Kryeqyteti ende pa sistem të unifikuar të adresave

Artikujt tjerė
- Suspendohen dy policë lidhur me arrestimin truprojave të Vulinit
- Katër të mitur të dyshimtë për dëmtim varrezash
- Kolegët përkujtuan gazetarin Hamdi Sopa
- Vulin viziton varret në Kosovë me leje të Qeverisë
- Ministri Buja në Forumin Botëror të Arsimit
- Kryeqyteti ende pa sistem të unifikuar të adresave
- Reforma zgjedhore e kushtetuese, atje ku nisi para dy vjetësh
- Thaçi e njoftoi Jahjagën për takimin me Daçiqin
- U nënshkruan dy procedurat standarde për menaxhimin e kufirit
- Në Topillë të Shtimes zbulohet një shpellë mermeri
Prishtinë, 30 janar- Mungesa e sistemit të unifikuar të adresave po iu shkakton probleme kryeqytetasve.
Astrit Hasani, këshilltar komunal nga radhët e AAK-së, është ankuar se për mungesë adrese dhe numri ka pasur vështirësi në komunikim më një universitet të jashtëm.
Ai ka kërkuar sqarim nga komunarët pse ende nuk ekziston një sistem i tillë.
E për mungesë të një veprimi institucional, qytetarët detyrohen që vetë t`i shënjojnë vendet e banimit të tyre.
Agon Hyseni, banor nga lagja Lakërishte ka thënë se në objektin të cilin ai banon banorët janë detyruar që numrin ta shkruajnë me ngjyrë.
Ne jemi detyruar numrin e objektit të banesës ta shkruajmë me ngjyrë, i cili herë pas here edhe fshihet, e kjo nuk është në rregull, sepse kjo është kompetencë e Komunës që të vendosë numra adekuatë, sepse po na dalin probleme edhe për fatura, pastaj edhe me çdo gjë, ka thënë ai.
Ndërkaq, një tjetër qytetare ka thënë se një problem i tillë më i madh është për turistët dhe banorë të vendeve të tjera që vijnë në kryeqytet.
Për ne që i dimë emrat e vjetër të rrugëve dhe numrat si i kemi pasur dikur nuk është edhe aq problem, sepse gjendemi disi, mirëpo për njerëz të ri që vijnë për të jetuar në kryeqytet, e edhe për njerëz të huaj e turistë, kjo sigurisht që është shqetësuese, ka thënë Elmaze Duraku, banore në lagjen Dardania.
E Muhamed Krasniqi, drejtor i shkollës së lartë profesionale Tempulli, ka thënë se kjo çështje paraqet problem për qytetarët.
Për shkak të ndërtimeve të shumta që po ndodhin është paraqitur kërkesë e madhe për numrat e tabelat, por për një qytet me ndërtime të reja kjo është normale, ka thënë ai, duke theksuar se në lagjet ku ekziston plani rregullues nuk do të ishte e drejtë të mungonin numrat e objekteve dhe të banesave.
Ka mungesë të theksuar të tabelave në përgjithësi në Prishtinë dhe kjo çështje paraqet problem, sepse më lehtë mundesh me e gjet një adresë në bazë të emërtimeve ashtu si kanë qenë të paraluftës, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës duhet me e shpallë një projekt, të paktën në pjesët ku kanë përfunduar ndërtimet e reja, që të ketë tabela dhe shenja adekuate.
Tash nuk është e mundur një adresë me u gjet me emërtime të reja, sepse nuk janë shoqëruar edhe me numra, bile rastis kur 3 shtëpi të kenë numrin e njëjtë, ka thënë ai, duke theksuar se kjo ndodh më së shumti në lagjet ku ka objekte kolektive, si në lagjet Ulpiana, Dardania, Bregu i Diellit dhe të tjera.
Ndërkaq, Agim Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka thënë se procesi për vendosjen e tabelave për emërtim të rrugëve është pothuajse i përfunduar. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se kanë problem me hartat e mangëta.
Ndërkaq, për numrat e objekteve ai ka thënë se po presin projektin e regjistrimit kadastral.
Habib Qorri nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës ka thënë se çështja e vendosjes së tabelave të rrugëve është në përfundim e sipër.
Tabelat e reja i kemi përfunduar gati për të gjitha rrugët, në këtë projekt janë përfshirë 800 tabela dhe kanë filluar të vendosen nga viti i kaluar, e brenda një kohe të shkurtër do të vendosen edhe 100 tabela të rrugëve që kanë mbetur pa u vendosur, për shkak se ato rrugë janë të reja dhe tash do të vendosen edhe hartat, ka thënë Qorri.
Ndërkaq sa u përket numrave, ai është një projekt tjetër mes Komisionit Evropian dhe Drejtorisë së Urbanizmit, ka shtuar ai, duke bërë të ditur se tabelat për emërtimin e rrugëve i kanë kushtuar Komunës 33 mijë euro dhe janë dy lloje, të krijuara me dimensione standarde.
Ndërkaq Asdren Osaj, zëdhënës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Komuna ka filluar zbatimin e projektit të mbështetur nga Komisioni Evropian, që ka të bëjë me piketimin e numrave të adresave të çdo shtëpie, hyrje të banesave apo edhe objekteve të tjera banuese apo afariste në tërë territorin e Komunës së Prishtinës.
Sipas tij, ky proces ka filluar nga lagjja Arbëria dhe brenda një afati prej 2 muajsh do të bëhet dorëzimi dhe përpunimi i të dhënave rreth adresave të gjithsecilit qytetar.








lika30.01.2013/13:18
Aiiii,pune e madhe, shkruje te shitesi i duhanit perballe shitesit te kallamoqit. Ton i njohin ata...