• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Seminari, kontribuues për themelimin e AShAK-ut

Publikuar: 17.08.2012 - 09:30

Prishtinë, 17 gusht – Akademik Idriz Ajeti dukej tepër i emocionuar të enjten paradite. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, institucion në të cilin ai është anëtar i rregullt, kishin paralajmëruar vizitë pjesëmarrësit e edicionit XXXI të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë e Kulturën Shqiptare. Ajeti ishte në krye të grupit që themeloi këtë institucion 37 vjet më parë. Por thotë se nuk e ka paramenduar se Seminari mund të evoluojë kaq shumë. Tash Drejtori i Nderit i Seminarit, e ka cilësuar lart programin e edicionit XXXI. Shumë prej albanologëve të rinj, kanë shtrënguar duart më Ajetin, në vizitën që ata i kanë bërë Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës. Aty janë pritur nga akademikët, të cilëve u ka prirë nënkryetari, akademik Pajazit Nushi. Seminarin ai e ka renditur në mesin e institucioneve që i kanë paraprirë themelimit të AShAK-ut, për punën dhe veprimtarinë e së cilës ai ka folur para albanologëve. “Natyrisht jam shumë i emocionuar kur shoh kaq shumë albanologë të rinj, që vijnë në Prishtinë dhe interesohen për gjuhën e kulturën shqiptare”, ka thënë akademik Ajeti. Ai është i lumtur se të gjithë e flasin rrjedhshëm gjuhën shqipe.

“Të gjithë e duan shqipen, por e duan edhe veten. Kjo është shumë me rëndësi”, ka thënë akademik Ajeti.

Nëntëdhjetepesëvjeçari Ajeti, kënaqet që në këta 37 vjet sa ekziston Seminari është zhvilluar shumë.

“Po e shoh programin dhe ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë në aspektin pozitiv. Është shumë i larmishëm dhe ka shumë tema. Kjo po më gëzon shumë”, ka thënë akademik Ajeti.

Nënkryetari i AShAK-ut, Pajazit Nushi, e ka përmendur edhe Seminarin, si njërin nga institucionet e rëndësishme që i paraprinë nevojës për themelimin e institucionit më të lartë të dijes. Atë e ka vendosur krahas themelimit të Institutit Albanologjik, Fakultetit të Filozofisë (me degën e Gjuhës Shqipe), Entit të Historisë (i cili më vonë u shndërrua në Institut të Historisë) e Universitetit të Prishtinës.

“Institucioni ynë ka hyrë në vitin e 37-të prej themelimit të tij. Është themeluar pas stabilizimit të veprimtarisë shkencore dhe arsimore të disa institucioneve paraprake”, ka thënë akademik Nushi.

Albanologëve të rinj, akademiku Nushi u ka treguar se AShAK-u zhvillon dhe bashkërendon veprimtarinë shkencore dhe veprimtarinë artistike në Kosovë dhe më gjerë. Varësisht prej degëve të disiplinave shkencore AShAK-u ka administrimin e brendshëm, me të cilin organizim takohen katër seksione të kësaj akademie: Seksioni i gjuhës dhe letërsisë, Seksioni i shkencave shoqërore, Seksioni i shkencave natyrore dhe Seksioni i arteve. Akademik Nushi ka thënë se i gjithë aktiviteti hulumtues, shkencor dhe krijues në AShAK kryhet sipas projekteve të posaçme të saj, të cilat projekte mund të jenë të një seksioni, projekte të përbashkëta të të gjitha seksioneve, apo edhe projekte individuale.

“Vitin e kaluar kemi pasur projektin e ‘Monografisë së Kosovës’, e cila është botuar në gjuhën shqipe dhe pritet të botohet edhe në gjuhën angleze”, ka treguar akademik Nushi.

“Prej këtij viti e tutje do të jenë të angazhuar të gjithë akademikët e të gjitha seksioneve së bashku me bashkëpunëtorët e jashtëm në përpilimin e Enciklopedisë së Kosovës. Punët rreth organizimit rreth këtij projekti tashmë kanë filluar dhe me siguri do të kemi një angazhim më të thuktë, më të fuqishëm në përpilimin e kësaj enciklopedie”, ka shtuar ai.

Akademia, veprimtarinë e vet e organizon në forma të ndryshme, duke filluar nga konferencat shkencore, seminaret, simpoziumet e  tryezat shkencore.

“Ndër konferencat shkencore që mendojmë ta organizojmë këtë vit, saktësisht më 13 shtator, do të jetë edhe konferenca ndërkombëtare shkencore kushtuar 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përgatitjet për mbajtjen e së cilës kanë filluar qysh para një viti”, ka thënë akademik Nushi.

Albanologëve, akademik Nushi u ka treguar se AShAK-u, boton edhe dy revista shkencore, e që titullohen “Studime” dhe tjetra “Kërkime”. Atyre u ka thënë se revista është e hapur edhe për artikuj në gjuhë të tjera të botës, por që kushti i vetëm për botim në to mbetet plotësimi i kritereve shkencore të botimit.

Akademik Nushi ka folur edhe për bashkëpunimin e AShAK-ut me  akademi të tjera, përmes memorandumeve që tashmë ka të lidhura me akademitë e Republikës së Shqipërisë, të Turqisë, Bullgarisë, Britanisë së Madhe edhe të disa shteteve të tjera. Ky bashkëpunim do të shtohet edhe me vende të tjera. AShAK-u është anëtar i Asociacionit të Akademive të Europës, ndërsa anëtarë të saj janë dy akademikët kosovarë Rexhep Ismajli dhe Muhamedin Kullashi.



 

Komente (1)

Kritiku17.08.2012/13:20

Valla net emocinohen sa te dojn, se bash kush hajrin nuk asht kah ju sheh. Kontributi i kyre far "akademikave" per shtetin e Kosoves asht 0.

1000  Karaktere
Prishtinė 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 27°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme