Pak po më jep jeta ime / e tepër po lyp nga Unë
Enver RobelliShkoi Ali Podrimja. Dhe do të kthehet prapë mes nesh, nesër, pasnesër, e do të na thotë: Këtu isha, po smë patë, të verbër! Ali Podrimja i ka lënë shumë Kosovës Kosova publike e pasvitit 1999, ndërkaq, për të dhe shumë mendimtarë të tjerë dhuratë të vetme kishte: mospërfilljen dhe nënçmimin
1.
Mu kujtua Ali Podrimja i viteve 90. Më saktësisht i mesit të viteve 90, kur në Kosovë kishin filluar të zbeheshin shpresat, kur gjithnjë e më pak njerëz besonin se politika e mosdhunës do të çonte në cak, duke e detyruar hasmin të lëshonte pe. Hasmi bartte uniformë luftarake, kryesisht të kaltër. Në qendër të Prishtinës skishte vend për shqiptarë. Para hotelit Grand ishte vënë tabela: Ndalohet hyrja për qen dhe shqiptarë. Brenda Arkani dhe kasapët e tij numëronin paratë e fituara nga plaçkitjet në Bosnjë dhe nëpër dyqane shqiptarësh në Kosovë, e cila ishte e ndarë në mënyrë horizontale: në sipërfaqe hasmi me kërbaçin e tij, nën të një popull në kërkim të rrugës drejt lirisë. Shqiptarët ishin tërhequr në periferi. Te Qafa zhvillohej diçka si jetë kulturore nëpër kafehane. Këtu qaheshin dertet, këtu skalitej mendimi, këtu mendohej e diskutohej për politikën dhe policinë, të vrarët dhe të gjallët. Tri personalitete të asaj kohe më kujtohen veçanërisht: Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe Bajram Kelmendi. Asnjëri sështë më në mesin tonë. Podrimja shkoi në amshim tani, Shkreli iku nga kjo botë para se ta shihte lirinë (e vrazhdë) të Kosovës, Kelmendi ra pre e plojës së hasmit. Më kujtohen që të tre duke e admiruar Besim Ndrecajn, një burrë nga rrethina e Suharekës që nga mesi i viteve 90 kishte tërhequr këmbëzën e armës kundër hasmit. Me vdekë duhet mësue / Qençe nuk jetohet më, do të thoshte Ali Podrimja.
2.
Mu kujtua Ali Podrimja i mesit të viteve 90, në Gjenevë, dhe pyetja e tij e papritur në mëngjes: A kam gërhitur mbrëmë? Na kishte zënë gjumi në një dhomë të madhe hoteli, në muhabet e sipër më shumë për politikë e më pak për letërsi. Dalja jashtë Kosovës në atë kohë ishte edhe moment i shkurtër çlirimi: më në fund në botën e civilizuar, larg uniformave të hasmit, larg helmetave, larg kallashnikovëve, larg arbitraritetit të pushtetit. Vinte Ali Podrimja shpesh bashkë me Azem Shkrelin; i pari i veshur léger, i dyti gati kurrë pa kravatë. Kush ka qenë dëshmitar i debatit të tyre për veshjen e modën në përgjithësi, zor të mos qesh me mallëngjim.
3.
Mu kujtua Ali Podrimja mbi të gjitha si poet, i cili me zërin e tij u shfaq në horizont si flakërim vetëtime. Shkroi vargje që me kalimin e kohës u shndërruan në përbetime për liri e për dashuri. Jeta nuk e përkëdheli Ali Podrimjen. Prej dëshpërimeve të vogla deri te tragjeditë e mëdha personale të gjitha kaluan kah ai dhe mbi të gjitha kaloi. Ikja e tij në një mal të thellë në Francë në mënyrë simbolike përçon edhe një mesazh: shikimi drejt horizontit perëndimor, të cilin aq shumë e lartësoi në vargjet e tij dhe të cilin si ideal përparimi aq shumë ia dëshiroi popullit të tij. Iku Ali Podrimja në një çast kur populli i tij e ka humbur orientimin, kur ata që quhen krerë të tij me retorikë e shohin si model Evropën, por me vepra i jetojnë dhe përjetojnë veset që na largojnë nga çdo civilizim.
4.
Mu kujtua Ali Podrimja i vëllimit poetik Drejtpeshimi, botim i Rilindjes, biblioteka Albatros, viti 1981, zgjodhi e përgatiti Ibrahim Rugova. Nga parathënia - dorën në zemër - mjaft hermetike e shkruar nga Rugova veçojmë: Dhe sikur poeti inkuadrohet në atë kuptimin e përgjithshëm, jo të ndalet vetëm në semantikën e formave, po përmes retorizimit të tyre, të kërkojë ekzistencën e formave, se pa ekzistencë nuk ka as esencë, e kjo sigurohet me krijimin dhe forcimin e formave poetike, që nuk janë zbrazësi konstruktive, po plotni esenciale e aktive. Në këtë vëllim Ali Podrimja thërret: pak po më jep jeta ime / e tepër po lyp nga Unë.
5.
Shkoi Ali Podrimja. Dhe do të kthehet prapë mes nesh, nesër, pasnesër, e do të na thotë: Këtu isha, po smë patë, të verbër! Ali Podrimja i ka lënë shumë Kosovës Kosova publike e pasvitit 1999, ndërkaq, për të dhe shumë mendimtarë të tjerë dhuratë të vetme kishte: mospërfilljen dhe nënçmimin. Po, jeta atij i dha pak. Dikush nga pushteti shkruan: Penda e tij e palodhshme. Me gjasë ka menduar pena (mjet për të shkruar me bojë). Të tjerët ngarendin në thurjen e vargjeve burokratike në stilin ishte ashtu, ishte kështu, ndonëse nga leximi i ditirambeve të tyre të dobëta sfitohet përshtypja të kenë lexuar së paku kryeveprën e Ali Podrimjes: Lum Lumi.
6.
Edhe Ali Podrimja, për fat të keq, do të harrohet shpejt, siç janë harruar Esad Mekuli, Azem Shkreli, Beqir Musliu, Anton Pashku, Hilmi Agani e shumë e shumë të tjerë, njerëz të heshtur dhe atdhetarë të zjarrtë. Këta i përkasin epokës (modeste) iluministe të Kosovës. Por ne nuk jetojmë ngaherë në kohëra iluministe jetojmë në kohëra të tenderit, varrosjes së shtëpive botuese (për shembull Rilindja, ku me dekada kishte punuar Ali Podrimja), groposjes së kulturës. Tani botohen vëllime poetike të autorëve anonimë nga Muçibaba e Kaçibegu, derisa në vitet 70 e 80 Ali Podrimja dhe shokët e tij kujdeseshin që ambienti kulturor i Kosovës të pasurohej me antologji poetike madje edhe nga vendet ekzotike. Sivjet te një librashitës para hotelit Grand më ranë në sy një antologji e poezisë së Kuvajtit, një përmbledhje me poezi e Giacomo Scottit (poet i pakicës italiane të Jugosllavisë) dhe një tjetër me poezi të autorit slloven Ciril Zllobec (të gjitha të botuara dikur nga Rilindja). Sot (pu)shteti ndan para për gardërobë ministrash, emëron militantë partiakë në funksione të rëndësishme të skenës së kulturës dhe vendos pllaka me këso shënimesh: Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin. Kështu, dita-ditës, Kosova i ngjan Turkmenistanit, ku i Gjithëpushtetshmi një ditë vendosi tua ndërronte emrat muajve të vitit. Për shembull, prilli mori emrin e nënës së të Gjithëpushtetshmit.
7.
Si shkrimtar Ali Podrimja nuk ishte indiferent ndaj politikës. Por kurrë nuk do ta marrim vesh (dhe kjo është madhështia e tij e radhës) se me cilën parti ishte. Ka intelektualë në Prishtinë, të cilët se meritojnë me këtë epitet, sepse për të mbështetur partinë e tyre, tarafin e tyre janë të gatshëm ti arsyetojnë të gjitha: vrasjet e rivalëve politikë, plaçkitjet, vjedhjet, korrupsionin, krimin. Viteve të fundit Ali Podrimja zgjodhi protestën në heshtje. Kur e shihnim në rrugë, pothuaj kalimthi ankohej për degradimin e kulturës dhe vazhdonte rrugën e tij. Moti e kishte vërejtur se një epokë kishte marrë fund dhe tash niveli mendor i këtij vendi në Kuvend e gjetiu matet edhe me çibuk e llullë. Përballë kësaj gjendjeje vuajti edhe krijimtaria e tij; poezitë e Ali Podrimjes viteve të fundit shpesh ishin vetëm hija e krijimeve të tij të dikurshme.
8.
Mu kujtua Ali Podrimja i poezive të përkthyera me kujdes në gjermanisht nga Hans-Joachim Lankschi. Podrimja i buzëqeshjes në kafaz, i liqenit të Starnbergut dhe i Villa Waldbertas, i leximeve në shumë cepa të hapësirës gjermanofone, mes vendorëve kureshtarë dhe bashkëkombësve me çorapë të bardha, siç i quante me shpoti të lehtë dhe prapë i donte ashtu siç ishin, gjithnjë duke shpresuar se vjen ora e fatit.
9.
Jemi aq pak në këtë vend, çdo i rënë është vëlla dhe mik. Këto vargje të poetit dhe gazetarit norvegjez Nordahl Grieg do ti kishin pëlqyer Ali Podrimjes. Sa qe gjallë ai kështu na fliste, por fatkeqësia e Podrimjes ishte të jetonte dhe mbijetonte sidomos viteve të fundit - jo vetëm në një shoqëri të varfëruar në të gjitha aspektet, por edhe pothuaj të kalbur moralisht, ku model kulturor është mendësia grabitqare.
10.
Por ndoshta vijnë kohëra të tjera, kohëra kur Ali Podrimjen Kosova do ta kujtojë si poet që i dha gjuhë dhembjes e shpresës dhe si pehlivan që kërcente nga Ura e Fshejtë në Drinin e Bardhë. Deri atëherë bari mbi varrin e tij do të kositet disa herë. Mes shumë vargjeve testament ai na ka lënë edhe këtë: Na iku jeta, trime, si smenduam pak edhe për vete. / Koha është të duhemi. Në këtë qark dashurie Ali Podrimja i shihte të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë. Por qarku i dashurisë në Kosovë, në trevat shqiptare në përgjithësi, është i ngushtë, tepër i ngushtë.
robelli@bluewin.ch


rezistenca27.07.2012/21:02
Bravo z. Enver, po ikin Ali Podrimjat si shume te tjere para tij, po per fat te mire kemi edhe personalitete si ju qe na kenaq shpirtin me kulture shkrimi dhe shpalosje prej kulture qyteterimi dhe kjo na bene te fort, na jep shpirte, na ushqen na rrit shpresat, na trimron dhe burreron

Driton Bakija Gjakove 27.07.2012/13:35
Shkrim i mire nga ,Enver Robelli.preshkrim i shume i mire dhe i bukure vepres dhe poezize se ,Shkrimtarit ,Ali Podrimja.

Bardhi26.07.2012/18:13
'' Niveli mendor i ktij populli ne Kuvend e gjetiu matet me Cibuke e LLulle ''.
Thenia me e qellume qe kam lexue ndojhere.
Bravo Enver.

Naseri26.07.2012/17:52
Jam i vogel te Komentoj Komentin e juaj.Jeni njohes perfekt i se kaluares dhe te te ardhmes sone.Njerezit qe sot "udheheqin " Kosoven mendojn se Historija e Pavaresis se Kosoves ka filluar nga viti 1998 ne Oden e Jakup Krasniqit apo Azem Syles????????????????

sana26.07.2012/14:02
Pergezime per shkrimin z. Robelli çdo koment tjeter do te ishte i tepert...

Lulzim Logu26.07.2012/11:52
Ne ngarendjen e shkrimeve perkujtimore per Podrimjen, ky shkrim analitik dhe objektiv meriton pergezime te sinqerta, per mesazhin jo vetem emocional, sidomos ne aspektin social te shoqerise shqiptare sot.

Afrimi Prishtinë26.07.2012/11:33
Shpresoj që kjo energji e juaja pozitive të egzistojë gjatë !

Miloti Therande26.07.2012/10:46
Shume i nderuar z.Rubelli,te falemenderit per keto shkrime.Njerzit si JU na japin shprese se do te ket drite ne ket tunel qe e ka katandisur Kosoven qe aq shume e deshti ALIU YNE

Rasimi 26.07.2012/09:43
Flm per shkrimin z. Robeli. Ishte fantastik nje pershkrim i shkrimtarit Ali Podrimja. Jeni shume te lexuar dhe vazhdoni te pasqyroni jeten ne Kosove

sevdaili nga Birmingemi26.07.2012/09:12
te ashtuquajturit dh te vetquajturitqeveritar te kosoves jan ata te cilt popullit asgja spo ju mundsojn e as lejojn, e nga ta gjdogja po kerkojn por edhe ua marrin. Edhe ate me pa falenderim.

jak...26.07.2012/02:22
Enver,faleminderit qe ma zbukurove diten,pas hamendjes se cka do te bej me te !

perparimi26.07.2012/01:16
të jemi mirënjohës për shkrime të tilla i nderuar

Atdheu25.07.2012/20:31
Lum Gjakova që të lindi dhe të rriti .









SHKAMBI18.10.2012/09:37
...sot mendova se si ta nis ditën,
sot nuk doja fare te filloj dita...
dhe shkrimi yt z.Robelli me dha drite dhe dashuri per te jetuar diten e sodit...FALEMINDERIT