• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Prodhuesit e verës kërkojnë përkrahje nga shteti

Publikuar: 19.06.2012 - 11:23

Rahovec,18 qershor - Gjendja aktuale e prodhuesve të rrushit dhe të verës në Komunën e Rahovecit cilësohet të jetë shumë e rëndë, madje me rrezik të përkeqësimit të kësaj situate. Këtë shqetësim e kanë ngritur drejtues të kompanive prodhuese të rrushit dhe të verës edhe përfaqësues të shoqatës kosovare të verëtarëve “Enologjia”. Gjatë takimit me kreun e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente të organeve drejtuese të shtetit të Kosovës, për krijimin e rrethanave lehtësuese për verën kosovare. Të njëjtët kërkojnë sensibilizimin të problemit të eksportit të verës në tregun evropian. Kryetari Latifi u premtoi atyre se mund të formohet një ekip për takime me ambasadorë, zyrtarë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, por jo edhe një ndihmë të drejtpërdrejtë nga ai.

“Unë do të jem në krah me ju dhe së bashku mund të krijojmë një bazë të komunikimit me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë për të sensibilizuar tregun e jashtëm. Ne mund të kontaktojmë zyrtarë të Komisionit Evropian, ambasadorë të vendeve të BE-së, takime me ministrat e Ekonomisë, Bujqësisë, Financave dhe ndonjë person me përgjegjësi të caktuara në vendimmarrje”, u ka thënë kreu komunal drejtuesve të kompanive prodhuese të rrushit dhe të verës, përfshirë edhe përfaqësues të shoqatës kosovare të verëtarëve “Enologjia”.

Hysen Geci, përfaqësues i kompanisë verëtare “Stonecastle”, ka thënë se çështja e kuotave të verës në tregun evropian mund të konsiderohet e mbyllur, pasi që kjo marrëveshje tashmë është e përfunduar. ”Duhet të bëjmë përpjekje që të arrijmë marrëveshje të re, ndonëse e kuptojmë se çështjet politike janë pengesë serioze. Ne duam të jemi të mbështetur përafërsisht siç i trajtojnë prodhuesit shtetet e rajonit. Po bëhet marketing joluajalë nga ana e kompanive të shteteve fqinje dhe këto kompani nuk paguajnë asnjë obligim ndaj shtetit të Kosovës”, është shprehur Geci.

Ndërkaq Halim Haxhijaha, nga ndërmarrja “Bodrumi i vjetër”, tha se mospranimi i shtetit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë dhe nga disa shtete të BE-së ka ndikim direkt edhe në bizneset e tyre. Ai thotë se po përballen me vështirësi të shumta, sidomos në çështjen e tregtimit të prodhimeve të verërava. ”Mbase do të duhej që të aplikoheshin modelet e disa vendeve fqinje që subvencionohen nga qeveritë e tyre. Copëzimi i parcelave dhe kultivimi i varieteteve jokualitative e  që nuk garantojnë cilësi të verës për eksport. Po përballemi me mbiprodhim, prandaj kërkohet një qasje ndryshe dhe hartim të politikave afatgjata të zhvillimit të këtij sektori”, ka deklaruar Haxhijaha.

Kryetar i shoqatës së verëtarëve të Kosovës “Enologjia”, Ismet Haxhimurati, tha se janë të vendosur që së bashku të bëjnë veprime që do të ndikonin në përmirësimin e situatës së 5000 bujqve që kultivojnë hardhinë, por edhe prodhuesve të verës. “Infrastruktura e ngritur ka qenë e kushtueshme rreth 200 milionë euro dhe dështimi në këtë sektor mund të sjellë pasoja të pariparueshme për ekonominë kosovare”, ka thënë i pari i verëtarëve të Kosovës. Kryetari Latifi propozoi  që të organizohen takime të ndara me disa prej ministrave të Qeverisë së Kosovës  e më pas të bëhet përpjekje që të takohemi edhe me zyrtarë të Komisionit Evropian.

Pronarë bodrumesh dhe zyrtarë të shoqatës thanë se do të kërkohet çështja e rimburësimit, përcaktimi i kuotave për tregun evropian, mbështetja dhe subvencionimi i vreshtarëve dhe verëtarëve. “Në këtë kontekst parësore duhet të jetë edhe  eliminimi i tregut joformal dhe ushtrimi i kontrolleve nga shteti”, thanë ata.

 

Komente (1)

Sallah Latifi 11.09.2012/12:12

Prodhues te nderuar me nevoitet prodhuesi gjegjesisht perpunuesi i kacave te venes rakis nese keni munci te me gjeni nje adres te tij e di qe jeton e vpron ne rahoves

1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 30°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell