• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Ekonomia britanike nuk pritet të përfitojë shumë nga Lojërat Olimpike

Publikuar: 13.08.2012 - 10:45

Londër, 13 gusht - Lojërat Olimpike përfunduan të dielën, ndërsa analistët thonë se ekonomia në krizë e Britanisë së Madhe nuk pritet të ketë ndonjë shtytje të madhe nga lojërat, që kanë qenë një triumf i madh për sportistët e shtetit.

Derisa sektori i ndërtimtarisë i Britanisë ka përfituar shumë para Lojërave Olimpike, ekspertët thonë se spektakli 17-ditor sportiv nuk ka ofruar ndonjë shpërblim të madh financiar dhe nuk pritet të ofrojë as në muajt apo vitet në vijim.

Mary Rance, shefe ekzekutive e trupit të turizmit "UKinbound", thotë se Lojërat Olimpike që u kanë kushtuar taksapaguesve 9.3 miliardë dollarë, kanë dështuar të çojnë përpara sektorin e saj.

"Nga këndvështrimi pozitiv, Lojërat Olimpike kanë qenë një katalizator për investime të mëdha në infrastrukturë të Londrës. Por të gjitha shenjat janë se Lojërat Olimpike nuk kanë sjellë vizitorë shtesë në Londër dhe Britani të Madhe. Në fakt, pritet që numrat të përfundojnë duke rënë deri në 30 për qind", ka thënë Rance.

Pas deklaratave në ditët e para të Lojërave se ato e kanë kthyer Londrën në një qytet fantazmë, kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka ftuar njerëzit "të kthehen sërish në kryeqendër".

Fjalët e tij duket se kanë pasur ndikim, pasi shitësit me pakicë në dhe rreth Rrugës Oxford kanë raportuar një rritje të shitjeve në ditët pas deklaratave të Cameronit.

Në ditët para Lojërave Olimpike, që nisën më 27 korrik, banorët e periferisë dhe turistët janë paralajmëruar që të qëndrojnë larg, nga frika se sistemi i transportit të Londrës nuk mund të përballojë miliona njerëz më shumë në kryeqendër.

Lojërat Olimpike gjithmonë janë vlerësuar si shtytje kyçe e ekonomisë, por trupi i industrisë "European Tour Operators Association" ka thënë se numri i turistëve kanë rënë "në mënyrë drastike" në ditët e para të Lojërave.

"Hotelet kanë ulur çmimet dhe shumë shitore, restorante, teatro dhe vende rekreacioni kanë përjetuar rënie të biznesit. Qendrat tregtare si 'Westfield Stratford City' që është afër Parkut Olimpik, kanë përfituar shumë, ndërsa në ditët e fundit vizitorët janë dukur se po kthehen në qendër të Londrës", ka thënë Rance.

Bizneset janë ankuar se janë lënë anash, derisa turistët kanë bërë një vijë të drejtë për Lojëra dhe kanë evituar atraksionet tjera në kryeqendër dhe destinacionet e shopingut.

Kryeekonomisti i "Bank of England", Spencer Dale, javën e kaluar ka thënë se Lojërat Olimpike do të ofrojnë "vetëm një kontribut të vogël" për ekonominë.

"Mund të ketë disa shpenzime ekstra në turizëm, por ka pasur pengime të udhëtimit, shumë njerëz po shkojnë në pushime. Mendoj se efektet janë të vogla. Por kontributet nga shitja e biletave dhe të drejtat televizive mund të çojnë në një shtytje shumë të vogël për GDP-në në çerekun e tretë", ka thënë Dale.

Zyra e Statistikave Nacionale ka thënë më parë se biletat olimpike të shitura vitin e kaluar do të inkorporohen në shifrat e produkteve vendore bruto në çerekun e tretë të vitit.

I pyetur për benefite të ekonomisë nga Lojërat Olimpike në periudhë më afatgjate, Dale ka thënë: "Këto lloje të efekteve është vështirë të zbulohen dhe nuk besoj se do të ketë ndikim material në projektimet tona", shkruan sot “Koha Ditore”.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CI kthjellėt
Shkup 31°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme