• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

“Kolonat” merr çmimin e publikut në Poloni

Publikuar: 24.10.2012 - 10:59

Prishtinë, 24 tetor - “Kolonat” është kthyer në Kosovë edhe me një tjetër çmim. Filmi me regji të Ujkan Hysajt, që pasqyron një pjesë të historisë së Kosovës në vitin 1999, duke e ndërlidhur atë me jetën një dekadë më vonë ka arritur të bindë publikun në edicionin e 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Warsaw të Polonisë. Atje ai ka fituar çmimin e publikut. Për vetë regjisorin dhe producentin e filmit, i cili u subvencionua nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2010, ky çmim është jo pak i rëndësishëm. “I rëndësishëm për mua, për vetë faktin se është vlerësim i publikut dhe që publiku gjithmonë jep vlerësim të vërtetë për diçka në krahasim me jurinë e festivalit, e cila shpeshherë mund të niset nga shijet personale të vlerësimit”, ka thënë Hysaj, teksa nuk është ndalur me kaq. “Prej vetë faktit që është publik i Polonisë dhe që ky popull ka traditë të madhe në fushën e kinematografisë, tregon mjaft për nivelin e filmit tim”, ka shtuar ai.

Hysaj ka thënë se çmimi e motivon edhe më shumë për të punuar me film.

“Sepse, nëse publiku të do, atëherë je duke depërtuar me hapa të sigurt në industrinë e filmit”, ka thënë ai.

Deri tash “Kolona” ka marrë dy çmime ndërkombëtare. Selektimi për “Warsawa Film Fest” është bërë katër muaj para datës zyrtare të selektimit. Filmi është dhënë premierë në Kosovë në nëntor të vitit 2011, ndërsa ka pasur një premierë botërore në “Melbourne Film Fest”, të Australisë. Pas kësaj ai do të udhëtojë edhe në “Izmir Short Film Festival” të Turqisë, “InterFilm Fest” të Gjermanisë dhe “Asiana Short Film Fest” të Koresë së Jugut.

Në 27 minuta, Ujkan Hysaj ka kthyer në shirit filmik skenarin e Besian Hysajt, e për këtë i janë dashur gati 18 muaj. Filmi rrëfen historinë e familjes së Ademit (Synaj Raça), i cili në vitin 1999 vendos t’i bashkohet kolonës së refugjatëve shqiptarë të përndjekur nga pushteti serb. Përveç gruas dhe djalit të tij, ai merr me vete edhe gruan dhe djalin e të vëllait, që vendos të luftojë. Paratë që ka kursyer i ndanë në disa postblloqe për paramilitarët serbë, e në të fundit ndodhet para një zgjidhjeje shumë të vështirë. I kanë mbetur vetëm 1 mijë marka, e me to mund të blejë jetën e vetëm njërit nga dy djemtë, Granitit dhe Shpendit. Vendos që ta shpëtojë Shpendin, djalin e vëllait të tij. Krejt kjo ngjarje atij i kthehet nga kujtesa kur gjendet në kolonë të dasmës për martesën e Shpendit. Veç Raçës, në film luajnë edhe aktorët Arbnesha Grabovci, Irena Cahani, Don Raça, Enis Krapi, Vllado Jovanovski, Bislim Muqaj e të tjerë. Skenarin e filmit e ka bërë Besian Hysaj, drejtor fotografie është Samir Karahoda, e muzikën e ka bërë Valton Beqiri.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°CShi i lehtė
Tiranė 15°CKryesisht me vranėsira
Shkup 18°CMe riga tė lehta shiu
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu