• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:20 Anima *** 18:00 Talk *** 18:35 Filma Vizatimor: “ Ariu i Vogël Çarli “ epis.16 dhe 17 *** 19:00 LAJMET E MBRËMJES *** 19:35 Sporti ne KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:05 Automan *** 21:30 Dokumentar: “At the Edge of Russia” *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pengon reformën zgjedhore

Publikuar: 18.07.2012 - 19:25

Prishtinë, 18 korrik - Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mandatin e plotë të presidentes Atifete Jahjaga ka ndikuar edhe në ecurinë dhe dinamikën e punës në reformën zgjedhore. Sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, parashihej mandat i shkurtuar për postin e presidentes, si dhe mandat jo i plotë i Qeverisë dhe Kuvendit deri në rrumbullakimin e reformave zgjedhore e kushtetuese.

Por, Gjykata Kushtetuese doli me interpretimin se kjo marrëveshje e liderëve politikë ishte në kundërshtim me aktin më të lartë juridik

Tani, Komisioni për Reformën Zgjedhore ka fare pak kohë gjatë shtatorit që të përmbyllë mandatin që ka marrë nga Kuvendi.

Fillimisht, ishin liderët e partive politike ata që ndikuan në zvarritje, ngase injoruan kërkesat e komisionit për harmonizimin e disa çështjeve që kërkonin konsensusin politik.

Ndërkaq së dyti, vendimi i Kushtetueses se mandati i institucioneve nuk mund të ndryshohet me marrëveshje politike, e ka vënë në dyshim punën dhe rezultatin e arritur deri më tani.

Kryetari i Komisionit, Haki Demolli thotë se e tërë puna ka mbaruar, me përjashtim të çështjeve që kërkojnë harmonizimin nga liderët e partive politike.

“Ne, si komision çështjet e karakterit juridiko - teknik i kemi përfunduar të gjitha, e në anën tjetër ato çështjet e karakterit politik në njëfarë forme janë varur nga liderët politikë, ngase propozimet kanë qenë divergjente dhe ka pasur dallime të mëdha mes propozimeve që janë drejtuar në komision”, tha Demolli për Radion Evropa e Lirë.

Ngecjet në këto reforma kanë të bëjnë me çështjet e natyrës politike që lidhen me sistemin e ardhshëm zgjedhor.

Pa pëlqimin e liderëve të partive politike, Komisioni nuk mund të japë vetëm një zgjidhje.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Halit Krasniqi përmend çështjet e hapura që presin vendimin dhe konsensusin politik të liderëve të subjekteve politike.

“Çështjet e sistemit zgjedhor, numrit të zonave zgjedhore, çështja e listave të hapura apo të mbyllura dhe pragu zgjedhor, këto çështje nuk mund të vendosen nga Komisioni, por duhet patjetër një qëndrim i liderëve dhe i subjekteve politike”, tha ai.

Kur ishte formuar, Komisioni për Reformën Zgjedhore kishte një mandat prej nëntë muajve e më pas Kuvendi i zgjati atij mandatin edhe për tre muaj.

Shtatori është koha e fundit kur do të duhej të kryhej puna e nisur e reformave.

Në opinion dhe në skenën politike tashmë ka ide që subjektet politike të ulen edhe një herë dhe të diskutojnë për një marrëveshje të re.

Por, sipas Demollit, marrëveshja e re nuk është zgjidhje.

“Nuk e di se sa do të jetë e logjikshme marrëveshja e re nëse nuk zbatohet marrëveshja e vjetër. Tekefundit do të jenë thuajse akterët e njëjtë në këtë marrëveshje”, shprehet Demolli.

Ngjashëm me përfaqësuesin e LDK-së, mendon edhe kolegu i tij nga PDK-ja.  “Konsideroj dhe gjithashtu edhe në PDK mbizotëron mendimi që nuk ka nevojë për marrëveshje të re. Mjafton vetëm një minimum i vullnetit të liderëve politikë dhe pastaj këtu do të shkojë gjithçka në rregull”, tha Halit Krasniqi.

Reforma zgjedhore bën pjesë në kuadër të pesë top-prioriteteve që Komisioni Evropian ia ka vënë Kosovës si parakusht për vlerësim pozitiv në kuadër të studimit të fizibilitetit, krahas reformës së administratës publike, sundimit të ligjit, zhvillimit të tregtisë së lirë dhe trajtimit të minoriteteve

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 11°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 11°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė16°C
Tiranė18°CRrebesh shiu
Shkup23°CRrebesh shiu