ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Shitja e KEDS-it është krim ekonomik, jo zgjidhje e problemit

Publikuar: 15.06.2012 - 21:36

Për të vërtetuar vlerën tmerrësisht të ulët të privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit (26.3 milionë) mjafton të shihet se për çfarë vlere është shitur i njëjti aset në vendet në rajon - në Maqedoni i njëjti proces ka rezultuar në shitje të këtij aseti për 225 milionë euro ose në Malit të Zi, ku rreth 80 % e aksioneve janë shitur për 380 milionë euro

Sektori energjetik i Kosovës është sektor tejet kompleks dhe ballafaqohet me vështirësi e probleme tejet specifike, që e bëjnë tejkalimin e tyre shumë të ndërlikuar dhe rrjedhimisht edhe me pasoja të shumta, varësisht nga qasja që zbatohet për të tejkaluar këto probleme.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka definuar qasjen e saj karshi zhvillimit të këtij sektori në dokumentin e quajtur Strategjia për energji 2010 – 2019. Kjo Strategji parasheh inkuadrimin e kapitalit privat në sektorin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike (apo siç njihet ndryshe me emrin KEDS), si dhe shitjen e shumicës së aksioneve të shtetit në sektorin e linjitit dhe atë të gjenerimit të energjisë elektrike me bazë linjitin. Këto dy procese janë duke u realizuar përmes mbështetjes së Bankës Botërore, USAID-it dhe aktorëve tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.

Procesi i privatizimit të KEDS-it po bëhet sipas këshillave të Korporatës Ndërkombëtare Financiare – IFC (degë e Grupit të Bankës Botërore). IFC është duke u audituar nga zyra e Ombudspersonit të IFC-së për shkelje të standardeve të punës në fushën e dhënies së këshillave për këtë projekt.

Nëse projekti aktual i Qeverisë për privatizim të KEDS-it realizohet, atëherë pasojat për ekonominë e vendit dhe konsumatorin në përgjithësi do të jenë katastrofale.

Ky konkludim rrjedh dhe bazohet në faktin që me dhënien në dispozicion të rrjetit shpërndarës dhe furnizues një kompanie të vetme në Kosovë do të krijohet një monopol privat në fushën e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike. Kjo do të ndalojë furnizuesit e rinj t’u qasen konsumatorëve në Kosovë nga viti 2015 (që parashihet të ndodhë me legjislacionin evropian të cilin Kosova është zotuar ta zbatojë).

Për më tepër, shifrat aktuale të gjenerimit të energjisë elektrike, humbjeve teknike e komerciale të energjisë që hyjnë në rrjetin shpërndarës, humbjeve pas faturimit të saj (mospagesa), si dhe shifrave të shpenzimeve operative e kapitale tregojnë qartë që gjendja nuk do të ndryshojë për mirë me privatizimin e KEDS-it. Në fakt mënyra se si po parashihet të zgjidhen problemet që e kanë dërrmuar sektorin energjetik në Kosovë do të rezultojnë me shtimin e këtyre problemeve dhe me ngritje dramatike të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin.

Qeveria e Kosovës dhe IFC parashohin që privatizuesi i KEDS të vazhdojë me zvogëlimin e humbjeve në nivel prej 2% në vit. Ky nivel është i ulët, më i vogël sesa niveli i zvogëlimit të humbjeve që KEK-u ka arritur vetë, dhe rezulton në ngritje të lartë të çmimit të energjisë elektrike.

Kjo ngritje do të jetë rezultat i paaftësisë së KEDS-it për të mbuluar çmimin e energjisë së gjeneruar që i ofrohet në rrjet. Aktualisht, brenda një viti niveli i energjisë së prodhuar (sipas çmimit të tregut) është i barabartë me rreth € 300 milionë. Kjo vlerë i ngarkohet rrjetit shpërndarës. Nga kjo vlerë, € 120 milionë janë humbje teknike dhe komerciale në vit (vjedhje e energjisë elektrike dhe humbje gjatë shpërndarjes në rrjet si pasojë e amortizimit të rrjetit), kurse rreth € 30 milionë janë humbje që rezultojnë nga pamundësia e inkasimit të mjeteve nga konsumatori. Pas këtyre humbjeve, KEDS në dispozicion i mbeten rreth €150 milionë.  Këtë vlerë KEDS-i duhet ta përdorë për shpenzimet e veta operative dhe kapitale, që brenda një viti sillen në rreth €46 milionë. Pas krejt këtij kalkulimi, KEDS-it i mbeten në dispozicon më pak se €100 milionë për të paguar për gjenerimin. Konsumatori i Kosovës duhet me u bë gati të paguajë shtrenjtë për mungesën prej €200 milionë euro që prej dikund duhet me u kthye te gjeneruesi i energjisë.

Çdo investim kapital në KEDS reflektohet automatikisht me ngritje të tarifave të energjisë elektrike. Nëse Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) aprovon tarifat, atëherë realizohen investimet. Shpenzimet operative gjithnjë ekzistojnë dhe mbase do të rriten me privatizimin e KEDS-it, meqenëse kompania private mëton të hyra më të mëdha dhe këto të hyra edhe sigurohen përmes rritjes së shpenzimeve operative. Këto dy segmente mbeten të panjohura për ne si qytetarë, meqenëse IFC dhe Qeveria jonë kanë vendosur që projekti të zbatohet pa qenë transparent me publikun.

Mënyra e vetme për ta mbajtur KEDS-in në këmbët e veta financiarisht (që KEDS-i me qenë në gjendje të paguajë për energjinë që i jepet në dispozicion për konsumatorët nga ana e gjenerimit) është që të inkasohen mjetet që rezultojnë si humbje. Këto mjete nuk do të sigurohen përmes uljes prej vetëm 2% të nivelit të humbjeve në baza vjetore. E vetmja mënyrë se si kjo rezulton e suksesshme është ofrimi i mbështetjes institucionale, të gjykatave dhe policisë, për të trajtuar këtë plagë të rëndë të sektorit energjetik në mënyrë efikase dhe më të shpejtë.

Qeveria e Kosovës, me këshillën e IFC-së, mendon të zgjidhë këtë problem përmes privatizimit të KEDS-it, me idenë që një kompani private përmes shkopit magjik do të zgjidhë problemet e funksionimit të shtetit ligjor në Kosovë.

Dhe së fundmi, ajo që është krejtësisht e papranueshme është vlera prej 26,3 milionë euro për të cilën po planifikohet të shitet KEDS-i. Vetëm në 10 vitet e fundit, KEK-u ka investuar rreth 180 milionë euro në asetet e KEDS-it. Këtu nuk përfshihet fare vlera reale e aseteve ekzistuese para këtij investimi dhe fitimi nga ofrimi i shërbimeve për konsumatorë. Nuk duhet qenë gjeni i matematikës për të konkluduar që privatizimi i KEDS-it për €26 milionë euro përbënë krim ekonomik, kur dihen vlerat e asetit në fjalë. Për të vërtetuar vlerën tmerrësisht të ulët të këtij privatizimi mjafton të shihet se për çfarë vlere është shitur i njëjti aset në vendet në rajon, marrim shembull Maqedoninë, ku i njëjti proces ka rezultuar në shitje të këtij aseti për 225 milionë euro ose shtetin fqinj të Malit të Zi ku rreth 80% e aksioneve janë shitur për 380 milionë euro.

Kjo qasje rrezikon të rezultojë në shitje të aseteve të çmuara shtetërore për shpërndarje të energjisë elektrike dhe ikje nga problemet madhore me të cilat ballafaqohet sektori energjetik. Rrjedhimisht, gjithçka do të rezultojë në ngritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët, subvencionim të shtuar nga shteti për kompanitë private energjetike (shpenzim i shtuar i taksapaguesve kosovarë) dhe rritje dramatike e problemeve të humbjeve të energjisë elektrike dhe mospagesës së saj.

Qeveria e Kosovës duhet të anulojë këtë proces dhe të kthejë në rishqyrtim Strategjinë e Kosovës për energji për vitet 2010 – 2019 (kjo kërkohet me Ligjin për energji) dhe të ridefinojë qasjen e saj karshi ristrukturimit të sektorit të energjisë. Ky ridefinim nënkupton ndalimin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes, hapjen e tregut për furnizues të rinj me energji elektrike në Kosovë dhe vënien në dispozicion të aparatit shtetëror për të zgjidhur problemet akute të mospagesës së energjisë elektrike dhe vjedhjes së saj.

Një qasje e tillë ndaj këtij problemi do të rezultojë në probleme më të vogla në sektorin e energjisë në vend dhe do të krijojë hapësirë të duhur për shtimin e konkurrencës në tregun e furnizimit me energji elektrike, në një kohë kur menaxhimi me sektorin energjetik në vend ruhet si e drejtë e patjetërsueshme e popullit të Kosovës dhe punohet me të në përputhje me interesat kombëtare të Kosovës.



(Autori është analist dhe hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore – INDEP dhe magjistër shkence në fushën e menaxhimit të shërbimeve. nezir.sinani@indep.info)

 

Komente (2)

Inxhinjerja15.06.2012/22:29

Vetem vlera e nderteses se Distribucionit ne Qender sillet rreth 10 milion euro. Pajtohem plotesisht me zotri Nezir Sinanin se nese kjo ndodhe vertet esht nji krim i rende Ekonomike, dhe ketu ka pune per PRokurori. Kjo shitje me kete qmim nuk guxon kusesi te ndodh. Ata te cilet e pranojne nji gje te tille ose jane te qmendur ose te KORRUPTUAR deri ne FYTE.

arton demi15.06.2012/21:48

shyqyr dikush po fol per keto sende e spo shkojne bile pa u dit qe jon tuj u be per xhepa te pak njerzve. ishalla dikush e ndale kete send e nuk na bjen neve si fukare me pagu qmimin ne fund. Zoti na rujt prej njerzve te paafte.

1000  Karaktere
Prishtinė 29°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 29°CI kthjellėt
Shkup 32°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell