ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 205 *** 22:20    Anima *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Shteti ku e keqja gufon

Publikuar: 17.06.2012 - 19:35

E keqja nuk e ka vetëm emrin vrasje, hajni, mashtrim, rrenë. E ka edhe emrin papërgjegjësi, teksa vendos për ata që ende besojnë se kjo që e jetojnë është vetëm ankth që do të kalojë. Sa më shpejt, aq më mirë



Nuk ka dyshim se lajmi që i qiti të gjithat në hije ishte ai për vdekjen makabre të kosovaro-amerikanit Dino Asanaj, tashmë ish-shef i privatizimit në Kosovë. Përderisa i shkruaj këta rreshta, burimet thonë se vdekjen ia shkaktoi vetes me një goditje në zemër me armë të ftohtë, si pasojë e shantazheve që i ishin bërë. Por, përderisa lajmi nuk konfirmohet, pa dyshim mbetet i hapur opsioni i vrasjes që do të mund t’ia ketë shkaktuar dikush me goditje në zemër e me armë të ftohtë.



Cilido opsion që të ketë qenë, vdekja e këtillë rrëqethëse ka një reflektim tejet negativ për Kosovën, posaçërisht në raport me botën e jashtme, që edhe ashtu po na shikon me sy të shtrembër. Është tragjike dhe u përjetua si e tillë në Kosovën ku jeta thuajse nuk ka vlerë, sepse mund të të shkojë edhe për një thikë. Po qe se Asanaj është vrarë (Qeveria u ngut ta “dënojë aktin makabër e kriminal të vrasjes”), kjo dëshmon për terrenin e kriminalizuar në të cilin është shndërruar Kosova – mund të vritesh në shtëpi tënden për punën që e kryen në agjencinë në krye të së cilës të ka sjellë kryeministri. Vritesh për para, për talle, për shantazhe, për shumë informata se kush, ku dhe çka ka blerë a përvetësuar – që të gjitha të lidhura për prona që blihen me kapital të turbullt që mbase edhe vjen për t’u shpëlarë në Kosovë. Po qe se është vetëvrarë, kujtoj se do të ketë pasur zor shumë të madh për ta ndërmarrë një gjë të këtillë, ngase më parë se qyqarllëk, e besoj se duhet pasur guxim e kurajë për t’ia marrë vetes jetën. E zori ka mundur të jetë shantazhi, kërcënimi i familjes apo zbulimi i ndonjë sekreti personal a intim që do të mund të shuhej me ndarjen e dhunshme nga jeta.



Është vdekje bizare, e ndodhur në rrethana të palumtura për Kosovën, e që përçon një mesazh shumë të keq në Perëndim – kjo është Kosova, shteti ku e keqja gufon e që nuk mund ta kamuflojë asnjë spot publicitar në CNN. Është vdekje që të bën t’i qash dyfish të gjitha viktimat që u flijuan për jetën tonë në pavarësi – sepse e dyshoj shumë se edhe ata e edhe ne ta kemi parafytyruar jetën të këtillë çfarë e kemi: të keqe e të rrethuar me hajni, (vetë)vrasje, rrena e mashtrime...



Rastis që kjo ngjarje fatale të ketë ndodhur mu në kohën kur EULEX-i ka nisur një fushatë televizive që nis me konstatim/pyetjen: EULEX nuk është duke bërë asgjë për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë (?). Pra nëse EULEX-i vërtet beson se është duke bërë diçka, ja ku e ka shansin të zbulojë shumëçka nga një burim i pasurimit shumë të lehtë të shumëkujt që ia ka parë hairin të qenit i lidhur me “krahun e luftës”. Në një vend ku asnjë send nuk duket se mund të funksionojë pa ryshfet, pa “intervencë”, pa ushtrim ndikimi, të thuash se për gati katër vjet ke arritur që t’i dënosh vetëm 37 persona (gjykatës, policë, zyrtarë të qeverisë, politikanë & drejtues biznesesh, thuhet në reklamën e EULEX-it) dhe se po i zhvillon 60 hetime e 8 gjykime – nuk thotë se je duke bërë shumë për të luftuar korrupsionin në asnjërin nivel. Por, megjithatë, një të mirë e ka kjo fushatë: zyrtarisht pranohet, edhe nga misioni teknik i ftuar për ta ndihmuar drejtësinë në Kosovë, se këtu ka korrupsion dhe se nuk është kjo imagjinatë e atyre që mendojnë se Kosova e ka fatin e keq të udhëhiqet nga kjo Qeveri.



E se e ka fatin e keq që ka këso Qeverie, këso opozite të kotë (me një përjashtim të vetëm, VV-në, e cila kryesisht është përpjekur së paku, që të tingëllojë e të veprojë si opozitë përnjëmend) dhe kësi përfaqësues institucionesh, nuk duhet folur shumë për të dëshmuar. Ta marrim për shembull qasjen ndaj Distribucionit të energjisë elektrike. Kjo është çfarë shkroi një mik imi studioz në statusin e tij në FB: “Një fakt interesant: në vitin 2010, “Limak” pagoi 940 milionë dollarë për vetëm 33% të aksioneve në ndërmarrjen e distribucionit UEDAS në Bursa të Turqisë. 940 milionë dollarë për vetëm 33% të aksioneve. Në Kosovë “Limak” bleu 100% të pronës për 28 milionë dollarë. Ndoshta vetëm mua diçka nuk po më duket në rregull?”



Shkruesi i këtyre rreshtave, Besnik P., nuk është i vetmi që mendon që diçka nuk është në rregull me këtë gjë. Janë edhe mediumet tona që janë duke insistuar, ka më shumë se dhjetë ditë të marrin më shumë informata në lidhje me faljen e këtij aseti dhe që nuk ia dalin të marrin asnjë informatë relevante nga falësit, e për më keq, as nga opozita, që nuk do të duhej të lejonte që kjo të ndodhte. Pra, do të mbetemi pa kontrollin mbi shpërndarjen e rrymës për një shumë qesharake parash, me të cilat mund t’i ndërtojmë 2,6 kilometra të asaj autostrade zeher të shtrenjtë, dhe për atë të mos çajë kokë askush, për shkak se gjithmonë do të gjendet diçka që është më prioritare. Siç ia del të gjejë, për shembull, kryetarja jonë.



Jahjaga më në fund “i tregoi dhëmbët”. Në një intervistë në studion e Zërit të Amerikës (kësaj radhe pa letra përpara), duke e përsëritur katër herë “Gjykata Kushtetuese”, në një paragraf të vetëm tregoi se si ia kishte shpjeguar Kushtetueses atë që e kishte thënë para një kohe – se ajo nuk ishte pjesë e marrëveshjes, por ishte rezultat i marrëveshjes, dhe se e tillë do të mbetej. Duke lënë të kuptohet se nuk kishte për obligim t’i përmbahej mandatit 18-mujor (edhe ashtu tashmë janë tejkaluar dy muaj të planifikuar) që ia kërkonin partitë politike, ngase ajo ishte zgjedhur për mandat 5-vjeçar në atë post.



Shumë legjitime do të thosha – përse do të duhej Jahjaga të hiqte dorë nga një post, i cili ia ka ndërruar standardin dhe stilin e jetesës. Pse ta lërë një post me të cilin e shëtit botën në emër të popullit dhe shkon në Amerikë sa herë që dikujt i bie ndërmend se mund ta thërrasë në ndonjë konferencë të rëndësisë dytësore dhe në takime nën nivelin e saj protokollar. Merreni për shembull lajmin nga mesi i javës, që doli nga kumtesa e zyrës së saj: Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua në Washington me kryesuesen e nënkomitetit të Senatit të SHBA-së për Evropë, senatoren Jeanne Shaheen. Zonja Shaheen me siguri është grua e mençur dhe me peshë në Senatin amerikan, por, megjithatë, është vetëm anëtare e Parlamentit amerikan (për ta quajtur disi), kurse zonja Jahjaga është kryetare e një shteti të cilin SHBA-ja e ka njohur. Nuk e di nëse ky takim është mbajtur në hapësirat e Senatit apo mbase dikujt i është kujtuar se kjo do të mund të mbahej edhe në Ambasadën tonë në Washington. Aty ku është dashur të mbahej edhe intervista me Zërin e Amerikës – aty ku është dashur të ruhej niveli, të cilin vetë kryetarja nuk e ruan. Përse atëherë do të duhej të lodheshin të tjerët për të na e ruajtur?



Sidoqoftë, zonja Jahjaga vazhdon vizitën në SHBA, në pritje të përgjigjes që do t’ia japë Gjykata Kushtetuese në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve që i ka miratuar Komisioni Kushtetues i Kuvendit. Në rastin e saj, problematik është amendamenti X (dhjetë), i cili thotë se “zgjedhjet për presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 86 të Kushtetutës, mbahen brenda 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe ligjore relevante” dhe që mandati i presidentit aktual, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa “presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin”. Kur gazeta kishte aktualizuar këtë çështje para një kohe, burimet brenda Komisionit kishin thënë se këtë amendament e kishin shkruar amerikanët, gjë të cilën e kishte demantuar Ambasada amerikane, ani që kishte pranuar se ekspertët amerikanë kishin dhënë përkrahje teknike në Komision.



Pra, esenca e këtij amendamenti është se po qe se kalon, do ta legalizojë shkeljen e ligjshmërisë dhe të parimit të mospasjes së fuqisë retroaktive të një dispozite a akti juridik. Në fakt, do të jetë legalizim i shkeljes së Kushtetutës dhe hapja e një precedence shumë të rrezikshme, ngase po qe se amendamentet kushtetuese mund të anulojnë një të drejtë të fituar dhe të kufizuar me kohë, atëherë çfarëdo neni i çfarëdo ligji mund ta ketë efektin e njëjtë, pavarësisht dëmeve që mund t’i shkaktojë. Pra, Jahjaga ka të drejtë kur thotë se ajo është zgjedhur për mandat pesëvjeçar – se ashtu e thotë Kushtetuta. E një marrëveshje politike e tri subjekteve politike në praninë e një ambasadori, askund nuk mund të jetë më e fuqishme sesa Kushtetuta. Pos ndoshta në Kosovë, me aminin e mentorëve tanë ndërkombëtarë.



Ishte paksa shokuese të dëgjohej kryetari i LDK-së tek thoshte se “Marrëveshja politike duhej respektuar”, përderisa anëtarja e LDK-së në Komisionin Kushtetues deklaronte se nëse amendamenti X nuk kalonte, LDK-ja nuk do ta votonte pakon e ndryshimeve kushtetuese. Zonja Osmani do të duhej të dinte më mirë se amendamenti X është në esencë kundërkushtetues dhe se mandati i kryetares nuk mund të ndërpritet me amendament kushtetues – se nuk jemi në gjendje lufte. Për më tepër, ajo do të kujtojë shumë mirë se një “marrëveshje politike” tashmë kishte qenë arsye që njëri kryetar i Kosovës të shpallej shkelës i Kushtetutës. Të kujtojmë pakëz argumentimin e Fatmir Sejdiut kur u shkarkua nga posti – “se kishte pasur një konsensus politik se ai mund t’i mbante të dyja postet pa telashe”, ani që mbajtja e postit partiak, si post publik që ishte, i ishte ndaluar me Kushtetutën. Marrëveshja politike, gojore, atëherë nuk kishte qenë më e fuqishme se Kushtetuta. Pra, pse do të duhej të ishte ndryshe kësaj radhe.



Tash e kemi një marrëveshje politike, jashtëparlamentare dhe jo gjithëpërfshirëse, për shkak se nuk i përfshin as dy parti të tjera opozitare e as minoritetet. E kemi një kryetare të dalë nga zarfi me vullnetin e ambasadorit amerikan dhe e kemi një Kuvend që ia ka votuar mandatin 5-vjeçar. Për zonjën Jahjaga mbesin dy opsione shumë logjike të sjelljes: po qe se Kushtetuesja vendos se amendamenti X nuk kalon, ajo do ta përcjellë situatën politike dhe po qe partitë politike nuk janë të disponuara për zgjedhje brenda gjashtë muajsh pas miratimit të amendamenteve, ajo nuk do të japë dorëheqje. Në këtë kontekst do të presë për instruksione të mëtejme: po qe se ndërmjetësuesi ndërkombëtar i marrëveshjes politike krijon besimin se koha ka ardhur që ajo të tërhiqet, ngase duhet organizuar zgjedhje, ani që reforma zgjedhore nuk është askund të horizont, atëherë ajo nuk do të ketë opsion tjetër pos të kthehet në zarfin prej nga ka dalë. Opsioni i tretë është që tërhiqet vetë, në respektim të plotë të marrëveshjes, rezultat i së cilës ka qenë – por jo pa shkuar edhe nja dy herë në Amerikë e Bruksel. Prandaj, edhe do të ishte mirë që të mos shkelej Kushtetuta, ngase kjo çështje ka zgjidhje të lehtë – një këshillë e mirë amerikane do t’i sjellë të gjitha gjërat në vend.



Por zgjidhje të lehtë nuk ka për këtë kastë sunduesish që e trajtojnë Kosovën pronë private. Në fakt, nuk e trajtojnë, por sillen me të si me pronën private. Disponojnë me pasurinë e saj ashtu siç ua ka ënda. Përhapin ndikimin e tyre në të gjitha poret e jetës dhe institucionet, duke dërguar dhe pozicionuar njerëzit e vet. Reagojnë ndaj asaj që shkruajnë mediumet jo për shkak se ndiejnë përgjegjësi apo brejtje ndërgjegjeje për dëmin që ia shkaktojnë popullit të vet. E bëjnë për shkak se dikush, kohë pas kohe në Evropë ua ngreh veshët me ndonjë Raport Progresi. E po qe se ndonjëherë dëshmojnë se po përmirësohen, atëherë iu rriten gjasat për t’u ftuar në takime në Bruksel, ashtu kot, sa për të thënë se janë faktor i rëndësishëm politik në rajon. Dhe zgjidhja nuk do të na vijë, përderisa kjo kastë do ta ketë përkrahjen e përfaqësuesve të fuqishëm diplomatikë që do të pajtoheshin t’i përkrahnin ani që e dinë se janë të ligj... për shkak se janë të dëgjueshëm.



E keqja në Kosovë nuk e ka vetëm emrin vrasje, hajni, mashtrim, rrenë. E ka edhe emrin papërgjegjësi, teksa vendos për ata që ende besojnë se kjo që e jetojnë është vetëm ankth që do të kalojë.



Sa më shpejt, aq më mirë.



flaka@koha.net



 

Komente (24)

avdullah qafani05.08.2012/22:02

Per te keqen nuk eshte fajtor vetem ai qe ben te keqen por edhe ai qe e perkrah dhe ai qe e duron te keqen

populli 23.06.2012/21:01

policia e pa shkulluar shteti pa udheheqje dhe me korrupcion,kto tri tipare i bejne qe njerzit te vriten te bejne shantazhe dhe populli i shkret mbetet ne huti,mua me ndodhi nje rast, i porosita disa gjera dhe me sollen krejt diqka tjeter i telefonova dhe i thash se kto sende qe mi keni sjell nuk jan ato qe e kam bere porosine me keni sjell gabimisht dhe nuk me keni dhene kurfar fature,si mu pergjigj ai,hej nese te pelqejn mire nese jo mos u bej i merzitshem,mire i thash se kjo duhet te rregullohet disi se sben kshtu, ai me tha se skom se qka te beje beja vetit qaren,i thash mire pra do e shofim,shkova ne stacionin e policise ne prishtin aty ishte nje polic e lajmrova rastin i tregova se qfar ka ndodh, ai mu pergjigj se ne skemi pun me kto sende private rregulloje vet ket pune me at pronarin,une i thash se sipas ligjit ju duhet te ndermerni masa se ai me ka sjell diqka qe nuk e kam bere porosin dhe nuk ka paguar fare tvsh sepse nuk me ka lene fature,polici prap me tha shko banja vetit qaren se skom qka met ba,une u bera pak nervoz dhe i thash se kush te ka pru ty ketu ti nuk je polic, ai mu versul ne mnyr shum te ... zhd kerkova te kontaktoi shefin e policis, mezi ma dhan te flas me te, i tregova rastin me tha se me vjen keq por kuvendi dhe qeverija nuk ka bere kurfar ligji per keto qeshtje civile,shko beje akt padin ne gjygj,une i thash se polici i juaj me tha se shko vrite dhe une vi te arrestoi, metvertet ashtu me tha.shefi i policis me tha se mfal se ky polic i ka rrenjet fell me perpara me hjekin mua nga policia se kete polic,mirpo shefi i policis me tha hajde dhe po e bejme nje pune une po e thrras ate ne telefon dhe po bisedoi me te, natyrish kur shefi i policis i dha nje koh prej tri oreve te jet ne vend ashtu edhe u be, erdhi e morri ato qe mi kishte sjell dhe mi dergoi parate ne dore,kshtu qe puna kry disi, mirpo aty e kom vrejt se policija nuk eshte ende ne nivel dhe kan hyre njerz te pa kualifikuar me te njofshem dhe askush nuk guxon ti jep urdhera ne punen qe ai e bene.

Zeqa19.06.2012/20:18

Ku keni pa me e vu temen e papergjegjesise pas temes se vrasjeve, hajnive? Me pas pergjegjesi nuk ishin ba as hajnite as vrasjet...!

Pejoni19.06.2012/09:58

Per gjith injorantat e realitetit ti gjeni vetem 10 puntori, subjekte, biznese, shkolla apo qka do tjeter qe funksionojn 100 ne rregull pa mashtrime, korruption, apo pa nje rrejdhje ilegale ... . Prej Kushtetutes qe po shkelet gjdo dit e deri te voglushi qe shet cigare ne rrug. Tani ska faj Flaka qe esht realiste qe ska mbet ne tčrč Kosoven asgje per te lavderuar. bash asgje hiq. Krahi i Luftes njeher shum adhuruese u shfaqen krimenela pa fund, pa fije patriotizmi, pa karakter, pa moral e pa ndergjegjje.

Hajdar Shtimja 19.06.2012/09:44

Sa unë e kuptoj kush i ka vesht me ndij e sytë për me pa na nuk po dojm me u pajtue me realitetin e gjendjes faktike po plotësisht poo pajtohem me këta komentues se e zonju.FLAKA ka qenë është dhe do të mbetet e till se e ka të leme pra e ka në genë si nga babai i ndjer z. Rexhai Surroi i madhi i të gjitha kohrave dhe nënën nga familja atëdhetare KABASHI nga Prizreni i lashtë, trimrin guximin, sinqeritetin, ndershmërin dhe është një INTELEKTUALE shumë e rrall me krejt këtë bagazh. Zotrit që nuk e njihin mendoj se nuk kishte me qenë mir me e përfolur se është mëkat i madhë që dikush nga korrneri mundohet me dhën golë e nuk ka luajtur kurr furboll.

RealistiKS19.06.2012/07:39

Qamilo, qenke ne amulli por edhe i verber, perderisa qdo sen shkon keq qe po e shohim te gjithe ne te tjeret perveq disave si ju, s'ka qka te shkruhet mire o Qamil zeza,,,!!

KUJTIMIFERIZAJ18.06.2012/19:59

shteti ku e keqja quhet qeveri!!

Ilmi Miftaraj18.06.2012/15:05

Gufon e keqja sepse në Kosovë nuk ka
Prokurori, gjykatë dhe polici të fortë, profesionale, të mbrojtur shtetrore e cila kishte mundur edhe zyrtarët e lartë Krytarin e shtetit, të qeveris dhe funksionarë të tjerë shtetror me i hetuepor kemi një prokurori të pa favorizuar, të pa mbrojtur dhe jo efikase.Merreni me mend në çfar kushtesh punon prokuroria në ndërtesen e Gjykatës Komunale në Vushtrri, si shembull pesë zyrtar në një zyre, kushte mizore si të ishte zyre e ndonjë bashkësie lokale. Kosovës nuk i duhet Këshilla pranë krytares kundër korrupcionit, pranë kryeministrit kundër korrupcionit, Agjenci kundër korrupcionit, OJQ të ndryshme kundër korrupcionit e sa e sa organizma të tjeë kundër korrupcionit. Korrupcioni, dhe krimi luftohet vetëm nga Instuticionet profesionale si që është Prokuroria e shtetit. Prokurorët duhet ta kenë rrogen deri në 3.600 Euro e jo Kryetarët e bordeve të Agjencive të ndryshme,Prokurorët duhet ta kanë mbrojtjen fizike të sigurt.
Një shoqëri që dëshiron ta luftoj korrupcionin dhe krimin i forcon instuticionet që janë të kompetente për ta luftuar e jo këshillat, agjencit e OJQtë e ndryshme.

Isa18.06.2012/15:00

@Laura
T'lumt.

luledukagjini18.06.2012/12:46

FLAKA je shum reale,dhe shkrimet tua ma shlirojn shpirtin,sepse njeriu qe don vendin e vet ka nji vetdije te lart.Mundohesh ti vetdijsosh popullin qe ka ra ne agoni.Ndoshta nji dit do te zgjohen por do te jet shum von.

Nina18.06.2012/12:09

O Qamil, sa eshte cmimi i specave sot? Po i domateve? Ti me keto gjera merru se cka shkruan Flaka e me ke merret ajo mos e vraje mendjen ti! Jo per dicka, po se merre vesh ti ate...Hajte Qamil se mirre e ke ti, qeverine e kemi per bukuri te Zotit. Per derisa ka votuese te kalibrit tend mjerrishte ka shume Kosova ka me lulezu ne te gjitha anet!

Ardian18.06.2012/11:22

A ka mundesi qe njerezit e mire te Kosoves me u ba bashk e me i largu nga pushteti keta njerez qe po na e nxijne jeten? Keta nuk sillen me Kosove as sikur me prone private, pasi qe pasuria e tyre private shtohet shume shpejt, ndersa Kosova po varferohet.

Nexhmedini18.06.2012/10:30

Qamilo me tru peshku,mos e akuzo Flaken pse e thote te verteten,Kosoven e bete lesh arapi ne nje kohe kur eshte dashur me shume se kurr ti ndihmohet,ne tere bota shtetin e vete e ndertoine nga temeli kurse ju ne Kosove e filloni ta ndertoni nga kulmi.Ata te cilet e mbroine te keqen dhe krimin si ti Qamo jane armiqet me te mdhenje te Kosoves dhe popullit.Si po duket po te ardhka edhe ty zheg apo vape kur shpalosn dhe identifikohen vertet si po duket ne mesin e Kamishave qenkeni edhe ju.

riki18.06.2012/10:19

Zonja Flaka, me flet nga shpirti andaj po te drejtohem ne emer, ajo qe per mendimin tim eshte me tragjikja ne Kosove eshte mungesa e frikes ndaj ndergjegjes se paster! Njerezit qe kane marre funksione te ndryshme sikur nuk e njohin fare ndergjegjen. Me e keqja eshte se tere kohen jane te vetedijshem per ate qe e bejne. Dy jane sektoret ku do te na shkaterrojne me dekada Shkollat si fabrika te gjeneratave analfabete dhe shendetesia si kancer i xhepit dhe mireqenies se familjes kosovare. Lutem qe Zoti te mos na harroje.

n. n.18.06.2012/10:15

Nëse Nobeli diku në botë, jepet për mos punë,atëherë urime së këtë e mëritoni politikanë të kosovës së shkollës së natës.Po ia vlenë të shkruajë dikush që të mbëtët diku në arhivë,e që pinjotët,ardhmeri e kosovës nëser të lëxojnë se çfarë punuan bajraktarët e shtetit të kosovës e që ta shkruajnë fjalën më të bukur LAVDI MARRIVE.Por gjithnjë mendojë së Flaka shkruan që vështirë shkolla e natës ta kuptojë gjuhën e të shkruarit të sajë.

era18.06.2012/10:10

@Qamil,
hahahahaha! Pse s'po shkon deri ne treg, me ble ni konop edhe mu mbyt!
Fillimisht, po me neverit menyra jote e shkrimit, gabimet te tmerrshme dhe te nje personi qe kurre ne jeten e tij se ka lexu as edhe nje liber te vetem. Si rrjedhoj, ti Qamil nuk dine e as qe ki me dite ndonjehere ne jete m'i gjyku drejt ata qe e kane BORXH me ta permiresu menyren e jeteses, ata qe e kane BORXH me te jep llogari per cdo cent te harxhum te buxhetit te Kosoves, ata qe e kane BORXH me t'i zbulu dhjetra vrasje te intelektualeve te Kosoves, ata qe ta na kane BORXH 12 vjet JETE, se na e kane shkaterru moralin e bashke me te edhe jeten.
nNe kete liste hyn edhe z.Limaj, asfalti i te cilit prishet hala pa shkel kush mbi te.
per njerez si ti e si puna jote.. i kisha interrnu deri sa te mesoheni se si qytetar nuk guxon asnje njeri ne bote me ti shkel te drejtat, qe ti duhesh me punu per shtet, e shteti te pergjigjet ty.
Nese nuk mushesh mend, mos e harro konopin!

Kastrati18.06.2012/09:56

Të lumtë z.Flaka,e ke thënë të vërtetë. e madhe.PO mjerë ne që po na udhëheqin injorantat shkurtpamës e jemi bër si disa shtete të Amerikes Latine apo të Afrikës.Pa një përmbysje të madhe nuk do të kemi përspektivë dhe do ë jetë vështirë që të sherohen plagët e këtij korrupsioni që shiti krejt pasurinë kombëtare.Atëherë çfarë kuptimi paska patur lufta,përse u bë ajo pasiqë prap mbetem të huaj në vendin tonë,plotsisht të zhveshur nga pasuria e nga puna.Më vjen keq që kemi një popull kaq të urtë që kaq shumë duron dhe ky durim gjithmonë po na kushton.

Agron Shala18.06.2012/09:06

Ti Qamil, Flaka eshte shume reale dhe vepron per te miren e Kosoves dhe shiptarise ku ka deshmu shume here. Anti KosovarShqipatar eshte ai ShqiptarKosovar qe punon ne poshtrimin e popullit te vet dhe shkatrrimit te vlerave. Flaka ka shkru shume here me pozitivitet. Pra ti Qamil a e ke pyet veten najher se a eshte mire ne Kosove? Qka ka perparu Kosova? Ku jane invalidet e luftes? Si e kemi shendetsin? Ku po shkojne paret? Si u pasuruan Hashimi me Shoqni pa luftu hiq? Ku jane paret e njerzve qe kane dhene per lirin e ketij vendi? etj. Flaka eshte nder personalitetet e rralla ne trojet shqiptare qe ka guximin dhe dijen per te shkruar te verteten dhe me vizion per te ardhmen. Paramendoje se si do te ishte po Flaka te ishte Presidente a Kryeministre? jam i bindur se shume e shume ma mire dhe deri me tani do te ishim ne White Schengen. Eshte edhe nje e vertet qe Flaka nuk e ka theksu qe "individ si ju Qamil i urrejne njerezit e guximshem, te menqur dhe te sukseshem si Flaka".

Laura18.06.2012/09:02

Z. @Qamil, fakti qe ti je ithtar i kryehajnave pushtetare te Kosoves nuk do te thote se ne te tjeret duhet t'i mbyllim syte para shkaterrimit ekonomik dhe shpirteror te Kosves ne pergjithesi.

Qamil18.06.2012/06:25

Flaka te lexoi bukur qpesh jo pse je e menqur jo pse e don Kosoven por te lexoi pse e urren Kosoven .
Po ti jap dy shembuj se si po i shkatrroni familje individ pikrisht gazeta e juaj dhe Zeri besoi ju kujtohet kur filluat fushaten kunder Fatmir Limajt vetem e vetem pse punont shume per Kosove ku mbeten ato 80 miljon qe ju gazeta Koha Ditore i pat publikuar si top lajm .
Besoi i ke lexuar artikujt e Astrit Gashit kur e quante hajn ,kriminel Dino Asanajn .
Une shume pak i besoi gazetaris se Kosoves sepse pjesa dermuse e gazetarve kane lidhje shume te aferta me sherbime anti Shqiptare.
A e mand ne mend kur ke shkruar ndonje artikull pozitive per Shqiptar Flaka?

xhevdeti17.06.2012/21:50

Zon.Flaka smund ta besoi se Kamishat mund ta kuptoine kete qka keni shkruar,kur e them kete i kam aresyet e mija po keta Kamishe ne Qeverine Thaqi jane me diploma gjysemanalfabetesh te leshuara po nga nje Kamish asistent i cili keta kamisha i ka trajnuar me pare se si te vjedhet, dhe se si te punojne me direktiva te kupolles ne Qeveri.

Rahman Rama17.06.2012/21:34

Z.Flaka,gjithnje po hedh flak ndaj atyre qe duhet te kallen,por per cudi,atyre nuk po iu ndodh asgje e pa kendeshme! Ata po e vazhdojn avazin e vjeter duke e patur perkrahjen e disa ambasadorve, te cilet po e dirigjojne gjith situaten! Ndodhit ne Kosove, per ta nuk shikohen si problem! Gjithnje e perdorin refreninkeshtu ndodh edhe ne Europ e kontinente tjera,per te gjitha te keqijat! SHum keq po sjellen disa nga keta perfaqsues diplomatik!Nuk po ndijne per ankesat dhe reagimet e popullit! Keq, shum keq!

Dashnori17.06.2012/20:44

No coment, thjeshte Kosova nje vend i quditshem.

arsimi17.06.2012/20:00

Shume shume e qelluar, sidomos Kosoves i pershtatet emri me filmin "Resident Evil".

1000  Karaktere
Prishtinė 19°CI kthjellėt
Tiranė 19°CI kthjellėt
Shkup 23°CI kthjellėt
Prishtinė32°CMe diell
Tiranė34°CMe diell
Shkup36°CMe diell