• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

QKK mbështet 18 projekte filmike

Publikuar: 30.07.2012 - 10:14

Prishtinë, 30 korrik – Regjisorja Zana Radogoshi kurrë nuk ka bërë film të metrazhit të gjatë. Ndonëse ka vite që merret me projekte filmike, këtë vit ajo do t’i hyjë punës për të realizuar një film të këtij metrazhi. Qendra Kinematografike e Kosovës ia ka mundësuar këtë. Në konkursin e këtij viti për subvencionimin e projekteve filmike, QKK-ja ka vendosur që t’ia japë 113 mijë euro projektit filmik të titulluar “Mbretëria e Therrave”, me skenar të Anton Ndrecajt, i cili edhe do të jetë bashkëregjisor me Zana Radogoshin.

Ngjarja e këtij filmi zhvillohet brenda në teatër ku ndodh një vrasje.

“Më pas gjithçka merr kthesë tjetër”, ka thënë Radogoshi. Më shumë nuk jep informacione. Dhënia e mundësisë për regjisorët debutues, sipas saj, është e rëndësishme, sepse hap horizonte të reja. QKK-ja i ka dhënë aq para sa edhe ekipi ka kërkuar si subvencionim.

“I kemi kërkuar 113 mijë e po aq na kanë dhënë. Por këto para janë më shumë që ta kemi emrin e QKK-së prapa për të kërkuar fonde të tjera”, ka thënë Radogoshi. Sipas saj, xhirimi i filmit pritet të nisë në dhjetor të këtij viti.

Radogoshi është një nga filmbërësit e rinj që sivjet janë mbështetur nga QKK-ja. Këtë vit QKK-ja, ndonëse me buxhet të shtuar ka vendosur që të mbështesë më shumë projekte por me më pak para.

Sivjet janë subvencionuar 18 projekte me 452 mijë euro. Arben Zharku, kryetar i Këshillit të QKK-së, ka thënë se 48 mijë euro të  mbetura nga buxheti total do të shpenzohen për reprezentacione.

“Do marrim pjesë në shumë festivale botërore dhe sivjet, siç dihet, në Kosovë do të mbahet faza e parakualifikimit në Berlinale dhe ne do t’i heqim shpenzimet”, ka thënë Zharku.

Aktorja Ilire Vinca, e cila ka kryesuar jurinë e këtij viti, ka thënë se dhënia e mbështetjes filmbërësve të rinj është një hap që tregon edhe për ndryshimin e mënyrës së si bëhet filmi tani në Kosovë.

“Temat janë më universale. Nuk janë të lokalizuara. Na ka ardhur shumë keq që nuk kemi mundur t’i mbështesim edhe më shumë filma të tillë”, ka thënë Vinca. Ajo së bashku me dramaturgen, Jeta Xharra, producentin Dritan Huqi, regjisorin Liridon Cahani, aktoren Anisa Ismaili, kompozitorin Trimor Dhomi dhe skenaristin Zymber Kelmendi, kanë qenë anëtarët e jurisë që kanë bërë vlerësimin e 43 projekteve filmike në konkursin e vitit 2012 për katër kategoritë e filmit. Por për Vincen nuk varet cilësia e një filmi nga buxheti. Sipas saj, ajo çfarë e shtyn të besojë në suksesin e këtyre filmave është fakti se shumë prej tyre janë në koproduksione.

Lista e atyre që kanë përfituar sivjet nga QKK-ja është e gjatë. Në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë janë subvencionuar edhe projekti “Ngasësi”, me skenar të Arben I. Kastratit dhe regji të Valter Lucajt me 110 mijë euro, projekti filmik “Gold”, me skenar dhe regji të Bujar Alimanit me shumën prej 50 mijë eurove dhe “Gone back”, me skenar dhe regji të Ernest Mehollit që është mbështetur me 30 mijë euro.

Arben Zharku, kryesues i Këshillit Drejtues të QKK-së, ka bindjen se “politika” e QKK-së për të mbështetur debutuesit do të sjellë frymë të re. Sipas tij, ajo çfarë QKK-ja po tenton të arrijë është mbështetja e regjisorëve të cilët mund të bëjnë filma të mirë, por duke mos kërkuar shumë buxhet.

Ajo çfarë ka qenë e re në këtë konkurs është vendimi i QKK-së për të subvencionuar edhe projektet ndërkombëtare. Sivjet janë përzgjedhur që të subvencionohet vetëm dy projekte. “Dashuria dhe të tjera raste vdekjesh”, me skenar të Gert Steinheimer, Florian Frerichs e Stephan Warnatsch dhe regji të Miguel Angelo Pate është subvencionuar me 10 mijë euro. Me po kaq buxhet është subvencionuar edhe projekti tjetër “Sworn Virgin” (Virgjëresha e përbetuar), me skenar të Franceska Virgin e Laura Bispuri dhe regji të Laura Bispurit.

Zharku ka bindjen se me këtë mbështetje të dhënë projekteve ndërkombëtare të cilat jo domosdo kanë të bëjnë me Kosovën synohet që në to të përfshihen edhe aktorë e producentë vendës.

“Gjithashtu, dihet kushti se 60 për qind të parave të marra nga QKK-ja, duhet të shpenzohen në Kosovë”, ka thënë Zharku.

Ai është shprehur i bindur se kjo do të ndihmojë edhe kinematografinë kosovare që përmes projekteve ndërkombëtare të njihet më shumë në botë. Këtë bindje e ka edhe aktorja Vinca. Sipas saj, me atë që kanë prezantuar filmbërësit e përfshirë në këto projekte, në filmat e mbështetur nga QKK-ja do të angazhohen disa aktorë kosovarë.

“Pritet me u kthy me sukses ky investim”, ka thënë ajo.

Të tjera projekte që janë mbështetur këtë vit janë për zhvillim skenari si “Histori maje kulmi”, me skenar dhe regji të Gazmend Nelës me 3 mijë e 500 euro dhe me po kaq para edhe  “Unë të dua Ana Andrea”, me skenar dhe regji të Arsim Halitit. Ndërkaq, në kategorinë e filmit artistik të metrazhit të shkurtër, janë përzgjedhur projektet “Kanarinat e dinë”, me skenar të Kaltrina Krasniqit dhe Genc Salihut që ka marrë 13 mijë e 500 euro. “Përqafimi i fundit”, me skenar dhe regji të Lulzim Guhellit me 500 euro më pak dhe “Kali i shkumësit”, me skenar të Alban Ukaj dhe regji të Yll Çitakut me 12 mijë euro. Të tjera projekte të metrazhit të gjatë që janë mbështetur janë edhe  “Ballkoni”, me skenar dhe regji të Lendita Zeqirajt, “Çlirimi”, me skenar dhe regji të Burim Halitit.

Në kategorinë e filmit dokumentar janë mbështetur për realizim këto projekte: “Vatër/Atdheu”, me skenar dhe regji të Pamela Cohn 25 mijë euro, “Toka e Grave”, me skenar dhe regji të Orhan Kerkezit, 10 mijë e 100 euro, kurse në këtë kategori për zhvillim skenari është përzgjedhur edhe projekti “Nëna dhe Hëna”, me skenar të Ilir Shaqirit dhe regji të Mahir Musliut, 2 mijë e 500 euro. Kurse në kategorinë e fundit të këtij edicioni, atij të animuar janë mbështetur projektet: “Fija e barit n’beton”, me skenar dhe regji të Dritëro Mehmetajt me 14 mijë euro dhe “Alone”, me skenar të Faton Laknës dhe regji të Jeton Laknës me 13 mijë euro.

Në vitin 2008 ishin subvencionuar katër projekte filmike. Me metrazh të gjatë ka qenë filmi “Gomarët e kufirit” me 250 mijë euro dhe “Përtej rrugës” me 25 mijë euro. Në vitin 2009 ishin subvencionuar shtatë projekte filmike. Të metrazhit të gjatë kanë qenë dy. Ai me regji të Ekrem Kryeziut që kishte marrë 240 mijë euro dhe “Heroi” i Luan Kryeziut me 190 mijë euro e që pritet të jepet premierë këtë vit. Në vitin 2010 ishin mbështetur 5 projekte filmike. Me metrazh të gjatë ishte mbështetur me 310 mijë euro filmi me regji të Agim Sopit, “Agnues Dei” që ende nuk është dhënë premierë. Vitin e kaluar ishin subvencionuar 11 projekte, pesë nga ta të metrazhit të gjatë. Vetëm projekti filmik me regji të Isa Qosjes “Tri dritare dhe një varje” është subvencionuar me 250 mijë euro. Ndërsa projekti “Babai” me skenar dhe regji të Visar Morinës me 100 mijë euro.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 24°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 24°CI kthjellėt
Shkup 26°CI kthjellėt
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell