LB e shqetësuar me disharmoninë e brendshme para dialogut

Artikujt tjerė
- LB e shqetësuar me disharmoninë e brendshme para dialogut
- 110 mijë euro për drekat zyrtare të tetë komunave
- Duhani ndez Qeverinë
- Ndërmjetësim edhe në dialogun me serbët e veriut
- Në BE shumë ide, por pak qartësi rreth dialogut Kosovë-Serbi
- VV: Decentralizimi i ka betonuar ndarjet etnike
- Hoxhaj: Ska dialog pa zbatim të marrëveshjeve
- Reagim i shkëlqyeshëm i FSK-së ndaj krizave
- Nazim Bllaca akuzon Shukri Bujën për lidhje me serbët
- Kundërpërgjigjet Thaçi, akuzon LDK-në për bllokadën
Prishtinë, 30 gusht Lëvizja për Bashkim po kërkon që Prishtina ta hartojë platformën për dialogun politik me Serbinë. Sipas subjektit që drejtohet nga Avni Klinaku, futja në bisedime me Beogradin pa platformë është e rrezikshme.Sot rreziku Kosovës nuk i vjen nga bisedimet e paralajmëruara me Serbinë, por nga mungesa e platformës së përbashkët politike mbi bazën e së cilës do të duhej të udhëhiqeshin ato, ka thënë anëtari i Kryesisë së LB-së, Driton Avdiu, të mërkurën, në një konferencë për shtyp. Ai ka alarmuar për rrezikun e pranimit të bisedimeve si imponim dhe zhvillimi i tyre në bazë të agjendës së të tjerëve.
Sipas anëtarit të Kryesisë së LB-së, skena politike e Kosovës në prag të dialogut me Serbinë është e çakorduar.
Gjendja e skenës politike në Kosovë në vigjilje të dialogut politik me Serbinë është plotësisht e çorientuar, ku shumica e subjekteve politike janë lëshuar në garë me nuancë elektorale me njëra-tjetrën, e jo në drejtim të përpjekjeve për ndërtim të një pozicioni të përbashkët politik përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, në këtë temë tejet të ndjeshme për opinionin publik dhe shumë të rëndësishme për fatet e ardhshme të vendit e të kombit, ka thënë Avdiu. Të gjithë duhet ta kemi të qartë atë që edhe bashkësia ndërkombëtare e ka bërë të qartë në vazhdimësi se ky dialog është i pashmangshëm dhe temë e dialogut do të jetë edhe veriu i vendit.
Anëtari i Kryesisë së LB-së ka thënë se Prishtina nuk duhet të ndihet inferiore në dialog. Kosova në këto bisedime ska nevojë të hyjë me kompleks inferioriteti, por duhet ti shtrojë hapur dhe guximshëm në tavolinën e bisedimeve interesat e veta kombëtare dhe në qendër të këtyre interesave duhet të jetë problemi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, ku Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga pronat e veta në Mitrovicë para fillimit të çfarëdo bisedimeve me Serbinë dhe pozita e shqiptarëve në tri komunat në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) për të cilët duhet insistuar të trajtohen me të njëjtin standard, siç kërkohet të trajtohen edhe serbët e Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, ka thënë Avdiu.
Pas Avdiut ka folur anëtari tjetër i Kryesisë së LB-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Agim Kuleta. Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë mocionin e LB-së për kodin telefonik të Shqipërisë, kur një gjë e tillë të jetë në rend dite.
Që nga përfundimi i luftës Kosova vazhdon të shfrytëzojë kode të huaja telefonike. Në fillim ishte vazhdimi i validitetit të kodit të Serbisë, e më pastaj kjo u zgjerua edhe me futjen e kodit telefonik të Monakos dhe atë të Sllovenisë. Kosova dhe qytetarët e saj nga përdorimi i këtyre kodeve kanë pasoja të jashtëzakonshme, ka thënë Kuleta. Dhe të gjitha këto dëme mund të profilizohen në tri rrafshe: në rrafshin ekonomik, politik dhe në atë të sigurisë shtetërore.
Deputeti i LB-së ka përmendur fillimisht dëmet në aspektin ekonomik.
Shfrytëzimi i tri kodeve të huaja telefonike Kosovës i ka kushtuar me humbjen e qindra miliona eurove. Ato përfshijnë pagesat për shfrytëzim të kodit, pagesat për thirrjet e realizuara, lartësinë e çmimeve të shërbimeve që diktojnë reduktim të numrit të thirrjeve, etj., ka thënë ai. Gjithashtu lëvizja e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas ka bërë që intensiteti i komunikimit midis tyre përmes rrjetit telefonik të rritet, ndërkohë që kostoja e këtij komunikimi, për shkak të kodeve të ndryshme, është shumë e lartë. Sipas tij, shfrytëzimi i kodit të Republikës së Shqipërisë do ti eliminonte këto dukuri.
Kuleta ka thënë se sa i përket kodit telefonik të Serbisë (+381), humbjet e Kosovës janë më të theksuara në fushën e pranimit të thirrjeve. Imagjinojeni numrin e thirrjeve prej diasporës së madhe shqiptare në familjet e tyre në Kosovë e përkthejeni këtë në para dhe do ta kuptoni se çfarë kontributi i japim ne rritjes së buxhetit të Republikës së Serbisë, ka thënë ai.
Duke i elaboruar dëmet e aspektit politik, deputeti i LB-së ka thënë se pasojat më të mëdha politike rrjedhin nga përdorimi i kodit telefonik të Serbisë. Sepse kjo në vetvete përmban pranimin vullnetar të të qenit pjesë e një tërësie me Serbinë, ka thënë ai. Pra përbën pranimin e njëjtësisë me Serbinë pa qenë aspak i detyruar ta bësh këtë, dhe atë pikërisht në kohën kur është shumë e nevojshme që me të gjitha mjetet të përpiqemi ta arrijmë të kundërtën.
Pasi ka kryer punë me dëmet e aspektit politik, Kuleta ka kaluar te dëmet e aspektit të sigurisë shtetërore. Dihet që sistemet telekomunikuese mund të shfrytëzohen nga institucione të ndryshme të sigurisë së një shteti për kryerjen e detyrave të veta shtetërore. Kjo do të thotë që shtetet përkatëse mund ta shfrytëzojnë dhe ta kontrollojnë edhe pjesën e rrjetit të tyre të zgjeruar në Kosovë, ka thënë ai. Kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të sigurisë sonë shtetërore.
Sipas tij, duke e pasur parasysh këtë situatë aspak të përshtatshme për Kosovën, Lëvizja për Bashkim zgjidhjen e sheh në zëvendësimin e këtyre tri kodeve me kodin e Republikës së Shqipërisë +355.
Vazhdimin e kësaj gjendjeje e konsiderojmë veprim skandaloz, të papërgjegjshëm e me pasoja të mëdha për vendin, ka thënë ai. Prandaj si deputet i kësaj lëvizjeje, u bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë mocionin që do ta parashtrojë në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.









