• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 205 *** 22:20    Anima *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Tadiq: Plani im katërpikësh më shumë se i dy Gjermanive

Publikuar: 29.10.2012 - 09:48

Zagreb, 29 tetor – Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë në një intervistë njëorëshe në televizionin e Kroacisë  në emisionin „Të dielën në orën 2“ se ai si president është angazhuar për sigurimin e rrugës së Serbisë drejt integrimeve evropiane, por edhe për pajtim me popujt e rajonit, përfshirë edhe shqiptarët. Tadiq gjatë kësaj interviste, në një mënyrë edhe duke u rrëfyer për veprimet e tij, ka thënë se nuk i vjen keq që ka ndihmuar në rehabilitimin e njerëzve të Milosheviqit dhe partisë së tij SPS, duke e krijuar me ta qeverinë. „Edhe nëna ime më ka kritikuar për këtë duke më thënë se si mund të bëj qeveri me njerëz që kanë shkaktuar luftërat dhe shkatërrimet. Por unë kam siguruar që edhe ata sot të jenë për integrime të Serbisë në BE, të jenë kundër luftës dhe të angazhohen për raporte të mira me fqinjët“, ka thënë Boris Tadiq, duke e konsideruar si meritë të tij edhe faktin se sot edhe ish-radikalët siç është presidenti Tomislav Nikoliq, të flasin me gjuhën që më parë e fliste Tadiqi, pra të jenë për integrime në BE.

Pjesa më kontroverse e kësaj interviste ka qenë ajo ku Tadiq ka shprehur mirëkuptim për deklaratat e pasardhësit të tij Nikoliq se „nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë“. Tadiq ka konfirmuar se si president i Serbisë as ai nuk ka thënë se ka pasur gjenocid në Srebrenicë dhe e ka arsyetuar këtë me pasojat ligjore që do të kishte Serbia. „Si president i Serbisë duhet të keni parasysh interesat e shtetit. Presidenti nuk është njeri i lirë që të flet çfarë ai mendon. Duke pasur parasysh proceset juridike ndërkombëtare që janë në zhvillim e sipër një president i Serbisë nuk mund të thotë se ka pasur gjenocid. Për këtë ne kemi pasur edhe mirëkuptimin e shteteve islamike“, ka thënë Tadiq, duke nënvizuar se ai në asnjë mënyrë nuk dëshiron të mohojë faktin se në Srebrenicë janë bërë „krime të tmerrshme për të cilat ai ka kërkuar falje“.

Duke folur për Kosovën ish-presidenti i Serbisë ka përmendur planin e tij katërpikësh për të cilin ka thënë se ofron një zgjidhje, e cila do të ndihmonte në pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe në normalizimin e jetës për të gjithë në Kosovë. Sipas Tadiqit, plani i tij është nisur nga dy parime dhe insistime. „Jam nisur nga qëndrimi i fuqive ndërkombëtare, të cilat e kanë në dorë fatin e Kosovës, e të cilat thonë se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Në anën tjetër nga qëndrimi i prerë i Serbisë se nuk mund të ketë njohje të Kosovës“, ka thënë Tadiq, duke sqaruar se ai ka propozuar që të ketë një status special për veriun, të ketë mbrojtje të serbëve edhe në pjesë tjera të Kosovës dhe të objekteve kulturore dhe fetare serbe, dhe që të ketë raporte normale mes Beogradit dhe Prishtinës. „Plani im është i ngjashëm me modelin e dy Gjermanive madje ofron dhe më shumë sesa ky model. Normalizimi do të ishte në interes të të gjithëve. Kosova dhe Metohia është një treg i natyrshëm për prodhimet nga Serbia, ndërsa Serbia është një mbështetje e natyrshme për shqiptarët“, ka thënë ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, duke folur të dielën në një intervistë në Televizionin e Kroacisë.  

 

Komente (2)

serengeti29.10.2012/17:55

Kan te drejte te endrrojne bile ndoshta edhe do tja arrijne sepse qeveri po oi jep shanse te mira.

Naser Gerdovci29.10.2012/13:37

Vertet eshte per cudi.Kosova i afrohet 100 njohjeve nga mbare bota e kta te mjere akoma mbajn shprese ne endrren e gomarit.

1000  Karaktere
Prishtinė 21°CI kthjellėt
Tiranė 21°CI kthjellėt
Shkup 23°CI kthjellėt
Prishtinė32°CMe diell
Tiranė34°CMe diell
Shkup36°CMe diell