• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Letërsia e krijuar në Kosovës ishte e ndaluar në Shqipëri

Publikuar: 24.08.2012 - 09:34

Prishtinë, 24 gusht – Një pjesë e madhe e letërsisë shqipe e shkruar në gegnisht ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të studiohej nëpër shkolla për gjysmë shekulli në Shqipëri. Për më tepër, pjesa më e madhe e letërsisë së shkruar në këtë dialekt është përshkruar apo përfolur në studimet dhe tekstet zyrtare e shkollore me terma pezhorativë. Bashkë me faktin se dialekti toskë është në bazë të gjuhës standarde të vendosur që në vitin 1972 në Shqipëri e Kosovë, kanë çuar në një refuzim filologjik, ideologjik, por edhe estetik të letërsisë së shkruar në gegnisht në Shqipëri. Veç kësaj, pjesa dërrmuese e veprave të shkruara në Kosovë nuk janë lexuar matanë kufirit. Këto konstatime i ka bërë studiuesja nga Shqipëria, Dhurata Shehri, që ka ligjëruar në paraditen e së enjtes, në Seminarin XXXI Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Ajo ka pasur për titull të temës së saj “Rilexime të letërsisë shqipe”, e aty ka përthekuar rileximin si lexim filologjik dhe si aso ideologjik.

“Nëse imagjinari kulturor shqiptar ende nuk ka pranuar leximin filologjik të Fishtës, por edhe të Mjedës (i deformuar me parimin e ‘përsëritje’) e ka shumë të vështirë të pranojë poezitë e Martin Camajt, prozën e Anton Pashkut apo poezitë e Zef Zorbës”, ka thënë Shehri. “Mungesa e leximit filologjik, në fakt është premisa më e mirë e leximit ideologjik të tyre, pra për mungesën e një leximi simbolik”, ka shtuar ajo.

Kur ka folur për rileximin filologjik, Shehri ka thënë se më shumë se miti i leximit në letërsinë shqipe ekziston miti i moslejimit. Shqipja është shkruar vonë, shqiptarët në masë nuk kanë ditur të lexojnë në kuptimin e alfabetizimit deri gati një shekull më parë.

“‘Revolucioni i leximit’ që përfshiu Evropën e gjysmës së dytë të shekullit të 18-të, e preku kithtas letërsinë shqipe për arsye të njohura”, ka thënë Shehri. Por një pjesë e madhe e letërsisë shqipe, sipas Shehrit, është ende e pabotuar, rrjedhimisht e palexuar.

“Për këtë arsye rileximi i nevojshëm në çdo periudhë, në letërsinë shqipe është fillimisht lexim”.

Se pjesa dërmuese e veprave të shkruara në Kosovë nuk është lexuar në Shqipëri, Shehri thotë se nuk është problem thjesht material, ani pse zgjidhja duket e thjeshtë – të botohen dhe të lexohen.

“Letërsia shqipe e shkruar në Kosovë, për fat ka pasur një zhvillim krejt të ndryshëm nga ajo që u shkrua në Shqipëri për gjysmë shekulli. Në Kosovë do të shpërnguleshin në kuptimin politik të fjalës, të gjithë ata autorë që për arsye jashtë letrare, do të humbisnin vazhdimësinë e komunikimit brenda kufijve të Shqipërisë”, ka thënë Shehri. “Kosova do të bëhet ishulli letrar i konservimit dhe i vazhdimësisë së letërsisë shqipe moderne të viteve ’30 – ’40”, ka shtuar ajo.

E vazhdimësia midis letërsisë moderne shqipe të atyre viteve dhe asaj që studiuesit do ta quajnë shkolla moderne në Kosovë, përveç emërtimit do të rrokë edhe shumë aspekte.

“Në letërsinë shqipe të Kosovës përsëritet ajo dukuri e shkollave letrare programatike që ish nderuar në vitet ’30, vjen sërish në letrat shqipe dukuria e avangardës që kishte nisur të shfaqej gjatë ’30-ve, letërsia shqipe do të jetë si atëherë bashkëkohëse me zhvillimet e letërsive evropiane dhe në avangardën e Kosovës së ‘Vox clamantis in deserto’, letërsia ndërron statusin e saj të angazhuar, për t’u kthyer në reflekse të vetvetes”, ka numëruar Shehri katër elementet të letërsisë moderne të Kosovës. Prandaj pengesat në leximin e saj në Shqipëri Shehri i quan mendore.

Ajo ka folur edhe për leximin ideologjik. Sipas saj, edhe në rastet kur disa autorë të letërsisë shqipe kanë pasur fatin e leximeve filologjike, pra, siç thotë ajo, nuk janë përjashtuar deri diku nga kanuni zyrtar, autorëve u ka munguar shpesh humori për lexim simbolik. Ajo ka thënë se shembujt janë të shumtë, e ka zgjedhur të përmendë disa.

“Nga poezia e Naim Frashërit është vlerësuar në hierarki ‘Bagëti e bujqësi’ dhe jo ‘Bukuria’ apo ‘Dashuria’, nga Migjeni ‘Poema e mjerimit’ dhe jo për shembull ‘Këngët e fundit’, nga Çajupi ‘Atdheu dhe dashuria’ e jo ‘Vaje’”, ka thënë Shehri.

Shehri ka shtruar në formë të pyetjes çështjen nëse Bilal Xhaferri, mund të kthehet në letërsinë shqipe. Ajo ka treguar se pas ndalimit të “Lirishtes së kuqe” më 1967, autori do të botohet në Shqipëri vetëm pas vdekjes me gati 30 vjet diferencë me botimin e fundit.

“Autori e kishte përmbyllur rrugën e vet jetësore dhe poetikën e vet, letërsia shqipe në të cilën rishfaqej si autor Xhaferri kishte ndryshuar krejt, në dukje, po shumë pak në thelb”, ka thënë Shehri.

Ajo ka bindjen se leximi është i vështirë edhe për autorët e sotëm shqiptarë si Agron Tufa, Ilir Belliu, Rudian Zekthi e Parid Teferiçi, pasi në leximet e tyre, sipas Shehrit, kërkohet rileximi i modeleve formale estetike, ligjërimore e mbi të gjitha ideologjike të “klasikëve” të letërsisë shqipe.

Por kur ka analizuar aktualitetin, Shehri ka thënë se derisa vitet e para të shekullit XX sollën vëmendjen nga autori tek teksti letrar - në fillim me formalistët e më pas me strukturalistët, sidomos në periudhën e parë - sot, në shekullin XXI vëmendja e studimeve teorike mbi letërsinë e ka kapërcyer tekstin për të shkuar në skajin e fundit të skemës, tek lexuesi.

“Dalëngadalë, koncepti i lexuesit fillon të ndahet nga ai i tekstit e të marrë një status autonom”, ka thënë Shehri.

Ndryshe pasditen e së enjtes, në kuadër të referimeve janë paraqitur Giusepe Stabile, Edmond Çali, Agron Gjekmarkaj, Zamira Shkreli, Edlira Mantho, Spiridhulla Poçi dhe Albana Ndoja. 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 22°CI kthjellėt
Tiranė 22°CI kthjellėt
Shkup 20°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme