Rihapet rruga e rezidencës së Rugovës në Velani

Artikujt tjerė
- Rihapet rruga e rezidencës së Rugovës në Velani
- Sjanë 700 ...
- Cooper: Në tabelë vetëm ylli, jo edhe shpjegimi
- Doganat ende pa raport për maunet e bllokuara të SharrCemit
- Parlamentarët kërkojnë inventarizimin e dëshmive në Polici
- Vetëvendosja mashtroi KQZ-në
- Deputetët e dy blloqeve parlamentare luftojnë kundër taksës së çimentos
- Rektorit Rugova do ti ndërpritet mandati pa shkarkim
- Thaçi largon Tahirin nga dialogu
- Fqinjët serbë e romë të dyshuar për vrasjen e shqiptarëve
Prishtinë, 22 qershor Njëra ndër rrugët më të njohura në kryeqytet, Hamdi Gashi, e njohur ndryshe si Rruga e presidentit Rugova, në lagjen Velania, pritet të hapet tërësisht për qarkullim deri në fund të javës së ardhshme, tetë vjet pas bllokimit të saj.
Këtë premtim e ka bërë të enjten Isa Mustafa, në cilësinë e pasardhësit të postit të ish-presidentit tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova, si kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëherësh edhe kryetar i Komunës së Prishtinës.
Në një deklaratë për Kohën Ditore, ai ka thënë se brenda javës do të merret vendimi për lirimin e kësaj rruge për qarkullim të plotë.
Rruga, në të cilën prej vitesh ka jetuar ish-presidenti tashmë i ndjerë, Ibrahim Rugova së bashku me familjen e tij, qe mbyllur për qarkullim në vitin 2004, pas një atentati që ishte bërë më 12 mars të atij viti ndaj ish-presidentit Rugova. Ajo ka mbetur e bllokuar për qarkullim edhe gjashtë vjet pas vdekjes së ish-presidentit Rugova, kurse banorët e tjerë që jetojnë në këtë rrugë disa herë kanë kërkuar zhbllokimin e saj. Ata janë ankuar se mbyllja për qarkullim e kësaj rruge u ka shkaktuar shumë probleme atyre, por edhe kalimtarëve të tjerë që kanë qarkulluar nëpër lagjen Velania të Prishtinës, të cilët detyrohen të sillen anëve për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Por, të enjten kryetari Mustafa ka deklaruar se rruga do të hapet, meqë nuk ka ndonjë arsye të veçantë që të vazhdojë të jetë e mbyllur.
Ai ka bërë të ditur se kjo çështje tashmë është diskutuar edhe në Këshillin e Drejtorëve të Komunës së Prishtinës.
Ne e kemi biseduar këtë çështje në Këshillin e Drejtorëve dhe unë e kam angazhuar Drejtorinë për Urbanizëm dhe atë për Infrastrukturë që të shohin dhe analizojnë vendimin që është marrë për mbylljen e rrugës, e pastaj të zhvillojnë procedurat për lirimin e saj, është shprehur Mustafa.
Ai ka bërë të ditur se për këtë paraprakisht do të njoftohet edhe familja e ish-presidentit Rugova.
Ne do ta njoftojmë edhe familjen e presidentit Rugova për lirimin e saj. Dhe mendoj se brenda një jave do të marrim vendim për lirimin e saj, ka pohuar kryetari i Komunës së Prishtinës dhe i LDK-së.
Ai madje ka porositur qytetarët që jetojnë në këtë rrugë, e të cilët vazhdimisht kanë kërkuar hapjen e saj, që të mos shqetësohen, sepse kjo çështje do të rregullohet.
Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen, sepse rruga do të hapet, meqë nuk ka ndonjë arsye të veçantë që rruga të jetë e mbyllur, ka vlerësuar kryetari Mustafa.
E banorët që jetojnë në afërsi të rrugës, në mes të së cilës që prej tete vjetësh janë vendosur dyer të hekurta, janë shprehur tepër të ngazëllyer me këtë lajm.
Lajm më të mirë moti skam dëgjuar, tepër mirë... ishalla del i besueshëm, ka thënë I.K., banor i kësaj lagjeje.
Sipas tij, tek pasi të zhbllokohet rruga banorët do të mund të jetojnë lirshëm, ndërsa ka treguar se ata kanë qenë duke e organizuar një protestë për të bllokuar me rërë hyrjen në lagjen Velania, duke vënë ultimatum që ajo të mos lirohet derisa Komuna të zhbllokojë këtë rrugë.
Ne, i kemi dërguar edhe peticion Komunës për të liruar këtë rrugë, e sa e sa herë iu kemi drejtuar në mënyrë të tjera, por kurrë nuk na është premtuar direkt se rruga do të hapet, ka thënë ai, duke u shprehur se nuk po mund të besonte se gazeta ka marrë konfirmimin nga kryetari Mustafa se rruga do të hapet.
Kurse, kryetari Mustafa ka paralajmëruar se edhe për rrugën tjetër 1 Tetori, ku është i vendosur një semafor, me qëllim që të rregullojë vijën e qarkullimit herë nga njëra anë e herë nga tjetra, pasi që është tepër e ngushtë, dhe nëpër të nuk mund të kalojnë njëkohësisht dy vetura paralele, pritet të gjendet një zgjidhje.
Komuna prej kohësh ka planifikuar rregullimin dhe asfaltimin e saj, mirëpo njëri nga banorët që jeton në të ka paraqitur kontest gjyqësor në lidhje me pronën dhe puna është stopuar.
Megjithatë, kryetari Mustafa ka njoftuar se Komuna nuk do të heqë dorë nga plani për zgjerimin dhe rregullimin e saj.
Ne do të shohim edhe zgjerimin e rrugës tek semafori, ndonëse atje është një problem, pasi që ne e kemi një vendim të përkohshëm gjyqësor, i cili neve na i ka pamundësuar që të zgjerojmë atë rrugë, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar tutje se ne do të bisedojmë edhe me gjykatën dhe të shohim se sa do të zgjasë ajo masë e përkohshme, në mënyrë që të mund të ndërmarrim masat e duhura për rregullimin e çështjes për të dyja rrugët.
E së fundmi njëri nga banorët e lagjes Velania, Sabri Mehmeti, në emër të të gjithë banorëve të kësaj lagjeje, ia ka dërguar një letër të hapur djalit të ish-presidentit Rugova, Ukë Rugova, që është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës ai i ka kërkuar nismën për zhbllokimin e rrugës ku ishte rezidenca e ish-presidentit Rugova.
Për hir të lirisë së qarkullimit, lehtësimit të jetesës së bashkëqytetarëve tuaj, jo pak prej të cilëve të kanë dhënë votën për ti mbrojtur interesat e tyre, respektimit të ligjit, ngaqë sipas nenit 22.1, pika a) të Ligjit për rrugët, personi juridik ose fizik bën kundërvajtje, nëse pa arsye dhe në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji bllokon një rrugë publike ose vendos material në rrugë publike, të përgjëroj zhbllokoje rrugën Hamdi Gashi, ka shkruar Mehmeti në letrën e tij.







