çast pra, LDK-ja ishte anëtare e koalicionit dhe madje kishte një post zëvendëskryeministri dhe një numër ministrish. Pra, ishte pjesë e po asaj Qeverie që kishte autorizuar lidhjen e kontratës me Bechtel&Enkan sipas kushteve të tenderit të akorduar në Qeveri. Për pasojë, nuk mund të thonë se nuk e kanë pasur kontratën në duar. Por nëse ndodh të mos e kenë pasur, edhe më e madhe do të jetë përgjegjësia e tyre për papërgjegjësinë kolosale që kanë treguar ndaj popullit dhe fondeve të Kosovës. Ti dëgjosh tash teksa e kritikojnë këtë kontratë tingëllon aq joserioze dhe të bën të pyetesh nëse njerëzit e asaj partie kanë ndonjë informatë apo e kanë të krijuar ndonjë bindje politike që nuk rrjedh vetëm nga leximi i gazetës... thuajse po jetojnë plotësisht jashtë kontekstit.
Pas zgjedhjeve të sforcuara, ishte edhe LDK-ja e cila nënshkroi marrëveshjen trepalëshe për ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike dhe ishin pikërisht njëzet e kusur anëtarët e grupit të vet parlamentar që e votuan kryetaren për presidente, të cilën tash kanë vendosur ta thërrasin me emër sepse ajo nuk e merituaka respektin e tyre. Kështu del se tash Atifetja ka faj për shkak se këta i kanë çuar gishtërinjtë për tia dhënë pushtetin, apo jo? Sa komode me ia hedh fajin tjetërkujt...si nçerdhe...
Tash LDK-ja bëhet shumë e zëshme duke e kërkuar dorëheqjen e Jahjagës, për të cilën thonë se ka obligim moral, ngase ashtu e ka thënë në fjalimin e saj para Kuvendit atë ditë kur e kanë zgjedhur edhe votat e LDK-së. E nuk u bë e zëshme atëherë kur ka mundur të thoshte se nuk do ta votonte Jahjagën dhe kur Kosova ka mundur të shkonte në zgjedhje të sërishme. Dhe duke mos u bë e zëshme, i mbrojti votat e vjedhura si të PDK-së ashtu edhe të vetat, dhe e legjitimoi hajninë si modus zgjedhjesh. Tash LDK-ja e kërkon dorëheqjen e Jahjagës, sepse e sheh si përgjegjëse për një krizë tjetër eventuale që mund të ndodhë nëse ajo nuk shkon. E përse nuk u bie ndërmend deputetëve që dorëheqjen ta japin ata vetë, për shkak se i çuan gishtërinjtë për ta zgjedhur Jahjagën, dhe, çështë edhe më me rëndësi, për tua ruajtur vetes kolltukët e kojshëm të deputetëve.
Pra, nuk është vetëm faji i PDK-së krejt kjo që na ndodh. Një pjesë të madhe të fajit e ka opozita, me në krye LDK-në dhe AAK-në që po veprojnë quaje si të duash, pos si opozitë. E para nuk ka orientim, e dyta ka oportunizëm, përderisa votuesit kanë konfuzion dhe dëshpërim. Jahjaga po e shfrytëzon mjegullën e krijuar dhe vendimin e Kushtetueses që ua kujtoi deputetëve se ata janë përfaqësuesit e popullit dhe se e artikulojnë vullnetin e tij (pra kur të votojnë duhet ta kenë popullin në mendje e jo karriget) dhe po shëtitet nëpër botë. Pse jo, kur buxheti i Kosovës ndërtohet vetëm për tua plotësuar dëshirat udhëtarëve institucionalë që duket se jetojnë për mëditje, ani që hiç nuk kanë qejf që tua përmendin.
Jahjaga ka shkuar në hapje të Lojërave Olimpike dhe për ta shikuar Majlinda Kelmendin, të cilën prej vitesh e quajmë krenaria e sportit kosovar. Majlindës i uroj suksesin më të madh në karrierë që në këto Lojëra të na e zbardhë fytyrën dhe të na e mbrojë dinjitetin. Dhe, nuk do të jetë me rëndësi cilin vend do ta zërë, për shkak se vetë arritja e saj në Olimpiadë, është rezultat i përpjekjeve dhe i luftës së saj për të mbërritur aty ku e ka vendin në elitën e sportit universal.
Nuk do të ishte hëngër prej së miri po qe se do të stolisej me medalje do të ishte përjetë shembulli i arritjes në kulm, pa pasur nevojë as për hile e as për mashtrim.
flaka@koha.net


Avdi30.07.2012/05:52
Është mirë që KD tenton tua kujtoj "turistave "të Qeveris se aty nuk janë për të bredhur posht e lart nëpër botë,por të punojn në zyra,por këta jo se janë vet të tillë por edhe e tër administrata është e tillë.Raportimi nga udhtimet është veprim i pa njohur për ta.Strukturat partiake të opozitës janë militant vetem në se kanë ndonjë përfitim.Në të gjitha lëmit u mungojn eksertët.Profesionin e mësojn nga gazetat ditore dhe ska se si ta luajn rroline opozitës.Buxhetii tëri është në funksion të rrethit vendimmarrës shum të ngusht.Nuk ka ekspertiz se ku mund të ketë përfitim më të mira investimi.Planifikimi edhe kur bëhet bëhet pa kompetencë profesionale.Filozofia rrejë,rrejë se diçka do të mbetet po funksionon mirë nga se populli po flen.Populli një lloj flen edhe kur i vjedhin voten edhe kur i vjedhit pasuritë.E ardhmja do të jetë pa të ardhme.

Lindi30.07.2012/00:42
Znj. Flaka,
Mjaft u mundova t'a gjej nje fjali te vetme ne shkrimin tuaj per te iu kundershtuar. Nuk e gjeta!?
Bile, shkrimi i juaj eshte me i fuqishem ndermjet rreshtave.
Per femra si ju, tek ne thojne "gjynah qe nuk eshte burre". Por, une do thoja "shyqyr qe je femer" e sa shtate burra.

Avniu29.07.2012/20:33
i menquri jeton hargjon dhe gjithnji kerkon.i kunrti punon kontribon dhe at qe i takonse hargjo as se kerkon.










avdullah qafani05.08.2012/21:27
E nderuara Flaka
shkrimi eshte shume i mire.Kur ne fillet e para te pasluftes fillova te merrem me politike, per fenomenet negative ne shoqerine kosovare qe sapo kishin filluar te lulezonin si filizat akuzoja heshtjen intelektuale.thoja se e keqja duhet luftuar heret e ne rrenje se me vone rritet e pasojat do ti verejme kur behet vone diku pas 10 viteve askush nuk me merrte seriozisht.Mungesa e nje Veton Surroi ne skenen politike kosovare eshte e pafalshme per popullin e kosoves.andaj eshte shume meritore per kosoven nje qeveri dhe udheheqje qfare eshte tash derisa ky popull te mos e ndryshoje vehten