• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Institucionalizimi i gënjeshtrës

Publikuar: 27.02.2013 - 18:21

1.

Të fillojmë nga fundi.

Në fund të procesit të tanishëm negociator mes Kosovës dhe Serbisë (që ende quhet “dialog”, për arsye të qetësimit të opinionit publik të të dyja vendeve), ka gjasa të mëdha që Bashkimi Evropian të propozojë që marrëdhëniet mes këtyre vendeve respektive dhe Bashkimit Evropian të ngrihen në një nivel më të lartë. Serbisë ka gjasa t’i ofrohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE e Kosovës, ka gjasa, t’i jepet data për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit.

Që të dyja këto, jashtë kontekstit të faktorëve të tjerë, janë lajme të mira. Për tërë rajonin, dhe jo vetëm Serbinë, është mirë që Serbia po ecën me hapa të shpejtuar, ndonëse shumë herë kundërthënës, prej një shteti fashist drejt një vendi me vlera evropiane. Për tërë rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën, është mirë që Kosova të fillojë, prej gjendjes së “vrimës së zezë”, fazën krejtësisht fillestare të integrimit, duke i përgatitur institucionet e veta për të qenë të afta që pas disa vjetësh, nëse kushtet e lejojnë , të fillojë edhe vetë negociatat për anëtarësim.

Të dy datat, pra edhe ajo premtuar Serbisë, edhe ajo premtuar Kosovës, do të duhej të vinin nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, deri në prill të këtij viti, mbi “normalizimin e marrëdhënieve”. “Normalizimi i marrëdhënieve”, gjykuar sipas prononcimeve të deritanishme (e në mungesë të informatave të tjera autentike) do të bazohet në një “modus vivendi” në pjesën veriore të Kosovës. Ky “modus vivendi”, për nga logjika e gjërave, po kërkohet jashtë (“pak më shumë”, “Ahtisaari plus”, “një çikëz më shumë”) Paketës së Ahtisaarit, që do të thotë Kushtetutës së Kosovës, meqë Paketa është integruar si pjesë e obligueshme në Kushtetutën e vendit.

2.

Nëse ky është fundi i këtij procesi negociator, atëherë si pozitive do vlerësuar dy efekte që i krijon. Së pari lëvizjen nga status-quoja e deritanishme e marrëdhënieve të ngrira në Veri të vendit që pak a shumë mbahen vetëm në saje të pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë. Së dyti, ingranimin e procesit të integrimit evropian si kute racionale matëse të zhvillimeve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Pra, me negociatat për integrim do shpresuar se Serbia do të sillet gjithnjë më pak si ajo e të së kaluarës dhe gjithnjë e më shumë si një vend me vlera evropiane. Dhe me negociata për MSA-në, gjendja në Kosovë do të vlerësohet më shumë me kriteret racionale të ndërtimit të institucioneve evropiane, e gjithnjë e më pak me kriteret e misioneve paqeruajtëse.

Për BE-në, ngritja e marrëdhënieve në këtë rrafsh e vë në pozitën e vet më të fortë të natyrshme. BE-ja nuk di të menaxhojë shtete (siç ka treguar me bollëk në Kosovë), por di që të nxisë transformimet e brendshme të shteteve që duan të integrohen në të.

Por, nëse ky është fundi atëherë “procesi i normalizimit” po e hap një periudhë të paqartë për Kosovën.

Në radhë të parë sepse “procesi i normalizimit” nuk kurorëzohet me një akt (traktat, marrëveshje ndërkombëtare) në të cilin ndodh vendosja e marrëdhënieve kontraktuale mes dy palëve, Kosovës dhe Serbisë (apo e triave, nëse përfshihet BE-ja). Procesi i “normalizimit”, i këtillë çfarë duket në këtë perspektivë të sotme, në vend të një akti përfundon me hapjen e një procesi tjetër, po ashtu të “normalizimit”. E kjo mund të thotë se Kosova mund të konsumohet edhe disa vjet rresht në një “proces të normalizimit” i cili, sikur edhe deri tani, pa parime udhëheqëse, do të trajtojë herë një temë e herë një tjetër.

3.

Nëse kjo do të jetë rrjedha e ngjarjeve, pra në vend të aktit të normalizimit do të kemi një proces të ri të normalizimit, do shikuar, përtej deklaratave politike, me kutet matëse racionale, se në çfarë gjendjeje do ta gjejë Kosovën fundi i kësaj faze të procesit të normalizimit.

Së pari ta shikojmë legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës. Vendi do të ketë po atë status legjitimiteti në organizata ndërkombëtare çfarë e pati edhe para bisedimeve. Aty ku është e mundur që të anëtarësohet me shumicë të thjeshtë votash, do të bëhet. Aty ku kërkohet konsensusi, apo pëlqimi i Serbisë, Kosova mbetet jashtë.

Pra, duhet të zhvillohen negociatat, pas këtyre negociatave, për të arritur legjitimitetin e plotë ndërkombëtar, përfshirë ulësen në OKB.

Së dyti, ta shohim dimensionin evropian. Në fund të kësaj faze të procesit, legjitimiteti i Kosovës karshi BE-së do të jetë krejtësisht i njëjtë sikur para fillimit të procesit. Për më tepër, Kosova, me negociatorët e saj, ka ndihmuar që dyshimet e pesëshes së BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës të përligjen në formë të fusnotës që përshkruan Kosovën si vend që për dikë është i pavarur e për dikë i administruar nga OKB-ja me Rezolutën e saj 1244.

Pra, pas përfundimit të kësaj faze të “normalizimit” do vazhduar negociatat në mënyrë që pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, pra edhe rrjedhimisht BE-ja, të njohin legjitimitetin dhe legalitetin e Republikës së Kosovës.

Në deklaratat e diplomatëve dhe të burokratëve të BE-së do të thuhet se Kosova ka ndryshuar substancialisht në marrëdhëniet e veta me BE-në, me fillim incizimin e gjendjes për liberalizim vizash dhe ofertën e mundshme për fillim të negociatave për MSA-në. Që të dyja këto, në fakt, janë shumë të rëndësishme, por nuk e ndryshojnë substancialisht marrëdhënien e Kosovës me BE-në. Ndryshimi mund të quhet substancial vetëm kur të ketë mbaruar procesi i negociimit dhe Kosova (me merita të vetat, natyrisht) të jetë në gjendje të nënshkruajë MSA-në , e të 28 vendet e BE-së të jenë në gjendje që këtë nënshkrim ta ratifikojnë.

Fundi i kësaj faze të “normalizimit” e gjen Kosovën (me fusnotë) afërsisht aty ku ishin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pas Samitit të Selanikut që ndodhi më 2003, fiks para dhjetë vjetësh.

4.

Por, përtej gjendjes së legjitimitetit të pandryshuar ndërkombëtar, të një rëndësie jetike do të jetë kuti matës i funksionalitetit të brendshëm.

Pyetja është, pra, sa do të jetë Kosova shtet më funksional në fund të këtij procesi se para tij?

Për të dhënë përgjigje nevojitet një skicë me vija të trasha. Deri më sot Veriu i vendit është administruar në mënyrë faktike nga Serbia. NATO-ja ka shërbyer aty për të mos lejuar përligjen formale të një shtrirjeje të këtillë të sovranitetit të Serbisë. Procesi i “normalizimit”, ashtu siç shpjegohet nga negociatorët, po kërkon një shteg të mesëm mes gjendjes faktike dhe rregullimit kushtetues-juridik të Kosovës. Kjo do të thotë se po kërkohet një “kompromis i dhimbshëm” mes ndërhyrjes së Serbisë në sovranitetin e Kosovës dhe Paketës së Ahtisaarit.

Rezultati mund të jetë një “Ahtisaari plus” dhe këtu ka dy probleme.

I pari është se Paketa e Ahtisaarit është tashmë kategori kushtetuese e Kosovës; ndërhyrja në të nënkupton nevojën për një proces të veçantë , të ndërlikuar, të ndryshimeve kushtetuese.

I dyti është se Paketa e Ahtisaarit është edhe ashtu një kompromis mes negociatorëve ndërkombëtarë dhe atyre kosovarë, një kompromis që mbërrin tehun e rrezikshëm te kufijtë e funksionalitetit të shtetit në materien e të drejtave të minoriteteve. Ndërhyrja në këtë Paketë mund ta çojë drejt paralizimit funksionimin e shtetit.

Kjo është sa i përket formës. Tash sa i përket substancës. Nëse është e vërtetë se palët negociatore janë afër kompromisit dhe se kompromisi nënkupton njëkohësisht suspendimin e ndërhyrjes së Serbisë në sovranitetin e Kosovës në Veri (apo kudo që ka serbë) dhe suspendimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Veri (aty ku nuk është i mundur implementimi pa forcë) atëherë kompromisi në Veri do të jetë vendosja e një sistemi të veçantë administrimi.

Në mungesë të njohjes nga ana e Serbisë se Kosova ka sistemin e vet kushtetues juridik, dhe duke kërkuar kompromis, është fare e mundur që ky sistem i veçantë i administrimit në Veri të jetë objekt i “ambiguitetit kreativ”. Kjo do të thotë që kryeministri i Kosovës të deklarojë në fund të procesit se Veriu po integrohet me sistemin ligjor të Kosovës e kryeministri serb të deklarojë se strukturat e reja do të vetadministrohen derisa të mos vendoset statusi i Kosovës.

Ambiguiteti është fare i mundshëm dhe lehtë i paramenduar  me atë që tashmë është shpallur si e pranueshme për Kosovën, Asociacionin e komunave serbe të Kosovës. Për Brukselin kjo mund të jetë një lloj OJQ-je, për Prishtinën po ashtu (të bindur nga Brukseli, për më tepër duke e gjetur këtë formulim në Kushtetutën e Kosovës) , por për liderët serbë në Veri dhe për Beogradin zyrtar mund të jetë një formë elegante e vendosjes së rrafshit të tretë të pushtetit. Pra, në mes të pushtetit qendror dhe atij komunal, të vendoset rrafshi i pushtetit të një autonomie territoriale-politike serbe në Kosovë.

Ky Asociacion (Autonomi) mund t’i shfrytëzojë disa përparësi, që tashmë janë precedencë juridike.

Fillimisht, të shfrytëzojë ato provizione të Ahtisaarit që i konvenojnë (për shembull, vendosjen e sistemit të arsimit sipas planprogrameve të Serbisë, pa pasur nevojë që të respektojë provizionin tjetër , që kërkon pëlqimin e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës), dhe kështu të përligjin forcën e vet ekzekutive.

Pastaj të shfrytëzojë precedencat juridike të “bisedimeve teknike” , ku Kosova ka pranuar që të administrojë bashkërisht me Serbinë dokumentet e veta civile dhe kadastrale. Pra, Asociacioni (Autonomia) mund të shpallë se gjendet në hapësirën juridike të suzerenitetit, ku formalisht respektohen edhe sistemi juridik i Kosovës edhe ai i Serbisë, sipas konveniencës.

Dhe, pastaj të shfrytëzojë të arriturat e “dialogut politik”, si për shembull Fondin për Veriun, i cili mblidhet në pikat doganore 1 dhe 31 dhe që në shpjegimin e ekonomistëve (me faktin se mblidhet në formë të veçantë, për një territor të veçantë që do të administrohet në formë të veçantë) quhet buxhet.

Nëse Asociacioni vendos që të emërtojë një ekzekutiv, e të marrë vendime që nuk i pëlqejnë Qeverisë në Prishtinë , është vështirë e paramenduar se ekzekutivi i Prishtinës do të dërgojë policë kundër ekzekutivit të Asociacionit. Madje, Asociacioni do t’i ketë policët e vet, që Prishtina zyrtare do t’i konsiderojë si të Republikës së Kosovës. Dhe gjyqet e veta, që Prishtina zyrtare do t’i konsiderojë si të Republikës së Kosovës.

Përgjigjja për pyetjen e fillimit, pra , a do të jetë Kosova më funksionale pas se para “procesit të normalizimit” duket se po ravijëzohet vetvetiu me një jo të madhe.

5.

Së fundmi, të përdorim kutin matës të demokracisë. A do të jetë Kosova më demokratike se deri tani?

Në jetën politike të brendshme, deri tani, procesi  i “normalizimit” e ka institucionalizuar gënjeshtrën. Kryeministri i vendit ka vendosur së paku tri vija mbrojtëse (“të kuqe”): “nuk do të ketë negociata politike”, “nuk do të bisedojmë për rregullimin e brendshëm”, “nuk do të bisedojmë për Veriun”. Që të tria janë të vërteta vetëm nëse u hiqet fjala “nuk”.

Institucionalizimi i gënjeshtrës qe i mundshëm për shkak të mungesës së relevancës së Kuvendit të Kosovës. Negociatat me Serbinë filluan para se këtë ta miratonte Kuvendi i Kosovës; edhe kur këto negociata i miratoi Kuvendi dha disa udhëzime se për çka duhet e për çka nuk duhet negociuar, që janë treguar krejtësisht jorelevante.

Kuvendi nuk ka relevancë , në radhë të parë , sepse nuk është produkt i zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Zgjedhjet që prodhuan këtë Kuvend pësuan deformim serioz , me vota të vjedhura. Votat ishin të vjedhura në formë të organizuar. Vjedhja e votave është krim, vjedhja e organizuar e votave është krim i organizuar, ky Kuvend është produkt i sulmit të krimit të organizuar mbi të drejtën demokratike të votës së qytetarit.

Institucionalizimi i gënjeshtrës qe i mundur pas institucionalizimit të vjedhjes së organizuar të votave.

Nëse është kështu, atëherë si është e mundur që kryeministri i një vendi që u emërua në masë të madhe në saje të veprimit të krimit të organizuar arrin të bëhet interlokutor i Bashkimit Evropian?

Sepse interesi parësor i procesit të “normalizimit” të Bashkimit Evropian në këtë fazë ka qenë “realpolitik”, mundësia e ingranimit të Serbisë brenda procesit negociator të integrimit. Si produkt përcjellës, u manifestua edhe nevoja që Kosova të fillojë disi procesin e racionalizimit të marrëdhënieve të veta me BE-në.

Dhe, nëse çmimi për këtë ka qenë “normalizimi” i marrëdhënieve me një kryeministër të prodhuar nga veprimi i krimit të organizuar, atëherë këtë çmim e kanë paguar pa ndonjë dhimbje. Fundja, puna e diplomatëve evropianë jo rrallë është kontakti me patologjinë sociale të vendeve në krizë.

Nëse procesi i “normalizimit” ende e mban të hapur konfliktin me Serbinë, e nëpërmjet të tij edhe me pjesën e Veriut të Kosovës , atëherë ka gjasa që demokracia të jetë viktimë e përsëritur. Po të ishte e kundërta, po të arrihej një mbyllje e konfliktit me Serbinë, BE-ja do të kalonte vëmendjen e saj prej departamentit të pengimit të konflikteve në atë të ndihmës për transformim.

Të dyja nuk shkojnë së bashku. Siç u pa në formë ilustruese, Kosova me strukturë udhëheqëse të dalë nga veprimi i krimit të organizuar është e mirë për Brukselin kur duhet negociuar me Serbinë. Por ,Kosova me strukturë udhëheqëse të dalë nga veprimi i krimit të organizuar nuk është e mirë për Brukselin kur duhet bërë hapa përpara në liberalizim të vizave.

6.

Kur të përfundojë kjo fazë e procesit negociator, a do të jetë më lehtë a vështirë për Kosovën në procesin e ardhshëm negociator?

Varet se çka dëshiron Kosova. Objektivi i deritanishëm i Kosovës në negociata ka qenë i një mbrojtjeje abstrakte; në asnjë dokument të vetin Kosova nuk tregon çka dëshiron të arrijë, në të gjitha tregon se çka nuk do të lejojë që të mbërrijë Serbia (duke i shkelur ndërkohë edhe ato zotime). Objektivi tjetër ka qenë protagonizmi: fotografimi për album historik , dhe siç thamë në rastin e kryeministrit, “normalizimi” i marrëdhënieve të tij personale.

Me këso objektivash Kosova në proceset e ardhshme negociatore nuk do ta ketë shumë vështirë. Mund të përsërisë se qëllimi i fundit i këtij procesi është njohja nga Serbia dhe ky qëllim është i arritshëm edhe pa negociata ngase Serbia do të jetë e detyruar ta bëjë këtë një ditë para aderimit në Bashkimin Evropian, diku në fund të dhjetë vjetëve të ardhshëm.

Por nëse dëshiron realisht të mbrojë ndonjë interes të vetin, që nga çështja e Fondit pensional të Kosovës të vjedhur prej Milosheviqit e deri tek e drejta për pjesëmarrje të papenguar në organizata ndërkombëtare, Kosova do ta ketë gjithnjë e më vështirë në negociata. Niveli evropian i tolerancës ndaj Serbisë është në rritje e sipër, siç dëshmohet me procesin e deritanishëm negociator. “Normalizim” ka gjasë të quhet çfarëdo që të mbërrijnë si marrëveshje kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, pa marrë parasysh sa jofunksionale të jetë.

Nëse kurorëzohen premtimet e BE-së, në qershor të këtij viti Brukseli do të fillojë negociata me dy shtete që kanë ndryshuar rrënjësisht rolet dhe perceptimin e tyre në Evropë. Do t’i fillojë negociatat me një shtet që nuk është më i zënë nga krimi i organizuar, por lufton kundër tij (Serbia). Dhe do t’i fillojë negociatat me një shtet (Kosova) që nuk është më viktimë e krimit të një shteti tjetër (Serbisë), por qeveriset falë zaptimit të shtetit, nga krimi vetjak i organizuar.

Në këso kushte, pozicioni negociator i Kosovës vetëm sa mund të bjerë.

7.

Në fund të këtij procesi, pas valës së zakonshme të kërcënimeve e qortimeve ndaj atyre që shpallin çfarëdo kritike ndaj negociatave (“si mund të jeni kundër dialogut?”, “si mund të mos na besoni, kur ne ju bëmë të pavarur?”) besoj se do të vijnë edhe interpretimet me tone optimiste nga diplomatët evropianë dhe burokratëve të BE-së.

Optimizmi do të përqendrohet tek besimi, ndoshta i shtirur, ndoshta i sinqertë , se gjërat do të lëvizin nga vendi, se perspektiva evropiane i ndryshon gjërat. Disi do të ndodhë edhe në Serbi, edhe në Kosovë, shpresojnë.

Përgjigjja që duhet ta marrin që tani është se procesi i negociatave gjithsesi duhej të ndodhte. Por shumë më i thelluar dhe i pjekur se deri tani, me qëllim që konflikti mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë, në mënyrë që , të papenguar nga konflikti këto shtete të ecin drejt perspektivës së tyre evropiane.

Në vend të një procesi të këtillë , ka gjasa që e tëra të përfundojë me shumë më pak se ç’është e nevojshme për normalizim.

E në mungesë të instrumenteve shtetërore dhe diplomatike, pak mund të bëjë optimizmi i “perspektivës evropiane”. Për këtë burokratët e Brukselit nuk kanë nevojë të japin leksione: le të shikojnë se sa i ndihmoi perspektiva evropiane bashkimit të Qipros.

Komente (12)

dosti28.02.2013/10:23

Sa here qe dua te kuptoj gjendjen reale te vendit i lexoj me vemendje shkrimet e ztr. Surroit, i cili per fatin tone te keq me pak eshte i pranishem ne jeten politike. Ky titull i ketij artikulli flet shume INSTUTCIONALIZIMI I GENJESHTRES. Tashme vertet eshte bere standart kjo pune. E vertet absolute eshte se edhe do te kete negociata pas negociatave qe do te thote se ne te ardhmen priten edhe kompromise tjera. Kryeministri po na rren, ne po e dime, po na demton,edhe kete po e dime,por prap po votohet. Ne duhet te jemi shume te shqetesuar jo per qeverine por per shoqerine, sepse pjesa me e madhe e fajit eshte te shoqeria edhe pse Vetoni e di kete por kursehet ta thote. Neve na u ofrua programi politik i partise ORA ku do te shpetoheshin ndermarrjet shoqerore me mundesi qe qytetaret te jene bashke aksionar ne ato kompani. Na eshte ofruar nje progrm me i miri deri me tani. E shumica e shoqerise nuk e pranoj ate.Neve sikur duam te na genjejne te na mashtrojme,ket e ka kuptuar edhe Hashimi

A ka drite ne fund ttunelit ?28.02.2013/10:21

Duke u nisur nga fakti qe, ne perqindje te madhe jemi popull me pikpamje rurale, ska se si te na behet ndryshe. Qe nga 2006 na kan kapluar "ret e zeza" te krimit te organizuar. Jemi duke vazhduar te durojm dhunimin e mendjes son te shendosh, qe po na bejne kriminelet rural me organizim perfekt per mbrapshtina. Nese preket Pakoja e Ahtisarit kjo dmth vazhdimin e vuajtjeve tona ne pa kufi. E per te maskuar kriminalitetin e tyre, keta ne pushtet ashtu servil siq jane Brukselit dhe munde te bejn leshime e te na i katandisin edhe jetet e sterniperve. Diplomatet amerikan dhe europian duhet ta kuptojn se nuk ka rahati edhe per Europen nese Kosoven e menagjojne kriminelet te organizuar. Ashtu qe, duhet sa me shpejt te nderpresin perkrahjen ndaje "Georg Washingtoneve Kosovar". Nuk po e rrok logjika kete. Kriminelet e kane vednin ne burgje dhe institucione korektuese e disave dhe ate sheruese psihatrike.

MR GQ England 28.02.2013/09:28

Rrespekt per Z Surroi, ama perse pothuaj kurr nuk po del ne menyr te hapur per ta qortu ket Qeveri ... esh. Zotri un e di qe ti ke influenc shum te madhe ne mekanizmat nderkombtar e ather perse nuk e perdor at influenc per ta rrezuar Thaqin? Po deshen njerzit me influenc me e nderru regjimin ne Kosove kjo behet brenda nje muaj, Qeveria esht e pist edhe ka mundesi me e rrezu. Perdore influencen tate dhe ndihmoj popullit tend O zotri Surroj

baci28.02.2013/02:35

po fleni ju nuk po interesohni asnja pr popull

Mitrovica28.02.2013/01:36

Qfardo levizj enga Ahtisari plan..do thot Bosnje e dyte ..Ose shkurt Kosova me sdo te jet shtet ..kjo eshte e ditun e kush e pranon deshiren e Serbis nuk e di ..

bashkimi28.02.2013/00:44

Po Zoti surroi megjith respektin per ju por syt pastrohen né menegjes per me pa ma mir ju percjell gjithmon né analizat é tua shkrimet etua por reagimi Juaj shum i vonuar besoni qe para dy dite pi them vetes Ku humbi Zoti surroi ne ket koh negociatash dhe ia sot shkrimi Juaj zoti surroi julutem kosova ka nevoj per informacione shtes ju jeni aj qe mund ta informoni ket popull ne ksi koh teveshtira prandaj julutemi reagoni me heret me shkrime e analiza dhe me mendjempretsin qe keni pershendetje

yzil prizren27.02.2013/21:47

S'është vonë z.Veton të angazhoheni,psh nga dita e sotme në Lëvizjen VV,mundësisht të bindni edhe ekspertë dhe profesionistë tjerë të nivelit europian,dhe së bashku me parti të orijentimit të djathtë,të fitohen zgjedhjet e ardhshme.Badihava anash...

Driton Bakija Gjakove 27.02.2013/21:42

Veton Surroi shkrim yte ja vlene te lexohet.Analize shume e mire dhe shume reale ne marredhmjet ,Shqiptaro Serbe qe jane sot ku dyja palete duhet ta gjejne nje gjuhe bashkupunimi ku pala ,Kosovare duhet te beje nje kropomise te dhimbisheme.

Dini4527.02.2013/21:00

Te perpiqet njeriu qe ndonjerin nga parashikimet e z.Surroi ta kundershtoi apo edhe, vetem sa ta neglizhoi, kujtoj se eshte e pamundur. Perkufizimet ne menyre aq objektive e carmatosin edhe kundrshtarin. Nderkohe qe, kam friken, se ky Veshtrim eshte paksa i vonuar. Dhe, vonesat e tilla nuk e besoj se i bejne nder as z.Surroi dhe as atyre qe thjesht nuk kerkojne konsultime, ne rastin konkret z.Thaci. Apo, mbase, ne qytetaret e rendomt, edhe nuk jemi aq te informuar, neqoftese e gjithe situata eshte analizua dhe qeverisja do jet, jo e kanosur, nga i ashtuquajturi relacioni i trete. Sido qe te jet, perfundimisht, po dihet se ku eshte i piketuar synimi i Serbise dhe se ne cka duhet pala kosovare, sepakut, qe te veje vijen e kuqe. Aq me teper kur shume diplomate eurpiane, jo njehere, kane deklarua se nuk do te lejohet edhe nje Qipro ne BE dhe as nje bosnizim i dyte ne Europe. Fundja biseda e mbremshme e z.Thaci me z.Burns, mbase, e kishte kete qellim. Po Serbia, ka ndonje telashe...?

shaban prishtina27.02.2013/20:49

Eshte kohe e pakohe,sherri qe na vjen nga lloji jone eshte shume ma i keq se sherrin qe e kemi pase.Ne se keta jan kontribues per te mire,ose kan qen ndoniher ateher une jam!?Ne Kosove nuk ka intelektual guximtar jan te friksuar nga likuidimi me shume se ne kohen e ... t...

ibrahim27.02.2013/20:16

Eshte dashur zoti surroi ta mendoje kete qysh ne rambuje dhe ne vjen plani atisari.nje pjes te fajit bile aq sa thaqit te bie edhe ty.

sara xhaferi27.02.2013/19:49

I nderuar Veton nje pershkrim i nje situate qe po ndodhe pa asnje pikedalje,bisedat po shihen qe jane te demshme per shtetesine e Kosoves por qka duhet bere qe keto biseda te mos e demtojne kete shtetesi.Pse ska propozime konkrete nga ju qe keni qene njeri nga protogonistet kryesor ne negociatat e dritashmeRugovaMillosheviq,Rambuje,Vjene,bile edhe ne Oher,negociator i permasave kombetare,dhe ja ku ke mbaruar ne nivel te nje analisti pasiv.Pse se aktivizove tere rrjetin tend qe se ke te vogel qe te krijosh nje orientim strategjik ne kete proces fundamental per te ardhemen e shqiptareve dhe ne veqanti per Kosoven.Apo edhe ti je hujit qe s je i perfeshire ne ndonje pozite qeverisese.S po besoj qe egoizmi i nje njeriu qe pretendon te jete i permasave kombetare te lejoj te udheheqet nga keto vese,por heshtja jote dhe pasiviteti jane ne kundershtim te plote me logjiken qe do duhej ta ndjekesh si nje negociator kyq i ngjarjeve historike qe kane ndodhe ne pranine tone. A ndjen pergjegjesi objektive para opinionit publik shqiptar por edhe nderkombetare,per kete pasivitet te paspjegueshem tuajin,s majfton per ty qe vetem te i komentosh ndodhite me nje artikull ne Kohen gazete e krijuar nga ti.Kete pune e kane gazetaret analistet bile tash edhe ne komentuesit po bejme diqka ne kete drejtim.Ty te takon me ngulm me orjentuar drejte dialogun me pervojen tende jo te paket te keshillosh per kurthet diplomatike te pergatisesh terenin taktik she strategjike qe ne te dalim faqebardhe nga keto negociata.Po shpresoj se s eshte akoma vone te aktivizosh ndergjegjjen e fjetur intelektuale politike dhe publike te njerezve tonemeqellim qe te kundervihemi me forcen e publikut racional margjinalizimit intelektual te popullit tone.

1000  Karaktere
Prishtinė 29°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 29°CI kthjellėt
Shkup 31°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell