• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 207 *** 22:20    Cosmo *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Agron Shala vjen në krye të “Dodonës” me shumë plane

Publikuar: 11.07.2012 - 10:10

Prishtinë, 11 korrik - Rritja e numrit të shfaqjeve dhe e kualitetit të tyre janë misionet që ia ka vënë vetes njeriu, i cili prej së martës është drejtori i ri i teatrit “Dodona”. Gjatë mandatit trevjeçar, Agron Shala siguron që angazhim të veçantë do t’i kushtojë skenës së kukullave. Drejtori i ri i Teatrit të të Rinjve, Fëmijëve e Kukullave thotë se këtij institucioni i ka munguar përkrahja e duhur materiale. Në garë për të zënë karrigen e drejtorit të “Dodonës” kanë qenë tetë kandidatë, gjashtë prej të cilëve i janë nënshtruar intervistimit. Shala, i cili ka grumbulluar 82 pikë nga testi dhe intervistimi, ka mposhtur në garë Veton Ramën, Veton Osmanin, Saranda Elshanin, Ilir Gjocajn e Selatin Ademin.

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, pasi është emëruar drejtor, Shala ka folur për drejtimin në të cilin mëton ta shpjerë teatrin gjatë kohës që i është besuar të udhëheqë me të.

“Objektivi im kryesor është rritja e numrit të shfaqjeve e po ashtu edhe kualitetit. Kjo nuk do të thotë se kualiteti ka munguar më herët, sepse numri i shumtë i çmimeve që ky teatër ka marrë, çdo vit, në shumë festivale vendore, mbarëkombëtare e ndërkombëtare është dëshmi e cilësisë”, ka thënë Shala. “Por ‘Dodona’ çdo vit synon më shumë”.

Duke folur për misionet e tij, Shala është ndalur tek njëri, të cilit do t’i japë prioritet.

“Kujdes i veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të mjeshtërisë së punimit të kukullave dhe krijimit të ekspertëve në këtë lëmi. ‘Dodona’ e ka stafin e specializuar për këtë dhe shpresoj që do të pasurohet me disa aktorë të rinj”, ka thënë ai.

Por, Shala ka plane edhe për skenën e mbrëmjes.

“Përveç shfaqjeve të repertorit, do ta aktivizojmë teatrin kamertal, i cili si skenë do të ketë edhe atë që në ‘Dodonë’ e quajmë ‘Salla B’”, ka thënë ai.

Drejtori i ri i teatrit që viteve të fundit publikun më besnik i ka pasur të vegjlit, ka “ilaç” edhe për rritjen e numrit të publikut.

“Nëse flasim për mungesën e publikut në teatrit e Kosovës, ky problem mund të zgjidhet duke investuar pikërisht në shfaqjet e ‘Dodonës’, me qëllim që përmes fëmijëve të sotit të krijojmë publikun e së nesërmes”, ka thënë ai.

Sa i përket programit për këtë vit, Shala thotë se repertori do të shpaloset në detaje në muajin shtator, me të përfunduar sezoni veror.

“Por, siç më informuan sot, do të marrim pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Kukullave që mbahet në gusht në Manastir të Maqedonisë. Ndërsa do ta respektojmë traditën që të jemi pjesëmarrës në skenën verore të Ulqinit dhe do të përpiqemi që të jemi prezentë me shfaqje për mërgimtarët që në këtë sezon e vizitojnë Kosovën”, ka thënë ai.

Për të realizuar objektivat e veta, Shala thotë se do të kërkojë më shumë buxhet, pasi, sipas tij, përkrahja më e madhe materiale është ajo që i ka munguar teatrit deri më tani.

“’Dodona’ ka premtime nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Prishtinës për buxhet më të volitshëm për projekte”, ka thënë Shala, i cili në pozitën e drejtorit të “Dodonës” vjen pas Agim Selimit.

Megjithatë, udhëheqësi i ri i “Dodonës” premton se nuk do të mjaftohet me kaq.

“Intervenimi i vetëm që mund të bëhet është në rritjen e bashkëpunimeve me institucionet tjera të Kosovës, për të ndihmuar financiarisht projektet e shumta të këtij teatrit”, ka thënë ai.

“Pesha” e të qenët drejtor i teatrit që ka nxjerrë emra si Faruk Begolli, Enver Petrovci e Melihate Qena, për Shalën nuk është e lehtë.

“Përgjegjësia është shumë e madhe. ‘Dodona’ ka qenë dhe do të jetë oazë krijuese për të gjithë, promotor i artit skenik të Kosovës. Kjo traditë do të vazhdojë, ‘Dodona’ është ëndërr e çdo krijuesi”, ka përfunduar ai.

Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona” është themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë Punuese të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se meritat më të mëdha për themelimin e këtij institucioni i takojnë Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit. Ky teatër filloi punën dhe u paraqit më 16 maj 1987, me premierën e parë “Pylli është i të gjithëve”. Në kohën e aparteidit në Kosovë, ky institucion qe bërë çerdhe e kulturës në kryeqytet. Që nga themelimi e gjerë më sot janë shfaqur më se 33 premiera në skenën e Teatrit të Kukullave dhe mbi 50 premiera në skenën alternative. Vetëm shfaqjet e Teatrit të Kukullave i kanë shikuar deri më sot mbi 400 mijë shikues.

 

Komente (2)

Elmir Sejfullai11.07.2012/19:36

Urime Agron, besoj se do vazhdosh rrugen e prof. Agim Selimit dhe se do ta permiresosh akoma punen e Teatrit me te rendesishem "Dodona", pasi qe ky teater kultivon gjeneratat e reja. Duke e ditur se je percjelles i vazhdueshem i skenes jo vetem ne Kosove, por edhe ne Shqiperi dhe Maqedoni, besoj se zemra jote artistike nuk do shendrohet ne ate Burokratike...Shume suksese...

Ilaz Berisha11.07.2012/11:39

Uh, vazhdim i cirkut te cuajtur "Dodone". Perzgjedhje skandaloze ashtu sic i ka hije Komunes se Prishtines.

1000  Karaktere
Prishtinė 27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 27°CI kthjellėt
Shkup 29°CI kthjellėt
Prishtinė32°CMe diell
Tiranė34°CMe diell
Shkup35°CMe diell