• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 19:55    Moti *** 20:00  Oxygen  *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Glorifikimi i luftërave pushtuese, mesazh i keq për rajonin

Publikuar: 29.10.2012 - 09:36

Prishtinë, 29 tetor – Shënimi i datave të Luftës së Parë Ballkanike në Maqedoni ka nxitur reagime në Kosovë. Shkak është gjetur tek ceremonia e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës Ballkanike në Zebërnjak të Kumanovës dhe deklarimet e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq.  

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka quajtur mesazhe të këqija për rajonin deklarimet e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ndërkaq lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se deklarimet e presidentit serb paraqesin kthesë te Lufta e Parë Ballkanike, njofton sot “Koha Ditore”.

Presidenti serb, Nikoliq, të dielën, në kuadër të vizitës në Maqedoni, ka marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës Ballkanike në Zebërnjak të Kumanovës.

Ai ka theksuar se me Luftën e Parë Ballkanike dhe forcat e bashkuara ballkanike u çlirua Maqedonia e cila ishte nën sundimin otoman. Ai ka nënvizuar se Maqedonia nuk do të formohej në rast se në këtë luftë nuk do të ishte fitorja e forcave të bashkuara ballkanike të udhëhequra nga Serbia.

Luftën e Parë Ballkanike, Nikoliq e ka vlerësuar si luftë çlirimtare jo vetëm për Serbinë por edhe për vendet e tjera Ballkanike, sepse, sipas tij, pas 500 vjetëve ishin çliruar Shkupi, Manastiri, Kumanova dhe qytete të tjera. "Liria nuk fitohet brenda natës. Unë nuk di se cilën datë e cilësoni si datë të çlirimit, vitin 1945, 41 apo 1912, apo edhe dita kur dolët nga ish-Jugosllavia federale. Nuk di për ju, por mund të them se çlirimi juaj filloi me Luftën e Parë Ballkanike", ka theksuar Nikoliq, duke përdorur termin "nën pushtimin osman" dhe duke shmangur shqiptarët si autoktonë dhe betejat për Shkupin dhe qytetet e tjera.

Mirëpo, shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se qëndrimet e presidentit serb flasin se ai dhe politika serbe nuk kanë lëvizur nga mentaliteti i politikës së vjetër të Serbisë në raport me Kosovën dhe shqiptarët. “Për mendimin tim, glorifikimi i luftërave ballkanike të para njëqind viteve, të cilat në thelb kanë qenë luftëra pushtuese dhe për ekspansion territorial si dhe koha e vendi i përzgjedhjes së glorifikimeve të tilla që është në Beograd, Kumanovë apo në vende të tjera, janë pa dyshim mesazhe të këqija për rajonin dhe flasin për atë se mitologjia politike e Serbisë së madhe edhe më tutje është e pranishme në mendjet e lidershipit aktual e politik serb”, ka thënë Hoxhaj. “Këto luftëra janë aso që kanë pasur karakter pushtues, por mbi të gjitha për pasojë kanë pasur një numër shumë të madh të viktimave të civilëve shqiptarë, mbi të gjitha gra dhe fëmijë dhe kultivimi i një kujtese të tillë morbide në vitin 2012 pa dyshim që nuk i shërben as paqes, as stabilitetit e as sigurisë në rajon”. Ai e ka ftuar Beogradin që të heqë dorë nga, siç i ka quajtur ai, konceptet e së kaluarës. “Mbi të gjitha, ne duhet ta kemi parasysh edhe një situatë që një kujtesë e tillë morbide ishte ripërsëritur edhe në vitet 1998-99, në të cilat ngjarje po ashtu ka pasur shumë viktima të pafajshme të qytetarëve të Kosovës, në të cilat ngjarje lidershipi aktual politik serb ka pasur rol aktiv dhe vendimtar”, ka thënë ai. “Prandaj, ne mendojmë që Serbia duhet të heqë dorë nga kultivimi i koncepteve, të cilat i takojnë së kaluarës dhe duhet t’i rikthehet frymës së bashkëpunimit dhe ndërtimit të relacioneve paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në mes të vendeve të tjera të rajonit”.

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se nuk pritet gjë ndryshe nga Nikoliqi, kur dihet që ai i përket rrymës radikale e nacional-shoveniste në Serbi. “Vizita e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, në IRJM, dhe deklarata e tij në Kumanovë, për nga kursi i ligjërimit politik paraqesin kthim te Lufta e Parë Ballkanike. Kjo nuk është e befasishme kur kemi parasysh që Tomislav Nikoliq i përket rrymës radikale e nacional-shoviniste në Serbi, baba i së cilës është Nikola Pashiqi. Para një shekulli nuk po e çlironte Serbia veten prej Perandorisë Osmane por po i okuponte trevat e kombit shqiptar ndaj të cilit po kryente gjenocid”, ka thënë Kurti. “Në njëfarë mënyre, shqiptarët e kishin lodhur Perandorinë Osmane me rezistencën dhe kryengritjet e tyre, dhe tash me ta po merrej Serbia. Shkupi i çliruar nga Hasan Prishtina, u okupua nga Serbia”.

Sipas Kurtit për një gjë të tillë nuk duhet befasuar nga presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, por nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Por, s’kemi pse befasohemi nga Nikoliqi, ky trashëgimtar i Sheshelit që po e pret dënimin në Hagë. E befasishme është heshtja e kryeministrit aktual të Kosovës, i cili nuk bëzan, ndonëse është historian me profesion”, ka thënë ai.  Kurti është shprehur se është e dhimbshme se si në shumë ngjarje të cilat është propaganduar se janë të dedikuara kundër tjetërkujt gjithmonë kanë pësuar shqiptarët. “Para një shekulli Serbia thoshte se po e luftonte Perandorinë Osmane, mirëpo vriste aq shqiptarë. Para shtatë dekadave, Serbia thoshte se po e lufton Gjermaninë naziste, mirëpo sërish vriste më së shumti shqiptarë. Para 13 vjetëve, Serbia thoshte se po e luftonte NATO-n dhe imperializmin amerikan, mirëpo përsëri vriste vetëm shqiptarë”, ka thënë ai.

Për Luftën e Parë Ballkanike ka folur edhe studiuesi Shkëlzen Gashi. Ai ka thënë se Serbia, Kosova dhe Shqipëria si dhe ndërkombëtarët e shohin ndryshe depërtimin e Armatës së Tretë Serbe në Kosovë dhe më thellë në viset e Shqipërisë. “Depërtimi i Armatës së Tretë Serbe në Kosovë dhe më thellë në viset e Shqipërisë për Serbinë është çlirim i Kosovës, kurse për Kosovën dhe Shqipërinë është pushtim, ndërsa për ndërkombëtarët depërtimi i armatës serbe në Kosovë paraqitet si futje e Kosovës në sistemin administrativ serb. Pra, palët e prezantojnë këtë në mënyra të ndryshme, por më së shumti problematike janë krimet e kryera gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ai. “Në Serbi nuk thuhet asnjë fjalë për këto krime, kurse në Kosovë në vend të fakteve e argumenteve përdoren vetëm etiketa”. Sipas Gashit, as në Serbi e as në Kosovë nuk u referohen, ta zëmë, raportit të socialdemokratit austriak Leo Freundlich “Golgota e Shqipërisë”, që thotë se numri i shqiptarëve të vrarë në fund të vitit 1912 e në fillim të vitit 1913 del të ketë qenë 25 mijë. “Asnjëra palë nuk u referohet shkrimeve të korrespodentit të luftës për ditoret ruse, Leon Trocki, ose të dhënave të Raportit nga Komisioni ndërkombëtar për hetimin e shkaqeve dhe sjelljeve në Luftën Ballkanike, hartuar nga Donacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare. Po ashtu, asnjë nga tekstet e të tria vendeve s’u referohen as artikujve të socialdemokratëve serbë: Kosta Novakoviq, Dushan Popoviq, Dragisha Lapçeviq e Trisha Kacleroviq, të botuara këto në gazetën socialiste të Beogradit Radnićke Novine”, ka thënë Gashi. “Posaçërisht do të ishin të dobishëm artikujt e socialdemokratit serb Dimitrije Tucoviq, njëri ndër të cilët thotë: ‘...ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë’”.

Lufta e Parë Ballkanike ka zgjatur për disa muaj. Ajo ka nisur në vjeshtën e vitit 1912 dhe ka mbaruar në pranverë të vitit 1913. 

Komente (2)

kadri voka 30.10.2012/07:37

historija ndertohet po nuk shkruhet.

Nexhmedin Gerguri29.10.2012/14:04

Luftrat e Serbisë ndaj shqiptarëve nuk ishin vetëm pushtuese, por edhe shfarosëse.
Nuk mjafton të thuhet se luftrat e Serbisë ndaj shqiptarëve ishin vetëm pushtuese, sepse, kështu e thënë, do të dilte se Serbia në Luftën e Parë Ballkanike ka pasur qëllim vetëm territorin e jo edhe shfarosjen e popullësisë shqiptare, me një fjalë ajo do të aministohej përmes vetë kualifikimit "luftë pushtuese" nga krimet e bëra mbi popullësinë e pambrojtur. Dihet se pas Betejës së Kumanovës u ... në mizorisht mëse 25 mijë shqiptarë.
Defilimi i Nikoloiqit bashkë me zyrtarët maqedonas në 100 vjetorit e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është më shumë se rishpallje lufte e Serbisë ndaj shqiptarëve është rikonfirmim i aleancës antishqiptare serbomaqedone.
Përmendja e fjalës "luftë" nga Nikoliqi, edhe pse e maskuar me luftë mendore e politike, nuk mund të fshehë karakterin e vërtetë të vizitës dhe të fjalimit të tij.

1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°CKryesisht me vranėsira
Shkup 13°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu