Teatri Dodona tash një muaj në pritje të drejtorit të ri

Artikujt tjerė
- Teatri Dodona tash një muaj në pritje të drejtorit të ri
- Teatri mitrovicas u mirëprit në Tiranë dhe në Shkodër
- Kalendari historik, 19 qershor
- Ritualet e nusërisë në pullë postare
- 5 Kamerat e Thyera hapin Dokufestin
- Treni sjell nëntë këngë të muzikës jazz
- Yue Madeleine Yue në edicionin e tretë të festivalit Zoom
- Përfundon maratona 24-orëshe e gdhendjes së frutave
- Për Këndin e librit në kryeqytet do të vendosen kritere
- Ars Kosova nis garën treditore
Prishtinë, 19 qershor Një muaj pasi që është mbyllur konkursi për drejtor të teatrit Dodona, Komuna e Prishtinës ka caktuar termin për intervistimin e kandidatëve. Jozyrtarisht mësohet se shtatë veta i kanë plotësuar kushtet që tia mësyjnë garës për të parin e teatrit të të rinjve, fëmijëve dhe kukullave. Të enjten ata do ti nënshtrohen testit me shkrim, e më pas do të intervistohen nga një juri vlerësuese që është kombinuar në mes të njerëzve të kulturës e zyrtarëve të zyrës së personelit të Komunës së Prishtinës.
Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se kanë qenë disa procedura që ka qenë dashur të kryheshin para se të nisë intervistimi i kandidatëve.
Nuk jemi vonë me procedura, ka thënë Dumoshi, teksa ka treguar se janë kryer formulimi i testit për intervistuesit, është krijuar komisioni vlerësues për kandidatët, e njëkohësisht është shikuar se kush i plotëson kriteret në bazë të konkursit.
Me ligj jemi të obliguar që të mbajmë edhe një test me shkrim para intervistimit të kandidatëve. Testin mendojmë ta mbajmë të enjten, ka thënë Dumoshi.
Drejtoresha për kulturë në kryeqytet ka thënë se Dodonës i duhet një menaxher i cili është në gjendje që të gjejë fonde për teatrin edhe nga burime të tjera. Barra për përzgjedhje ka kaluar veç te Zyra e personelit e Komunës së Prishtinës edhe tek artistët. Melihate Qena, e cila është në Dodonë prej themelimit të këtij institucioni, është njëra nga anëtarët e komisionit. Edhe Qena thotë se në krye të Dodonës duhet të vijë një njeri vital dhe që është në rrjedha të trendëve të reja të funksionimit të teatrit. Ani pse thotë se u është premtuar se do të rikthehet vëmendja institucionale nga Dodona dhe pret që kjo të ndodhë, Qena ka bindjen se drejtori i ri nuk duhet të kufizohet vetëm në buxhetin që ndan Komuna.
Nuk duhet të pritet vetëm kur të mëshirohet Komuna për të ndarë mjete, por duhet të kërkohet edhe nga burime të tjera. Kjo aftësi, që mendoj se na mungon gjeneratave më të vjetra, mendoj se e kanë këta të rinjtë, prandaj do të doja që një i ri të vijë në krye këtij institucioni, ka thënë Qena.
Kur ka folur për cilësitë që duhet të ketë drejtori i ri, Qena ka thënë se ai thjesht do të duhej të mos pengojë në punë.
Barra e organizimit më shumë bie mbi menaxherin, i cili është ai që e lëviz teatrin. Nëse bashkohet një drejtor i mirë dhe një menaxher i mirë suksesi është i garantuar, ka thënë Qena, e cila mendon se për çerek dekade të funksionimit Dodona nuk ka pasur fat me udhëheqje.
Për këto vite sa funksionon Dodona, realisht nuk ka pasur një menaxher të mirë e as një drejtor që do të mund të bënte diçka që ta çonte teatrin përpara, ka thënë Melihate Qena.
Valdet Rama, menaxher në teatrin Dodona, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të këtij institucioni, ka thënë se në këtë kohë sa teatri po funksionon pa drejtor puna nuk është ndalur.
Ne patëm dy premiera gjatë kësaj kohe, ndërsa kemi edhe aktivitete shtesë. Kemi plane për udhëtime në festivale të ndryshme, ndërsa jemi duke u marrë edhe me organizimin e edicionit të dytë të festivalit të teatrove të kukullave, ka thënë Rama. Ai është njëri ndër konkurrentët për drejtor të Dodonës.
Nuk ka pasur vakuum institucional në këtë kohë, ka thënë ai. Rama është ushtrues detyre prej 26 prillit të këtij viti, kur drejtorit të deriatëhershëm Agim Selimi i kishte kaluar mandati i drejtorit. Ai e kishte udhëhequr këtë institucion për dy mandate rresht. Konkursi për drejtor të ri ishte hapur më 2 maj, ndërsa ishte mbyllur më 18 të po atij muaji.
Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave Dodona është themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë punuese të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se meritat më të mëdha për themelimin e këtij institucioni i takojnë Rabije Bajramit dhe Ismajl Ymerit. Ky teatër filloi punën dhe u paraqit më 16 maj 1987, me premierën e parë Pylli është i të gjithëve. Në kohën e aparteidit në Kosovë ky institucion qe bërë çerdhe e kulturës në kryeqytet. Që nga themelimi e gjer më sot janë shfaqur më se 33 premiera në skenën e teatrit të kukullave dhe mbi 50 premiera në skenën alternative. Vetëm shfaqjet e teatrit të kukullave i kanë shikuar deri më sot mbi 400 mijë shikues.









