Cyrihu në mbrojtje të veprës së Xhafës

Artikujt tjerė
- Cyrihu në mbrojtje të veprës së Xhafës
- Kalendari historik, 29 tetor
- E mësojnë shqipen për interes punësimi
- 100 vjet Pavarësi në monedhë ari
- Budapesti bëhet me sheshin Nënë Tereza
- Filloi Festivali i Teatrove të Kosovës në Ferizaj
- Rexhep Qosjes, çmimi letrar Drita e Minatorit
- Shqiptarët e këqij rikthehen në Stamboll
- Memory, rrugëtimi në Shqipërinë diktatoriale
- Diana Çulit Urdhrin e Meritës i Italisë
Prishtinë, 29 tetor- Kërkesa në fundin e gushtit të këtij viti, nga një grup i vogël këshilltarësh opozitarë komunalë në Cyrih, për të hequr nga parku veprën e artistit Silslej Xhafa, ka nxitur reagim qytetar në Cyrih. Siç tregojnë fotografitë e dërguara nga qytetarët në adresë të Xhafës, një grup banorësh të qytetit, janë bërë bashkë për të mbrojtur veprën e artistit kosovar Sislej Xhafa, shkruan sot Koha Ditore. Ata tashmë kanë nisur një kampanjë në përkrahje të veprës Y të Sislej Xhafës. Skulptura e Xhafës këtë verë është përuruar bashkë me parkun Hardau të Cyrihut. Vepra qe zgjedhur më e mira në një konkurs që pati shpallur Komuna e Cyrihut para dy vjetësh. Letra të vogla në të cilat shkruhet I love Y që nënkupton emrin e skulpturës janë vendosur gjithandej nëpër qytetin e Cyrihut. Por jo vetëm kaq. Bluza të ndryshme me mbishkrimin e njëjtë janë të tjera forma përmes së cilave këta qytetarë kanë shprehur mbështetjen e tyre për veprën e Xhafës. Nëpërmjet komunikimit virtual, artisti i cili së fundmi është prezantuar edhe në Pekin ka thënë se kjo e ka bërë të ndihet mirë. Para katër ditësh, në e-mailin e Xhafës do të mbërrinin disa fotografi të fansave të artistit në të cilën ata shihen tek kanë të veshur bluza me mbishkrimin I love Y.
Njerëzit kanë nisur të inspirohen dhe ta përkrahin skulpturën Y të Cyrihut, ka thënë Xhafa për Kohën Ditore. Gjithë zhurma rreth veprës së artistit kosovar kishte nisur në fund të gushtit kur disa këshilltarë komunalë kishin bërë një kërkesë tek autoritetet e Cyrihut. "Kjo skulpturë, në trajtën e shkronjës Y, nuk ka përmbushur misionin e saj origjinal dhe nuk do të vazhdojë të shërbejë si një luhajë", kishte thënë këshilltari komunal i SVP-së (Schëeizerische Volkspartei) Mauro Tuena, për Tagesanzeiger. Ai së bashku me kolegun e tij partiak, Bruno Sidler, në fund të gushtit i kishin kërkuar këshilltares së qytetit të Cyrihut, Ruth Genner, që ta heqin "eksperimentin Y", siç e quante SVP-ja nga lagjja Hardau.
"Nuk është turp që një eksperiment nuk funksionon, kishte thënë Tuena. Sipas arsyetimit të këtyre këshilltarëve, koha dhe shpenzimet nga modifikimet dhe riparimet në këtë vepër arti janë të papërballueshme për qytetin e Cyrihut. Madje këta këshilltarë e kishin quajtur veprën një instalim të dështuar. Kësisoj, sipas tyre. Cyrihu nuk duhet të instalojë këso veprash arti. Por kjo nuk ka dalë të jetë e vërtetë së paku për këtë grup njerëzisht të cilët po e mbështesin veprën e Xhafës. Për vetë artistin kjo përkrahje tregon se njerëzit janë ambientuar me të. Xhafa ka thënë të mos e njohë ndonjërin prej tyre që ka nisur këtë kampanjë.
Këto fotografi janë bërë prej qytetarit të Cyrihyt si mbështetës anonimë, ka thënë Xhafa. Sipas tij, me aq informacione sa ka, në Cyrih ka nisur shtypja e bluzave të shumta që mbështesin veprën Y. Kjo tregon se njerëzit e atij qyteti po e përkrahin dhe mbrojnë skulpturën, ka thënë Xhafa. Po në të njëjtën kohë në botimin e guidës së qytetit Zurich in your poket (tetor-nëntor 2012) vepra e Xhafës është në ballinë të saj. E brenda guidës, në top vendet më të rëndësishme për ti vizituar është vënë edhe vepra e artistit kosovar. Parku Hardau është njëri prej parqeve më reja në Cyrih në perëndim të Langstrasse, një zone me blloqe apartamentesh të lira dhe me një popullsi të madhe emigrante. Pika kulmore e këtij parku multifunksionale është një skulptura e madhe e bardhë në formë të shkronjës Y e punuar nga Sislej Xhafa.
A bërtet pse? A është një katapultim? Po, por kjo është edhe një lodër gjigante, e hapur për të gjithë vizitorët e parkut të cilët kur ta përdorin shohin se skulptura merr ngjyra të tjera, shkruhet në Zurich in your pocket. Aty shkruhet se Xhafa është një artisti kosovar që jeton në New York e që trajton tema serioze si rezistenca, konflikti e dëshpërimi, tema këto të cilat emigrantët i njohin shumë mirë. E kush nuk është emigrant në ditët e sotme, shkruhet në guidën e Cyrihut. Në mbrojtje të kësaj vepre kishin dalë edhe vetë autoritetet zyrtare në Cyrih të cilët heqjen e skulpturës nuk e shohin si opsion. Mike Sgier, një zëdhënës i qytetit të Cyrihut, u kishte thënë mediave zvicerane në fillim të shtatorit, se nuk shohin arsye për ta hequr veprën e Xhafës.
"Për këtë vepër arti nuk është ankuar askush nga qytetarët. Përkundrazi, me të vërtetë duan që skulptura të mbetet në lagjet e tyre. Ne nuk dëshirojmë të heqim skulpturën Y", ka thënë Sgier. Ai kishte thënë të ketë marrë edhe reagimet e qytetarëve të cilët janë shumë të kënaqur."Ky nuk është një projekt i dështuar, ka thënë Sgier. E një javë pas këtij debati, nëpërmjet Kohës Ditore, kishte reaguar edhe vetë artisti, Xhafa, duke e cilësuar kërkesën e këshilltarëve opozitarë në Cyirh, si të stilit diktatorial.
Vetëm në vendet ku ekziston një diktaturë, pra një shtet diktatorial, politikanët mund të diktojnë artin dhe të ndikojnë në tendencat artistike, kishte thënë Xhafa. Sipas tij, rasti i këshilltarëve komunalë në Zvicër nuk ka vlerë. Në rastin e Zvicrës është vetëm një mendim i izoluar dhe unë nuk besoj se ka një peshë, kishte thënë artisti me origjinë nga Peja. Skulptura e artistit kosovar, në Cyrih, është riparuar shpesh nga dëmtimet që i janë bërë këtij objekti 15 metra të lartë në Cyrih. 395 mijë franga ka kushtuar projekti i skulpturës. Ndërsa Cyrihut i ka kushtuar riparimi i skulpturës 35 mijë franga, shkruan Tagesanzeiger.








