• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 205 *** 22:20    Anima *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Prerja e drunjve zemëron kryeqytetasit

Publikuar: 30.08.2012 - 10:12

Prishtinë, 30 gusht – Komuna e Prishtinës ka sakrifikuar lisat 80-vjeçarë për ta realizuar projektin për sheshin “Zahir Pajaziti”. Asdren Osaj, zëdhënës, ka thënë se Komuna nuk ka pasur zgjidhje tjetër.

”Ka qenë e pamundur, sepse drunjtë kanë qenë në zonat ku kanë paraqitur pengesë për realizimin e projektit të sheshit”, ka thënë Osaj. Ai ka bërë të ditur se të njëjtët do të zëvendësohen.

”I sigurojmë të gjithë se në pjesë të ndryshimeve të sheshit, sipas projektit do të vendosen drunj të rinj dhe të madhësisë pothuajse të njëjtë”, ka shtuar ai.

E disa nga banorët që jetojnë në këtë pjesë e cilësojnë të dëmshëm veprimin e Komunës.

”...Po, kjo vërtet nuk ka kurrfarë logjike dhe ndoshta këtu kemi faj edhe ne si shoqëri që nuk kemi reaguar apo ndërmarrë diçka me kohë, se tash më është vonë”, ka thënë Laura Shala.

”Ku ja gjetën bash qetash me i pre, e në anën tjetër në shumë vende të Kosovës çdo ditë dalin e na bëhen të ndjeshëm kur tregojnë se po digjen malet, e tash po u bejka edhe me u pre lisat pa pikë problemi”, ka shtuar ajo. Edhe për Bashkim Zejnullahun prerja e lisave është veprim jo i duhur.

”Kjo është më e vogla që ata e bëjnë, nuk po presim diçka më mirë, se këtu nuk ke më çka sheh, ka e kthen kokën vetëm beton e ndërtesa pa leje sheh”, ka thënë Bashkim Zejnullahu.

Prerja e drunjve 80-vjeçarë ka ngjallur reagime edhe në rrjetin social Facebook. Në të janë postuar videoxhirime gjatë aksionit të prerjes së lisave.



”Më lehtë e kanë pas me e pre drurin sesa me organizu sheshin me një dru të madh”, është shprehur Alban Muja, i cili gjithashtu e ka shpërndarë këtë xhirim në shenjë revolte.

”Janë ngop barinjtë me dru dhe gjelbërim, më mirë në asfalt e pluhur dhe me erë nafte”, ka thënë Alma Leti.

Aktin e prerjes së drunjve e ka dënuar edhe organizata që monitoron punën e Komunës së Prishtinës, Iniciativa për Progres (INPO). Avni Bytyçi, drejtor ekzekutiv, ka thënë se për një veprim të tillë është dashur të organizohej debat me qytetarët.

”Për fat të keq shumë vendime që merren sot në komunat e Kosovës qytetarët janë të anashkaluar nga konsultimet publike. Kryeqyteti nuk bën ndonjë dallim të madh në këtë drejtim”, ka thënë ai, duke nënvizuar se rasti i tillë ndodh edhe me objekte të rëndësishme historike të Komunës së Prishtinës, të cilat janë dëmtuar apo shkatërruar siç rasti i hoteli “Union”.

Sipas tij, lisat që janë prerë nga Komuna e Prishtinës janë një dëshmi tjetër se zyrtarët publikë ndjekin vetëm interesat e tyre politike, duke anashkaluar qytetarin.

Bytyçi ka theksuar se një zgjidhje më e mirë do të ishte bërë nëse do të diskutohej hapur me qytetarët.

“Jo vetëm debat, por edhe konsultime me grupe të ndryshme qytetare do të kishin sjellë ndoshta efekte më pozitive kur merren kësi lloj veprimesh”, ka thënë Bytyçi.

“Veprimet e tilla shpeshherë janë konfuze edhe në kundërshtim me orientimin që kanë vendet e Bashkimit Evropian për krijimin e hapësirave të gjelbra dhe pa dyshim që edhe Komuna e Prishtinës ka nevojë për to”, ka shtuar ai.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 22°CI kthjellėt
Tiranė 22°CI kthjellėt
Shkup 23°CI kthjellėt
Prishtinė32°CMe diell
Tiranė34°CMe diell
Shkup36°CMe diell