Shpërfaqen pretendimet serbe për Kosovën

Artikujt tjerė
- Ban Ki-moon: Për Kosovën është me rëndësi ruajtja e stabilitetit
- Jahjaga e Thaçi u takuan me Ban Ki Munin
- Pacolli paralajmëron lajme të rëndësishme
- Edhe në gjykata ka korrupsion, shpresa në reformë
- Aksioni Ndihmo edhe ti, 17 shtëpi të reja në veri të Mitrovicës
- Frymëzënia e drejtësisë kosovare
- Shpërfaqen pretendimet serbe për Kosovën
- Emiratet e Bashkuara Arabe ndihmojnë procesin e njohjeve
- VV: MZHE Ministri e Shkatërrimit Ekonomik
- Një delegacion i Qeverisë së Kosovës vizitoi Bankën Islamike në Xheda
Prishtinë, 23 shtator - Deklarata e kreut të Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale, nuk ka bazë reale, por përmes këtij qëndrimi Daçiq paralajmëron pozicionimin e Serbisë në dialogun e mundshëm me Kosovën, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.
Sipas tyre, kjo tregon se çfarëdo dialogu në të ardhmen Kosova dhe Serbia e shohin prej dy këndeve krejtësisht të kundërta, që do të thotë se Kosova e sheh dialogun si një proces për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq kjo e fundit e sheh si një mundësi tjetër për ta cenuar dhe mohuar shtetin e Kosovës, si dhe ta destabilizojë atë.
Politologu Behlul Beqaj thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit serb nuk është befasuese, pavarësisht kundërshtimeve që kanë autoritetet e Kosovës, por edhe bashkësia ndërkombëtare lidhur me ndryshimin e kufijve.
Realisht, indikacione të tilla ka paralajmëruar qysh më herët kryeministri aktual serb, ndonëse, objektivisht, në Serbi është një konfuzion rreth çështjes së Kosovës. Por, megjithatë, deklarata e fundit (e Daçiqit) e zbulon natyrën e mirëfilltë të pretendimeve serbe karshi Kosovës.
Por, kjo nuk është aq shumë me rëndësi sa është me rëndësi edhe një deklaratë, të cilën kohë më parë e pati dhënë ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit, zoti Busek, që ndërlidhet me mundësinë e koordinimit të veprimeve që kjo ide të ketë mbështetës sa më të mëdhenj dhe eventualisht të bëhet sa më reale, thotë Beqaj.
Analisti Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave-KIPRED, thotë se kryeministri serb e ka të qartë që opsioni i ndarjes së Kosovës përjashtohet kategorikisht nga elita politike në Kosovë, por sidomos nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i frikohet një efekti domino që do të mund të shkaktonte ndarja e Kosovës.
Kjo (deklarata e Daçiqit) shumë më tepër ka gjasa që të jetë një pozicionim i Serbisë para bisedimeve, në të cilat ata presin që do të bisedohet edhe për veriun e Kosovës, me synimin që të nxjerrin një zgjidhje që i ofrohet sa më shumë ndarjes së Kosovës - pra, një autonomi sa më të madhe, një shkëputje sa më të madhe të veriut të Kosovës nga Prishtina, shprehet Arifaj.
Në anën tjetër, ditë më parë, drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandër Vulin ka deklaruar se Beogradi dëshiron vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, por pa kurrfarë parakushtesh.
Njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike vlerësojnë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, siç është edhe kjo e fundit e Daçiqit, në njëfarë forme janë parakushte që ata po përpiqen ti vendosin.
Megjithëkëtë, politologu Beqaj thotë se Serbia nuk është në pozicion që të vërë kushte ose parakushte për vazhdimin eventual të dialogut me Kosovën.
Këto janë më shumë prekje të pulsit për gatishmërinë e faktorëve që janë pjesëmarrës në dialog, apo të atyre që e mbështesin dialogun. Por, gjithsesi, unë mendoj se hapja eventuale e çdo kushti nga njëra anë duhet të nënkuptojë edhe hapjen e kushteve nga pala tjetër.
Në rastin konkret, nëse eventualisht mendohet për veriun, atëherë në mënyrë definitive duhet të mendohet edhe për Luginën e Preshevës, për arsye të parimit, të reciprocitetit dhe të drejtësisë, thekson Beqaj.
Ndryshe, autoritetet e Kosovës kanë ripërsëritur qëndrimin se në dialogun eventual me Serbinë çështja e veriut të Kosovës përjashtohet si temë.
Analisti Arifaj thotë se dialogu nuk ka alternativë, por qëndrimi i zyrtarëve kosovarë është inkurajues, ashtu siç është edhe qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare.
Edhe më inkurajuese janë sinjalet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare - tash së voni, herën e fundit, nga Bundestagu gjerman, me shtatë pikat (kushtet) që ia ka drejtuar Serbisë, me të cilat kërkon, ndër të tjera, atë që është kërkuar edhe më herët nga shumë zyrtarë të BE-së, që Serbia të zbatojë së pari marrëveshjet e arritura deri më tash dhe sidomos, për ti hapur rrugë çfarëdo dialogu të drejtë dhe çfarë e kërkon edhe Prishtina, ta largojë prezencën e vet ilegale nga veriu i Kosovës, potencon Arifaj.
Sido që të jetë, Serbia tashmë është në pritje të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, për të cilën gjë zyrtarët evropianë kanë vënë kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.


ermali23.09.2012/20:43
Jo i dashur Behlul, nuk mund te krahasohet Presheva me veriun e Kosoves. Mos u ben dhe ti si Rexhep Qosja. Cdo krahasim eshte antishqiptar dhe i demshem. Lugina e Presheves mund te nderrohet me spastrimin etnik te te gjithe serbeve te jugut te Ibrit e pastaj me lenien e tri komunave pa Mitrovicen e veriut. Vetem ne kete rast merr kuptim ekuivalenca. Ndryshe ti e di se nuk jane te barazvlefshme Lugina e Presheves me gjithe veriun e Kosoves. Prandaj mos u hiqni si te moderuar, duke bere pazar me territoret e te drejtene shqiptareve. Nese hiqet Lugina e kthehet veriu ne Serbi, Serbia ruan perseri ndikimin e saj ne te gjithe Kosoven permes te ashtuquajturave enklava. Ndersa Kosova nuk ka me aresye e mundesi te beje presion mbi Serbine lidhur me te drejtat e shqiptareve. Pa folur per faktin se Lugina e Presheves eshte rrudhur e serbet ne veri i kane zgjeruar keto 15 vite territoret e veta.









Arjeta24.09.2012/08:15
Kur flitet qe Veriu do behet teme e bisedimeve, perse nuk flitet asnjehere per te shperngulurit me dhune te 2001 nga ajo pjese. Para cdo bisedimi te ri, duhet te kthehen njehere te shperngulurit e pastaj te flitet per mundesine e dialogut, ne fund te fundit ashtu sic u kthyen serbet ne pjese te tjera te Kosoves, biles edhe ne ato pjese ku ata nuk ishin me pare.