• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Katër fshatra kërkojnë kushte për qendrat e mjekësisë familjare

Publikuar: 24.08.2012 - 09:39

Prishtinë, 24 gusht- Krerë të fshatrave Shkabaj, Bardhosh, Barilevë, e Besi kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të rrisin numrin e stafit mjekësor, shtimin e hapësirave dhe zgjatjen e orarit të punës nëpër qendrat ekzistuese të mjekësisë familjare.

Ata kanë thënë se banorët e fshatrave kanë nevojë për pediatër, stomatologë dhe gjinekologë, staf ky që mungon në këto qendra.

Kontrollimi i pacientëve në orët e pasdites, sipas banorëve, duhet ë bëhet në QMF më të largëta. Kryetari i Bashkësisë Lokale në Shkabaj, Bajram Borovci, ka thënë se qendra mjekësore familjare është ndërtuar katër vjet më parë dhe është në funksion, por stafi mjekësor nuk i përmbush kërkesat e banorëve.

“Ambulanca është e re, aty punojnë dy mjeke, dy infermiere dhe një pastruese, por ky numër nuk mjafton për të përmbushur kërkesat e pacientëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, orari i punës është shumë i shkurtër, prandaj duhet të zgjatet më shumë. “Mjekët aty qëndrojnë deri në orën dy, se ashtu është orari, por banorët kanë nevojë për trajtime edhe pasdite”, ka theksuar Borovci.

Ai ka thënë se QMF në fshatin Shkabaj ka nevojë për një pediatër dhe një stomatolog pasi që fshati ka shumë fëmijë.

“Në fshatin tonë çdo familje ka 5 fëmijë e më tepër, atyre u duhet një mjek për t`i kontrolluar ata gjatë rritjes tyre, sidomos një stomatolog”, ka theksuar ai.

Ai ka theksuar se shumë banorë të fshatrave Barilevë dhe Bardhosh kanë shkuar për kontroll në Qendrën Mjekësore në Shkabaj, por në mungesë të stafit mjekësor ata janë detyruar të shkojnë në QKUK.

“Shumë herë këtu kanë ardhur banorë të fshatrave të tjera, por nuk ka pasur mjek dhe janë detyruar të shkojnë në qendrën kryesore për t`u kontrolluar”, ka thënë ai.

Kryetari i Bashkësisë Lokale në fshatin Bardhosh, Hetem Kupina, ka thënë se Komuna e Prishtinës do të ndërtojë një ambulancë të re në këtë fshat, e cila do t`i përmbushë kërkesat e qytetarëve, ndërsa objekti ekzistues do të rrënohet ose do të përdoret si stacion përcjellës i ambulancës. Ndërkaq Mustafë Shala, kryetar i Bashkësisë Lokale në fshatin Barilevë, ka thënë se qendra mjekësore që është në funksion në fshat ka vetëm dy mjekë dhe një pastruese.

“Aty punon një teknik, një mjek dhe pastruesja” ka thënë ai. “Objekti i qendrës mjekësore është i vjetër 70 vjeç dhe ka nevojë për objekt të ri”, ka shtuar ai.

Sipas tij, krerët komunalë në një takim që kanë pasur me banorët e fshatit Barilevë kanë treguar se do të bëhet ndërtimi i qendrës së re mjekësore ndërsa objekti ekzistues do të rrënohet. E Feim Osmani, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Besi, ka treguar se qendra e mjekësisë familjare në këtë fshat është në funksion që nga viti 1972 dhe i plotëson të gjitha kushtet për mjekimin e pacientëve.

Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës në muajt e ardhshëm do të fillojë ndërtimin e objektit të ri për ambulancën në fshatin Besi.

“Ka filluar tenderimi për ndërtimin e objektit të ri dhe ai pritet të ndërtohet në muajin tetor, ndërsa ndërtesa e vjetër do të rrënohet”, ka theksuar ai.

Në këtë kontekst Valbon Krasniqi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se ka filluar procesi i tenderimit për ndërtimin e qendrave të reja në fshatrat e kryeqytetit.

“Me mbylljen e tenderit do të fillojë ndërtimi i tri qendrave mjekësore familjare që do të plotësojnë të gjitha kushtet për banorët që kanë nevojë për mjekim”, ka thënë ai. “Me ndërtimin e qendrave të reja mjekësore do të mundësohet shtimi i stafit mjekësor dhe krijimi i hapësirave për pacientët”, ka shtuar ai.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 19°CI kthjellėt
Tiranė 19°CI kthjellėt
Shkup 22°CI kthjellėt
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell