Shqiptarët e këqij rikthehen në Stamboll

Artikujt tjerė
- Budapesti bëhet me sheshin Nënë Tereza
- Filloi Festivali i Teatrove të Kosovës në Ferizaj
- Rexhep Qosjes, çmimi letrar Drita e Minatorit
- Shqiptarët e këqij rikthehen në Stamboll
- Memory, rrugëtimi në Shqipërinë diktatoriale
- Diana Çulit Urdhrin e Meritës i Italisë
- Në Festivalin Mbarëkombëtar pesë shfaqje nga Kosova
- Shfaqet pelikula e pastër e filmit Nëntori i dytë
- Shekulli i Pavarësisë së Shqipërisë në Maqedoni shënohet më 25 nëntor
- Vallet kosovare në pullat postare
Prishtinë, 27 tetor - Në pyetjen se për çka do të luftojë ish-agjenti i CIA-s, në vazhdimin e tretë të filmit Taken, një komentues në internet ishte përgjigjur: Iphone. Këto ditë kjo është bërë një batutë ndërkombëtare saqë gazetarët e kanë pyetur edhe regjisorin Oliver Megaton.
Ndoshta familja e Bryan do të shtohet, ka thënë Megaton gjatë premierës së filmit në Los Angeles, para jo më shumë se një jave. Më pas ai kishte thënë se kjo përgjigje ka qenë ironi ndaj kritikave për filmin e tij më të ri Taken 2. Aty shqiptarët janë një bandë që tentojnë tia vrasin gjithë familjen një ish-agjenti të CIA-s, i cili në pjesën e parë të filmit pasi e shpëton vajzën e tij nga rrëmbimi, e shkatërron edhe bandën. Ky rrëfim për kritikët nuk është asgjë më shumë sesa një përmbushje e filmit të parë Taken. Por në Ballkan filmi është pritur me vlerësime në dy ekstremet. Mediet shqiptare e kanë cilësuar filmin si një fyerje ndërsa ato serbe e kanë cilësuar Taken 2 si një rrëfim për bandat shqiptare. Por aktori i njohur Arben Bajraktaraj, i cili në pjesën e parë të filmit luan rolin e Markut - anëtar i bandës shqiptare - filmi nuk ka të bëjë me shqiptarët. Nuk lidhet me ne. Kjo lidhet me mënyrën sesi Perëndimi e sheh Lindjen, ka thënë ai. Madje edhe xhirimet në Stamboll, me sa e di unë, janë bërë meqenëse është më lirë sesa diku tjetër, ka shtuar Bajraktaraj.
Ngjarja e filmit Taken 2 zhvillohet në Stamboll. E përditshmja New York Times shkruan se lufta që zhvillohet mes ish-agjentit të CIA-s dhe bandës shqiptare - e cila në film duket me identitet të përzier - është e pakuptimtë. Në film aktori kroat Rade Sherbexhija luan rolin e Murad Krasniqit, kryekriminelit shqiptar. Përderisa në filmin e parë Taken ka luajtur edhe aktori i njohur kosovar Arben Bajraktari, në Taken 2 ka zënë vend të vogël edhe një shqiptar tjetër, Luran Ahmeti, i cili luan një skenë si bandit hoteli që në moment gjatë filmit përballet me vajzën e Bryan. Në atë skenë Ahmeti drejton revolen drejt vajzës e cila vetëmbrohet. Adhuruesit turq të filmit Taken 2 kanë hapur një profil në rrjetin social Facebook, me titullin Taken 2: Terror në Stamboll. Aty përshkruhet se si filmi pasqyron Stambollin si një vend strehues për bandat dhe kësisoj lind edhe terrori në këtë qytet. Por komentuesit në këtë faqe janë nga të gjitha vendet. Aty opinionet janë të llojllojshme. Taken 2, i cili po shfaqet në Kinemanë ABC, që nga dita e enjte në dy orare (17:00 - 19:00), ka ngjallur reagim edhe publik. I pari që ka reaguar ndaj temës së këtij filmi ka qenë publicisti Halil Matoshi. Në shkrimin e tij të titulluar A ka besë shqiptari të datës 11 tetor i botuar në Koha Ditore, Matoshi shkruan se filmi Taken 2 nuk i specifikon shqiptarët kur i profilizon si të këqij. Regjisori Megaton ia ka futur kot. Profilizimi i shqiptarit sipas skemës masivisht i egër nuk shkon. E ka sa të duash shqiptarë egërshanë e kriminelë. Siç ka të tillë në të gjitha shoqëritë, ka shkruar Matoshi. Sipas tij Taken 2 i paraqet shqiptarët mizorë e egërshanë sikur në historiografinë e Vladan Gjorgjeviqit. Sipas regjisorëve francezë të Hollywoodit, Olivier Megaton dhe Luc Besson, fjalën e dhënë - besën, shqiptarët e shkelin hala pa ua kthyer shpinën. Të lë shije të hidhur postulati stereotip që regjisorët kanë zgjedhur për të huajt e këqij e jo për trafikantët e këqij, shkruan Matoshi. Sipas tij, fabula e filmit ngërthen një temë mode, me trafikantë qeniesh njerëzore dhe gangsterë, ndërkaq që gjeografia ku zhvillohet ngjarja e filmit (Ballkani Perëndimor) imponon gjithsesi temat ekzotike si besën/pabesinë dhe hakmarrjen që rëndom u përshkruhen traditës dhe socio-psikologjisë shqiptare.
Ani pse vet ka luajtur në pjesën e parë të filmit, aktori kosovar Arben Bajraktaraj thotë se nuk e ka parë Taken 2. Por sipas tij, kjo nuk do të thotë se nuk mund të komentojë për diçka që i ka rënë në vesh kohëve të fundit. Le ti shikojmë gjërat qetë. Taken si njëshi, si dyshi janë filma aksion. Këtu mbyllet muhabeti. Nuk ia vlen të diskutohet për këtë, ka thënë Bajraktaraj, në një bisedë telefonike.
Sipas tij, nuk është serioze të mendohet se filmi është drejtuar kundër shqiptarëve. Sikur të ishte një film autorial që bazohet në fakte atëherë do të ishte muhabet tjetër, ka thënë ai. Aktori i cili ka luajtur në shumë filma botërorë duke u bërë pjesë edhe e serive të filmave për Harry Potter, thotë shqiptarët nuk janë vënë në film për tu stigmatizuar. Nuk është çështja, që tash një grup i njerëzve janë mbledhur qëllimisht dhe hajde të bëjmë diçka kundër shqiptarëve, ka thënë Bajraktaraj për Kohën Ditore.
E loja e Bajraktarajt në pjesën e parë të këtij filmi ka qenë edhe një arsye shtesë që Kinemaja ABC e ka sjellë edhe pjesën e dytë të filmit. Jo pa qëllim është bërë kjo përzgjedhje. E kemi pasur parasysh faktin që në Taken 1 ka pasur edhe aktorë shqiptarë, ka thënë Miradije Vllahiu, menaxhere e kompanisë për distribuimin dhe shfaqjen e filmave Genci që menaxhon me Kinemanë ABC.
The New York Times ka shkruar se prindërit paralajmërohen rreptësisht kur e lëshojnë filmin pasi aty ka shumë shqiptarë të vdekur. Në këto raste filmat vlerësohet si PG-13, që sipas American Heritage Dictionary, është një standard që përdoret për një vlerësim filmi e që tregon se përmbajtja është e pranueshme për personat e të gjitha moshave, por që në rastin e fëmijëve nën moshën 13-vjeçare prania e prindit ose kujdestarit sugjerohet si e domosdoshme. Ngase në këtë film kokat e shqiptarëve bien si kunguj..., shkruan Matoshi. Sipas tij, "Taken 2" është i përmbytur me elementet më të pështira dhe kriminale dhe fatkeqësisht të gjitha këto atribute u përshkruhen shqiptarëve. Matoshi pyet në shkrimin e tij se si është mundur që shqiptarët ndër vite të krijojnë një reputacion kaq të keq dhe a po e vuajnë ata një patologji shoqërore duke mos ia dalë të ndërtonin shtet ligjor dhe ti binden ligjit. A janë shqiptarët masivisht agresorë dhe të pacivilizuar, përderisa, të thuash të gjitha vlerat që ua njohin të tjerët ia kanë nënshtruar industrisë së pafundme të krimit të organizuar!?, shkruan Matoshi.
Shkrimin të plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Koha Ditore










bujar struga28.10.2012/05:20
aq nji film i merzitqem, kjo esht nji film i realizuar nga amator.ska lidhje me kurgje.te ben te merzitesh.
ky trimi rihte 7 shqiptar hahahahahaha, po ket trim ta gjej un ketu ne amerik ay me ne film nuk hyn.