• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Kosova e Shqipëria bashkojnë forcat në kardiokirurgji

Publikuar: 31.10.2012 - 10:25

Prishtinë, 31 tetor – Shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sipas deklaratave të dy ministrave të Shëndetësisë, Ferid Agani, (Kosovë) e Vangjel Tavo (Shqipëri), do të ngrenë në nivel më praktik bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë të këtyre shteteve. Ngritja e bashkëpunimit do të fillojë me hapjen e Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) që, sipas ministrit Agani, do të bëhet me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kur edhe do të lëshohet solemnisht.

Agani ka thënë se në fillim të punës do të marrin mbështetje nga kardiokirurgët e Shqipërisë, të cilët do të bëjnë operacione të hapura të zemrës bashkë me mjekët kosovarë. Objekti ku pritet të fillojë ky shërbim dhe i cili është vizituar nga dy ministrat, të martën, sipas ministrit, tashmë është pajisur me mjete e aparaturë, porse deri në lëshimin e tij do të pajiset plotësisht dhe do të jetë me standarde të plota.

Agani ka theksuar se hapja e Shërbimit të Kardiokirurgjisë mundësohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Qeveria e Italisë, e cila për këtë qëllim ka dhënë një donacion prej 3 milionë eurosh, një pjesë e të cilave, 1.3 milionë euro tashmë janë vënë në konto të MSH-së. Ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Vangjel Tavo, ka theksuar se mbështetja e kardiokirurgëve nga Shqipëria do të jetë aq e gjatë, derisa të ndodhë specializimi i plotë i mjekëve kosovarë.

“Mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë, tashti kur kufijtë janë virtualë dhe jorealë, janë më të mëdha se kurdoherë më parë, prandaj, pos bashkëpunimit në fushën e kardiokirurgjisë, do të bashkëpunojmë edhe në fushën e onkologjisë dhe në rrafshe të tjera”, ka thënë Tavo.

Ai ka treguar se ministritë e dy shteteve kanë themeluar grup  ekspertësh të cilët do të ndihmojnë për shëndetin kombëtar. “Ekspertët e Shqipërisë do të mbështesin shëndetësinë kosovare në fushat ku Kosova ende është në zhvillim e sipër, si edhe ekspertët kosovarë do të ndihmojnë në shëndetësinë e Shqipërisë, aty ku ka nevojë”, ka theksuar Tavo, teksa ka shtuar se me fillimin e punës së Shërbimit të Kardiokirurgjisë në Kosovë operacionet do të kryhen nga kardiokirurgët e Shqipërisë, të ndihmuar edhe nga mjekët shqiptarë të Kosovës.

Ministri Tavo, ka thënë se tashti pasi të hapet konkursi për specializime mjekësore në Tiranë, edhe mjekët kosovarë do të kenë mundësi të specializojnë atje. Ministrat e dy shteteve, Agani e Tavo, janë takuar fillimisht në objektin e Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, ku kanë mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi, ndërsa më pas, bashkë me drejtorin e QKUK-së, Nijazi Gashi, kryetarin e Bordit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Ramush Beiqi, e të tjerë, kanë vizituar objektin ku do të lëshohet ky shërbim e për të cilin ka dhënë shpjegime, Beiqi. 

Agani ka shfrytëzuar rastin që ta promovojë edhe Ligjin për shëndetësinë, i cili, sipas tij, do të miratohet në gjysmën e nëntorit. “Dita e miratimit të Ligjit për shëndetësinë nga Kuvendi i Kosovës do të jetë ditë që shënon reformat pozitive shëndetësore në Kosovë”, ka thënë Agani, derisa ka shfaqur besimin se për miratimin e tij janë shumica e deputetëve të Kosovës. Kjo, sepse, siç ka thënë ai, në sistemin shëndetësor të Kosovës vazhdon të ketë mungesa të konsiderueshme, “deri edhe në sabotim të punës”.

Agani, duke folur për shqetësimet e ngritura se Ligji për shëndetësi pa u miratuar Ligji për sigurime shëndetësore do të jetë i kotë, ka thënë se në gjysmën e vitit 2013 do të miratohet edhe Ligji për sigurime shëndetësore që, sipas tij, është në harmonizim edhe me Bankën Botërore të Shëndetësisë, si edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.  Për nenin e diskutueshëm 41 të Ligjit për shëndetësi, ku parashihet konflikti i interesit dhe sipas të cilit mjekët duhet të vendosin se ku duan të punojnë, në sektorin publik apo në atë privat, Agani ka theksuar se është arritur një marrëveshje.

“Ky nen do të nisë të zbatohet në fillim të vitit 2014, kurse viti 2013 do të jetë një distancë kohore, kur mjekët do të binden se do të mundë të funksionojnë në sektorin publik”, është shprehur ai. Agani ka shpjeguar edhe pjesë të tjera të ligjit, të cilat, siç është shprehur ai do ta ndryshojnë fuqishëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

 

Komente (1)

Atdheu31.10.2012/11:45

Bashkoni forcat sa të doni. Por kur të shkon dikush në Tiranë për intervenim, jo vetëm në ... diokirurgji, por intervenim mjekësor për çkado, vaj halli per te nëse nuk ka pare.Ai që nuk ka pare do të vdesë në hyrje të spitalit. Dashtë zoti e askush tës bahet per mjekë, por poashtu dashtë zoti e të mos na le pa ta. thotë populli.

1000  Karaktere
Prishtinė 21°CI kthjellėt
Tiranė 21°CI kthjellėt
Shkup 18°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme