ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Një rifillim tjetër

Dmitri Trenin Publikuar: 19.06.2012 - 20:50

Obama dhe Putini do të kenë shumëçka për të biseduar, në takimin e tyre të parë direkt pas një kohe të gjatë, në Meksikë, këtë javë

Moskë,  qershor (NYT) – Mosparaqitja e Vladimir Putinit në Samitin e G8-s në maj rezultoi vetëm me shtyrjen njëmuajshe të takimit të tij me Barack Obaman, pas kthimit të rusit në presidencë. Takimi që do të mbahet në suaza të Samitit të G20-s, që fillon të hënën në Los Cabos të Meksikës, është edhe më i rëndësishëm sot, sesa që do të kishte qenë katër apo pesë javë më parë. Derisa dy liderët po takohen në Meksikë, grupi P5+1 (pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania) do të takohet me përfaqësuesit iranianë në Moskë. Dhe, pas masakrës në Houla, lufta civile në Siri është duke rrezikuar të shndërrohet në krizë ndërkombëtare.

Dy liderët duhet të takohen ballë për ballë, për të definuar rregullat e angazhimit të tyre. Ata janë takuar edhe më parë, në korrik të vitit 2009, në periferi të Moskës. Pas atij takimi, Putini e pati dhënë dritën e gjelbër për versionin rus të rifillimit të raporteve amerikane-ruse.

Megjithatë, që nga ajo kohë Putini e ka shfrytëzuar partnerin e vet të ri, Dmitry Medvedev, si pikë për kontakte me presidentin amerikan. Në Los Cabos nuk do të ketë porosi për t’u përcjellë, pasi që Obama do të flasë drejtpërsëdrejti me Putinin.

Ata kanë shumëçka për të diskutuar. Siria dhe Irani janë kryesoret, për shkak të rrezikut të përhapjes së konfliktit në këtë të parin dhe risqet e mëdha në neglizhimin e çështjes bërthamore në këtë të dytën.

Kryesorja në agjendën e Putinit mbase do të jetë çështja e mbrojtjes me raketa balistike në Evropë, rezultati i së cilës mund të ketë ndikim të madh në raportet e Rusisë me SHBA-në dhe NATO-n, si dhe në vetë mbrojtjen ruse.

Për Obaman, përballë vështirësive të vazhdueshme me Pakistanin, ndihma e Rusisë për sigurimin e pikave të transitit me Afganistanin duket edhe më e rëndësishme. Ka edhe shumë çështje të tjera, aq shumë, saqë vështirë që do të mund të trajtohen në një takim të shkurtër, prej termave të tregtisë, tani që Rusia më në fund po i bashkohet Organizatës Botërore të Tregtisë, e deri tek ligji Magnitgsky dhe kritikat në SHBA për trajtimin e njerëzve në Rusi dhe reagimin e Kremlinit për ndërhyrjen e SHBA-së.

Në rrethanat aktuale, të mirat në rast të një bashkëpunimi SHBA-Rusi do të ishin jashtëzakonisht të mëdha. Po qe se ato veprojnë së bashku, e jo në drejtime të kundërta, Moska dhe Washingtoni mund të kontribuojnë në ndaljen e masakrave në Siri dhe ta hapin rrugën për një transicion politik në Damask. Ato po ashtu mund të ndihmojnë në shmangien e dy skenarëve më të këqij në Iran: një Teheran me bombë bërthamore dhe një luftë e re në Lindje të Mesme.

Megjithatë, edhe e kundërta vlen. Dështimi për të bashkëpunuar vetëm sa do të shtonte armiqësinë, do të lejonte vazhdimin e krizave rajonale dhe madje edhe të shkaktonte rikonfigurim të peizazhit strategjik të botës. Risqet janë të larta, mirëpo marrja e zgjidhjeve të duhura do të jetë e vështirë.

Moska do të duhet t’i ndryshojë llogaritjet e veta rreth pasojave të mundshme të luftës civile në Siri. Ajo do të duhet të përdorë një retorikë më të ashpër ndaj Damaskut dhe të krijojë kontakte me njerëz që do të ishin të gatshëm të përfshiheshin në dialog me opozitën. Një gjë e tillë do ta vinte në kundërshtim udhëheqjen ruse me ata në Moskë që nuk përkrahin ndërhyrjen në punët e shteteve të huaja. Moska po ashtu do të duhej të ishte më proaktive me partnerët e saj iranianë, të cilët shfaqin neveri për Rusinë, mirëpo e përdorin atë për t’u mbrojtur ndaj presioneve të Perëndimit.

Problemi i Washingtonit është edhe më i madh. SHBA-ja do të duhej që ta pranonte Rusinë si partnere të barabartë në Siri dhe Iran, duke mos e parë Moskën vetëm si prishëse hesapesh, apo edhe aleate të armiqve të saj të shpallur. Një gjë e tillë nënkupton heqjen dorë nga opsioni i ndërhyrjes ushtarake në Siri, apo ndihmat në shkallë të madhe për forcat anti-Assad, duke e përkrahur në vend të tyre një formulë transicioni si në Jemen, e jo një ndërrim të qartë të regjimit.

Sa i përket Iranit, do të duhet ndërrimi i tempit të lojës, prej sprintit në maratonë. Duhet të ceket se administrata Obama, për dallim nga Kremlini, përballet edhe me pengesa të brendshme – fushata presidenciale, kundërshtimi i republikanëve në Kongres dhe mediet e zëshme anti-Putin.

Ndonëse një takim i plotë qëndrimesh në Los Cabos ka pak gjasa të ndodhë, çështjet dhe risqet nuk do të largohen. Konfrontimi me Amerikën duhet të jetë gjëja e fundit që do të dëshironte Putini, duke e pasur parasysh agjendën e tij ekonomike. Ndërkohë, shpërfillja e Rusisë si lojtare relativisht e vogël, por tejet e pavarur strategjike, do t’i kushtonte rëndë SHBA-së.

Çështja e mbrojtjes raketore mbase do të duhet të presë deri në 2013, një kohë pas garës presidenciale amerikane. Megjithatë, tani është koha që dy liderët të merren me çështjet emergjente dhe që këshilltarët e tyre të fillojnë të mendojnë për të ardhmen e raporteve dypalëshe. Rifillimi ka funksionuar, mirëpo kryesisht ka qenë në shërbim të largimit të pengesave dhe në përqendrimin e asaj që është e mundur. Mirë, po jo edhe aq mirë, siç tregojnë rastet e Iranit dhe të Sirisë.



(Autori është drejtor i “Carnegie Moscow Center”)

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°C
Tiranė 15°CKryesisht me vranėsira
Shkup 14°CMe mjegull
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C