• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Kuçi: Plani për veriun është ende inicial

Publikuar: 13.09.2012 - 09:04

Prishtinë, 13 shtator – Plani integrues për veriun nuk është një dokument të cilit i është dhënë forma finale, pavarësisht që prej kohësh një të tillë komuniteti ndërkombëtar ia ka kërkuar Prishtinës zyrtare. Në Qeveri kanë thënë të mërkurën se ky ende është një projekt inicial.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se autoritetet vendore kanë nevojë paraprakisht të marrin bekimin e Perëndimit, para se planin t’ia qesin për miratim Kuvendit. Ka deklaruar kësisoj tek ka reflektuar në një deklaratë të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili ka thënë të mos jetë në dijeni për ekzistencën e një plani të tillë. Kuçi ka thënë se do të vijë koha kur edhe institucionit që drejton Krasniqi do t’i prezantohet dokumenti.

“Plani është inicial. Ka nevojë për ide të reja, edhe nga qeveria, edhe nga ekspertët, edhe nga opinioni publik. Por, mbi të gjitha, ka nevojë për receptorët tanë, nëse më lejohet ta them, dhe receptorë në këtë rast janë BE-ja dhe SHBA-ja”, ka thënë Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë. “Nuk bëjmë ndonjë plan që pasdite del BE-ja dhe SHBA-ja dhe e shpall nul”.

Vetëm një javë më parë kryeministri Hashim Thaçi ka folur për ekzistencën e një dokumenti që parasheh mënyrën se si duhet dhënë zgjidhje veriut të Kosovës të banuar me serbë. E ka bërë këtë në prag të përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës, e cila kushtëzohej me përmbushjen e Pakos Ahtisaari. Pjesë të kësaj pakoje në veri nuk janë zbatuar.

Një ditë më parë në një konferencë ndërkombëtare përfaqësuesi ndërkombëtar që deri të hënën kishte autoritet suprem në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se ndërkombëtarët nuk kanë mundur të bënin më shumë për veriun. Ai ka thënë se autoritetet vendore duhet të marrin iniciativën. Sipas tij, ka mundësi që veriut t’i gjendet zgjidhja.

Serbët e veriut të Mitrovicës dhe të tri komunave të veriut të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – mbajnë lidhje të forta me Serbinë dhe nuk i binden rendit kushtetues të Kosovës. Për pasojë, në këtë pjesë funksionojnë të gjitha institucionet publike të Serbisë, përfshirë edhe ato të sigurisë. Edhe përfaqësuesit e këtyre lokaliteteve kanë ardhur në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve që Serbia ka organizuar në Kosovë.

Pavarësisht që Kosova tanimë nuk ka mbikëqyrje formale ndërkombëtare, autoritetet qeveritare kanë hezituar të japin premtime për t’u vënë në krye të përballjes me njerëzit që, sipas tyre, mbajnë peng veriun.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka përmendur prezencën ndërkombëtare në fushën e sigurisë, që është KFOR-i, dhe prezencën ndërkombëtare të rendit dhe ligjit, që është EULEX-i, e që veprojnë në veri. Ka thënë të ketë nevojë për aktivitet të shtuar dinamik dhe vendosmëri të këtyre dy misioneve. Por ka thënë se ka nevojë edhe për një presion të shtuar mbi Beogradin nga Brukseli dhe Uashingtoni, për ta bindur që të mos ndërhyjë në punë të brendshme të Kosovës.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 16°CI kthjellėt
Tiranė 16°CI kthjellėt
Shkup 19°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell