Preportr: AKK e zbaton ligjin sipas qejfit

Artikujt tjerė
- Nga KKR jep dorëheqje edhe Amir Ahmeti
- Preportr: AKK e zbaton ligjin sipas qejfit
- Në Kosovë, për 9 muaj humbin jetën 12 punëtorë
- Preportr: Të fundit e romëve në Prishtinë
- Limaj: Situata në PDK - shqetësuese
- Pacolli ftohet në vizitë zyrtare në Sudanin e Jugut dhe Burundi
- Grupi i eksperteve E-15 e lëshon KKR-në
- Kryesia e LDK-së përkrah idenë e bashkimit të spektrit të djathtë
- Agani dhe Cliff bisedojnë për reformat në shëndetësi
- U nënshkrua Kodi Etik për zyrtarët e kufirit në kuadër të MIK
Preportr, tetor, Prishtinë - Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), ka marrë disa vendime të ndryshme për raste të njëjta në lidhje me trajtimin e konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Kjo agjenci më 6 korrik të këtij viti ka nxjerrë një vendim mbi ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik rreth rastit të Ejup Qerimit, drejtor ekzekutiv në PTK dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. AKK-ja ka konstatuar se në rastin e Ejup Qerimit ekziston konflikti i interesit në ushtrimin e funksionit publik, duke qenë se personi i përmendur ushtron dy funksione në të njëjtën kohë, që sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit Nr.04/L-051, është e ndaluar, shkruan Preportr.Ndërsa në gusht të vitit 2011, AKK ka nxjerrë një vendim rreth konfliktit të interesit të Rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP) dhe ka konstatuar që në rastin e Mujë Rugovës, nuk ekziston gjendja e konfliktit të interesit. Rugova, krahas funksionit që e kishte si rektor i Universitetit të Prishtinës ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtrojë edhe funksionin e anëtarit të Bordit të Drejtorëve në KEK.
Të dy vendimet e AKK-së, janë me përfundime të ndryshme me gjithë faktin që kemi të bëjmë me raste tërësisht të njëjta. Drejtori i PTK-së, Ejup Qerimi është drejtor në PTK, dhe njëherazi edhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, përderisa Mujë Rugova ka qenë Rektor i UP-së dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve në KEK.
Madje, AKK-ja në rastin e Mujë Rugovës ka bërë interpretim të ndryshëm të Ligjit të Konfliktit të Interesit, pasi që në vendimin e marrë mbi mosekzistimin e konfliktit të interesit, AKK-ja citon një nen i cili pikërisht dëshmon që Mujë Rugova është në konflikt të interesit.





